Vajzat e zhvendosura të ekipit ukrainas të futbollit ëndërrojnë të kthehen në shtëpi

FFC_Mariupol

Lojtaret e WFC Mariupol. Foto nga faqja e Klubit në Instagram, e përdorur me leje.

Ky artikull është pjesë e një serie esesh dhe artikujsh të shkruar nga artistë ukrainas që qëndruan në Ukrainë pas pushtimit të plotë nga Rusia më 24 shkurt 2022. Kjo seri është prodhuar në bashkëpunim me Folkowisko Association/Rozstaje.art, falë bashkëfinancimit nga qeveritë e Republikës Çeke, Hungarisë, Polonisë dhe Sllovakisë nëpërmjet një granti nga Fondi Ndërkombëtar i Vishegradit. Misioni i fondit është të avancojë idetë për bashkëpunim të qëndrueshëm rajonal në Evropën Qendrore.

Lojtaret e Klubit të Futbollit të Grave (WFC) Mariupol i kaluan tre javët e para të luftës në shkallë të gjerë të Rusisë kundër Ukrainës nën granatime, në një bodrum, duke menduar: “Të qëndrosh apo të largohesh?” Tani, ato po luajnë futboll në Kiev dhe shpresojnë që një ditë të kthehen në shtëpi për ndeshjet e Ligës së Kampionëve.

Në sezonin e tij të fundit të vitit 2022, përpara pushtimit të Ukrainës nga Rusia, klubi financohej nga prodhuesi i ushqimit Vlasne Vyrobnytstvo (Prodhimi në shtëpi), ku lojtaret punonin kur nuk ishin duke u stërvitur. Yana Vinokurova, presidentja dhe lojtarja e klubit, e nisi biznesin kur qyteti i Mariupolit shkurtoi fondet e ekipit nga buxheti. Asaj ju deshën vetëm tre muaj për ta bërë biznesin rentabël. Ato prodhonin byrekë me mish, pierogis dhe petulla dhe i shisnin në supermarketet e Mariupolit. Ato mund të kishin vazhduar në këtë mënyrë nëse nuk do të ishte ushtria ruse që erdhi më 24 shkurt 2022, për të “çliruar” ukrainasit.

Në shtëpinë e Yanës u mblodhën lojtaret që arritën të kontaktoheshin. Ishin shtatë prej tyre. “Ne ishim kaq të patrembura. Kishte sulme ajrore, predha, por ne ose po merrnim ujë ose po prisnim dru,” tha trajnerja e ekipit, Karina Kulakovska.

Mariupol_2022

Nën rrethim në shtëpinë e Yana-s në Mariupol. Foto nga faqja e Klubit në Instagram, e përdorur me leje.

Ato vendosën të largoheshin nga qyteti pas një shpërthimi pranë shtëpisë. Lojtaret ngarkuan një makinë pa u menduar; morën vetëm kafshë dhe disa pajisje prodhuese. Ato nuk morën rroba sepse mezi kishin vend në makinë. Në sediljen e përparme ishte Karina me qenin e Yanës. Pesë vajza me pesë mace ishin në sediljen e pasme.

“Dy ditë pas nisjes, një predhë më shkatërroi shtëpinë. Kafeneja ime u shkatërrua më herët,” tha Yana.

Lojtaret udhëtuan 230 km deri në Zaporizhzhia – 26 orë. Ato duhej të kalonin 19 postblloqe. Por Yana dhe Karina u kthyen në qytetin e tyre të lindjes, Mariupol. Nëna e Yana-s i telefonoi për të thënë se ajo kishte qëndruar në qytet, kështu që vajzat u kthyen për ta shpëtuar. Ato arritën të gjenin një autobus të madh dhe dashamirës dhe vullnetarë e mbushën me ndihma humanitare. Kështu ato shkuan për të shpëtuar njerëzit, të shoqëruar nga pronari i autobusit, Ivan. Së bashku, ato arritën të evakuojnë mbi 100 persona dhe t'i sigurojnë ndihmë. Nëna e Yana-s ishte evakuuar në Zaporizhzhia para ardhjes së vajzës së saj.

Futbollistet e Mariupolit e kaluan verën e vitit 2022 në Bullgari. Aty u ofruan strehim dhe ushqim falas. Ajo që ishte edhe më e rëndësishme, hoteli ishte gjithashtu gati për të akomoduar kafshët e tyre shtëpiake, pasi lojtaret nuk do t'i braktisnin.

FFC_Mariupol

Duke shkuar drejt një vendi të sigurtë. Foto nga Alina Kaidalovska, WFC Mariupol, e përdorur me leje.

Në Bullgari, synimi i tyre ishte të fitonin para mjaftueshëm për t'u kthyer në Ukrainë dhe për të luajtur në Ligën Superiore të Ukrainës. Kampionati do të rifillonte në shtator. Gjatë atyre tre muajve, lojtaret gatuanin darka për refugjatët ukrainas. Karina, trajnerja e klubit, po ashtu, siç thotë ajo, pjek skarën më të shijshme në botë dhe Yana u dërgonte porosi klientëve me makinën e saj të bardhë. Çdo ditë, ato gjithashtu stërviteshin për të mbajtur veten në formë.

Në shtator, ato shkuan në Kiev dhe përjetuan vështirësi të papritura. Së pari, gjetën një stadium për seancat stërvitore, pastaj akomodimin aty pranë – një shtëpi të madhe pa ngrohje në një fshat të quajtur Chaiky afër Kievit. Gjithashtu u përpoqën të rinisnin biznesin atje për të siguruar të ardhura për ekipin e tyre në Mariupol. Por duhej të rritnin biznesin për ta bërë atë sponsorin kryesor të klubit.

Në dhjetor 2022, ato nisën një fushatë të mbledhjes së fondeve në platformën Keep Going: kërkuan të mblidhnin 350,000 UAH (rreth 8,500$) për pajisjet për objektin e prodhimit të WFC “Mariupol”. Në natën e Vitit të Ri, Andriy Shevchenko, legjenda e futbollit ukrainas, dhuroi 300,000 UAH (8,133$). Si rezultat, ato arritën të mbledhin mbi gjysmë milioni hryvnia (13,547$).

Falë parave të mbledhura, klubi tashmë ka ambiente dhe pajisje, një drejtor prodhimi dhe një teknik. Yana po kërkon një distributor ose një zinxhir supermarketesh që mund të shesin mallrat e tyre. Ajo nuk dëshiron që lojtaret të punojnë si prodhuese. Ajo thotë se ato tashmë kanë një punë – të luajnë futboll.

Vlasne_Vyrobnytstvo

Vlasne Vyrobnytstvo në Kiev. Foto e siguruar nga Yana Vinokurova, e përdorur me leje.

Çdo ditë, ekipi stërvitet nga ora 10 e mëngjesit në stadiumin Temp në lagjen Sviatoshyn të Kievit. Administrata e qarkut i lejon ato të përdorin terrenin artificial pa pagesë. I shikoja të stërviteshin në shi me Yana-n. Yana tregoi me gisht lojtaret dhe shpjegoi:

“Ky është kryesisht një ekip njerëzish të zhvendosur. Këtu është një vajzë e zhvendosur nga Mykolayiv, kjo është një tjetër nga Mykolayiv, portierja. Pastaj, janë dy vajza të zhvendosura nga Kherson. Dhe ne jemi nga Mariupol. Nuk ka shumë nga Kievi këtu. Ndërsa në fillim, ato ishin baza. Por gradualisht, u larguan.”

FFC_Mariupol

Stërvitja e futbollisteve. Foto nga Alla Vaskovska, përdorim i drejtë

Ato u shpërngulën nga shtëpia në fshatin afër Kievit dhe tani jetojnë në apartamente me qira afër stadiumit. Marrin një pagë minimale, 5,150 UAH (139$). Klubi mbulon qiranë dhe Yana dhe Karina furnizojnë ushqimin.

Yana vlerëson zellin dhe disiplinën e lojtareve. Është e rëndësishme për të që vajzat të jenë jo vetëm atlete të forta, por t'i përshtaten skuadrës shpirtërisht.

WFC Mariupol e përfundoi sezonin në vendin e nëntë nga 12 klubet në Ligën superiore të Ukrainës. Kjo do të thotë se ato mbeten në divizionin më të lartë. Kjo ishte pikërisht detyra që Yana u dha atyre përpara se të fillonte sezoni i parë nën ligjin ushtarak në Ukrainë. Ajo e kupton që nuk do të ketë fitore menjëherë. Rrugën që kanë bërë tashmë duhet ta bëjnë sërish, duke ndërtuar një ekip të ri konkurrues hap pas hapi.

Për sezonin e ardhshëm, WFC Mariupol planifikon të hyjë në një marrëveshje me një klub të Ligës Superiore për meshkuj. Sepse tani secili prej tyre duhet të ketë një ekip femrash. Një synim tjetër është mbledhja e një ekipi të rinjsh për ligën e parë për të ushqyer ekipin kryesor.

Këto ditë, lojtaret janë në kërkim të investitorëve për tre nga projektet e tyre: prodhuesin e produkteve gjysmë të gatshme, një shkollë futbolli dhe një parking.

Përveç kësaj, ekipit i nevojiten edhe pajisje të ndryshme sportive të vogla dhe një autobus për t'i çuar në ndeshje.

FFC_Mariupol_game

Loja e WFC Mariupol. Foto nga Pavlo Kubanov, e përdorur me leje.

Kievi, i cili u ofroi lojtareve një pritje kaq të dobët, në gjysmë viti, u bë shtëpia e tyre e dytë. Ato tashmë janë mësuar me distancat pas jetesës në një Mariupoli kompakt dhe komod. Ato do të donin vetëm detin atje dhe pak më shumë diell.

“Ne po planifikojmë të ndërtojmë një ekip në Kiev për t'i kujtuar të gjithëve qytetin tonë,” tha Karina. “Dhe kur Mariupol do të çlirohet, ne do të kthehemi në shtëpi si një ekip i fortë. Ne do të luajmë ndeshjet e Ligës së Kampionëve atje. Le të jetë pas 10 vjetësh, por patjetër do të ndodhë.”

Nis komentet

Autorë, ju lutem hyr »

Rregullat

  • Të gjitha komentet lexohen nga moderatori. Mos dërgo të njëjtin koment më shumë se një herë pasi mund të konsiderohet spam.
  • Respekto të tjerët. Komentet me gjuhë urrejtjeje, të pahijshme dhe sulme personale nuk do të miratohen.