Bizneset ukrainase në qytetet e shkatërruara po luftojnë për mbijetesë – dhe po ja dalin

Aeromech

Foto nga Aeromech publikuar nga Свої.City me leje për përdorim të drejtë.

Më 6 dhe 7 qershor 2023, Kievi priti ekspozitën Skhid Expo (East Expo) për sipërmarrësit nga rajonet më të prekura nga lufta dhe pjesërisht të pushtuara nga Rusia: Luhansk, Donetsk, Kherson dhe Zaporizhzhya. Nga viti 2017 deri në vitin 2021, ekspozita, e iniciuar nga UNDP, u mbajt me pjesëmarrjen e sipërmarrësve nga rajonet Donetsk dhe Luhansk, të cilat janë prekur nga lufta dhe pjesërisht të pushtuara që nga viti 2014. Disa nga bizneset që u përfaqësuan në ekspozitë këtë vit ju desh të evakuoheshin dhe rindërtoheshin pothuajse nga e para për herë të dytë.

Gazetarja e Свої.City Hanna Kurtsanovska vizitoi ekspozitën dhe shkroi për sipërmarrësit që morën pjesë në të. Global Voices po publikon një përmbledhje të tre tregimeve të shkurtuara nga Svoi.City sipas një marrëveshjeje për ndarjen e përmbajtjes.

E gjelbër, organike dhe gati për t'u ngrënë

Pas pushtimit të Donetskut dhe Horlivkës nga Rusia në vitin 2014, motrat Tetiana Chernikova dhe Valentyna Denysenko u zhvendosën në Kharkiv dhe hapën një fermë në një fshat aty pranë. Ato e quajtën biznesin e tyre Green for you Food. Tetiana thotë se agrobiznesi në Ukrainë ka perspektiva të mëdha nëse kombinon burimet e tokës pjellore dhe klimës me automatizimin e proceseve të prodhimit.

Green_for_You_Food

Tetiana dhe Valentyna në fermën e tyre. Nga Green for you Food archive, botuar nga Свої.City me leje.

Më parë, motrat kishin punuar në shitje me pakicë dhe nuk kishin përvojë në bujqësi. Pra, së pari, ato mësuan se si të drejtonin një serë dhe kërkuan partnerë. Ato morën një grant dhe investuan kursimet e tyre për të filluar biznesin. Ato morën me qira një shtëpi dhe tokë për fermën dhe kanë rritur atje më shumë se një duzinë të produkteve sipas parimeve të bujqësisë organike. Atao i shisnin produktet përmes mediave sociale fillimisht dhe më vonë në zinxhirë të mëdhenj të shitjes me pakicë. Në të njëjtën kohë, motrat filluan të zhvillojnë trajnime për bujqësinë urbane për fëmijë, përfshirë fëmijët me Sindromën Down.

Green for you Food po shkonte mirë: sipas Tetianës, kompania shiste rreth 300 kg prodhime në muaj. Ato planifikuan të zgjerojnë gamën e produkteve dhe të hapin një linjë prodhimi të salcës për sallata. Madje motrat morën një grant për të instaluar një kuzhinë profesionale për të bërë produkte të reja.

Dhe pastaj shpërtheu lufta në shkallë të gjerë. Restorantet që kishin blerë prodhimet nga motrat në kohë paqeje filluan të përgatisin ushqime falas për ushtarakët dhe civilët. Tetiana dhe Valentyna u dhanë restoranteve të gjitha të produktet e tyre. Më vonë ato iu bashkuan stafit të kuzhinës për shkak të mungesës së punëtorëve.

Ndërsa qyteti bëhej gjithnjë e më i rrezikshëm, erdhi çështja e largimit nga ai. Për sigurinë e dy fëmijëve të tyre, Tetiana dhe bashkëshorti i saj u zhvendosën në qytetin Orzhytsia në rajonin Poltava. Motrat evakuuan pajisjet e reja atje dhe në të vërtetë, hapën një objekt të ri prodhimi, megjithatë jo për salcat, por për perimet dhe frutat dhe ushqimin e gatshëm me ruajtje afatgjatë, që konsumohet, p.sh. nga ushtarët në vijën e parë, por edhe nga udhëtarët apo peshkatarët.

Green_for_You_Food

Tetiana në Skhid Expo 2023. Foto nga Свої.City. Përdoret me leje.

Valentyna qëndroi në Kharkiv, ku vazhdon të kultivojë produktet dhe të ndihmojë ata që kanë nevojë.

Ndërtimi i një entiteti industrial inovativ për herë të tretë

Aeromech, një sipërmarrje kërkimore dhe prodhimi e themeluar më shumë se 20 vjet më parë në Luhansk, është një prodhues i ndarësve aerodinamikë që renditin farat e mbjelljes në përputhje me pjekurinë e tyre biologjike. Rrjedhat e ajrit mund të përpunojnë nga 1 deri në 150 ton në orë, në varësi të modelit të ndarësit. Aeromech ka eksportuar makineritë në të gjithë botën. Oleksandr Chornobai, themeluesi i kompanisë, tha për Svoi.City: “Në Luhansk, fabrika jonë kishte një sipërfaqe të madhe. Pushtuesit rusë plaçkitën dhe shkatërruan ndërmarrjen pothuajse menjëherë, kështu që ne mbetëm duarbosh. Kishim vetëm një USB me vizatimet e nevojshme”.

Ata rifilluan prodhimin në fillim të vitit 2015 në qytetin Kreminna në rajonin e Luhansk; për këtë blenë dy punishte të vjetra sovjetike me sipërfaqe 8000 metra katrorë dhe mësuan e punësuan 70 veta. Në vitin 2022, trupat ruse shkatërruan dhe pushtuan Kreminën.

“Elektriciteti u shua shpejt, kështu që ne nuk kishim asnjë mënyrë për t'i hequr pajisjet,” tha Oleksandr. “Ne kishim nevojë për energji elektrike për të prerë makinat me një mulli këndor. Dhe një vinç për t'i ngritur dhe ngarkuar. Kjo është arsyeja pse objektet e prodhimit mbetën në territorin e pushtuar.”

Olexandr_Chornobai

Olexandr Chornobai dhe një ndarës drithi nga Aeromech. Nga arkivi i Chornobai, botuar nga Свої.City me leje.

Aeromech duhej të rindërtohej nga e para, këtë herë në rajonin Cherkasy në qendër të Ukrainës. Sipërfaqja e prodhimit tani është vetëm 1000 metra katrorë dhe numri i të punësuarve është tre herë më i vogël se sa ishte në Kremina, por të paktën disa prej tyre janë nga objekti i Kreminës, që do të thotë se ka punëtorë me përvojë. Vëllimet e prodhimit ranë ndjeshëm për shkak të mungesës së pajisjeve. Tani, Aeromech po mbijeton falë porosive nga partnerët e huaj, të cilët aktualisht përbëjnë më shumë se 70 për qind të totalit të kontratave. Oleksandr tha:

Nuk kam plane afatgjata, por kam plane afatshkurtra. Do të doja të rifilloja prodhimin e të gjithë gamës së ndarësve. Për momentin, ne duhet të refuzojmë porositë sepse nuk jemi në gjendje të prodhojmë një pjesë të njohurive tona. Shpresoj se para së gjithash do të mund të nisim prodhimin e një separatori të montuar në rimorkio, i cili në fakt është një mini-uzinë për pastrimin. Ndarësi është 80 për qind i bërë nga materiale dhe pjesë të prodhuara në vend.

Municione dhe proteza, të printuara në 3D

Serhiy Gakov nga Kramatorsk filloi biznesin e tij 3D.Farm si një startup në vitin 2016. Me doktoraturë në inxhinieri dhe ish-ligjërues në akademinë lokale të inxhinierisë, së bashku me Bohdan Tristan, donin të komercializonin zhvillimet e tyre në teknologjinë e printimit 3D, i cili për kohën ishte një risi në Ukrainë.

Fillimisht, Serhiy planifikoi të ofronte vetëm shërbime të printimit 3D, por më vonë, ata vendosën të ndërtonin printerin e tyre 3D, për të cilin Bohdan kishte punuar për disa kohë.

Serhiy_Gakov_and_Bohdan_Tristan

Serhiy Gakov dhe Bohdan Tristan. Foto nga arkivi i Gakov, botuar nga Свої.City me leje.

Përpara pushtimit në shkallë të plotë, kompania kishte zhvilluar pesë modele printerësh 3D të prodhuar në masë, teknologjinë e printimit masiv 3D dhe një platformë inovative për edukimin STEM. Gjithashtu zhvilloi proteza elektromekanike. Për shkak të luftës në shkallë të gjerë, kompania humbi pjesën më të madhe të biznesit të saj, shumicën e partnerëve të saj dhe objekteve partnere që prodhonin komponentë produkti. Sipërmarrësit arritën të shpëtonin vetëm laboratorin inxhinierik dhe impiantin e montimit me një depo të produkteve të gatshme. Pajisjet dhe komponentët në rajonet e Luhanskut dhe Kharkivit u dogjën, por kompania është ende duke shlyer kredinë bankare për to.

Serhiy thotë:

“Në rajonin e Luhanskut, ne kishim një platformë inovative në të cilën eksperimentuam për një kohë të gjatë. Në janar 2021, filluam prodhimin masiv të një prej komponentëve për printerët 3D atje. Nuk di çfarë të bëj tani, sepse askush tjetër në Ukrainë nuk është në gjendje ta bëjë këtë.”

3D.Farm_3D_printer

Printer 3D që 3D.Farm ja dhuroi një shkolle në një fshat në rajonin e Donetskut mes rrënojave të shkollës në vitin 2022. Nga arkivi i Gakov, botuar nga Свої.City me leje.

Pas vlerësimit të humbjeve, Serhiy Gakov vendosi të ringjallte projektet që ishin pezulluar për arsye të ndryshme, si modele të reja vizuale për edukimin STEM dhe elementë për ortopedinë. Përveç kësaj, siç thotë Serhiy, “ne kemi zhvilluar një grup prej më shumë se 50 lloje modelesh të përmasave të plota të municioneve dhe artikujve shpërthyes për klasat e sigurisë dhe trajnimin e sigurisë nga minat në shkolla. Aktualisht jemi duke punuar në modele trajnimi për çminuesit dhe bombat për ekspertët e asgjësimit të Shërbimit Shtetëror të Emergjencave, policisë dhe Forcave të Armatosura të Ukrainës.”

Kompanisë aktualisht i mungojnë pajisjet dhe fondet për të zbatuar plotësisht të gjitha planet e saj. Tani, objektet e prodhimit të 3D.Farm janë të vendosura në Odesa dhe Zhytomyr dhe Serhiy planifikon të hapë një kompani në Gjermani dhe Itali.

Nis komentet

Autorë, ju lutem hyr »

Rregullat

  • Të gjitha komentet lexohen nga moderatori. Mos dërgo të njëjtin koment më shumë se një herë pasi mund të konsiderohet spam.
  • Respekto të tjerët. Komentet me gjuhë urrejtjeje, të pahijshme dhe sulme personale nuk do të miratohen.