Nga Hong-Kongu në Evropën Qendrore dhe prapa: Intervistë me aktivisten në Pragë, Loretta Lau

Foto e Loretta Lau. Përdorur me leje.

Ndërsa Evropa Qendrore e di mirë situatën në Tibetin e pushtuar nga Kina, ajo është më pak e njohur me abuzimet e të drejtave të njeriut dhe lirisë së shprehjes në Hong Kong. Por një “artiviste” nga Hong Kongu është e vendosur ta ndryshojë këtë.

Loretta Lau është një artiste e performancës, kuratore arti dhe aktiviste me origjinë nga Hong Kongu Britanik, e cila u zhvendos në Pragë në vitin 2018 për të ndjekur diplomën e saj master. Ajo është drejtoreshë e OJQ-së jofitimprurëse DEI e cila promovon artivizmin. Shfaqjet dhe veprat e Laut janë parë dhe ekspozuar në të gjithë Evropën. Global Voices e intervistoi atë për të kuptuar se si puna e saj po zë rrënjë në Evropën Qendrore dhe se si audienca lokale po bëhet më e vetëdijshme për Hong Kongun dhe Kinën në lidhje me liritë politike.

Intervista u zhvillua në anglisht me email dhe është redaktuar për stilin dhe gjatësinë.

 

Foto nga kanali i YouTube Forum 2000 me redaktoren e GV Arzu Geybulla që interviston Loretta Lau.

Filip Noubel (FN): Gjithnjë e më shumë Hongkongezët e gjejnë veten të detyruar të jetojnë jashtë Hong-Kong-ut, kryesisht për shkak të censurës, kërcënimeve dhe humbjes së vendeve të punës. Disa, si Photon Media, rigrupohen në Tajvan dhe vazhdojnë punën e tyre. Cilat janë sfidat kryesore për të mbetur aktivist ndërkohë që nuk mund të ktheheni në Hong Kong?

Loretta Lau (LL): Si një interpretuese politike në mërgim, jam dedikuar katër vjet për të mbështetur lëvizjen e protestës në Hong Kong. Kjo përvojë gjithëpërfshirëse më ka dhënë një pasqyrë të thellë mbi sfidat me të cilat përballen aktivistët që nuk janë në gjendje të kthehen në Hong Kong. Gjatë vizitës sime të fundit tre-mujore për të dorëzuar një letër për fushatën #ReturnThePillar [simboli i masakrës së studentëve të 4 qershorit 1989 në sheshin Tiananmen në Pekin] në Universitetin e Hong Kongut, personalisht kam qenë dëshmitare e dënimit dhe shqyrtimit nga qeveria e Hong Kongut.

Një nga pengesat kryesore që has është thellimi i ndarjes dhe gërryerja e besimit midis individëve në Hong Kong dhe hongkongezëve që banojnë jashtë vendit. Ndarja fizike e ka përkeqësuar këtë ndarje, duke e bërë gjithnjë e më të vështirë kapërcimin e hendekut dhe nxitjen e unitetit brenda lëvizjes. Pa mundësinë për ndërveprime ballë për ballë dhe përvoja të përbashkëta, keqkuptimet dhe mosmarrëveshjet në lidhje me strategjitë dhe prioritetet u bënë më të thella.

Zbatimi i Ligjit të Sigurisë Kombëtare e përkeqësoi më tej këtë ndarje. Ligji nguliti një atmosferë frike dhe dyshimi, me shqetësimet e bashkëpunimit me forcat e huaja që u përdorën për të shtypur disidencën. Kjo atmosferë mosbesimi e thelloi ndarjen, ndërsa banorët e Hong Kongut vunë në dyshim motivet dhe synimet e aktivistëve jashtë vendit, të frikësuar se veprimet e tyre mund të dëmtonin pa dashje ata që ende banojnë në qytet.

Deficiti i besimit dhe ndarja brenda komunitetit të Hong Kongut ndikojnë ndjeshëm në aktivizëm, duke penguar formimin e fronteve kohezive dhe përpjekjeve të koordinuara. Rindërtimi i besimit përmes dialogut të hapur, ndjeshmërisë dhe një vizioni të përbashkët bëhet thelbësor për aktivistët në mërgim.

FN: Evropa Qendrore po i hapet artit disident nga Kina dhe Hong Kongu – si me karikaturistin Badiucao në Pragë dhe tani numri i fundit me ekspozitën e tij në Varshavë. Në çfarë mënyre po bën një ndryshim artivizmi politik nga artistët kinezë dhe të Hong Kongut në riformësimin e narrativave për ato vende në Evropën Qendrore? 

LL: Duke qenë personalisht dëshmitare e ekspozitës së Badiucao në DOX [muzeu privat i artit modern në Pragë] vitin e kaluar, kam një ndjenjë të pamasë krenarie që jam pjesë e një lëvizjeje që shfrytëzon fuqinë e artivizmit politik për të sfiduar narrativat shtypëse. Këto përpjekje të jashtëzakonshme artistike jo vetëm që ndriçojnë abuzimet e të drejtave të njeriut, por gjithashtu shërbejnë si një katalizator për diplomacinë kulturore, duke nxitur mirëkuptimin dhe promovimin e dialogut midis Evropës Qendrore dhe Kinës/Hong Kongut.

Nëpërmjet veprave të tyre artistike që provokojnë mendime, artistë si Badiucao përballen pa frikë me tema të ndjeshme si masakra e Sheshit Tiananmen, gjendja e vështirë e ujgurëve, erozioni i lirisë në Hong Kong dhe politikat e jashtme agresive të Kinës. Duke i përshkruar me mjeshtëri këto çështje në artin e tyre, ata sfidojnë me guxim narrativat mbizotëruese dhe ndezin diskutimet mbi të drejtat e njeriut dhe liritë politike. Kjo formë e aktivizmit artistik vepron si një mjet i fuqishëm për diplomacinë kulturore, duke rritur ndërgjegjësimin dhe duke frymëzuar dialogun ndërkulturor për shqetësimet e ngutshme globale.

Për më tepër, këto ekspozita lehtësojnë shkëmbimin kuptimplotë kulturor dhe ushqejnë mirëkuptimin e ndërsjellë. Ato ofrojnë një mundësi unike për audiencën në Evropën Qendrore që të gërmojnë thellë në betejat me të cilat përballen artistët disidentë në Kinë dhe Hong Kong. Ky angazhim jo vetëm që nxit mirëkuptimin kulturor, por gjithashtu kultivon ndjeshmëri dhe solidaritet që i kapërcejnë kufijtë gjeografikë.

Ironikisht, përpjekjet për të censuruar dhe penguar këto ekspozita nënvizojnë pa dashje rëndësinë e tyre dhe fuqinë transformuese të artit si një formë rezistence. Veprimet e ndërmarra nga autoritetet kineze, të tilla si apelimi në ministrinë polake të kulturës dhe bllokimi i faqes së internetit të muzeut, tërheqin vëmendjen për ndikimin e thellë të këtyre ekspozitave në sfidimin e regjimeve shtypëse.

Këtu janë disa nga krijimet e Badiucao-s të ekspozuara në Varshavë:

Dy monstrat

Badiucao gjithashtu ka postuar gjerësisht në Twitter për kërcënimet ndaj ekspozitës së tij në Varshavë pas një fushate agresive të orkestruar nga Pekini:

Sapo pashë që @badiucao po hap ekspozitën e tij në Varshavë — dhe sigurisht Partia Komuniste Kineze bëri presion që muzeu ta anulonte atë! Nëse jeni në #Varshavë, shkoni dhe shikoni! Unë personalisht do të shkoj patjetër në fund të korrikut

FN: OJQ DEI nisi një peticion për fatin e ardhshëm të Shtyllës së Turpit. A mund të na tregoni më shumë për organizatën tuaj dhe si po shkon peticioni? Çfarë shpresoni të arrini përmes këtij peticioni, pasi padyshim që policia e sigurisë së Hong Kongut ka shumë pak gjasa të kthejë shtyllën?

LL: OJQ DEI është një organizatë dinamike dhe rinore që ka patur një ndikim të jashtëzakonshëm në pak më shumë se dy vjet që nga hapja e saj. Fokusi ynë në art dhe kulturë na ka lejuar të kërkojmë për një Hong Kong të lirë përmes më shumë se 90 ngjarjeve, si dhe ndihmojmë mbi 80 emigrantë ukrainas që të vendosen në Evropë.

Peticioni ynë synon të rrisë ndërgjegjësimin për kapjen e Shtyllës së Turpit nga autoritetet e Hong Kongut më 5 maj 2023. Si një simbol i fuqishëm i masakrës së Sheshit Tiananmen, ne besojmë se duhet t'u kthehet pronarëve të saj të ligjshëm dhe të shfaqet publikisht në vendet e përshtatshme të organizimit. Megjithëse peticioni aktualisht ka vetëm rreth 900 nënshkrime, ne besojmë se ndikimi i tij është shtrirë përtej numrave të thjeshtë. Në fakt, ndikimi më domethënës i peticionit tonë ishte dënimi i publikuar nga qeveria e Hong Kongut më 6 maj, duke treguar se peticioni ynë i detyroi ata me sukses të përballeshin me kërkesën tonë.

FN: Si do ta përshkruanit ndërgjegjësimin e njerëzve për atë që po ndodh në Hong Kong, në Republikën Çeke dhe ndoshta në Evropën Qendrore?

LL:Niveli i ndërgjegjësimit për atë që po ndodh në Hong Kong mund të ndryshojë midis njerëzve dhe komuniteteve të ndryshme në Republikën Çeke dhe Evropën Qendrore. Disa janë shumë të informuar dhe thellësisht të shqetësuar, ndërsa të tjerët mund të kenë njohuri të kufizuara për shkak të interesave të tyre, burimeve të informacionit dhe angazhimit me çështjet globale. Megjithatë, me rritjen e vëmendjes ndërkombëtare për çështjet në Hong Kong, më shumë njerëz po ndërgjegjësohen për rëndësinë e të drejtave të njeriut dhe demokracisë. OJQ-ja DEI synon të bashkojë hongkongezët në Evropën Qendrore me komunitetin më të gjerë duke organizuar ngjarje si “Festivali i të Drejtave të Njeriut 2022 (Pragë)” dhe duke u angazhuar në diskutime ballë për ballë për të demonstruar se ne nuk jemi alienë që luftojnë për lirinë në Mars. Ne aspirojmë të ndërtojmë lidhje dhe të mbështesim zërat e njëri-tjetrit në vendet tona përkatëse.

Nis komentet

Autorë, ju lutem hyr »

Rregullat

  • Të gjitha komentet lexohen nga moderatori. Mos dërgo të njëjtin koment më shumë se një herë pasi mund të konsiderohet spam.
  • Respekto të tjerët. Komentet me gjuhë urrejtjeje, të pahijshme dhe sulme personale nuk do të miratohen.