Nacionalistët në Maqedoninë e Veriut përdorin mbylljen e kufirit për të përhapur konfuzion dhe mosbesim

Foto nga videoja live e kryeministrit shqiptar Edi Rama që është keqinterpretuar në Maqedoninë e Veriut.

Ky artikull bazohet në raportimin e partneres së Global Voices, agjencisë së lajmeve Meta.mk, një projekt i Fondacionit Metamorphosis. Shih mbulimin e Global Voices për pasojat e COVID-19 në botë. 

A mirëpriti me të vërtetë kryeministri i Shqipërisë vetëm vizitorët etnikë shqiptarë nga fqinjët e Ballkanit në vendin e tij të rihapur kohët e fundit? A i ka ndaluar vërtet Greqia udhëtarët nga pjesë të Maqedonisë së Veriut me shumicë popullsie etnike shqiptare dhe rome?

Përgjigja për të dyja këto pyetje është “jo”.

Por me rritjen e rasteve të koronavirusit në Maqedoninë e Veriut, ende të mbyllur, sezoni turistik në vendet fqinje u përdor për të manipuluar opinionin publik me dezinformata dhe për të fryrë nacionalizëm toksik.

Pavërtetësia e këtyre pretendimeve manipuluese – e përhapur përmes mediave dhe rrjeteve sociale – është konfirmuar nga kontrollimi i fakteve të kryera nga Mendimi Kritik Për Qytetarët, i mbështetur nga Bashkimi Evropian, i njohur gjithashtu si projekti Crithink.

Dëmi ishte bërë megjithatë me dezinformimin duke ndihmuar në acarimin e qytetarëve të Maqedonisë së Veriut, tashmë të shqetësuar për rritjen e rasteve të COVID-19 në fund të majit dhe gjysmën e parë të qershorit.

Vendimi i qeverisë në Shkup për të mbajtur kufijtë e mbyllur gjatë asaj kohe është përdorur nga propaganduesit populistë si një justifikim për ta paraqitur partinë në pushtet si jokompetente dhe të nënshtruar.

Këto përpjekje zakonisht janë bërë në kurriz të pakicave në vendin shumetnik.

Çfarë tha kryeministri shqiptar në të vërtetë

Më 24 maj, kryeministri shqiptar Edi Rama doli live në Facebook për të njoftuar hapjen e kufijve të vendit më 1 qershor. Gjatë fjalës, ai iu drejtua edhe shqiptarëve etnikë nga vendet fqinje, duke këshilluar kujdes dhe vëmendje ndaj COVID-19.

Ai tha se kufijtë do të hapen, por vuri në dukje se plazhet do të jenë të mbyllura për një periudhë dhe paralajmëroi vizitorët mbi “valën e dytë” të mundshme të pandemisë.

Duke filluar nga e hëna, 1 qershor, do të hapim kufijtë tokësorë me fqinjët. Për të gjithë shqiptarët, pavarësisht nëse posedojnë pasaporta të Shqipërisë, apo të Kosovës, Maqedonisë së Veriut apo Malit të Zi, ne do të vazhdojmë t'u bëjmë thirrje të gjithëve ju pa ndalim, pa përjashtim, të jeni vigjilent. Më 1 qershor do të hapen kufijtë, por jo plazhet.

Përtej kufirit në Republikën e Maqedonisë së Veriut (RMV), disa media në gjuhën maqedonase filluan të botojnë një përkthim të gabuar të deklaratës, duke krijuar një skandal të menjëhershëm. Në interpretimin e tyre, ai thoshte:

Почнувајќи од понеделник, 1 јуни, ќе ги отвориме копнените граници со соседите, односно за Албанците кои живеат во Косово, Македонија и Црна Гора, но граѓаните ги повикуваме да бидат внимателни, вака албанскиот претседател Еди Рама.

“Duke filluar nga e hëna, 1 qershor, ne do të hapim kufijtë tokësorë me fqinjët, përkatësisht për shqiptarët [etnikë] që jetojnë në Kosovë, Maqedoninë e Veriut ose Malin e Zi, por ne do të vazhdojmë t'u bëjmë thirrje të gjithëve që të jeni vigjilent,” tha presidenti shqiptar [siç e kanë shkruar – ai është kryeministër, jo president] Edi Rama.

Personazhet publikë etnikë shqiptarë në Maqedoninë e Veriut, të cilët flasin dy gjuhë, shqip dhe maqedonisht, shpejt paralajmëruan se disa media dhe politikanë po e përkthenin keq.

Gazetari Petrit Saraçini theksoi se përkthimi i gabuar kishte ndryshuar pozicionin e shenjave të pikësimit, duke bërë që segmentet për shqiptarët etnikë të jenë pjesë e fjalisë së mëparshme.

Përkundër kësaj, partia e opozitës VMRO-DMPNE lëshoi menjëherë një deklaratë duke keqinterpretuar Ramën dhe duke pretenduar se ai ftoi vetëm shqiptarët etnikë nga vendet fqinje në plazhet lokale, duke përjashtuar grupet e tjera etnike.

Nacionalistët maqedonas u përpoqën të tjerrin deklaratën si “provë” të prapambetjes dhe shovinizmit midis shqiptarëve, dhe gjithashtu si “një humbje të re” dhe “shuplakë në fytyrë” për qeverinë e RNM.

Një përfaqësues i rangut të lartë të VMRO-DPMNE-së, deputeti Ilija Dimovski, shpërtheu duke thënë “çmenduri drejtpërdrejt nga shekulli i 19-të” dhe “diskriminimin në baza etnike ndaj qytetarëve të Republikës së Maqedonisë”.

Ministri i Jashtëm i Maqedonisë së Veriut, Nikolla Dimitrov, dhe qeveria u kundërpërgjigjën shpejt se ata nuk kishin marrë ndonjë informacion të tillë nga homologët në Shqipëri.

Një kolazh që paraqet disa artikuj me lajme të rreme për Greqinë dhe Maqedoninë e Veriut me një paralajmërim me të kuqe “Dezinformim!”. Foto nga CriThink.mk, e përdorur me leje.

Disa ditë më vonë ishte radha e Greqisë, pasi disa media të djathta në Maqedoninë e Veriut dezinformuan për regjimin kufitar të vendit fqinj.

Duke përdorur si “provë” një dokument të përpunuar që pretendohej se ishte nga ministria e Jashtme e Greqisë, ato thanë se Greqia do të ndalojë hyrjen e qytetarëve nga Maqedonia e Veriut nga komunat me shumicë popullsie myslimane (kryesisht komunitetet etnike shqiptare dhe rome, duke nënkuptuar se këto grupe duhet të fajësohen për përhapjen e koronavirusit).

Ministria e Punëve të Jashtme në Shkup e mohoi këtë në një postim në Facebook, duke e quajtur “lajm të rremë”.

CriThink vuri në dukje se do të ishte e pamundur për Greqinë të lëshojë kufizime të tilla udhëtimesh që kanë të bëjnë vetëm me qytetarët që jetojnë në territore të caktuara, pasi kjo do të ishte një shkelje e marrëveshjes ETIAS midis Maqedonisë së Veriut dhe Bashkimit Evropian.

Disa nga mediat në fjalë i hoqën këto artikuj, por pa përgënjeshtrim ose falje për lexuesit e tyre.

Pushimet në plazhet e huaja janë një opsion për vendet e Ballkanit që nuk kanë dalje në det. Kufizimet që pengojnë këtë të drejtë, siç janë bllokimet e lidhura me COVID-19, kanë qenë jashtëzakonisht jopopullore. Forcat populiste në rajon, veçanërisht partia qeverisëse serbe, kanë përdorur plazhin për qëllime politike.

Sipas të dhënave të OBSH-së të përpiluara nga Universiteti Johns Hopkins, me shkrimin e këtij artikulli më 25 qershor, Shqipëria ka dokumentuar 2,114 raste me COVID-19, me 47 vdekje, ndërsa Maqedonia e Veriut kishte 5,445 raste dhe 259 viktima. Greqia ka raportuar 3.310 persona të infektuar dhe 190 të vdekur deri më tani.

Nis komentet

Autorë, ju lutem hyr »

Rregullat

  • Të gjitha komentet lexohen nga moderatori. Mos dërgo të njëjtin koment më shumë se një herë pasi mund të konsiderohet spam.
  • Respekto të tjerët. Komentet me gjuhë urrejtjeje, të pahijshme dhe sulme personale nuk do të miratohen.