Si e portretizojnë mediat ndërkombëtare Tajvanin?

Foto e Agjencisë Qendrore të Lajmeve të Tajvanit (CNA) që tregon mbulimin e luftës në Ukrainë. Përdorim i drejtë.

Mediat kryesore ndërkombëtare shpesh e minimizojnë mbulimin e tyre për një vend bazuar vetëm në rrezikun e një konflikti, ose e kufizojnë atë në një luftë të vazhdueshme. Kohët e fundit ky ka qenë rasti i Tajvanit dhe Ukrainës. Por si e vlerësojnë mediat tajvaneze këtë portretizim të thjeshtuar?

Global Voices foli me Chris Wang (王思捷), zëvendëskryeredaktor në Agjencinë Qendrore të Lajmeve të Tajvanit (CNA), media kryesore shtetërore e vendit për të kuptuar se si profesionistët e medias tajvaneze e vlerësojnë situatën mediatike dhe si vendi i tyre është portretizuar jashtë kufijve.

Intervista u zhvillua në anglisht me email dhe është redaktuar.

Foto e Chris Wang. Përdorur me leje.

Filip Noubel (FN): Ka shumë diskutime “Ukraina sot, Tajvani nesër” që tregojnë faktin se Tajvani duhet të mësojë nga pushtimi në shkallë të plotë i Ukrainës nga Rusia pasi nuk mund të përjashtojë një sulm të ngjashëm nga Kina. Çfarë mendoni për këtë krahasim?

Chris Wang (CW): Krahasimi është legjitim, pasi Tajvani, si Ukraina, duhet të bëjë gjithçka që mundet për të mbrojtur veten nga ambicia territoriale e një ngacmuesi fqinj. Megjithatë, unë do të argumentoja se situata e Tajvanit është shumë e ndryshme nga ajo e Ukrainës, jo vetëm nga pikëpamja ushtarake, pasi Ukraina ndan një kufi të gjatë me Rusinë, ndërsa Tajvani është një ishull në brigjet kineze, duke e bërë një pushtim të mundshëm kinez një skenar krejtësisht të ndryshëm nga lufta në Ukrainë, por edhe për shkak të implikimit strategjik të një pushtimi kinez të Tajvanit për ekonominë globale dhe balancën e fuqisë.

Nga pikëpamja ushtarake, një pushtim nga Kina pritet të duket shumë ndryshe nga sulmi rus, i cili përdori kryesisht forcat tokësore. Pekini ka më shumë gjasa të nisë një sulm me raketa, ose të zbatojë një bllokadë detare kundër Tajvanit përpara një sulmi përfundimtar amfib, nëse Tajvani nuk do t'i rezistonte sulmit fillestar raketor dhe ajror të ushtrisë kineze.

Megjithatë, aspekti më kuptimplotë i frymëzimit të luftës në Ukrainë për popullin tajvanez është vullneti i popullit ukrainas për të luftuar dhe mbrojtur atdheun e tij me çdo kusht. Ndërsa hendeku gjigant midis aftësive ushtarake përgjatë ngushticës së Tajvanit ka tërhequr pjesën më të madhe të vëmendjes midis strategëve dhe zyrtarëve ushtarakë, vullneti për të luftuar, si dhe gatishmëria luftarake në mesin e publikut ndoshta përfaqësojnë dobësinë më të dukshme për Tajvanin.

Për fat të mirë, populli i Tajvanit ka rritur ndërgjegjësimin në këtë drejtim që kur shpërtheu lufta në Ukrainë. Kjo mund të dëshmohet nga një mbështetje e lartë e shërbimit të detyrueshëm ushtarak të zgjatur nga katër muaj në 12 muaj, si dhe nga diskutimet popullore të kuadrit të mbrojtjes civile.

FN: Në këtë kontekst, cili është vlerësimi juaj për këtë shtrirje të re (ose të rinovuar) diplomatike që lidh Tajvanin me vendet në Evropën Qendrore si Lituania, Republika Çeke apo Sllovakia?

CW: Tajvani dhe njerëzit e tij kanë ndarë gjithmonë ndjenja të ngushta me vendet që kanë një të kaluar të ngjashme autoritare dhe një luftë për demokraci. Aktivistët e demokracisë në Tajvan kërkuan gjithashtu frymëzim nga vendet e Evropës Qendrore dhe Lindore, si dhe nga shtetet baltike dhe i përfshinë përvojat në fushatat e tyre.Marrëdhënia miqësore shkon në dy drejtime. Refuzimi i Pekinit për të luajtur sipas rregullave, neglizhenca e tij ndaj të drejtave të njeriut dhe axhenda e fshehur pas aktiviteteve ekonomike dhe diplomatike kanë ngritur alarmin në vendet perëndimore. Më dukej se këto vende, përfshirë Lituaninë, Sllovakinë dhe Republikën Çeke, kanë filluar të rivlerësojnë marrëdhëniet e tyre me Kinën nën klimën e re të Luftës së Ftohtë. Ndërkohë që këto vende nuk e kanë përmbysur kategorikisht ‘politikën e tyre të Një Kine të vetme‘ [që kanë marrëdhënie diplomatike vetëm me Pekinin], veçanërisht për degët e tyre administrative, shtetet zbulojnë se zhvillimi i marrëdhënieve me Tajvanin u shërben interesave të tyre kombëtare në shumë fusha, duke përfshirë teknologjinë, biznesin dhe diplomacinë.

Prandaj, nuk është e habitshme për mua të shoh vende në Evropën Qendrore dhe Lindore që kërkojnë të zhvillojnë më tej lidhjet me Tajvanin. Nga ana tjetër, tajvanezët vlerësojnë mbështetjen e tyre në komunitetin ndërkombëtar dhe mirëpresin thellimin e lidhjeve dypalëshe me vendet.

FN: Shoqëria tajvaneze është shumë e përqendruar në Kinë, Japoni dhe SHBA kur shikon jashtë vendit dhe shumë pak në Azinë Juglindore, pavarësisht rëndësisë kryesore të këtij rajoni për ekonominë, tregun e punës, turizmin dhe sigurinë e Tajvanit. Cila është strategjia e CNA-së në lidhje me këtë rajon të gjerë?

CW: Kjo është një pyetje e mirë dhe një vëzhgim shumë i saktë. Mediat, politikanët si dhe njerëzit e zakonshëm në Tajvan zakonisht i kushtojnë më shumë vëmendje SHBA-së, Japonisë, Kinës – dhe në një shkallë më të vogël, Evropës – pavarësisht afërsisë sonë gjeografike me vendet e Azisë Juglindore dhe aktiviteteve të gjera në turizëm, tregti dhe punë.

Qeveria e Tajvanit është përpjekur të zhvendosë fokusin nga i ashtuquajturi pozicion “perëndimor në qendër” në më shumë angazhim me fqinjët e saj të Paqësorit Perëndimor dhe Azisë Juglindore, si Filipinet, Indonezia, Vietnami, Malajzia, Singapori dhe madje edhe Tajlanda. Hera e parë ishte në fillim të viteve 1990, kur presidenti i atëhershëm Lee Teng-hui mbrojti “Politikën në drejtim të Jugut”, e cila u përpoq të devijonte investimet dhe aktivitetet tregtare nga Kina në Azinë Juglindore. Përpjekja në thelb dështoi pasi kapitalet tajvaneze ende derdheshin në Kinë.

Presidentja aktuale Tsai Ing-wen miratoi gjithashtu një “Politikë të re në drejtim të jugut” pas marrjes së detyrës në vitin 2016, e cila gradualisht pa rezultate pozitive, pavarësisht nga fakti se tregtia e kryqëzuar me Kinën mbetet dominuese.

CNA vlerëson rëndësinë e këtij rajoni. Aktualisht ne kemi korrespondentë me kohë të plotë në Manila, Kuala Lumpur, Xhakarta, Bangkok, Hanoi dhe Singapor – e vetmja media në Tajvan që e bën këtë. Strategjia jonë është e thjeshtë: të kemi sa më shumë korrespondentë në këto vende të jetë e mundur, sepse është e rëndësishme të kemi gazetarë në terren për të paraqitur vëzhgime dhe raportime më të mira të lajmeve.

Në të njëjtën kohë, mbulimi në gjuhën angleze i CNA-së lexohet gjerësisht në mesin e punëtorëve emigrantë të Azisë Juglindore pasi është burimi i vetëm dhe më i besueshëm i lajmeve që mund të merrnin tani.

FN: Mediat amerikane, por edhe ato perëndimore në përgjithësi e vendosin rrezikun e një lufte me Kinën në qendër të mbulimit në Tajvan. Cili është mendimi juaj për këtë dhe a mund ta ndryshojnë këtë media tajvaneze që funksionon gjithashtu në anglisht dhe gjuhë të tjera?

CW: Ka qenë kështu për dekada. Një gazetar perëndimor më tha një herë se, për shumicën e njerëzve në botë, Tajvani është gjithmonë një “histori lufte dhe paqeje”, sepse ka qenë një nga pikat më të rrezikshme të ndezjes. Unë prirem të pajtohem me këtë nocion.

Disa media perëndimore ose i tërhoqën reporterët e tyre nga Tajvani ose reduktuan zyrat e tyre në Taipei kur marrëdhëniet Tajvan-Kinë ishin “më të ngrohta” gjatë administratës së Kuomintang midis 2008-2016. Gjatë asaj periudhe, shumica e mediave perëndimore dërgonin gazetarë nga Pekini ose qytete të tjera të Azisë Verilindore në Taipei kur ishte e nevojshme, gjë që, sipas mendimit tim, ndonjëherë rezultoi në raporte të pasakta dhe të njëanshme.

Ironikisht, vetëm kur ish-presidenti amerikan Donald Trump nisi një luftë tregtare SHBA-Kinë dhe bota filloi të mblidhej pas Uashingtonit për “Luftën e re të Ftohtë” që mediat perëndimore filluan të sillnin përsëri korrespondentë në Tajvan.

Unë me të vërtetë nuk e shoh këtë fenomen të ndryshojë pasi është e natyrshme që vendet perëndimore t'i kushtojnë vëmendje Tajvanit kur një luftë e mundshme nënkupton që të rinjtë e tyre mund të sakrifikojnë jetën e tyre në konflikte ushtarake dhe tregtia globale, rrugët e transportit detar dhe zinxhirët e furnizimit mund të ndërpriten për shkak të luftës.

Për ato pak media tajvaneze që operojnë në anglisht si CNA, ne gjithmonë përpiqemi t'i bëjmë zërat e Tajvanit të dëgjohen ose në politikë, ekonomi ose në anën “më të butë” të Tajvanit, si udhëtimi, natyra, ushqimi dhe kultura, me shpresën për të paraqitur çdo aspekt të shoqërisë së Tajvanit. Megjithatë, mediat ndërkombëtare si New York Times, BBC apo Financial Time kanë një mikrofon më të madh se ne. Dhe ne e dimë këtë.

Nis komentet

Autorë, ju lutem hyr »

Rregullat

  • Të gjitha komentet lexohen nga moderatori. Mos dërgo të njëjtin koment më shumë se një herë pasi mund të konsiderohet spam.
  • Respekto të tjerët. Komentet me gjuhë urrejtjeje, të pahijshme dhe sulme personale nuk do të miratohen.