I sheh këto gjuhë këtu? Ne përkthejmë artikujt e Global Voices për ta bërë gazetarinë qytetare botërore të mundshme për këdo.

Arrestimi i gazetarit Ivan Golunov, një pikë kthese në shoqërinë ruse

Unë dhe ne (të gjithë) jemi Ivan Golunov. Foto nga Meduza, përdorur me leje.

Точка кипения: kjo shprehje ruse që do të thotë pikë vlimi – pika kur ka arritur kulmi – është ndoshta mënyra më e mirë për të përshkruar se si një numër në rritje i rusëve ndjehen për arrestimin e Ivan Golunov. Golunov, një gazetar investigativ, u ndalua më 6 qershor në Moskë për posedim dhe shpërndarje droge, akuza që duket se janë të stisura.

Golunovi u arrestua dhe fillimisht iu mohua e drejta e avokatit, në kundërshtim me ligjin rus. Avokati konfirmoi se ai kishte pësuar lëndime të rënda kur ndodhej në paraburgim. Pasi kurimit në spital, ai u vendos nën arrest shtëpiak më 8 qershor.

Policia ruse fillimisht publikoi fotografi të një laboratori droge dhe tha se u zbulua kur ata kontrolluan banesën e Golunovit, por ato më vonë u tërhoqën. Media pro-Kremlinit, Russia Today (Rusia Sot) gjithashtu konfirmoi se fotot nuk ishin nga banesa e Golunovit. Akuzat ndaj Golunov, nëse vërtetohen, mund të sjellin një dënim prej 10 deri në 20 vjet burgim.

36 vjeçari Golunov punon për Meduzën, një nga pak platformat e pavarura të mediave online në gjuhën rusea. Meduza është e regjistruar në Letoninë fqinje, por ka një zyrë dhe disa gazetarë në Moskë. Golunov drejtoi dhe botoi disa investigime ku tregoheshin rastet e korrupsionit të zyrtarëve të lartë.

Që nga arrestimi i Golunov, Meduza ka vënë në dispozicion artikujt e Golunov nën licencën Creative Commons dhe ka nxitur mediat dhe individët që t'i ribotojnë. Kjo nismë mbështetet edhe nga Global Voices. Ndër shkrimet e tij më të rëndësishme janë ato që tregojnë se si nënkryetari i bashkisë së Moskës Piotr Biryukov kaloi kontratat shtetërore te familja e tij dhe se si programi i zbukurimit urban të Moskës kishte buxhet të fryrë. Shkrimi me të cilin po punonte pak para ndalimit të tij përqendrohet te monopoli i shërbimeve të varrimit në Moskë.

Arrestimi i Golunov solli një solidaritet të rrallë jo vetëm mes gazetarëve, aktivistëve dhe avokatëve, por edhe aktorëve, këngëtarëve popullorë dhe figurave nga jashtë qarqeve liberale të Moskës dhe Shën Peterburg. Më 10 qershor, tre gazetat kryesore ranë dakord të botonin numrin e radhës me faqet e para identike në mbështetje të Golunovit. Gazetat u shitën në kohë rekord. Në një rast jotipik, mediat pro-Kremlinit, përfshirë Channel One, kanali televiziv më i shikuar i Rusisë, gjithashtu bënë thirrje për një hetim të drejtë.

12 qershori shënon Ditën e Rusisë, kur zhvillohen marshime publike dhe demonstrata të miratuara nga autoritetet lokale. Sipas ligjit rus, për demonstratat publike duhet marrë leje. Mbështetësit e Golunovit njoftuan se do të mbajnë marshimin e tyre pa marrë leje zyrtare.

Vëzhguesit e Kremlinit thonë se qeveria ruse po përpiqet të rrëzojë akuzat ndaj gazetarit para 20 qershorit. Atë ditë, presidenti Vladimir Putin, mbështetja publike e të cilit ka rënë në nivelin më të ulët historik, do të drejtojë Linjën e Drejtpërdrejtë, një progam i përvitshëm televiziv, ku ai u përgjigjet pyetjeve të qytetarëve përmes telefonit dhe mediave online.

Komento

Autorë, ju lutem hyr »

Rregullat

  • Të gjitha komentet lexohen nga moderatori. Mos dërgo të njëjtin koment më shumë se një herë pasi mund të konsiderohet spam.
  • Respekto të tjerët. Komentet me gjuhë urrejtjeje, të pahijshme dhe sulme personale nuk do të miratohen.