Botuesi në maqedonisht i “Mein Kampf” të Hitlerit publikon librin e ish kryeministrit Gruevski

Stenda e Gjurgjas në Panairin i Librit 2019 në Shkup, me botimet e fundit, mes të cilëve edhe një libër nga Gruevski (në krye, në të majtë) dhe ai i Hitlerit (në qendër). Foto nga agjencia e lajmeve Meta.mk, CC-BY.

Ky artikull fillimisht u publikua nga agjencia e lajmeve Meta.mk, një projekt i fondacionit Metamorfoza. Një version i redaktuar publikohet këtu, në bazë të një marrëveshje bashkëpunimi.

Një botues nga Maqedonia e Veriut, i njohur për publikimin e librave me temë naziste, shkaktoi polemika në Panairin e Librit të Shkupit më 8 maj 2019, për botimin e një libri nga ish-kryeministri i vendit – dhe i arratisuri i drejtësisë – Nikolla Gruevski.

Shtëpia botuese Gjurgja ka botuar përkthimet në maqedonisht të “Mein Kampf” dhe “Rendi im i ri” të Adolf Hitlerit si dhe koleksionet e fjalimeve të tij dhe të Benito Musolinit nën tituj të tillë si “Çështja hebraike, raca dhe krishtërimi” ose “Revolucioni fashist”.

Këto janë vepra që shpesh nxisin shfarosjen e grupeve të njerëzve në bazë të përkatësisë etnike, fetare dhe karakteristikave të tjera. Gjuha e urrejtjes është krim në Maqedoninë e Veriut, ashtu si dhe në shumë vende të Evropës.

Nikolla Gruevski udhëhoqi qeverinë autoritare të krahut të djathtë në Maqedoninë e Veriut midis viteve 2006 dhe 2017, një periudhë kur demokracia dhe institucionet u goditën rëndë. Në atë kohë, propaganda shtetërore, që e lavdëronte atë si një gjeni ekonomik ishte në kulmin e saj. Ai u rizgjodh deputet në vitin 2016, por dha dorëheqjen si kreu i partisë, pasi VMRO-DPMNE nuk arriti të kishte shumicën në parlament.

Libri i ri i Gruevskit titullohet “Përvojat për të ardhmen – efektet ekonomike të llojeve të ndryshme të flukseve ndërkombëtare të kapitalit me fokus të veçantë në Republikën e Maqedonisë” dhe kryesisht bazohet në tezën e tij të doktoraturës.

Në qershor të vitit 2018, ai mori titullin doktor në ekonomi nga Universiteti i Shën Cirilit dhe Metodit në Shkup – vetëm pak javë pasi u dënua me dy vjet burg për një blerjen e jashtëligjshme të një makine Mercedes me vlerë 600,000 euro, në kohën kur ishte kryeministër. Në nëntor të 2018-ës, ai u arratis në Hungari, ku mori dhe azilin politik.

Libri “Përvojat për të ardhmen …”, nga Nikola Gruevski, është vendosur në mes të përkthimeve të “Epokës së pafajësisë” nga Edith Wharton dhe “Psikopatologjia e jetës së përditshme” nga Sigmund Freud në Panairin e Librit të Shkupit 2019. Foto nga Meta.mk Agjencia e lajmeve, CC-BY.

Gruevski ka thënë në mënyrë të përsëritur se po persekutohet politikisht në vendin e tij dhe u arratis për të shpëtuar jetën e tij – një pretendim që ai rithekson edhe në parathënien e librit.

Sipas njoftimeve të medias, botuesi pretendon se libri i Gruevskit është bërë një bestseller dhe se po planifikon ribotimin së shpejti.

Edhe pse është në arrati, Gruevski duket se ende ushtron ndikim mbi VMRO-DPMNE-në. Ai mban titullin e presidentit të nderit të partisë dhe dyshohet se është vizituar në Budapest nga eksponentë të lartë partiakë.

Gruevski tani rrezikon të humbasë mandatin e tij në parlament, teksa deputetët nga mazhoranca po përpiqen të përdorin një dispozitë kushtetuese, që thotë se deputetëve që mungojnë për më shumë se gjashtë muaj pa arsye, mund tu hiqet mandati i ligjvënësit. Një votim plenar për këtë çështje është planifikuar për më 7 qershor.

Në Panairin e Shkupit, libri i Gruevskit u shfaq pranë pjesës tjetër të botimeve të Gjurgjas, që përbëhet kryesisht nga udhërrëfyesit se si të ndihmosh veten, kujtime nga figura të diskutueshme dhe teori konspirative.

Një tjetër botim i fundit është përmbledhja e fjalimeve dhe deklaratave të Vladimir Putinit, i titulluar “Fjalët që ndryshojnë botën”. Këtu janë disa nga librat në stendë:

Versioni maqedonisht i librit të Adolf Hitlerit “Rendi im i ri”, botuar nga Gjurgja, në stendën e Panairin e Librit të Shkupit 2019. Fotografia tregon një paragraf që bën thirrje për luftë kundër hebrenjve. Diçitura në maqedonisht, mbi foto, thotë: “Shembull i gjuhës së urrejtjes që mundësoi Holokaustin – gjenocidi mbi hebrenjtë, romët dhe sllavët dhe vrasja masive e të gjithë kundërshtarëve politikë të nazistëve dhe fashistëve. Një gjuhë e tillë e urrejtjes ishte pikënisja e Luftës së Dytë Botërore, konflikti më i përgjakshëm në historinë e njerëzimit, që mori jetën e mbi 60 milionë personave”. Foto dhe titulli nga agjencia e lajmeve Meta.mk, CC-BY.

Botuesit e letërsisë fashiste në mbarë botën pretendojnë se po ushtrojnë të drejtën e tyre për lirinë e fjalës, ose që i botojnë këto libra si burime thjesht historike për qëllime studimi.

Megjithatë, botimet nga Maqedonia e Veriut, që ne kemi cituar, nuk përmbajnë asnjë informacion mbi pasojat e pretendimeve të ekspozuara, përveç disa pjesëve shkurt (dhe ndonjëherë të paqarta). Duke përcjellë propagandën naziste në formën e saj origjinale, pa e cilësuar atë si gjuhë urrejtjeje dhe me mungesën e analizës kritike dhe kontekstit historik, ato botime mund të shiheshin lehtësisht si mbështetëse të kësaj propagande.

Ndërkohë, organizatorët e panairit të librit të Torinos, që u zhvillua në qytetin italian nga 9-14 maj, i anuluan ftesën një botuesi të vetëshpallur fashist, pasi disa shkrimtarë, përfshirë një që i mbijetoi Holokaustit, kërcënuan se do ta bojkotonin aktivitetin.

Nis komentet

Autorë, ju lutem hyr »

Rregullat

  • Të gjitha komentet lexohen nga moderatori. Mos dërgo të njëjtin koment më shumë se një herë pasi mund të konsiderohet spam.
  • Respekto të tjerët. Komentet me gjuhë urrejtjeje, të pahijshme dhe sulme personale nuk do të miratohen.