Aktivisti malajzian nën hetim pas fjalimit mbi LGBT në OKB

Aktivisti malajzian Numan Afifi foli në procesin e Rishikimit Periodik Universal të të Drejtave të Njeriut të OKB-së në lidhje me situatën e të drejtave të njeriut në Malajzi. Burimi: Facebook

Aktivisti i çështjeve të LGBT-së Numan Afifi u thirr nga policia malajziane, një muaj pasi deklaratoi në Këshillin e Kombeve të Bashkuara për të Drejtat e Njeriut. Numan ishte pjesë e delegacionit që mori pjesë në Shqyrtimin Periodik Universal mbi situatën e të drejtave të njeriut në Malajzi, duke u fokusuar në çështjet që lidhen me orientimin seksual, identitetin gjinor dhe shprehjen dhe karakteristikat e seksit.

Numan vlerësoi programin e qeverisë kundër bullizimit, por gjithashtu vuri në dukje se ka ende diskriminim ndaj komunitetit LGBT, që mbështetet nga autoritetet në Malajzi. Ai përmendi ‘praktikat e rehabilitimit dhe konvertimit’ të personave LGBT. Ai gjithashtu foli për hetimin kundër organizatorëve të marshimit për Ditën e Gruas, pasi kishte pankarta në mbështetje të LGBT.

Numan u zotua se do të vazhdojë të luftojë për të drejtat e njeriut. Ai shkroi në Facebook:

Unë nuk do të përkulem ndaj këtyre veprimeve për të më sulmuar apo për të më frikësuar si mbrojtës i të drejtave të njeriut në Malajzi. Unë luftoj për të gjitha të drejtat e njeriut dhe do të vazhdoj ta bëj këtë. Solidarizohuni me ne teksa zgjerojmë hapësirën qytetare në Malajzi dhe dënojmë ata që përpiqen ta zvogëlojnë atë.

Kushtetuta e Malajzisë garanton mbrojtjen e pakicave, duke përfshirë ata që identifikohen si anëtarë të komunitetit LGBT. Por në vitet e fundit, grupet e vijës së ashpër janë bërë më agresivë në kërkimin e zbatimit të rreptë të islamit në qeverisje. Malajzia ka një popullsi të dominuar nga myslimanët.

Aleanca Malajziane e Organizatave të Shoqërisë Civile në Procesin UPR (MACSA) tha se Numan nuk është mbështetur në asnjë dëshmi të besueshme kur foli kundër programit të rehabilitimit, Mukhayyam. MACSA sqaroi se programi Mukhayyam i përmendur nga Numan kërkon të “adresojë përshkallëzimin e rasteve të reja të HIV / SIDA te transgjinorët” dhe “burrat që kanë marrëdhënie seksuale me burra”. Ajo shtoi se:

Pjesëmarrja në programin Mukhayyam është gjithashtu krejtësisht vullnetare, pa detyrium dhe është larg nga terapi e konvertimit e praktikuar nga vendet e tjera që përfshijnë një element të pjesëmarrjes së detyruar.

MACSA i kërkoi Numanit të kërkojë falje për anëtarët e LGBT që janë pjesë e programit.

Por deklarata e Numan mbi ‘dhunën e mbështetur nga shteti’ kundër komunitetit LGBT u mbështet nga 41 organizata të shoqërisë civile:

Këto aktivitete të sponsorizuara nga shteti janë të dëmshme nga mënyra e të hartuarit, pasi ato përdorin praktikat e rehabilitimit dhe të konvertimit, të cilat synojnë të frenojnë dhe të shtypin orientimin seksual aktual ose të perceptuar, identitetin gjinor dhe shprehjen gjinore të personave LGBT. Ato gjithashtu i nxisin të tjerët që të ndërhyjnë në jetën private dhe publike të personave LGBT.

Një grup tjetër i organizatave të shoqërisë civile shprehu keqardhjen për hetimin e policisë ndaj Numanit:

Hetimi i policisë mbi deklaratën e Numan thjesht shërben për të nxjerrë në pah ngacmimin dhe diskriminimin me të cilat përballen personat LGBT në Malajzi. Nuk ka absolutisht asgjë në deklaratën e Numanit që mund të justifikonte ndonjë hetim nga autoritetet.

Koalicioni i OJQ-ve Malajziane në Procesin UPR ose COMANGO e quajti “hetimin të pabazë” si dhe “një shenjë tjetër negative të ndëshkimit shtetëror ndaj mbrojtësve të të drejtave të njeriut në Malajzi”.

Hetimi nuk përmend ankesën kundër Numan dhe akuzën mbi të. Numan u urdhërua nga policia të paraqitej dhe të japë një deklaratë më 26 prill 2019.

Nis komentet

Autorë, ju lutem hyr »

Rregullat

  • Të gjitha komentet lexohen nga moderatori. Mos dërgo të njëjtin koment më shumë se një herë pasi mund të konsiderohet spam.
  • Respekto të tjerët. Komentet me gjuhë urrejtjeje, të pahijshme dhe sulme personale nuk do të miratohen.