I sheh këto gjuhë këtu? Ne përkthejmë artikujt e Global Voices për ta bërë gazetarinë qytetare botërore të mundshme për këdo.

Sllovenia kundërshton Hungarinë; refuzohet censurimi i karikaturave tallëse ndaj Viktor Orban

Kopertina e 22 marsit e Mladinës (majtas) paraqiste një karikaturë të politikanëve sllovenë të ekstremit të djathtë rreth presidentit hungarez Viktor Orban. Titulli thotë: “Ne do të heqim dorë nga Evropa, por kurrë nuk do të heqim dorë nga Orbán”. Në të djathtë është një version i “riparuar dhe miqësor” botuar në internet në përgjigje të letrës së ambasadores hungareze. Fotot (c) 2019 Mladina, përdorur me leje.

Sllovenia mund të mos jetë e njohur si një parajsë e fjalës së lirë. Por, kur zyrtarët hungarezë shprehën zemërim mbi një karikaturë të presidentit hungarez Viktor Orban, i cili u shfaq në kopertinën e Mladinës, një revistë politike kombëtare, zyrtarët sllovenë dolën në mbrojtje të saj.

Më 22 mars, Mladina botoi një lajm mbi mbështetjen nga politikanët sllovenë të krahut të djathtë për partinë qeverisëse të Hungarisë, Fidesz, pjesë e Partisë Popullore Evropiane të qendrës së djathtë (PPE). Në një takim të fundit, PPE pezulloi anëtarësimin e Fidesz në kuadër të këtij grupimi të madh dhe më të fuqishëm të partive politike në Bashkimin Evropian për shkak të praktikave të saj autoritare.

Titulli i Mladina është: “Ne do të heqim dorë nga Evropa, por kurrë nuk do të braktisim Orbán”. Artikulli kritikon Partinë Demokratike Sllovene (SDS) për “mbështetjen e autokracisë hungareze në vend të Evropës demokratike”.

Artikulli gjithashtu vuri në dukje se PPE kishte kërcënuar më parë Fidesz me përjashtim në prill 2017, për shkak të përpjekjeve të qeverisë hungareze për të mbyllur institucionet kyçe në shoqërinë civile hungareze, përfshirë shkatërrimin e Universitetit të Evropës Qendrore (CEU) dhe përdorimin e gjuhës anti-semite në fushatën e saj Stop Bruksel.

Media të ndryshme theksuan se Orbán vazhdon të shfrytëzojë antisemitizmin për përfitime politike.

Faqja e parë e revistës paraqiti një karikaturë të Viktor Orbanit me dorën e ngritur, si përshëndetja romake empiriale në stilin e karikaturave Asterix, ndonëse një gjest i ngjashëm, me shputën e dorës në drejtim të tokës, u përdor nga fashistët. Tre zyrtarë të SDS përqafohen rreth Orbanit me dashuri. Njëri mban një flamur me një dizajn të ngjashëm me flamurin e Sllovenisë, ngjyrat e të cilit ishin zëvendësuar me skemën e ngjyrave të flamurit hungarez.

Juxtaposed national flags of Slovenia and Hungary.

Flamuri i Sllovenisë (majtas) dhe i Hungarisë (djathtas). Burimi: Wikipedia.

Kur revista doli në shitje, ambasadorja hungareze në Slloveni Edit Szilágyin Bátorfi i dërgoi një letër Mladinës, të cilën revista e publikoi të plotë. Ajo i akuzoi ata për minimin e miqësisë mes dy kombeve me artikujt e tyre për Hungarinë. Ajo tha se ishte “e papranueshme” për të aluduar se Orbán kishte lidhje me “forcat e errëta të së kaluarës” dhe këmbënguli se qeveria e saj kurrë nuk ka promovuar antisemitizmin.

Më 28 mars Mladina botoi një artikull me një “version të riparuar dhe miqësor”. Në përgjigje, redaktorët pretendonin se “karikaturisti idiot” Tomaž Lavriç kishte vendosur të kërkonte falje duke nxjerrë një karikaturë të re të “udhëheqësit të dashur” të ambasadores.

“Këtë herë, është më e bukur dhe më miqësore. Jetë të gjatë dashurisë midis Orbanit dhe Janshës!”, shkroi redaksia me ironi.

Karikatura e re tregon Orbanin duke mbajtur një degë ulliri (simbol i paqes) me një lule në flokët e tij, si një hipi. Flamuri i modifikuar slloven, në këtë version, tregon ngjyrat e ylberit, duke iu referuar flamurit të LGBTQ, një simbol i tolerancës.

Në një notë proteste dërguar në Ministrinë e Punëve të Jashtme të Sllovenisë më 29 mars, ambasada hungareze në Ljubljanë protestonte ndaj “kopertinës politikisht të papërgjegjshme” të Mladina dhe kërkoi ndihmë në “parandalimin e incidenteve të ngjashme në të ardhmen”.

Sipas Politico.eu, ministria sllovene u përgjigj duke thënë se “[ne] respektojmë në mënyrë rigoroze lirinë e fjalës dhe lirinë e shtypit dhe nuk do të ndërhyjmë asnjëherë në asnjë nga politikat editoriale të medias”.

Më 1 prill, zëdhënësi i qeverisë hungareze Zoltan Kovacs sulmoi Mladinën në një postim në blogun e tij duke e quajtur atë një “shembull të trishtuar të jotolerancës të së majtës”.

Në një koment të 5 prillit të titulluar “Përpjekja e Hungarisë për të kontrolluar mediat sllovene”, Mladina vuri në dukje se nota diplomatike tregon se sa serioze është situata dhe se ndikimi i iliberal i Hungarisë nuk është vetëm një problem për Slloveninë, por për të gjithë Evropën.

“Një vend që guxon të kërkojë nga qeveria e një vendi tjetër të veprojë kundër gazetarëve do të thotë një kërcënim serioz për sigurinë për të gjithë rajonin”, shkruan redaktorët.

Investigimet gazetareske në Slloveni dhe Maqedoninë e Veriut kanë treguar se regjimi i Orbanit është përpjekur të ndërhyjë në politikat e brendshme dhe zgjedhjet e këtyre dy vendeve, duke ofruar mbështetje për forcat e ekstremit të djathtë. Korporatat, me lidhje të vërtetuara me qeverinë hungareze, kanë siguruar mbështetje financiare masive në media në Slloveni dhe në mediat pjesërisht në pronësi të partive të ekstremit të djathtë të të dy vendeve. Dhe në Maqedoninë e Veriut, Hungaria ndihmoi shpëtimin e ish kryeministrit Nikola Gruevski nga dënimi penal, pasi ai u dënua për korrupsion. Pasi diplomatët hungarezë e transportuan atë nëpër tre vende të Ballkanit, Gruevskit iu dha azil politik në Hungari.

Në një editorial me titull “Sovraniteti i rrezikuar i Sllovenisë”, redaktorja e Mladina, Grega Repovž shkroi:

Pismo je bilo še en kamenček v mozaiku, ki tako jasno kaže, s kakšno politiko imamo opravka v sosednji državi in kaj se je zgodilo v državi Evropske unije, ki naj bi bila nekakšna zveza demokratičnosti. In pismo je bilo še en dokaz, kakšna sramota je, da Evropska ljudska stranka ni zbrala moči, da bi izključila Fidezs Victorja Orbána iz svojih vrst – o čemer je govorila naslovna tema, ki je razburila madžarsko politiko.

Letra e [ambasadores] ishte vetëm një pllakë tjetër në mozaik që tregon politikën me të cilën duhet të përballemi në shtetin fqinj [të Hungarisë] dhe cila është gjendja në këtë vend anëtar të Bashkimit Evropian, i cili dikur ishte një bashkim i demokracisë. Letra na tregon se ishte turp që EPP nuk mblodhi forcat për të përjashtuar Fideszin e Viktor Orbanit nga radhët e veta – çështja e temës kryesore që acaroi politikën hungareze.

Një trashëgimi e 99 viteve sfiduese

Pas nisjes së saj në vitin 1920 si një botim i Seksionit të Rinisë të Partisë Komuniste Jugosllave në Slloveni, Mladina (që do të thotë “Rinia”) krijoi një reputacion për raportimin e të së vërtetës së pushtetit. Revista u ndalua nga diktatura e Mbretërisë së Jugosllavisë, por u rikthye në vitin 1943 si pjesë e rezistencës antifashiste.

Gjatë viteve '80, ajo u bë gazeta më e shquar disidente në Jugosllavinë socialiste, duke sfiduar sistemin, kultin e personalitetit të udhëheqësit jugosllav Josip Broz Tito dhe Ushtrinë Popullore të atëhershme Jugosllave. Në vitin 1988, Ushtria gjykoi katër anëtarë të stafit të Mlladinës, për rrjedhjen e dokumenteve të supozuara sekrete, por kjo nuk solli mbylljen e revistës. Gjyqi u bë pikë qendrore e rezistencës sllovene ndaj abuzimeve, nxiti protesta masive dhe përpjekjet për pavarësi e demokraci.

Pasi Sllovenia shpalli pavarësinë, Mlladina i mbijetoi tranzicionit drejt demokracisë, duke vazhduar të mbajë nën kontroll elitën politike. Për shembull, ata kanë analizuar me kujdes punën e ish gazetarit Janez Jansha (një nga katër të dënuarit në gjyqin e famshëm), i cili u bë politikan në vitin 1989. Ai u emërua ministër i mbrojtjes i Sllovenisë më 1990 dhe dy herë ishte kryeministër (2004-2008, 2012-2013). Sot ai është kreu i Partisë Demokratike Sllovene, anëtare e Partisë Popullore Evropiane dhe aleat i ngushtë i Fideszit të Orbanit. Ndaj ishte në kopertinën e shumëdiskutuar.

Komentatorët nga rajoni ish jugosllav u befasuan nga mungesa e informacionit nga qeveria hungareze për reputacionin e Mladinës, gjë që mund të shpjegojë dështimin e parashikuar me reagimin. Portali kroat i lajmeve Express theksoi: “As Tito nuk mund t'i ndalte ata. Tani Orban po i akuzon.”

Mediat në Hungari shkruan edhe për skandalin, duke ribotuar karikaturën. Hvg.hu shkruante se Orbán ishte “përshkruar si nazist” i rrethuar nga “udhëheqësit lokalë të së djathtës ekstreme” në Slloveni. E përjavshmja Magyar Narancs shkruante se “Hungarizimi i flamurit slloven në karikaturë është një paralajmërim se rreziku i vërtetë për Slloveninë është Orbánizimi”.

Shumë reagime në rrjetet sociale në lidhje me skandalin ishin gjithashtu në përputhje me kërkesën për lirinë e fjalës:

Hungarezët kanë shkruar gjatë gjithë ditës në Facebook-un e Mladina, duke kërkuar falje për Orbán, ose duke kërkuar që të blini “numrin e 12-të famëkeq”, ose duke propozuar shitjen e bluzave me karikaturën.

Komento

Autorë, ju lutem hyr »

Rregullat

  • Të gjitha komentet lexohen nga moderatori. Mos dërgo të njëjtin koment më shumë se një herë pasi mund të konsiderohet spam.
  • Respekto të tjerët. Komentet me gjuhë urrejtjeje, të pahijshme dhe sulme personale nuk do të miratohen.