Kampanja kolaborative globale Take Back the Tech! filloi më 25 nëntor, në ditën ndërkombëtare për eliminimin e dhunës ndaj gruas. Teknologjitë e reja informative po përdoren në shumë mënyra kundër grave dhe vajzave në gjithë botën. Këto teknologji duhet të bëhen mjete për ndryshim dhe transformim e jo për kontroll dhe përjashtim. Ky është njëri nga qëllimet kryesore të kampanjës Take Back the Tech!
Take Back the Tech! (në Twitter @takebackthetech, duke përdorur #takebackthetech) do të ketë kampanja aksioni të përditshme gjatë 16 Ditëve të aktivizmit kundër dhunës gjinore (që zgjat çdo vit nga 25 nëntori deri më 10 dhjetor). Këtë vit është fokusuar në zhvillimin e aksioneve për të mbrojtur të drejtat e gruas dhe lirisë së të shprehurit dhe informimit. Gratë dhe burrat në më shumë se 30 shtete i kanë përdorur teknologjitë informative, siç janë interneti, telefonat celularë dhe radion, për të dokumentuar dhe luftuar dhunën kundër gruas që nga zhvillimi i kampanjës nga Asociacioni i komunikacioneve progresive Programi për mbështetjen e rrjetit të gruas (APC WNSP) në vitin 2006.
Pjesëtarët e Take Back The tech! kanë krijuar një video të mrekullueshme për lidhjen mes grave, teknologjisë dhe dhunës ndaj grave, e disponueshme në gjuhën spanjole, frënge dhe angleze:
Për Global Voices kam intervistuar Erika Smith, koordinatoren për komunikacion të APC WNSP, për qëllimin e kampanjës, dhuna ndaj gruas, gjinia dhe teknologjia dhe pikat e përbashkëta që kanë në nivel lokal dhe global.
Global Voices (GV)- Cili është qëllimi i kampanjës Take Back the Tech! ?
Erika Smith (ES)- Kampanja Take Back the Tech! synon të eliminojë dhunën ndaj gruas (DHNG) përmes përdorimit të çfarëdo lloj teknologjie që kemi në disponim, për të dokumentuar, dënuar dhe transformuar realitetin e dhunës, me të cilën po ballafaqohen gratë në çdo cep të botës – dhunë që momentalisht është gjithnjë e në rritje në hapësirat onlajn apo që kryhet përmes përdorimit të teknologjive të informimit dhe komunikimit (TIK). Gjatë këtij viti, kampanja do të fokusohet në mbrojtjen disa prej të drejtave të gruas: lirinë e të shprehurit dhe aksesin e informatave, që janë të drejta qenësore për të pasur siguri onlajn dhe oflajn, për të gjetur mbështetje dhe për tu mobilizuar kundër dhunës. Aktivitetet e përditshme të kampanjës për ato 16 ditë, duke filluar nga 25 nëntori deri më 10 dhjetor, do të na njoftojnë më shumë me çështjen e DHNG dhe lidhjen me TIK dhe na shtyjnë të eksperimentojmë me teknologjinë në mënyra të ndryshme.
Gjithkush është i përfshirë në kampanjë – duke filluar nga përdoruesit e përditshëm të internetit deri te blogerët, ditakët (geeks), shokët në rrjetet sociale dhe të varurit nga sms-at, për të drejtuar energjitë drejt eliminimit të DHNG dhe do të bëhet lidhje mes aksioneve onlajn me aksionet direkte lokale.
Dhuna ndaj gruas shihet dhe përjetohet shumë shpesh si problem privat, personal, intim dhe shumë lokal dhe si e tillë fshihet. Por prap eksiston si një pandemi globale, si kërcënim për shëndetin publik dhe sigurinë në botë, kundër të cilës gratë janë mobilizuar vazhdimisht për dekada të tëra – në nivel lokal dhe global. Për shumicën 25 nëntori është dita e statistikave dhe imazheve paralizuese, ndërsa kampanja 16 ditore është formuar nga këmbëngulja e feministeve për të mbajtur vëmendjen ndaj DHNG dhe për të kërkuar zhgjidhje reale. Take Back the Tech! shoqërohet nga 16 ditë aktivizëm kundër dhunës gjinore, për të ndihmuar në zgjerimin e lëvizjes, për të lidhur gjithnjë e më shumë aktivitetet, dhe për të ngritur vetëdijen e grave për teknologjinë që po transformon edhe mënyrën e përjetimit të dhunës dhe për t'i mobilizuar gratë në luftën kundër saj.
Zhvilluesit e hardverit dhe softverit janë kryesisht të gjinisë mashkullore. Zhvillimet në TIK po depërtojnë në jetët tona në shumë mënyra – duke filluar nga momentet intime deri në mënyrën e bashkëveprimit me qeveritë tona. Rrallëherë mendojmë për këto ndryshime nga aspekti i ndryshimeve gjinore dhe sociale dhe rrallëherë dyshojmë në pasojat. Si mund ta sankciononi dhunën onlajn ndaj grave? Sa dëm real ka nga ndjekja virtuale në internet? Çka ndodh prapa kodit? Kush i sjell vendimet dhe e finanson infrastrukturën?Pse disa zhvillime për krijimin e ndërmarrjeve të mëdha bëhen prioritet, ndërsa nevojat për aksesibilitet në shoqëri ignorohen? Konventat për krimin në internet theksojnë më shumë piraterinë sesa tregtinë me femra.
GV- Në çfarë mënyre Take Back the Tech i lidh lokalen me globalen?
ES- Ka aktivistë lokal në më shumë se 30 shtete që marrin pjesë në aktivitetet ditore të kampanjës në nivel personal apo kolektiv, apo mund të bëjnë diçka tërësisht të ndryshme drejtpërdrejt në komunitetin e tyre për të potencuar DHNG dhe TIK. Disa aktivistë kanë organizuar trajnime për t'u mundësuar grave përdorimin e TIK-së për tu mobilizuar dhe shprehur, p.sh. Në Montevideo ka trajnime për të mësuar krijimin e blogjeve, në Brazil për të eksploruar audio dhe video produksione për tregimin e storieve, aponë Argjentinë për të krijuar afishe përmes mësimit të përdorimit të softverëve grafik. Ka të tjerë që dalin në rrugë, për shembull në Johanesburg për të intervistuar njerëzit për DHNG-në, për të dokumentuar abuzime apo për të protestuar për gjetjen e zgjidhjeve.Në Kongo, femrat kanë kompiluar CD për dhunën ndaj gruas dhe si të kërkohet ndihmë dhe i kanë shpërndarë nëpër salone bukurie në komunitetet e tyre, duke provokuar debate mes stilisteve dhe klientëve. Në Kuebek aktivistët kanë patur diskutime për ngritjen e vetëdijes për dhunën në lojrat e famshme video.