Shefi i shërbimit të sigurisë presidenciale të Azerbajxhanit i përfshirë në skandal korrupsioni

Foto nga Arzu Geybullayeva

Ky artikull u publikua për herë të parë në Abzas Media. Një version i redaktuar ribotohet këtu sipas një marrëveshjeje partneriteti për përmbajtjen.

Pesë vjet pas hapjes së planifikuar, Hoteli InterContinental në Baku më në fund çeli dyert në vitin 2021. Në ceremoni morën pjesë presidenti Ilham Aliyev dhe zëvendëspresidentja dhe zonja e parë, Mehriban Aliyeva. Dy vjet më vonë, Abzas Media, në një artikull investigativ, shqyrtoi pronësinë e hotelit si dhe historinë e tokës ku u ndërtua.

Historia pas tokës ku u ndërtua hoteli aktual me pesë yje daton në vitin 1950. Në atë kohë, ndërtesa ishte një hotel tjetër i quajtur “Janub”. Ndërmjet viteve 1950 dhe 1998, ndërtesa ishte në pronësi të shtetit. Në vitin 1998, ajo u bë Shoqëri Aksionere e Hapur.

Ujërat u turbulluan rreth vitit 2012. Në atë kohë, Azerbajxhani po përgatitej të priste konkursin vjetor të këngës në Eurovizion. Atë vit, zyrtarët vendosën të rrënojnë ndërtesën e vjetër dhe të krijojnë hapësirë ​​për godina të reja që mund të presin të ftuarit për konkursin. Kjo nuk ndodhi. Hapja e mundshme u caktua për vitin 2016, në prag të garës së Formula 1 në Baku. Edhe kjo nuk ndodhi.

Në shtator 2014, gjatë mbledhjes së përgjithshme të aksionerëve, pronari i shumicës së aksioneve, kompania AZ-ORS, tha se nuk kishte fonde të mjaftueshme për ta privatizuar tokën. Aksionerët e vegjël ranë dakord të privatizojnë tokën. Vlera e saj në treg në atë kohë ishte gjysmë milioni Manat Azerbajxhan. Megjithatë, kur toka u hodh në ankand, detajet e adresës dhe sipërfaqes u fshinë qëllimisht.

Aksionerët e pakicës e dinin se diçka nuk shkonte dhe se arsyeja pse u hoq adresa dhe përmasat e truallit ishte bërë posaçërisht për zhvlerësimin e tokës gjatë ankandit. Ndërsa investigonte ngjarjen, Abzas Media mori versionin elektronik të shpalljes së ankandit, ku ishte adresa dhe sipërfaqja e tokës – që përputhej me atë të ish-hotel Janub – si dhe çmimi i shitjes më 9 dhjetor 2014. Nga investigimi doli se ishte shitur 340 herë më pak se vlera e tregut.

Megjithëse nuk kishte asnjë informacion në dispozicion se kush fitoi në ankand në atë kohë, nuk ishte e vështirë të hamendësohej. Me 99 për qind të aksioneve, AZ-ORS ishte qartazi përfituesi kryesor. AZ-ORS, edhe sot e kësaj dite, është pronar i tokës dhe hotelit të ri. Pronarja e kompanisë është Naze Shahverdiyeva, motra e Beyler Ayyubov, kreut të Shërbimit të Sigurisë Presidenciale.

Pasuria e Shaverdijevës

Pasuria e Shahverdiyevës nuk kufizohet vetëm në hotelin InterContinental. Ajo vepron si përfaqësuese ligjore në të paktën dy kompani të tjera, sipas regjistrit të personave juridikë tregtarë — “Naida-S” dhe “Karamli Village Farm”. Ajo gjithashtu është pronare e grupit Resant Hotel, i cili përfshin 35 hotele dhe restorante dhe prona të tjera të pasurive të paluajtshme në të gjithë Azerbajxhanin.

Përpjekjet e Abzas Media për të folur drejtpërdrejt me Shahverdiyevën dështuan pavarësisht se një punonjës i Resant Group i tha medias se mund të flisnin drejtpërdrejt me Shahverdiyevën.

Për vite me radhë, ka pasur ekspozime të tjera për familjen në pushtet si dhe për pasurinë e dyshimtë të zyrtarëve të tjerë të lidhur me shtetin, pronat e tyre fitimprurëse të biznesit brenda dhe jashtë vendit dhe shkallën e korrupsionit në vend. Gazetarët vendas janë qortuar për punën e tyre se kanë investiguar. Dy muaj pas publikimit, drejtori i Abzas Media, Ulvi Hasanli dhe kryeredaktori i platformës, Sevinc Vagifgizi, u arrestuan nën akuzën e kontrabandës dhe u dënuan me paraburgim maksimal.

Nis komentet

Autorë, ju lutem hyr »

Rregullat

  • Të gjitha komentet lexohen nga moderatori. Mos dërgo të njëjtin koment më shumë se një herë pasi mund të konsiderohet spam.
  • Respekto të tjerët. Komentet me gjuhë urrejtjeje, të pahijshme dhe sulme personale nuk do të miratohen.