Parlamenti i Kirgistanit ndryshon flamurin kombëtar

Ilustrim që simbolizon fundin e flamurit kombëtar origjinal të Kirgistanit që perëndon prapa maleve. Marrë nga faqja e Elnur Isakov në Facebook.

Parlamenti i Kirgistanit miratoi më 20 dhjetor ndryshimin e flamurit kombëtar. Pas votimit, njëri nga dy nismëtarët dhe kryetari i parlamentit, Nurlanbek Shakiyev, përgëzoi deputetët për “korrigjimin e flamurit”, duke deklaruar se ata “do të hynin në histori si parlamentarët e ndryshimit dhe do të merrnin statusin e legjendarit”.

Ja një postim në Instagram me flamurin origjinal:

Këtu është një postim në Instagram me flamurin e ri:

E vetmja gjë që mund të pengojnë flamurin e ri është mosnënshkrimi i dekretit nga presidenti. Nuk ka dyshime se presidenti Sadyr Japarov do e firmosë, pasi ai mbrojti ndryshimin dhe së fundmi pranoi se ishte ideatori. Duke folur në Kurultajin e dytë Popullor të mbajtur më 15 dhe 16 dhjetor, Japarov u kërkoi delegatëve të mbështesin nismën dhe zbuloi se ishte ai që i kërkoi Shakiyev dhe deputetit Ulan Primov ta kalonin atë në parlament.

Këtu është një video në YouTube, ku Japarov u kërkon delegatëve të Kurultai të mbështesin ndryshimin e flamurit.

Flamuri kombëtar i Kirgistanit u miratua më 3 mars 1992, menjëherë pasi vendi shpalli pavarësinë nga Bashkimi Sovjetik, në 1991. Një ekip prej pesë personash qëndron pas dizajnit të tij. Në qendër të flamurit është një tunduk i artë, një konstruksion prej druri dhe pjesa e sipërme e një yurt, përmes së cilës drita hyn në një ambient. Simbolizon bashkimin, miqësinë dhe atdheun. Rrezet e valëzuara të diellit rreth tundukut tregojnë bashkimin e 40 fiseve të lashta për të krijuar Kirgistanin. Ngjyra e artë simbolizon pasurinë dhe stabilitetin dhe sfondi i kuq fitoren, heroizmin dhe guximin.

Padyshim, ndryshimi i flamurit pritet të konsiderohet si lëvizja më pak popullore e Japarov. Në 32 vitet e fundit të pavarësisë së Kirgistanit, nuk ka pasur asnjëherë thirrje nga publiku për ta ndryshuar atë. Është e drejtë të thuhet se flamuri origjinal pëlqehet nga kirgizët dhe kjo u duk nga numri i postimeve në mediat sociale kundër ndryshimit të tij.

Këtu është një postim në Instagram nga një bloger i famshëm kirgiz udhëtimesh, duke shprehur qëndrimin e tij kundër ndryshimit të flamurit:

Ja një postim në Instagram me atë që njerëzit e zakonshëm mendojnë për ndryshimin e flamurit:

Ata nuk janë vetëm në kundërshtimet e tyre. Anëtarët e parlamentit të parë që miratoi flamurin në 1992 u shprehën kundër nismës. Një nga krijuesit e flamurit origjinal, Bekbosyn Jaichybekov, gjithashtu doli kundër tij, duke thënë se versioni i ri “është më i keqi nga të gjitha opsionet e mundshme”, duke iu referuar vendimit për të ndryshuar rrezet e valëzuara në pika.

Presidenti ka dhënë shpjegime për ndryshimin e flamurit, duke filluar nga deklaratat se flamuri origjinal të kujton një luledielli e deri te fajësimi i flamurit për problemet politike dhe ekonomike të Kirgistanit. Sipas Japarov, me flamurin e ri “do të jetë sikur dielli po shkëlqen dhe po buzëqesh” dhe Kirgistani më në fund do të shndërrohet në “një vend të zhvilluar dhe të pavarur”.

Që nga ardhja në pushtet në vitin 2020 si rezultat i protestave pas zgjedhjeve të manipuluara parlamentare, Japarov ka akumuluar pushtetin në duart e tij duke ndryshuar kushtetutën. Ai i justifikoi këto ndryshime duke deklaruar se Kirgistanit i duhet një dorë e fortë për të rivendosur rendin dhe për të sjellë prosperitet. Njerëzit në Kirgistan deri më tani kanë përjetuar vetëm efektet negative të dorës së tij të fortë dhe ndryshimi i flamurit është shembulli më i qartë i tij.

Nis komentet

Autorë, ju lutem hyr »

Rregullat

  • Të gjitha komentet lexohen nga moderatori. Mos dërgo të njëjtin koment më shumë se një herë pasi mund të konsiderohet spam.
  • Respekto të tjerët. Komentet me gjuhë urrejtjeje, të pahijshme dhe sulme personale nuk do të miratohen.