Turkmenistani mbetet i pasigurt për gratë

Gra turkmene me veshje tradicionale. Foto nga Veni Markovski në FlickrCC-BY-2.0.

Turkmenistani është vendi më i sigurt për gratë në Azinë Qendrore, sipas Indeksit të Grave, Paqes dhe Sigurisë të botuar së fundmi nga Instituti Georgetown për Gratë, Paqen dhe Sigurinë dhe Qendra Norvegjeze PRIO për Gjini, Paqe dhe Siguri. Edhe pse gjetjet bazohen në të dhëna nga burime me reputacion ndërkombëtar, ky përfundim është qartësisht në kundërshtim me tablonë e paraqitur nga raportet e mediave të pavarura dhe grupet e të drejtave të njeriut dhe gjetjet e ekspertëve ndërkombëtarë.

Për shembull, sipas rezultateve të sondazhit, një në gjashtë gra në Turkmenistan ka përjetuar dhunë në familje gjatë jetës – dhe mbi 40 për qind kanë përjetuar shkallë të ndryshme të kontrollit social. Pesëdhjetë e nëntë për qind e grave në Turkmenistan besojnë se një burrë ka të drejtë të rrahë gruan e tij.

Përveç abuzimit në familje, gratë në Turkmenistan përballen me qëndrime patriarkale të promovuara nga shteti, diskriminim me bazë gjinore dhe kufizime të gjera për të drejtat e tyre themelore. Shumë larg përmirësimit që kur presidenti Serdar Berdymukhamedov mori detyrën vitin e kaluar, situata është përkeqësuar për gratë në Turkmenistan.

Gratë, paqe dhe siguri në vendin e diktatorëve

Turkmenistani është një vend i Azisë Qendrore me një popullsi prej rreth gjashtë milionë banorësh. Është relativisht i panjohur për shumicën e njerëzve, pasi është një nga vendet më të izoluara në botë. Vendi fitoi pavarësinë nga Bashkimi Sovjetik në vitin 1991 dhe që atëherë është qeverisur nga tre diktatorë të ndryshëm, të rrethuar nga kulte të gjera personaliteti. Dy presidentët e fundit janë baba e bir; Gurbanguly Berdymukhamedov ja kaloi presidencën djalit të tij Serdar Berdymukhamedov në vitin 2022, pasi sundoi vendin që nga 2006.

Indeksi i Grave, Paqes dhe Sigurisë (WPS) vlerëson dhe rendit 177 vende në mbarë botën përsa i përket përfshirjes, drejtësisë dhe sigurisë së grave, duke matur performancën në 13 fusha e duke përdorur të dhëna nga agjencitë e OKB-së, Banka Botërore, Sondazhi Botëror Gallup dhe burime të tjera. Turkmenistani renditet i 58-ti. Kazakistani renditet në vendin e 70-të, Taxhikistani në vendin e 90-të, Uzbekistani në vendin e 94-të dhe Kirgistani në vendin e 95-të.

Sipas WPS, Turkmenistani është vendi më i keq në Azinë Qendrore dhe Evropën Qendrore dhe Lindore në lidhje me aksesin e grave në drejtësi. Turkmenistani gjithashtu performon më keq në grupin e tij për përfshirjen financiare të grave. Por vendi ishte më mirë në fusha të tjera: ai u rendit më lartë në grupin e tij për perceptimin e grave për sigurinë në komunitet, duke matur përqindjen e grave që deklaruan se ndjehen të sigurta për të ecur vetëm natën në zonën ku jetojnë. Përsa i përket dhunës nga partneri intim, e matur si përqindja e grave që kanë përjetuar dhunë fizike ose seksuale të kryer së fundmi nga një partner, Turkmenistani shënoi pikën e dytë më të keqe në Azinë Qendrore, me 7.2 për qind, krahasuar me 6 për qind për Kazakistanin.

Shkeljet e të drejtave të grave

Ndërsa Turkmenistani përfundoi me rezultatin më të lartë të përgjithshëm të WPS midis vendeve të Azisë Qendrore, situata për gratë atje mbetet e zymtë. Siç kanë dokumentuar në një raport të fundit Partneriteti Ndërkombëtar për të Drejtat e Njeriut (IPHR) dhe Iniciativa Turkmene për të Drejtat e Njeriut (TIHR) , autoritetet turkmene jo vetëm që nuk kanë arritur të kundërshtojnë stereotipat dhe praktikat negative gjinore diskriminuese, por i kanë promovuar ato në mënyrë aktive. Shpresat për përmirësime pas transferimit të kompetencave presidenciale nga babai u shuan nga nisja e një fushate të re që mbikëqyrte paraqitjen e grave, në emër të ruajtjes së traditave dhe vlerave kombëtare.

Për shembull, sipas informacionit të marrë nga TIHR dhe burime të tjera të pavarura, punonjëset e agjencive shtetërore dhe studentet u urdhëruan të mbanin fustane të stilit kombëtar dhe të mos përdornin grim të rëndë, të lyenin flokët ose të përdornin shërbime bukurie, duke i kërcënuar se nëse i bënin, do të përballeshin me pasoja. Ka gjithashtu raportime për ndalime arbitrare të grave të akuzuara për përdorimin e shërbimeve të bukurisë dhe madje edhe për bastisje të policisë në sallonet e bukurisë.

Gratë gjithashtu përballen me diskriminim me bazë gjinore në aksesin në shërbimet shtetërore dhe hasin në pengesa serioze në marrjen ose rinovimin e patentës së shoferit. Disa nga këto shqetësime të veçanta u theksuan më 6 nëntor, kur të dhënat e Turkmenistanit për të drejtat e njeriut u vlerësuan gjatë Rishikimit Periodik Universal (UPR) në Gjenevë. UPR është një proces i rishikimit shtetëror i koordinuar nga Këshilli i OKB-së për të Drejtat e Njeriut. Gjatë tij, Turkmenistani mori një sërë rekomandimesh për përmirësimin e të drejtave të grave.

Në të njëjtën kohë, kriza e zgjatur ekonomike në vend ka prekur keq gratë në të gjithë vendin, që do të thotë se ato duhet të kalojnë orë të tëra në radhë për produkte ushqimore të racionuara. Kjo ka rezultuar herë pas here në protesta spontane, të cilat autoritetet i shtypin shpejt. Fuqia punëtore e sektorit publik në Turkmenistan është kryesisht e përbërë nga femra dhe për këtë arsye gratë janë të prekura në mënyrë disproporcionale nga praktikat represive shtetërore ndaj punonjësve të sektorit publik, të tilla si mobilizimi i detyruar për korrjen vjetore të pambukut ose aktivitetet e propagandës masive të organizuara nga shteti.

Dhuna e përhapur në familje

Një në çdo gjashtë gra ka përjetuar dhunë nga partneri aktual ose ish-partneri i tyre, sipas sondazhit të parë kombëtar të dhunës në familje në vitin 2020. Studimi u krye nga autoritetet turkmene dhe Fondi i Kombeve të Bashkuara për Popullsinë (UNFPA). Dhuna u tregua të ishte më keq në rajonet Lebap (verilindje) dhe Dashoguz (veri). Mbi 13 për qind e grave raportuan se kishin përjetuar dhunë ekonomike nga partneri i tyre, e cila përfshinte kufizime në aksesin në para.

Sondazhi tregoi se kontrolli i sjelljes nga bashkëshortët/partnerët ndaj grave është një problem i përhapur. Mbi 40 për qind e grave raportuan se kishin përjetuar një formë të kontrollit social. Njëzet e dy përqind raportuan se kishin kufizime se kur mund të largoheshin nga shtëpia dhe pothuajse 21 për qind deklaruan se nuk u lejohet të punojnë ose të studiojnë jashtë shtëpisë së tyre. Sondazhi tregoi se kjo sjellje kontrolluese shkon paralelisht me dhunën në familje, me pothuajse një në pesë të anketuara që mendojnë se ishte e justifikuar që burrat të rrahin gratë nëse largohen nga shtëpia pa lejen e bashkëshortit të tyre.

Për më tepër, mosraportimi i dhunës në familje është një problem serioz, pasi gratë e prekura përballen me presionin social për të mos “çnderuar familjen” duke raportuar abuzimin e tyre. Më pak se 12 për qind e grave të intervistuara që përjetuan dhunë në familje i ishin drejtuar policisë ose institucioneve të tjera për ndihmë, me frikën dhe presionin e shoqërisë të përmendura si arsyet kryesore për të heshtur. Gratë ka të ngjarë të mosraportojnë abuzimin, që do të thotë se dhuna në familje mund të jetë më e përhapur sesa tregon anketa.

Në janar dhe shkurt 2024, Komiteti i OKB-së për Eliminimin e Diskriminimit (CEDAW) do të shqyrtojë të dhënat e të drejtave të grave në Turkmenistan. Në listën e pyetjeve drejtuar autoriteteve përpara këtij shqyrtimi, komiteti u kërkoi atyre të shpjegonin “imponimin e kodeve të veshjes e paraqitjes dhe praktikave të tjera diskriminuese” në një situatë “të përkeqësuar nga mbikëqyrja aktive dhe kontrolli i sjelljes së grave”. Ata do të hetojnë gjithashtu për masat e marra “për të çmontuar qëndrimet patriarkale që janë në themel të dhunës me bazë gjinore ndaj grave” dhe për të kriminalizuar dhunën në familje, një hap që vendi nuk e ka hedhur ende.

Sa i përket faktit se Turkmenistani është i sigurt për gratë që ecin vetëm gjatë natës në rrugë- duhet theksuar se Turkmenistani kufizohej në WPS nga vende të tilla si Kuvajti, Emiratet e Bashkuara Arabe dhe Kina, të cilat kanë një aparat të ngjashëm të gjerë të sigurisë shtetërore. Ndërsa policia mund t'i ndihmojë gratë të ndjehen më të sigurta në rrugë në Turkmenistan, i njëjti aparat përdoret gjithashtu për të shtypur të drejtat e grave në një pikë ku, siç thotë vlogeri i njohur i YouTube Ilya Varlamov, ato jetojnë pothuajse “pa të drejta”.

Këtu është një video në YouTube për shkeljet e të drejtave të grave në Turkmenistan:

Teksa modelet aktuale patriarkale dhe shkeljet e të drejtave vazhdojnë, nuk ka hapësirë ​​për të diskutuar objektivisht se Turkmenistani është i sigurt për gratë.

Nis komentet

Autorë, ju lutem hyr »

Rregullat

  • Të gjitha komentet lexohen nga moderatori. Mos dërgo të njëjtin koment më shumë se një herë pasi mund të konsiderohet spam.
  • Respekto të tjerët. Komentet me gjuhë urrejtjeje, të pahijshme dhe sulme personale nuk do të miratohen.