Lufta kundër dhunës ndaj grave në Turqi nuk është një betejë e lehtë

Foto nga Arzu Geybullayeva

Një gjykatë në Stamboll vendosi më 13 shtator kundër mbylljes së platformës së njohur lokale online, Ne do të ndalojmë femicidet (femicidet janë vrasjet e grave), e cila dokumenton dhunën ndaj grave. Platforma në internet u padit për herë të parë në dhjetor 2021, me arsyetimin se ajo “kryente aktivitete të paligjshme dhe imorale.” Një fitore e rrallë për aktivistët e të drejtave të grave në një vend ku vetëm në vitin 2023, 362 gra u vranë si rezultat i dhunës, sipas Anitsayac.

Numri i lartë i viktimave nuk e ka ndryshuar vendimin e Partisë për Drejtësi dhe Zhvillim (AKP) në pushtet për t'iu ribashkuar Konventës së Stambollit, nga e cila Turqia u tërhoq në mars 2021 pasi për traktatin partia tha se “normalizonte homoseksualitetin”. Për më tepër, duke folur më 25 nëntor në një universitet në Stamboll, presidenti turk Rexhep Taip Erdogan këmbënguli se tërheqja nga konventa nuk ndikonte te dhuna ndaj grave.

Aktivistet nuk janë dakord dhe siç ka ndodhur në të kaluarën, një numër i i lartë i grave dhe organizatave për të drejtat e tyre u mblodhën në të gjithë Turqinë më 25 nëntor, në Ditën Ndërkombëtare për Eliminimin e Dhunës ndaj Grave, për t'i kujtuar shtetit se kjo dhunë është një problem urgjent.

Marshime vjetore të ndaluara

Disa guvernatorë morën masa për të penguar gratë të marshonin më 25 nëntor. Në Stamboll, zyra e guvernatorit mbylli stacionet e metrosë, ndërsa në Dijarbakir, protestat u ndaluan fare. Në vitet e mëparshme, policia goditi dhunshëm demonstruesit. Këtë vit gjithashtu. Sipas raportimeve, aktiviste të të drejtave të grave u arrestuan në disa provinca në ditën e demonstratave.

Dhuna nuk është problemi i vetëm me të cilin përballen gratë në Turqi. Në tetor 2023, Kübra Öztürk Örenli, e para grua Mjeshtre e Madhe Ndërkombëtare e Turqisë dhe anëtare e ekipit kombëtar të shahut, ju pezullua paga dhe u hoq nga federata pasi u mësua se ajo ishte shtatzënë. Kur Örenli tha se ajo ishte hequr, Federata Turke e Shahut tha se ishte një “keqkuptim“.

Vendi vuan gjithashtu nga ritmet në rritje të martesave të hershme. Sipas Gazete Duvar, një platformë lajmesh në internet, mbi 130,000 vajza të mitura janë martuar në Turqi gjatë dhjetë viteve të fundit.

Sipas një raporti mbi të drejtat e grave që punojnë të publikuar më 25 nëntor, 1,379 gra janë vrarë në vendet e tyre të punës që nga viti 2013. Raporti gjithashtu theksoi papunësinë e grave si një formë dhune ekonomike. Për ato që punojnë, kushtet e këqija, si mungesa e mbrojtjes shëndetësore dhe mekanizmat e sigurisë, ngacmimi seksual, diskriminimi , etj., janë të gjitha forma të dhunës ndaj grave.

Masat e papërshtatshme të qeverisë

Presidenti Erdogan më 25 nëntor nënshkroi një qarkore duke u zotuar se do të zbatojë masat për të luftuar dhunën ndaj grave. Qarkorja prej 17 pikash e botuar në Fletoren Zyrtare në mesnatë thotë: “Komiteti i Monitorimit të Dhunës ndaj Grave” u shndërrua në “Bordi Koordinues për Luftën kundër Dhunës ndaj Grave”. Pikat e tjera në qarkore përfshijnë vazhdimin e masave ligjore dhe administrative për zbatimin efektiv të legjislacionit për parandalimin e dhunës me bazë gjinore, burimet për të lehtësuar aksesin e të prekurave në drejtësi dhe lëvizjet për të siguruar që institucionet dhe organizatat publike të rrisin njohuritë dhe ndërgjegjësimin e personelit të administratës publike për dhunën me bazë gjinore. 

“Ne besojmë se Bordi i Koordinimit për Luftën kundër Dhunës ndaj Grave, të cilin e krijuam me qarkoren tonë të re, do të kryejë aktivitete të denja për Shekullin e Turqisë”, tha Erdogan në një universitet në Stamboll.

Megjithatë, kritikët e shohin qarkoren si një zgjidhje momentale. Për shembull, urdhrat ndalues ​​dhe masat mbrojtëse për të prekurat nga dhuna nuk përpunohen në mënyrë adekuate në Turqi; si të tilla, premtimet e qarkores për “tolerancë zero ndaj dhunës” tingëllojnë si boshe.

“Qarkoret nuk janë zgjidhje për dhunën,” tha İlke Işık, një avokate që punon për të drejtat e grave. Ndërsa kryetarja e Dhomës së Avokatëve të Stambollit, Filiz Saraç, duke komentuar qarkoren tha se ishte një tregues se shteti nuk arriti të kuptonte se çfarë është lufta kundër dhunës ndaj grave:

Dhuna ndaj grave dhe numri i femicideve vazhdon të rritet në vendin tonë. Dhuna ndaj grave rrjedh nga pabarazia gjinore dhe diskriminimi ndaj grave. Përgjegjësia për të garantuar sigurinë e jetës në parandalimin e dhunës ndaj grave është e shtetit. Legjislacioni i miratuar dhe masat e nxjerra për parandalimin e dhunës nuk janë efektive. Prandaj asnjë ligj, rregullore apo qarkore nuk mund të parandalojë rritjen e numrit të femicideve.

Nënkryetarja e Partisë Popullore Republikane të opozitës, Aylin Nazlıaka, tha se qarkorja “nuk mund të na mashtrojë duke shtuar tre ose pesë pika të mira”. Në vend të kësaj, Nazlıaka i bëri thirrje shtetit që të ribashkohej Konventës së Stambollit pa vonesë.

Duke folur në një demonstratë në Stamboll më 25 nëntor, Fidan Ataselim, Sekretarja e Përgjithshme e Platformës “Ne Do të Ndalojmë Femicidet”, tha: “Femicidet po rriten. Gratë vriten nga burrat çdo ditë. Fatkeqësisht, ato jo vetëm që po vriten, por këto vrasje po mbulohen duke i bërë të duken si vetëvrasje. Gratë hidhen vazhdimisht nga dritaret dhe ballkonet. Një hetim efektiv nuk po kryhet. Me fjalë të tjera, ata nuk varrosin vetëm gratë nën tokë, ata varrosin edhe të vërtetën së bashku me gratë. Ne do t'i vendosim sërish në axhendën e tyre vdekjet e dyshimta. Asnjëherë nuk do ta lëmë të dyshimtë të ashtuquajturën vetëvrasje. Ne do të ndalojmë femicidin.”

Ataselim kritikoi gjithashtu deklaratet e presidentit se tërheqja nga Konventa nuk kishte ndikim te dhuna ndaj grave në Turqi:

Ky mentalitet duhet të jetë turpërues për gratë që po kthehen nga komisariati sepse nuk ekziston më Konventa e Stambollit. Atyre duhet t'u vijë turp për gratë që nuk u mbrojtën dhe u vranë sepse u thanë ‘Nuk ka më konventë’ dhe se ligji nr. 6284 nuk zbatohet.”

Përpara zgjedhjeve të majit 2023, AKP bëri aleanca me parti të shumta që synojnë të çmontojnë të drejtat e grave në vend, duke përfshirë shfuqizimin e ligjit 6284, i cili mbron gratë nga dhuna në familje. Ligji është miratuar në vitin 2012.

AKP ka mbajtur një sërë qëndrimesh të diskutueshme kundër barazisë gjinore vitet e fundit. Partia në pushtet ka propozuar kufizimin e të drejtave të abortit, pilulës dhe operacioneve cezariane. Vetë Erdogan dikur sugjeroi se gratë nuk mund të jenë të barabarta me burrat, se gratë duhet të jenë nëna dhe se familjet duhet të kenë të paktën tre fëmijë. Në vitin 2012, Erdogan si kryeministri i atëhershëm e barazoi abortin me vrasjen.

Teksa ndërprerjet e shtatzënisë janë ende të ligjshme në Turqi deri në javën e 10-të dhe deri në të 20-ën në rastet e rrezikut shnëndetësor, gjetja e spitaleve që do të kryejnë procedurën është bërë praktikisht e pamundur. Në vitin 2014, Erdogan akuzoi feministët se nuk e kuptojnë mëmësinë. Duke folur në një samit në Stamboll, ai tha: “Disa njerëz mund ta kuptojnë këtë, ndërsa të tjerët jo. Ju nuk mund t'ua shpjegoni këtë feministeve sepse ato nuk e pranojnë konceptin e mëmësisë.” Ai ka thënë gjithashtu se barazia gjinore ishte “kundër natyrës njerëzore” dhe se gratë që punonin ishin “të mangëta”. Në janar 2023, organi fetar shtetëror i Turqisë, i cili ka shënjestruar gratë në të kaluarën, tha se gratë nuk mund të udhëtojnë vetëm.

Rezultati i përgjithshëm u reflektua edhe në Raportin e Indeksit Global të Hendekut Gjinor nga Forumi Ekonomik Botëror. Në 2023, Turqia renditet e 129-ta nga 146 vendeve të përfshira në raport.

Nis komentet

Autorë, ju lutem hyr »

Rregullat

  • Të gjitha komentet lexohen nga moderatori. Mos dërgo të njëjtin koment më shumë se një herë pasi mund të konsiderohet spam.
  • Respekto të tjerët. Komentet me gjuhë urrejtjeje, të pahijshme dhe sulme personale nuk do të miratohen.