Qeveria kamboxhiane është nën kritika këtë javë pasi Amnesty International publikoi një raport më 14 nëntor duke thënë se që nga viti 2020, ka zhvendosur me forcë mbi 10,000 familje nga kompleksi ikonik i tempullit Angkor Wat, i cili është një vend i Trashëgimisë Botërore të UNESCO-s që nga viti 1992. Raporti akuzoi gjithashtu UNESCO-n se dështoi të respektonte mandatet e OKB-së, duke mos ndërhyrë apo mbrojtur të drejtat e banorëve të Angkorit.
Zhvendosjet janë pjesë e një plani “ruajtjeje” shumëvjeçare, ku qeveria kamboxhiane ka çmontuar vendbanimet në të gjithë parkun arkeologjik – një vend që shtrihet në mbi 400 hektarë, ka mijëra rrënoja tempujsh dhe përfshin të paktën 112 fshatra. Autoritetet thanë se po përpiqen t'i mbrojnë rrënojat duke hequr “banorët” dhe vendbanimet informale, duke pretenduar se ato po dëmtojnë mjedisin dhe po përdorin burimet ujore.
Sipas raportit, zyrtarët kamboxhianë ngacmuan dhe frikësuan mbi 40,000 njerëz, duke i bërë ata të lëviznin nga parku i tempullit në vende të papërshtatshme për një kompensim të vogël ose duke mos u dhënë asgjë. Autoritetet thuhet se kërcënuan me burg këdo që refuzonte.
Vendi i zhvendosjes po shkakton gjithashtu polemika. Toka, që ndodhet në periferi të qytetit Run Ta Ek, ju mor qytetarëve nga shteti në vitin 2005 pa asnjë kompensim. Kur u publikua lajmi në nëntor 2022 se vendi do të përdorej për të strehuar njerëzit e zhvendosur nga Angkor Wat, mbi 200 familje ngritën tenda në zonë në shenjë proteste. Ata ende nuk kanë marrë dëmshpërblim.
Banori i quajtur Pren tha për Zërin e Demokracisë (VOD), një gazetë kamboxhiane që nuk publikohet më: “Kjo është një padrejtësi sepse unë jam pronari i vërtetë i tokës. Ata morën tokën time dhe ua dhanë banorëve të paligjshëm të Angkor. Unë nuk jam i lumtur.”
Për dekada, ka pasur komunitete që jetojnë në vendbanime në zonat përreth Angkor Wat. Shumica e tyre nuk kanë leje zyrtare nga shteti dhe janë konsideruar “të paligjshme” nga autoritetet sepse toka rreth Angkor Wat është një zonë e mbrojtur, kështu që zhvillimi i hapësirës është teknikisht i ndaluar.
Megjithatë, në vitin 2005, UNESCO zhvilloi një anketë për të parë nëse rezidencat dhe projektet e zhvillimit në park ishin një kërcënim për vendin e Trashëgimisë Botërore dhe zbuloi se masat mbrojtëse ishin “të kënaqshme” – megjithëse rekomandoi autoritetet kamboxhian të qartësonin infrastrukturën ligjore në lidhje me të drejtat e pronës në park. Kjo nuk ndodhi dhe tani mandatet e UNESCO-s po përdoren për të justifikuar zhvendosjen e vazhdueshme të banorëve të Angkor Wat.
Pjesë e rëndësishme e mosmarrëveshjeve është natyra informale e pronësisë së tokës në Kamboxhia. Shumica e njerëzve nuk kanë dokumente zyrtare të tokës, por kanë jetuar në të njëjtën zonë prej brezash. Është tepër e vështirë të sigurohen dokumente tokash në Kamboxhia, gjë që e bën popullatën veçanërisht të prekshme ndaj riposedimit të tokës dhe zhvendosjes.
Zhvendosja – mbi një orë nga vendi i tempullit – ka lënë shumë familje pa mjetet e jetesës, pasi shumë prej tyre fitonin para ose nga punimi i fushave të orizit në zonë ose duke shitur mallra e ofruar shërbime turistëve. Si rrjedhojë, banorët thonë se fshatrat e zhvendosur janë kapluar nga papunësia dhe uria.
Për shkak të procesit të nxituar të zhvendosjes, vendbanimet kanë pak ose aspak infrastrukturë, duke përfshirë rrugët, ujin e rrjedhshëm, energjinë elektrike ose mundësitë e punësimit. Në shumicën e rasteve, banorët u detyruan të çmontonin shtëpitë e tyre në Angkor Wat dhe më pas të përdornin materialin për të rindërtuar në vendbanime – megjithëse shpesh, materialet nuk i mbijetojnë procesit të çmontimit.
Kushtet në vendet e zhvendosjes janë aq të zymta sa disa banorë kanë braktisur fare shtëpitë e reja.
Një banor i Angkor Wat, shtëpia dhe biznesi i të cilit u çmontuan, tha për VOD: “Unë jam dakord që ndërtimet tona duhet të hiqen, por është proces shumë i shpejtë. Ata po e bëjnë atë kaq shpejt, sa unë jam shtangur.”
Një banor i intervistuar në raportin e Amnesty International deklaroi: “Ata thanë se nuk është e detyrueshme, por nëse nuk e bëni, do të humbisni tokën tuaj … kështu që ne dolëm vullnetarë.”
Një tjetër e intervistuar, gruaja e quajtur Dewi, tha se zyrtarët përdorën UNESCO-n për të justifikuar planin e zhvendosjes. Asaj ju tha: “UNESCO do që ju të largoheni – ne kemi frikë se UNESCO do ta heqë statusin e Trashëgimisë Botërore – kështu që ju duhet të ikni”. Ajo shtoi: “Dua të pyes UNESCO-n pse na dëbojnë? Ne kurrë nuk dëmtuam tempujt. Kur isha fëmijë, ne luanim, ngjiteshim dhe pastronim Angkor Wat.”
Duke komentuar raportin, zëdhënësi i qeverisë kamboxhiane Pen Bona tha se ai nuk ishte “i drejtë”, duke pretenduar se zhvendosjet ishin “vullnetare” dhe ishin bërë për t'iu përmbajtur rregullave të vendosura nga UNESCO, të cilat ndalonin strukturat ose njerëzit aty pranë.
Megjithatë, në intervistat e kryera nga Amnesty International, shumica dërrmuese e të anketuarve thanë se nuk donin të largoheshin. Në raport thuhet: “pothuajse të gjithë … përshkruhen se janë dëbuar ose nën presion për t'u larguar nga Angkor pas frikësimeve, ngacmimeve, kërcënimeve dhe akteve të dhunës nga autoritetet kamboxhiane”.
Montse Ferrer, zëvendësdrejtor rajonal për kërkimet në Amnesty International, tha:
Autoritetet kamboxhiane shkulën mizorisht familjet që kanë jetuar në Angkor për disa breza, duke i detyruar ato të jetojnë gojë më gojë në vendet e zhvendosjes të përgatitura keq. Ata duhet të ndalojnë menjëherë dëbimin me forcë të njerëzve dhe shkeljen e ligjit ndërkombëtar të të drejtave të njeriut.
Pas kritikave të ashpra ndërkombëtare, UNESCO tha se “është thellësisht e shqetësuar për planin e zhvendosjes së popullsisë në Angkor”, duke shtuar se “asnjëherë nuk e ka kërkuar, as e ka mbështetur, as nuk ka qenë palë në këtë program”. Që atëherë i ka kërkuar autoriteteve kamboxhiane të marrin “masa” për të zgjidhur situatën.
Në një intervistë me Guardian, Naly Pilorge, drejtoresha e kontaktit e Licadho, një organizatë kamboxhiane për të drejtat e njeriut, kritikoi përfshirjen e mundshme të UNESCO-s në zhvendosjet, duke thënë: “Në vend që të fuqizojë këto komunitete të mblidhen dhe të ngrenë shqetësimet e tyre, UNESCO po pretendon se dëbimet e detyruara nuk po ndodhin para syve të saj.”
Përpara pandemisë COVID-19, Angkor Wat tërhiqte mbi 2.6 milionë turistë në vit. Konsiderohet si kompleksi më i madh fetar në botë. Kamboxhia po kërkon të rrisë ndjeshëm turizmin si një mënyrë për tu rikuperuar ekonomikisht nga pandemia COVID-19.
Ndërsa 10,000 familje janë zhvendosur, shumë nga to janë ende duke luftuar për të qëndruar në tokën e tyre. Ka patur protesta të panumërta për zhvendosjet e vazhdueshme gjatë tre viteve të fundit – megjithëse ky mospajtim shpesh ka pasoja.
Organi që menaxhon parkun arkeologjik, APSARA, është aktualisht i përfshirë në një proces gjyqësor kundër shtatë banorëve që refuzuan të largoheshin nga Angkor Wat, duke i akuzuar ata për “nxitje dhe pengim të punës publike” më 30 tetor, pasi ata protestuan kur autoritetet shkuan për të shembur shtëpitë e tyre.
Ndërkohë, Licadho parashikon vazhdimin e zhvendosjeve, pavarësisht presionit të shtuar ndërkombëtar.