Gara e parë e Këshillit të Qarkut ‘vetëm për patriotët’ në Hong Kong

Zgjedhjet e Këshillit të Qarkut në 2019. Foto arkivi: May James/HKFP.

Versioni origjinal i këtij artikulli u shkrua nga James Lee dhe u botua në Hong Kong Free Press (HKFP) më 11 nëntor 2023. Versioni i mëposhtëm i redaktuar është publikuar në Global Voices si pjesë e një marrëveshjeje partneriteti për përmbajtjen me HKFP.

Hong Kongu është më pak se një muaj larg zgjedhjeve të tij të para për Këshillin e Qarkut që kur autoritetet prezantuan ndryshime drastike në procedurat elektorale – duke ulur numrin e vendeve të zgjedhura nga publiku në rreth 20 për qind, me pjesën tjetër të zgjedhur nga lideri i qytetit, i emëruar nga qeveria, komitetet dhe zyrtarët.

Planet për të reformuar zgjedhjet u zbuluan në maj 2023, për të siguruar që vetëm “patriotët” të zgjidheshin, pas një  goditjeje të demokracisë në zgjedhjet e vitit 2019, në vazhdën e protestave masive. Zgjedhjet kishin pjesëmarrje rekord prej 71.2 për qind, me rreth 2.94 milionë njerëz që hodhën votat e tyre. Demokratët morën afërsisht 400 nga 452 vende sipas sistemit të parë, duke siguruar kontrollin e 17 nga 18 këshilla.

Pse u reformua gara për Këshillin e Qarkut?

Ndryshimet për zgjedhjet e 10 dhjetorit ishin sa drastike aq edhe të parashikueshme. Rishikimi zgjedhor do të sigurojë që vetëm “patriotët” mund të qeverisin Hong Kongun, një parim i përcaktuar nga Pekini kur sistemi zgjedhor për Këshillin Legjislativ u rishikua në vitin 2021, duke ulur ndjeshëm numrin e vendeve të zgjedhura në mënyrë demokratike.

Në vitin 2021, udhëheqësi kinez Xi Jinping mandatoi një sistem politik “vetëm për patriotët” për qytetin. Si pasojë numri i ligjvënësve të zgjedhur drejtpërdrejt u reduktuar ndjeshëm.

Më pas ishte radha e Shefit Ekzekutiv aktual John Lee për të bërë reformën e këshillave. Ndërsa njoftoi ndryshimin këtë maj, ai i përshkroi këshillat si organe konsultative dhe jo organe të pushtetit politik dhe tha se ato duhet të “depolitizohen”.

“Është përpjekje për ta bërë Hong Kongun të pavarur dhe [një] përpjekje për të sjellë fatkeqësi në shoqërinë e Hong Kongut në tërësi që ne duhet ta parandalojmë,” tha Lee.

Protestat shpërthyen në qershor 2019 për projekt-ligjin e ekstradimit të pezulluar atëherë. Ato u përshkallëzuan në forma ndonjëherë të dhunshme të mospajtimit kundër sjelljes së policisë mes thirrjeve për demokraci dhe zemërimit për kontrollin e Pekinit. Demonstruesit kërkuan një hetim të pavarur për sjelljen e policisë,  amnisti për të arrestuarit dhe ndalimin e karakterizimit  të protestave si “trazira”.

Megjithëse fraksione të vogla të protestave “pa udhëheqës” kërkuan pavarësinë e qytetit, kjo nuk ishte kurrë një kërkesë e lëvizjes.

Sipas ndryshimeve, këshillat do të kenë më të zgjedhur drejtpërdrejt – 88 nga 470 – dhe më shumë të emëruar që kur u prezantuan në 1982 nën sundimin kolonial britanik. Atëherë, më shumë se një e katërta e vendeve u kontestuan në mënyrë demokratike.

Lee pretendon se qeveria koloniale ishte përpjekur të zgjaste ndikimin e saj politik mbi Hong Kongun duke rritur numrin e vendeve të zgjedhura në mënyrë demokratike në legjislaturë dhe në këshilla, përpara rikthimit të Hong Kongut në vitin 1997.

Kompetenca për komitetet qeveritare

Sipas Zyrës së Regjistrimit dhe Zgjedhjeve, qeveria mori 399 nominime nga kandidatët, deri në afatin përfundimtar më 30 tetor.

Midis kandidatëve, 228 konkurrojnë për 176 vende të njësisë elektorale të Komitetit të Qarkut, ku elektorati përbëhet nga rreth 2,500 anëtarë të tre komiteteve të nivelit të qarkut – Komitetet e Zonës, Komitetet e Qarkut për Luftimin e Krimit dhe Komitetet e Sigurisë nga Zjarri. Aty ka figura pro-qeverisë.

Një total prej 171 kandidatësh do të konkurrojnë për 88 pozicione në zonat gjeografike – vendet e zgjedhura në mënyrë demokratike. Do të ketë mandate për secilën nga 44 zonat elektorale – dhe ato do të zgjidhen nga 4.3 milionë votues të regjistruar. Sipas sistemit të reformuar, kufijtë janë ndryshuar për të reduktuar zonat elektorale në 44.

Shefi ekzekutiv i qytetit do të emërojë 179 këshilltarë — një sistem që më parë u hoq në 2016. 27 vendet për zyrtarët që gëzojnë të drejta speciale do të mbeten.

Edhe në 88 vendet e zgjedhura “drejtpërsëdrejti”, sigurimi i nominimeve ishte një betejë e vështirë për kandidatët e mundshëm. Ata duhej të siguronin të paktën tre nominime nga secili prej komiteteve të zonës, krimit dhe sigurisë nga zjarri.

Sipas raporteve nga mediat lokale, duke përfshirë HK01 dhe InMedia, figurat pro-qeveritare që humbën në zgjedhjet e Këshillit të Qarkut në 2019 u emëruan më vonë në komitete të ndryshme zonale.

452 njësitë zgjedhore gjeografike u shkrinë në 44 zona më të mëdha nga qeveria – një pushtet që dikur mbahej vetëm nga Komisioni i Çështjeve Zgjedhore, mbikëqyrësi i zgjedhjeve të qytetit.

Pse rregullat e nominimit ishin të diskutueshme?

Vetëm vënia e kontaktit me anëtarët e komisionit ishte problematike për kandidatët e mundshëm kur autoritetet refuzuan të zbulonin detajet e kontaktit të anëtarëve apo edhe emrat e tyre. Shefi Ekzekutiv Lee hodhi poshtë kritikat ndaj procesit, duke thënë se disa kandidatë të mundshëm nuk u miratuan sepse nuk kishin fituar besimin e nominuesve.

Deri në afatin e fundit të 30 tetorit, të gjithë kandidatët pro-demokracisë – madje edhe disa nga kampi pro-sistemit – dështuan të siguronin mbështetje dhe u lahnë jashtë garës. Ata përfshinin gjashtë kandidatë nga Partia Demokratike dhe dy nga Shoqata e Hong Kongut për Demokracinë dhe Jetesën e Popullit.

Partia e moderuar Third Side gjithashtu nuk arriti të merrte mjaftueshëm nominime, ndërsa Round Table, një grup pro-sistemit, i themeluar nga sipërmarrësi dhe ligjvënësi Michael Tien, siguroi nominime të mjaftueshme për një nga pesë kandidatët.

Tien tha se partia iu afrua më shumë se 240 anëtarëve të komitetit, por nuk arriti të sigurojë nominimet. Madje u kundërshtua nga kryetarja e Këshillit Ekzekutiv Regina Ip, e cila fillimisht kishte ofruar të emëronte anëtarët.

Mosmarrëveshja solli një hetim ndaj qeverisë, të cilin këshilltari ekzekutiv Ronny Tong kishte parashikuar se mund të ndodhte nëse qeveria nuk jepte detajet e kontaktit për nominuesit.

Pragu për të hyrë në garë ishte “jashtëzakonisht i lartë” nën sistemin e reformuar, tha Tong, instituti i të cilit “Rruga e Demokracisë” ishte në gjendje të siguronte mjaftueshëm nominime për një anëtar.

Një analizë e HKFP zbuloi se 75 për qind e kandidatëve në zgjedhjet e drejtpërdrejta ishin gjithashtu në komisionet emëruese. Midis 171 kandidatëve që konkurronin për 88 vendet e zgjedhura në mënyrë demokratike, 129 ishin anëtarë të tre komisioneve përgjegjëse për të vendosur se kush mund të hynte në garë.

Ming Pao gjithashtu raportoi se nominuesit kishin nominuar më shumë se ç'duhej, përfshirë 18 kandidatë për këshillin për Kowloon, Tai Po, Tuen Mun dhe Wan Chai, me sa duket në kundërshtim me rregullat zgjedhore. Zyra e Regjistrimit dhe Zgjedhjeve tha se të gjithë kandidatët kanë marrë nominime të vlefshme, por nuk ka trajtuar çështjen nëse nominimet e shumta janë konsideruar të pavlefshme.

Komiteti i Rishikimit të Kualifikimit të Këshillit të Qarkut, i kryesuar nga zyrtari numër dy i qytetit, Eric Chan, konfirmoi të premten se 399 kandidatët për zgjedhje kishin kaluar një vlerësim patriotizmi të kërkuar sipas sistemit të mandatuar nga Pekini.

Procesi i verifikimit të përshtatshmërisë është pjesë e mekanizmit të rishikuar të Këshillit Legjislativ, sipas të cilit Departamenti i Sigurisë Kombëtare i policisë, komiteti i sigurisë kombëtare të qytetit dhe një komitet i veçantë kaluan në sitë kandidatët.

Si u pa reforma elektorale e Hong Kongut?

Kur avokati veteran i Hong Kongut Kwok Cheuk-kin nisi sfidën e tij ligjore kundër sistemit të nominimit për garën “vetëm për patriotët”, ai i kërkoi gjykatës të shfuqizonte kërkesën që kandidatët të merrnin të paktën tre nominime nga komitetet e emëruara nga qeveria.

Ai përmendi nenin 26 të Ligjit Bazë, i cili përcakton se “banorët e përhershëm të Rajonit Special Administrativ të Hong Kongut kanë të drejtën e votës dhe të drejtën për t'u zgjedhur në përputhje me ligjin”.

Me rënien e numrit të votuesve të regjistruar, Regina Ip tha se megjithëse nuk duhet pritur një pjesëmarrje e lartë në votime, kjo nuk duhet të përcaktojë besueshmërinë e procesit.

Burimi: Zyra e Regjistrimit dhe Zgjedhjeve. *Shifra provizore

Pavarësisht mungesës së kundërshtimeve, kreu i Aleancës Demokratike pro-Pekinit për Përmirësimin dhe Progresin e Hong Kongut (DAB), Gary Chan, tha se zgjedhjet do të ishin “më intensive” se vitet e kaluara.

Rënia e mprehtë e votuesve u pa si një tregues se publiku mendon se votat nuk do të kishin ndonjë ndikim real.

Kryetari i Partisë Demokratike Lo Kin-hei i tha agjencisë së lajmeve të financuar nga qeveria amerikane Radio Free Asia në gusht se rënia e votuesve të regjistruar duhet t'i atribuohet valës së emigrimit si dhe reformës zgjedhore, pasi kjo e fundit uli numrin e vendeve të zgjedhura drejtpërdrejt. Lo tha:

Për të rinjtë apo publikun e gjerë, ndikimi i votimit është zvogëluar ndjeshëm. Shkalla në të cilën unë mund të ndikoj tek ligjvënësit është aq e vogël sa ul dëshirën për të marrë pjesë.

Nis komentet

Autorë, ju lutem hyr »

Rregullat

  • Të gjitha komentet lexohen nga moderatori. Mos dërgo të njëjtin koment më shumë se një herë pasi mund të konsiderohet spam.
  • Respekto të tjerët. Komentet me gjuhë urrejtjeje, të pahijshme dhe sulme personale nuk do të miratohen.