Një ‘grusht shteti’ i heshtur në Turqi thellon krizën politike dhe gjyqësore

Foto nga Arzu Geybullayeva

Për herë të parë në Turqi, dy gjykatat më të larta, Gjykata e Lartë e Kasacionit (Yargitay në turqisht) – gjykata më e lartë e apelit e Turqisë për çështjet civile, penale dhe administrative – dhe Gjykata Kushtetuese (AYM), janë përplasur. Arsyeja është vendimi i Gjykatës Kushtetuese i 25 tetorit që kërkon lirimin e anëtarit të Partisë së Punëtorëve të Turqisë (TIP) Can Atalay nga burgu. Atalay, i cili u zgjodh në Asamblenë e Madhe Kombëtare, parlamenti i Turqisë, në zgjedhjet e përgjithshme të 14 majit këtë vit, u burgos në prill 2022 dhe u dënua me 18 vjet burgim për protestat e parkut Gezi, me akuzën e “ndihmës për përmbysjen e qeverisë.”

Pas zgjedhjeve, Atalay çoi çëeshtjen në Gjykatën Kushtetuese, pasi kërkesa e tij për lirim ishte refuzuar dy herë nga Gjykata e Lartë e Kasacionit. Gjykata Kushtetuese filloi shqyrtimin e çështjes më 5 tetor 2023. Më 25 tetor, gjykata vendosi lirimin e Atalay.

Gjykata e Lartë e Kasacionit refuzoi të pranonte vendimin e Gjykatës Kushtetuese, duke pohuar se dënimi i Atalay ishte “një arsye legjitime kushtetuese për t'i hequr atij postin në parlament” – një vendim që është i paligjshëm sipas sistemit ligjor turk, siç është vendimi i Gjykatës Kushtetuese. Vendimet janë të detyrueshme për të gjithë, edhe për Gjykatën e Lartë të Kasacionit. Kjo e fundit urdhëroi gjithashtu Parlamentin “të nisë procedurat për heqjen e postit të Atalay [në Parlament]”.

Duke folur për gazetarët, avokati i Atalay, Ozgur Urfa, tha: “Gjykata e Kasacionit ka kryer një krim duke mos njohur vendimin e Gjykatës Kushtetuese. Kjo është një përpjekje për grusht shteti gjyqësor.”

Gjykata e Kasacionit shkoi deri aty sa kërkoi që anëtarët e Gjykatës Kushtetuese të gjykoheshin për shkak të “shkeljes së Kushtetutës dhe tejkalimit të autoritetit të tyre”, sipas raportimit të Gazete Duvar. Sipas kuadrit ligjor kombëtar të Turqisë, vetëm Gjykata e Lartë Penale mund të gjykojë gjyqtarët e Kushtetueses.

“Qëllimi i [Gjykatës së Kasacionit] është të detyrojë anëtarët e Gjykatës Kushtetuese të japin dorëheqjen,” shkroi komentatori politik Murat Yetkin:

Duke detyruar dorëheqjen, gjykata mund të synojë të shmangë edhe një proces që do të sillte dilema komplekse në gjykimin e anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese të kërcënuar nga kallëzimi penal.

Më 10 nëntor, presidenti Recep Tayyip Erdoğan, duke folur me gazetarët pas kthimit nga një udhëtim në Uzbekistan, mbështeti vendimin e Gjykatës së Kasacionit, duke thënë se “ky vendim nuk mund të anashkalohej.”

Sipas Shoqatës së Studimeve të Medias dhe Ligjit (MPSA): “Vendimet e Gjykatës Kushtetuese… janë të detyrueshme për organet legjislative, ekzekutive dhe gjyqësore, autoritetet administrative, personat dhe subjektet juridike”.

Presidenti kritikoi gjithashtu ligjvënësit nga partia e tij AKP, të cilët ishin kritikë ndaj vendimit të Gjykatës së Kasacionit.

“Grusht shteti gjyqësor”

Të dy vendimet e Gjykatës së Kasacionit – refuzimi i vendimit të Gjykatës Kushtetuese dhe ngritja e një ankese penale kundër anëtarëve të Gjykatës – janë kritikuar nga zyrtarë, si dhe nga avokatë dhe vëzhgues të pavarur.

Sipas Bilge Yilmaz, një anëtar i Partisë së Mirë (Iyi), Gjykata e Kasacionit kreu një “krim kushtetues” dhe vendimi i saj ishte “një përpjekje për grusht shteti kundër rendit tonë kushtetues”.

Ish-kryeministri dhe ministri i Jashtëm Ahmet Davutoğlu e quajti gjithashtu vendimin një “grusht shteti gjyqësor”.

Özgür Özel, kryetari i sapozgjedhur i Partisë Republikane Popullore (CH), subjekti kryesor opozitar, tha në një deklaratë se vendimi i Gjykatës së Kasacionit ishte “një përpjekje për t'i hequr autoritetin kushtetutës sonë” dhe nxiti publikun të protestonte ndaj vendimit. “Ne do të dalim në rrugë dhe sheshe për të mos u dorëzuar para kësaj paligjshmërie”, shtoi Özel.

Erkan Baş, kryetari i partisë së Atalay, TIP, e përshkroi vendimin e gjykatës si “një përpjekje flagrante për grusht shteti”.

“Gjykata e Kasacionit (Supreta) po vë në dyshim pozicionin e Gjykatës Kushtetuese, duke synuar të frenojë autoritetin e saj”, shkruan ekipi ligjor i Shoqatës së Studimeve të Medias dhe Ligjit (MPSA) në shqyrtimin e zhvillimeve të fundit.

Për më tepër, ekipi argumenton se vendimi i Gjykatës së Apelit për të bërë kallëzim penal kundër gjyqtarëve të Kushtetueses është i paligjshëm dhe se ata që kanë bërë denoncimin duhet të ndëshkohen dhe tu kërkohet dorëheqja. Ekipi i MPÇS rekomandoi gjithashtu:

Gjykata e Apelit duhet të krijojë një trup gjykues të ri për zbatimin e vendimit të Gjykatës Kushtetuese dhe Can Atalay duhet të lirohet në përputhje me vendimin e Gjykatës Kushtetuese. Çdo diskutim dhe veprim në të kundërtën ka për qëllim shkatërrimin e historisë ligjore njëqind e pesëdhjetë vjeçare të Turqisë. Kjo tentativë për grusht shteti kundër rendit kushtetues nga Dhoma e 3-të Penale e Gjykatës së Apelit mund të ndalet vetëm me hapa të rreptë që duhen ndërmarrë në kuadrin e ligjit.

Sipas vëzhguesve që folën për gazetën e pavarur Turkey ReCap, vendimi i fundit është një shenjë e “një krize politike më shumë se ligjore”, pasi përfshin dy parti politike: Partinë për Drejtësi dhe Zhvillim (AKP) dhe Lëvizjen Kombëtare (MHP), aleate AKP-së. Sipas gazetarit Alican Uludag, përplasjet e fundit mes dy gjykatave “tregojnë se një luftë midis [AKP dhe MHP] ka nisur”.

Në një intervistë me Turkey ReCap, një anëtar i lartë i parlamentit shpjegoi situatën si më poshtë: “[AKP] i dha shumë pushtet MHP-së dhe tani po përpiqet ta menaxhojë atë. MHP u forcua, veçanërisht në gjyqësor dhe polici. Prej disa kohësh ka pasur një luftë të qetë mes partnerëve qeveritarë. Tani, është bërë më e dukshme dhe rezultatet e luftës së fundit midis [Gjykatës Kushtetuese] dhe [Gjykatës së Kasacionit] do të përcaktojnë fituesin e kësaj lufte.”

Lideri i MHP-së, Devlet Bahçeli, në të kaluarën ka kërkuar në disa raste mbylljen e plotë të Gjykatës Kushtetuese dhe e ka përshkruar atë si “oborrin e shtëpisë së organizatës terroriste separatiste” pasi Gjykata nuk mbylli Partinë Popullore Demokratike pro-kurde (HDP). HDP mosmarrëveshje me AKP-në në pushtet që kur e para siguroi 80 vende në zgjedhjet parlamentare të vitit 2015, duke i mohuar partisë në pushtet shumicën parlamentare. Që atëherë, shumë anëtarë të lartë të HDP-së janë arrestuar me akuza të dyshimta lidhur me terrorizmin, përfshirë ish-bashkëkryetarin e partisë, Selahattin Demirtaş, i cili u arrestua në vitin 2016. Megjithatë, në qershor 2022, Gjykata Kushtetuese e Turqisë pranoi një aktakuzë që kërkon mbylljen të HDP-së. Çështja vijon të jetë e hapur. Në tetor 2023, HDP ndryshoi emrin në Partia për Barazinë e Popullit dhe Demokratike (HEDEP) dhe zgjodhi dy bashkëkryetarë të rinj gjatë një kongresi në Ankara.

Ndërkohë, edhe Bahçeli, kreu i MHP-së, u zotua se do të “eliminojë tradhtarët brenda Gjykatës Kushtetuese”, duke ndryshuar Kushtetutën pas zgjedhjeve të përgjithshme të majit 2023.

Në përgjigje të krizës së vazhdueshme, Dhoma e Avokatëve të Stambollit ka paraqitur një kallëzim penal kundër gjyqtarëve të Kasacionit për “sjellje të pahijshme” dhe “privim nga liria e një personi”.

Më 10 nëntor, Unioni i Dhomave të Avokatëve të Turqisë organizoi një marshim me moton “Shteti ligjor”. Marshimi, në të cilin avokatët mbanin në duar kopje fizike të Kushtetutës, nisi jashtë ndërtesës së Gjykatës së Ankarasë dhe vazhdoi deri jashtë presidencës së Gjykatës së Apelit.

Kthim prapa në të gjitha frontet

Kjo krizë është e fundit në historikun tashmë të kthimit pas të vendit për të drejtat e njeriutdemokracinëpavarësinë e gjyqësorit dhe sundimin e ligjit, sipas raportit të fundit të Komisionit Evropian, publikuar më 8 nëntor 2023.

Të tjerë, si MPSA, kanë frikë se vendimi i Gjykatës së Lartë të Kasacionit në rastin Atalay mund të vendosë në dyshim rolin e Gjykatës Kushtetuese.

Erdinç Sağkan, presidenti i Unionit të Dhomave të Avokatëve të Turqisë, e pranon një gjë të tillë. Në një deklaratë, Sağkan tha: “Qëllimi i Gjykatës së Lartë [të Kasacionit] ishte të shfuqizonte de-fakto Gjykatën Kushtetuese”.

Nis komentet

Autorë, ju lutem hyr »

Rregullat

  • Të gjitha komentet lexohen nga moderatori. Mos dërgo të njëjtin koment më shumë se një herë pasi mund të konsiderohet spam.
  • Respekto të tjerët. Komentet me gjuhë urrejtjeje, të pahijshme dhe sulme personale nuk do të miratohen.