Në hijen e plagëve dhe traumave të vjetra prej dekadash

Foto nga Arzu Geybullayeva

Ky artikull nga Arzu Geybullayeva u botua fillimisht në frëngjisht nga Le Temps. Origjinali në anglisht ribotohet nga Global Voices. 

Pas mesnate, në një qytet që e quaj shtëpia ime e dytë, kur u ula së bashku me dy miq, gjithashtu gazetarë, u zhytëm në një diskutim të zjarrtë për luftën e Izraelit në Gaza. Vendi gumëzhinte nga njerëzit dhe ritmet e buta të xhazit luheshin në sfond, por ishte vetëm tavolina jonë që përpiqeshim të kuptonim atë që po ndodhte, reagimin e botës, duke tërhequr paralele nga e kaluara e afërt dhe luftërat dhe konfliktet që kemi mbuluar në jetën tonë si gazetarë rajonalë, që janë shumë, duke pasur parasysh se nga ishte secili prej nesh – Armenia, Gjeorgjia dhe Azerbajxhani.

Dy orë më vonë, dy nga ne, qëndronim ende aty ku e shohim rendin botëror – të udhëhequr nga pak të fuqishëm, duke ecur përpara në grumbullimin e statusit të tyre politik, në kurriz të njerëzve që nuk kanë fare pushtet. Justifikimet, udhëheqja, të cilës i mungon llogaridhënia dhe shpërfillja totale e jetëve njerëzore.

Miku ynë i tretë heshtte- ekzistenca jonë e thjeshtë dhe aftësia jonë për të parë panoramën më të madhe ishte akoma më e mirë dhe sinjalizonte një mundësi për një të ardhme më të mirë. Në fund të fundit, ne kishim fuqinë e të kuptuarit, përulësisë dhe dhembshurisë ndaj njëri-tjetrit.

Në një botë normale, çfarëdo që mund të thotë kjo për ju këto ditë, këto cilësi mund të kenë qenë tipare për t'u krenuar, por në këtë botë, ndjehet si një barrë. Sepse, në këtë botë, nëse nuk e çnjerëzon “tjetrin”, nuk je i denjë për rrënjët e tua, je tradhtar.

Pra, pse të shqetësoheni? Kur askush nuk dëshiron të dëgjojë dhe i mbytur në dezinformata, me liderë të etur për pushtet në krye, pse të shqetësohesh t'i mbushësh mendjen dikujt?

A ja vlen të shërosh plagët e thella dhe traumat e gjata prej dekadash në këtë çmenduri?

Vazhdoj të mendoj për këtë pyetje ndërsa shikoj, lexoj dhe dëgjoj mbulimin e luftës së Izraelit në Gaza dhe se si bota është ndarë në një narrativë tjetër ne kundër tyre, duke neglizhuar historinë dhe kontekstin dhe në vend të kësaj, duke u përfshirë në dehumanizim të përmasave që bota nuk i ka parë kurrë më parë.

Pra, a do të shërohemi ndonjëherë? Më lejoni të jem e sinqertë. Ne nuk do ta bëjmë. Nëse dikush do të më kishte bërë këtë pyetje 15 vjet më parë, kur u përfshiva për herë të parë në punën e transformimit të konfliktit dhe pajtimit, do të kisha thënë, po, kishte shpresë. Por ndërsa shikoj prapa në rrënjët e mia dhe sesi qeveria e vendit tim nuk arriti të shërojë plagët përmes dialogut dhe pajtimit dhe në vend të kësaj zgjodhi dhunën, nxitjen e urrejtjes dhe luftën, kështu që jo, ne nuk do të shërohemi. Nuk ja kemi dalë për 30 vjet dhe nuk do ja dalim as tani.

Është e zymtë. Por është e vërteta.

Brezat u rritën pas luftës së parë të Karabakut dhe disfata e Azerbajxhanit, me premisën se hakmarrja për shpërnguljet, krimet e luftës dhe mizoritë, është e vetmja përgjigje.

Ajo hakmarrje mbërriti më 27 shtator 2020 – lufta e dytë e Karabakut.

Në atë kohë, në një ese, unë shkrova, “Ne [ishim] një brez lufte, i cili u rrit me retorikën e luftës, zemërimin, zhgënjimin dhe një pyetje të afërt – kur përfundon kjo luftë? Për dekada ne pamë sesi të dyja palët e përdornin dhe abuzonin këtë konflikt për përfitime politike. Në Azerbajxhan, ne pamë sesi azerët e zhvendosur brenda vendit u degraduan dhe u detyruan të jetonin në kushte që ishin dhe mbeten larg nga njerzorja. Sepse t'u japësh atyre një jetë më të mirë, do t'u hiqte një mjet negocimi, i përdorur nga të njëjtët liderë që negocionin një rezolutë. Po të njëjtët liderë, të cilët bëheshin më të korruptuar me çdo vit që qëndronin në pushtet. Të njëjtët liderë që vazhduan të premtonin, por nuk do të mbanin premtimet.”

Gjatë luftës 44-ditore në 2020, ata më në fund përmbushën premtimin e tokës së kthyer, së bashku me mijëra trupa të mbështjella ushtarësh.

Në një moment gjatë luftës së dytë të Karabakut, ndërsa punoja me ekipin e CNN International që raportonte për luftën, hoqa dorë nga përpjekjet për të folur për numrin e viktimave dhe rëndësinë e jetës njerëzore. Sipas fjalëve të Norman Finkelstein, nga një intervistë e fundit me Chris Hedges: “Dukej e pakuptimtë”. Hoqa dorë nga shkrimi për luftën, ndikimin e saj në shoqëri dhe shkatërrimin moral që la pas.

Ndoshta kjo do të ishte hera e fundit që të afërmit ikin për në front, menduan njerëzit. Mjerisht, kjo doli të mos ishte e vërtetë. Pa asnjë marrëveshje paqeje në horizont, premtime të zbrazëta për bashkëjetesë dhe takime të kota diplomatike, frika për një luftë tjetër u shfaq. Më pas erdhi bllokimi i Korridorit të Laçinit, kur një grup i ashtuquajtur ambientalistësh nisi atë që do të kthehej në një pushtim nëntëmujor. Ngadalë, armenëve në Karabakh ju ndërprenë furnizimet thelbësore, ishte një krizë humanitare që shpalosej mu para syve të botës. Dhe më 19 shtator 2023, operacioni 24-orësh në Karabakh, ndryshoi statusin e një konflikti që zgjaste për tre dekada.

Nagorni-Karabakh, siç quhej dikur, nuk ishte më. Pothuajse të gjithë, 120,000 armenët e Karabakut vendosën të iknin sepse askush nuk i besonte qeverisë së Azerbajxhanit. Isha e re kur mijëra azerë u larguan nga shtëpitë e tyre gjatë luftës së parë; tani, pashë një eksod të ngjashëm. 

Ne jemi një brez lufte, që do të jetojmë nën hijen e luftërave që lanë plagë që nuk mund të riparohen. Ne nuk do të shërohemi, as në jetën tonë gjithsesi. Sepse asgjë nuk ka ndryshuar.

Tridhjetë vjet nuk bënë asgjë për të ndryshuar besimin e popullit të Azerbajxhanit dhe Armenisë.

John Steinbeck ka thënë: “E gjithë lufta është një simptomë e dështimit të një njeriu si një kafshë që mendon.” Kafshët mendimtare të rendit të sotëm botëror, në karriget vendimmarrëse, me ushtri dhe më shumë fuqi se kurrë më parë, u janë drejtuar luftërave, sepse është më e lehtë, sidomos kur njëra palë është më e fuqishme se tjetra.

As azerët dhe as armenët nuk e meritonin ta kalonin këtë. Ashtu siç nuk e meritonin të rriteshin, të jetonin e të plaken, me armiqësi e urrejtje ndaj njëri-tjetrit që zgjat brez pas brezi dhe do të mbetet dhe mbase një ditë do të ndryshojë.

Shpesh pyesja veten për një skenar tjetër për vendet tona – liderë të fortë, të përkushtuar ndaj paqes, me mbështetje të mirëfilltë ndërkombëtare, duke çarë pengesat komplekse gjeografike, rajonale dhe politike, duke vendosur se besimi i njerëzve ishte shumë më i rëndësishëm sesa një kontroll mbi pushtetin. Ky mendim dashamirës nuk zgjati shumë. Përfundimisht, kuptova se, ndryshimi midis njerëzve që duan një të ardhme më të mirë dhe atyre në pushtet, që vendosin në emrin tonë, është se ne i lëmë fantazmat e së shkuarës të na mundojnë, ata jo. Dhe kështu të torturuar nga e kaluara do të vazhdojmë të jetojmë, nën hijen e plagëve dhe traumave prej dekadash.

Nis komentet

Autorë, ju lutem hyr »

Rregullat

  • Të gjitha komentet lexohen nga moderatori. Mos dërgo të njëjtin koment më shumë se një herë pasi mund të konsiderohet spam.
  • Respekto të tjerët. Komentet me gjuhë urrejtjeje, të pahijshme dhe sulme personale nuk do të miratohen.