Transporti publik në Azerbajxhan nuk i mirëpret pasagjeret trans

Foto nga Arzu Geybullayeva

Aktivistët LGBTQ+ në Azerbajxhan po ngrenë alarmin se anëtarët e komunitetit– veçanërisht gratë transgjinore – ndjehen gjithnjë e më të padëshiruara në transportin publik dhe shpesh ngacmohen. Është një vend ku vështrimet transfobike, ngacmimet dhe kërcënimet me dhunë janë të shpeshta. Ekspertët thonë se këto incidente të raportuara janë vetëm maja e ajsbergut.

Histori ngacmimesh 

Karmen, 19 vjeç, u ngacmua seksualisht në metronë e Bakusë në gusht 2022. E prekur nga një burrë në tren, Karmen, e tronditur nga ajo që po ndodhte [burri vazhdoi të fërkonte pjesët e tij intime, pasi e kapi Karmenin nga beli i saj], nuk telefonoi për ndihmë. “Sapo u hapën dyert [e trenit] në stacionin tjetër, dola në platformë dhe u largova pa parë fytyrën e burrit. Ishte e neveritshme, më vinte për të vjellë”, kujton Karmen në një intervistë me Nafas, aleanca LGBTI e Azerbajxhanit, një organizatë jofitimprurëse që punon për të drejtat e LGBTQ+ që nga viti 2012.

Derya, 34 vjeç, u përball me abuzim fizik në transportin publik disa vite më parë. Duke kujtuar përvojën e saj, Derya shpjegon se askush nuk reagoi ndaj asaj që po ndodhte. Derya kurrë nuk e raportoi rastin apo u ankua tek autoritetet, nga frika e hakmarrjes. “Është sikur kështu duhet të jetë. Në atë kohë, nuk e kisha ndryshuar plotësisht pamjen time dhe dukesha më shumë si një homoseksual. E kalova atë përvojë thjesht sepse kisha një vath”, tha Derya në një intervistë për Global Voices.

Si të tilla, gratë trans shpesh preferojnë të mos përdorin autobusët ose metrotë si mjete transporti për arsye sigurie dhe në vend të tyre marrin taksi.

Derya preferon të qëndrojë në shtëpi kur nuk i duhet të shkojë në punë dhe nuk përdor fare transportin publik, megjithëse kur i duhet të dalë, taksitë janë mjetet e preferuara të transportit. Sipas Derya, shoferët e taksive janë të vetëdijshëm se gratë trans preferojnë shpesh taksitë dhe përdorin të njëjtët shoferë. Ato madje paguajnë  tarifa më të larta për shkak të kësaj. “Kjo është arsyeja pse edhe shoferët e taksive preferojnë të punojnë me ne. Edhe unë kam marrë oferta të ngjashme, por në këtë rast, shpesh humb kohë duke pritur që i njëjti shofer [të përfundojë  udhëtimin e tij], kështu që në vend të kësaj mënyre, përdor Bolt ose Uber,” shpjegon Derya.

Hayat Alisoy, 23 vjeç, gjithashtu preferon të lëvizë me taksi për shkak të ngacmimeve në transportin publik. Në një intervistë për Global Voices, Hayat shpjegon se “njerëzit përdorin gjuhë të papërshtatshme për pamjen time, duke ke4rkuar seks dhe sillen në mënyrë agresive ndaj meje. Për të mbrojtur shëndetin tim mendor dhe fizik, përdor shpesh taksi.”

Megjithëse shërbimet taksi mund të duken si një rrugëdalje e sigurt, jo gjithmonë parandalojnë ngacmimet ndaj grave trans.

Derya thotë se ndonjëherë, kur shoferët e taksive shohin se janë gra trans, ndryshojnë tonet dhe kanë sjellje të papërshtatshme. Ata bëjnë pyetje të tilla si: “A nuk je grua?” “Sa kushton?” e kështu me radhë. “Kjo më dëmton mendërisht. Kur kjo ndodh, na mbeten dy zgjedhje: ose të qëndrojmë të heshtur ose të flasim, veçanërisht kur bëhet një rast i përsëritur. Po zgjodhëm të flasim përfundon me konflikt”, shpjegon Derya.

Në disa raste, shoferët e taksive përballen me pasoja për veprimet e tyre. Tural Yadigar, një shofer taksie në Baku, tregoi se megjithëse ai personalisht nuk ka patur ndonjë problem me pasagjeret transe, ka dëgjuar nga një koleg që një shofer taksie që punonte për një kompani private, është qortuar pasi kishte sharë një kliente, grua trans dhe kishte refuzuar ta merrte në makinë. Pasi klientja u ankua në kompani dhe bllokoi shoferin në aplikacionet e tjera të taksive, vlerësimet e tij ranë dhe ai nuk mund të përdorë më llogarinë e kompanisë.

Kërcënimet e zakonshme dhe vlerësimet globale

Sipas Vahid Aliyev, një aktivist për të drejtat e LGBTQ+ që monitoron nga afër diskriminimin dhe dhunën ndaj transëve në vend, ndër kërcënimet e zakonshme me të cilat përballen ato në transportin publik janë: ngacmimet verbale me bazë gjinore, sharjet diskriminuese dhe fyese, dhuna fizike dhe aksesi i kufizuar në transportin publik. Aliyev vëren se megjithëse këto gjëra ndodhin rregullisht, raportohet vetëm një numër i vogël i incidenteve.

“Vetëm një ose dy raste janë publikuar këtë vit. Të dhënat specifike për ngacmimet janë shumë të kufizuara, por kjo nuk do të thotë se ky nuk është problem, në fakt situata është shqetësuese”, shpjegoi Aliyev, duke shtuar se armiqësia ndaj grave trans në transportin publik po rritet, gjë që ndikon negativisht në shëndetin mendor dhe aksesin në shërbimet bazë.

Ato që i kanë mbijetuar dhunës dhe ngacmimeve, shpesh hezitojnë të dokumentojnë incidentet dhe të ankohen, për shkak të klimës së mosndëshkimit në rastet e raportuara më parë të dhunës dhe ngacmimeve, shpjegon Aliyev. “Transët nuk besojnë se agjencitë e zbatimit të ligjit do të jenë të ndjeshme ndaj çështjes, do t'i marrin seriozisht ankesat e tyre dhe do t'i adresojë ato.”

Nga pikëpamja ligjore, ngacmimi në hapësira publike nuk është i kriminalizuar në Azerbajxhan. Avokati Samad Rahimli shpjegon se autorët mbajnë përgjegjësi penale vetëm në rastet e ngacmimeve ndaj të miturve. Në përgjithësi, ekzistojnë tre mënyra për të zgjidhur rastet e ngacmimeve, vë në dukje Rahimli.

“Opsioni i parë për të trajtuar ngacmimin është të çoni autorin në gjykatë. Opsioni i dytë është që rasti i ngacmimit të shihet në kuadrin e kundërvajtjes administrative – nëse ngacmimi ka ndodhur në një hapësirë ​​publike, ai mund të konsiderohet huliganizëm dhe kështu autori mund të jetë përgjegjës për një kundërvajtje administrative. Opsioni i tretë është të ankoheni tek institucionet që menaxhojnë transportin publik [Agjencia e Transportit të Bakusë, metroja dhe Hekurudhat e Azerbajxhanit].”

Megjithatë, duke shtuar se këto masa ligjore janë të gjata si procedura, Rahimli sugjeron se një zgjidhje mund të jetë që të shihet ngacmimi në rrugë si një shkelje administrative dhe përgjegjësi e veçantë. “Agjencitë përgjegjëse për menaxhimin e transportit publik duhet të kenë një udhëzues për ngacmimet, për t'i parandaluar ato.”

Vahid Aliyev pajtohet se rritja e ndërgjegjësimit të publikut për ngacmimin mund të jetë një zgjidhje. Po ashtu dhe miratimi i një ligji urgjent kundër diskriminimit, trajnimi i punonjësve të transportit publik dhe agjencive të zbatimit të ligjit për ndjeshmërinë dhe nëse është e nevojshme, publikimi i incidenteve të abuzimit.

“Më e rëndësishmja, megjithatë, mbrojtja ligjore duhet të forcohet për të garantuar sigurinë e komunitetit trans në Azerbajxhan,” shton Aliyev.

Në Evropë, një numër qytetesh të mëdha, duke përfshirë Londrën, Berlinin, Vjenën, Barcelonën dhe Këlnin, po punojnë për të siguruar transport publik gjithëpërfshirës përballë diskriminimit në rritje ndaj LGBTQ+.

Prandaj, ka shembuj të masave që duhen marrë. Por deri më tani, nga qeveria e Azerbajxhanit nuk ka shenja të vullnetit për të ndryshuar. Sido që të jetë, situata rreth të drejtave dhe mbrojtjes së LGBTQ+ mbetet e zymtë në Azerbajxhan. Kjo pasqyrohet në raportin e ILGA Europe, një organizatë joqeveritare ndërkombëtare që mbron të drejtat dhe liritë e LGBTQ+. Azerbajxhani u rendit i fundit në Indeksin Rainbow të organizatës për tre vjet me radhë.

Nis komentet

Autorë, ju lutem hyr »

Rregullat

  • Të gjitha komentet lexohen nga moderatori. Mos dërgo të njëjtin koment më shumë se një herë pasi mund të konsiderohet spam.
  • Respekto të tjerët. Komentet me gjuhë urrejtjeje, të pahijshme dhe sulme personale nuk do të miratohen.