Ky është dashi gjigant dhe jashtëzakonisht i shtrenjtë Arashan i Azisë Qendrore

Një dash Arashan i quajtur Sharpei në Kirgistan. Pamje nga kanali Fermer.ru në YouTube. Përdorim i drejtë.

Më 13 mars 2023, Libri i Rekordeve të Kazakistanit njohu një dash 230 kilogramësh të quajtur Milion si më të rëndin në vend. Në moshën katër vjeçare, gjatësia e Milionit është tashmë 1.05 metra, rekord për këto kafshë. Pritet që ai të rritet edhe më shumë, pasi dihet se deshët arrijnë majat e tyre fizike në moshën gjashtë vjeç e më tej.

Këtu është një postim në Instagram me Milionin:

Emri i Milionit vjen nga çmimi, 1 milion KGS (rreth 11,200 dollarë), me të cilin ai u shit për herë të parë si qengj në Kirgistan. Pronari i tij aktual Kuanysh Myktybaev, një fermer nga rajoni Turkestan në jug të Kazakistanit, e bleu atë nga fermerët në Kirgistanin fqinj për 30,000 dollarë. Myktybaev është i famshëm për blerjen e kafshëve të shtrenjta. Në vitin 2021, ai bleu një dash tjetër me emrin Kashtan  për 18 milionë KZT (40,000 dollarë, me kursin e këmbimit të kohës).

Ja një postim në Instagram i Kashtan:

Si Milion ashtu edhe Kashtan përfaqësojnë raca të veçanta delesh nga Azia Qendrore. Milion është një racë Arashan nga Kirgistani, ndërsa Kashtan është një racë Hissar nga Taxhikistani.

Në prill 2021, Ministria e Bujqësisë, Ujit dhe Zhvillimit Rajonal të Kirgistanit klasifikoi delet Arashan si një racë e veçantë. Ato morën emrin nga fshati në rajonin Chui në veri të Kirgistanit, ku rritet në dyzet vitet e fundit. Procesi i mbarështimit filloi në vitet 1970 duke përdorur deshtë nga raca Hissar e importuar nga Taxhikistani fqinj me delet lokale me lesh të trashë. Tridhjetë e tre studiues, fermerë dhe specialistë të bujqësisë kontribuan në këtë arritje të përzgjedhjes dhe mbarështimit.

Arashan kanë cilësi të shkëlqyer të mishit dhe dhjamit, gjë që i bën ato thelbësore për kuzhinën e Azisë Qendrore, ku mishi i qengjit dhe salloja përdoren gjerësisht në shumë gatime. Ata janë shumë të adaptueshëm dhe mund të jetojnë në kushte të ndryshme të motit dhe terrenit, duke përfshirë të ftohtin e zonave të larta malore dhe ditët e nxehta të stepave të luginës.

Arashan karakterizohen nga hunda e tyre me gunga, veshët e mëdhenj, trupi i gjatë, konsruksioni i fortë i trupit dhe kockat e forta. Karakteristika e tyre më e çmuar është shpejtësia me të cilën rriten dhe sasinë e mishit dhe sallos. Pesha e qengjave 7-8 muajsh është 48–61 kg, një vjeçari peshon 60-78 kg dhe një dash i rritur peshon midis 109 dhe 177 kg.

Në kohën e regjistrimit, kishte 5,832 Arashanë në Kirgistan, duke i bërë ato një racë të rrallë dhe ekskluzive. Para regjistrimit të racës Arashan, Hissar njihej si më e madhja në botë për nga gjatësia dhe pesha. Është e zakonshme që deshtë Arashan të rriten më shumë se një metër dhe të peshojnë më shumë se 200 kg.

Këtu është një postim në Instagram me një dash Arashan të quajtur Fox:

Numri i ulët i Arashanëve, përmasat mbresëlënëse dhe shpejtësia me të cilën ato rriten i kanë bërë ato një nga produktet më të kërkuara në tregun e kafshëve të Azisë Qendrore. Qengja disa muajsh kushtojnë më shumë se një mijë dollarë, delet shiten me çmimin e jashtëzakonshëm prej 7000-10,000 dollarësh dhe çmimi për deshtë duket se nuk ka kufi.

Këtu është një video në YouTube me detaje rreth rritjes së deleve Arashan në Kirgistan:

Disa pronarë pranojnë se u janë ofruar qindra mijëra dollarë për deshtë e tyre 3-4 vjeç. Duke marrë parasysh që një dash mund të mbarsë më shumë se njëqind dele në një sezon çiftëzimi dhe me çmimin mesatar prej disa mijëra dollarësh për çdo qengj, ky lloj investimi premton të shpërblehet pas disa vitesh. Aktualisht, Arashan u shiten fermerëve në Kazakistan, Rusi dhe Uzbekistan.

Këtu është një video në YouTube për një dash Arashan të quajtur Bayar, për të cilin pronarit të tij iu ofruan 200,000 dollarë:

Arashanët përshtaten mirë me realitetin e ditëve moderne të kullotave dhe tokave bujqësore në pakësim në Azinë Qendrore. Rritja e shpejtë përkthehet në më pak presion mbi burimet jetike si bari, drithërat dhe uji. Ndërsa numri i tyre rritet, çmimet pritet të ulen, duke i bërë ato një element kryesor në fermat në të gjithë rajonin.

Nis komentet

Autorë, ju lutem hyr »

Rregullat

  • Të gjitha komentet lexohen nga moderatori. Mos dërgo të njëjtin koment më shumë se një herë pasi mund të konsiderohet spam.
  • Respekto të tjerët. Komentet me gjuhë urrejtjeje, të pahijshme dhe sulme personale nuk do të miratohen.