Kujtime që po fshihen: Pllakat përkujtimore për viktimat e epokës sovjetike hiqen në Rusi mes luftës dhe valës së re të represionit

Foto e njërës prej pllakave. Marrë me leje nga faqja e internetit “The Last Address” (Adresa e fundit).

Në fillim të shtatorit, 34 pllaka në përkujtim të viktimave të represionit të Stalinit u hoqën nga muri i një ndërtese apartamentesh në Shën Peterburg (rruga Lesnoy, 61), raportoi Kommersant, gazetë që publikohet ende ligjërisht në Rusi. Dy muaj më parë, e njëjta media shkroi se si Moska po harron të shtypurit. Në disa raste, nuk dihet se kush është fajtori. Sipas kanalit në Telegram, SOTA, në rastin e fundit, vendimi u mor nga një drejtuesit e një njësie banimi.

Foto nga kanali Sota në Telegram. Përdorim i drejtë.

Banorët e “Shtëpisë së Specialistëve” në Shën Peterburg (rruga Lesnoy 61) nga ku u hoqën dje 34 pllakat e “Adresa e fundit” thanë për “Sota” se këtë e ka bërë shoqëria administruese. Kompania administruese nuk ka komentuar ende për veprimet e saj.

Disa përdorues në X (ish Twitter) reaguan me zemërim ndaj lajmit:

34 pllaka të projektit “Adresa e fundit” me emrat e njerëzve të shtypur gjatë epokës sovjetike u hoqën nga Shtëpia e Specialistëve në Lesnoy Prospekt në Shën Petersburg. Evgeny @evgenyrekhter! Pra, çfarë po ndodh? Eh!?

Mes pushtimit agresor të Ukrainës nga Rusia, ku shkatërrohen qytete të tëra dhe vriten njerëz çdo ditë, heqja e pllakave përkujtimore të sovjetikëve që humbën jetën në gulagë (kampet e punës) ose burgjet e Komisariatit Popullor të Punëve të Brendshme – të njohur si NKVD – duket pak e rëndësishme. Rusia filloi ndjekjen e atyre që zbulonin të vërtetën për regjimin e Stalinit shumë përpara luftës në shkallë të gjerë. Megjithatë, pllakat e vogla, vetëm 10×19 centimetra në muret e ndërtesave të zakonshme të banimit, arritën t'i shpëtonin deri më tani masave të regjimit të Putinit.

Duke luftuar me harresën

Global Voices pyeti Evgenia Kulakova, koordinatoren në Shën Peterburg të projektit “Adresa e fundit” – organizata që qëndron pas pllakave përkujtimore – nëse kjo është hera e parë e heqjes dhe çfarë do të thotë kjo.

Fatkeqësisht, historitë e pllakave të hequra tërheqin më shumë vëmendjen e gazetarëve sesa vendosja e tyre. Kjo është mjaft e kuptueshme dhe kryesisht gjë e mirë. Sa herë që hiqet një pllakë, ne shohim një valë indinjate dhe mbështetjeje, duke treguar se njerëzit dhe shoqëria kanë nevojë për këtë projekt. ‘Adresa e Fundit’ ka qenë aktive në Shën Peterburg nga pranvera e 2015-ës. Që atëherë, 434 pllaka janë vendosur në 243 ndërtesa. Për ne, ato nuk janë vetëm pllaka. Janë 434 emra dhe fate, biografi, secila e përshkruar në artikujt në faqen e internetit ‘Adresa e fundit’. Secila prej këtyre pllakave u vendos sepse dikush e kërkoi këtë. Ne nuk dalim me emra vetë. Ne u përgjigjemi kërkesave të marra përmes faqes sonë të internetit. Kryesisht vijnë nga të afërm të të ndjerëve. Megjithatë, ka shumë kërkesa nga ata që nuk kanë lidhje me viktimat, si ‘fqinjët’, njerëzit që jetojnë tani në të njëjtën shtëpi ose apartament si dhe studiues apo biografë.

Vullnetarët nga “Adresa e Fundit” kontrollojnë të gjitha pllakat dy herë në vit dhe vetëm 45 janë hequr që nga fillimi i projektit në Shën Peterburg, thotë Kulakova. Pasi u hoqën pllakat në rrugën Lesnoy, 61, numri shkoi 79 në 26 ndërtesa.

“A është shumë apo jo?” pyet koordinatorja dhe e konsideron si rezultat jo të keq të tetë viteve të ekzistencës së projektit në qytet. Gjithashtu, disa nga pllakat u hoqën përkohësisht për shkak të punimeve. Nëse pllakat hiqen sepse ankohet dikush, aktivistët përpiqen për t'i kthyer ato. Fatkeqësisht, ata mund të bëjnë pak pasi nuk ekzistojnë rregullore. “Vendimi për vendosjen e pllakave duhet të merret nga pronarët. Në rastin e rrugës Lesnoy, 61, ne shpresojmë të rivendosim pllakat pasi banorët dhe shoqata e pronarëve të shtëpive tregojnë mirëkuptim dhe duan që pllakat të kthehen pasi të zgjidhen çështjet ligjore. Ne nuk e shohim ende rezistencën e organizuar nga zyrtarët në Shën Peterburg ndaj projektit tonë, por shpërfillje.”

Nga ana tjetër, çdo pllakë është e rëndësishme, thotë Kulakova.

79 njerëz dikur ishin viktima të terrorit shtetëror, emrat dhe rrethanat e vdekjes së të cilëve nuk u lejuan të diheshin ose diskutoheshin për dekada as për të afërmit e tyre. Shumë nga familjarët, të cilëve u janë hequr pllakat e të ndjerëve, ndjehen keq për këtë veprim, veçanërisht pasardhësit e afërt: fëmijët dhe nipërit e mbesat që tani janë në moshë të madhe. Sigurisht, ne duam që pllakat tona të vendosen në shtëpi, në mënyrë që askush të mos i rrëzojë dhe as të mos tentojë ta bëjë këtë. Por, edhe nëse pllaka është zhdukur, qoftë përkohësisht apo përgjithmonë, kujtesa e personit nuk mund të fshihet. Ky kujtim është ende i gjallë në familjet që e trajtojnë historinë e tyre me përgjegjësi.

Për më tepër, historia e viktimës shkon përtej familjes. Çdo pllakë është një ngjarje e mbuluar nga media. Çdo emër, me historinë e tij/saj dhe dokumentet përkatëse, është i sigurt në faqen e internetit të Adresës së Fundit.

Ekipi i Adresës së Fundit vazhdon të punojë, premton Kulakova. Aktivistët pranojnë kërkesat, negociojnë miratimin e vendosjes së pllakës me banorët dhe pronarët e pallateve, publikojnë biografitë në faqen e internetit dhe në fund vendosin pllakat.

Sipas faqes së internetit, ka më shumë se 1280 pllaka në 65 qytete dhe fshatra ruse, ndërsa 2735 kërkesa janë duke u shqyrtuar. Projekte të ngjashme ekzistojnë tashmë në Ukrainë, Gjeorgji, Moldavi, Gjermani, Francë dhe Republikën Çeke si dhe së shpejti do të ketë edhe në Armeni, Rumani dhe Kirgistan.

Puna e “Adresës së fundit” është një pjesë e rëndësishme e shoqërisë civile ruse që ende u jep shpresë shumë njerëzve brenda vendit dhe atyre në emigracion. Pas më shumë se 600 ditësh lufte në shkallë të gjerë mes Rusisë dhe Ukrainës, shumë njerëz ishin në gjendje të gjenin ngushëllimin e tyre në veprime kaq të vogla pozitive, por ende ndjejnë dhimbje pas një sulmi tjetër vdekjeprurës në Ukrainë ose një goditjeje ndaj nismave joqeveritare brenda Rusisë. Ata që ndjekin nga afër shtypjen mund të kenë një ndjenjë të fortë se historia po përsëritet. Me lajmet për heqjen e pllakave që vijnë mes arrestimeve thuajse të përjavshme për qëndrimet kundër regjimit apo kundër luftës, njerëzit fillojnë të pyesin veten: kur do të vendoset pllaka e parë me datat e fundit dhe me emra shumë të njohur?

Nis komentet

Autorë, ju lutem hyr »

Rregullat

  • Të gjitha komentet lexohen nga moderatori. Mos dërgo të njëjtin koment më shumë se një herë pasi mund të konsiderohet spam.
  • Respekto të tjerët. Komentet me gjuhë urrejtjeje, të pahijshme dhe sulme personale nuk do të miratohen.