Konflikti i fundit i Izraelit me Hamasin: Një perspektivë gjeopolitike

Avionët izraelitë shkatërruan një ndërtesë që i përkiste familjes Al-Alaklouk, me 11 kate dhe 85 apartamente në zonën e rrugës Al-Nasr, në perëndim të qytetit të Gazës, 8 tetor 2023. Foto nga Mohammed Zaanoun në Instagram, e përdorur  me leje.

Peizazhi i trazuar i konfliktit izraelito-palestinez shënohet nga dhjetëra mijëra viktima dhe zhvendosja e miliona njerëzve gjatë shtatë dekadave. Për të kuptuar situatën aktuale, është e domosdoshme që fillimisht të pranohet konteksti që vazhdon të formësojë këtë konflikt.

Izraeli i ka shpallur luftë Rripit të Gazës, duke nisur një fushatë bombardimi, me mbi 700 palestinezë të raportuar të vdekur dhe më shumë se 4,000 të plagosur.

Ky përshkallëzim pasoi një sulm të papritur ndaj Izraelit nga Lëvizja e Rezistencës Islamike Palestineze (Hamas) më 7 tetor, gjatë të cilit pjesë të gardhit ndarës shumë të fortifikuar që ndan Gazën nga pjesa tjetër u thyen dhe vendbanimet përgjatë kufirit të Gazës u shënjestuan.

Këto zhvillime lanë më shumë se 900 izraelitë të vdekur dhe më shumë se 2600 të plagosur si dhe sollën ndërprerjen e trafikut ajror në aeroportin Ben Gurion, pasi shumë linja ajrore anuluan fluturimet. 

Cili është sfondi i konfliktit në Gaza?

Gaza është shtëpia e 2.3 milionë palestinezëve, që nuk kanë ku të shkojnë. Qyteti është një enklavë në bregun lindor të Detit Mesdhe, kufizohet me Egjiptin në jugperëndim dhe Izraelin në lindje dhe veri.

Sipas B'Tselem , një organizatë izraelite e të drejtave të njeriut e dedikuar për dokumentimin dhe raportimin e shkeljeve të të drejtave të njeriut të kryera nga Izraeli në Territoret e Pushtuara: “Izraeli e ka kthyer Rripin e Gazës në burgun më të madh në Tokë, ndërsa në të njëjtën kohë ka hequr dorë nga përgjegjësia për jetët dhe mirëqenia e banorëve.”

Që nga viti 2007, Izraeli zbaton një bllokadë të vazhdueshme tokësore, ajrore dhe detare në Gaza. Human Rights Watch ka raportuar se “kjo mbyllje ka shkatërruar ekonominë në Gaza, ka kontribuar në copëzimin e popullit palestinez dhe është pjesë e krimeve të autoriteteve izraelite kundër njerëzimit e aparteidit dhe persekutimit kundër miliona palestinezëve”.

Izraeli ushtron kontroll mbi aspektet thelbësore të jetës në Gaza, duke përfshirë qarkullimin e ushqimit, ujit dhe njerëzve përmes vendkalimeve tokësore që lidhin Gazën me botën e jashtme. Palestinezëve nuk u lejohet të operojnë një aeroport ose një port detar në Gaza, duke sjellë implikime të rënda për aftësinë e tyre për të udhëtuar ose për t'u përfshirë në tregtinë e jashtme.

Kjo bllokadë 16-vjeçare është kritikuar nga organizatat e të drejtave të njeriut si një formë e ndëshkimit kolektiv kundër popullit palestinez. Kësaj perspektive i bën jehonë edhe ministri izraelit i Mbrojtjes Yoav Gallant, i cili deklaroi të hënën, më 9 tetor: “Ne po e rrethojmë plotësisht Gazën … Pa energji elektrike, pa ushqim, pa ujë, pa karburant – gjithçka është e mbyllur.”

Ky ndëshkim kolektiv e vendos Gazën në prag të një krize të re humanitare, pasi palestinezët e bllokuar, të cilët nuk janë pjesë e konfliktit, mbeten pa ujë, si dhe me mungesa të ushqimit, karburantit dhe energjisë elektrike.

Ndikimi ekonomik dhe politik në Izrael

Konflikti i fundit ka pasur një ndikim të rëndësishëm në tregun izraelit të aksioneve. Indekset kryesore të aksioneve të Tel Avivit, duke përfshirë TA-125 dhe TA-35, pësuan një rënie gati 7 për qind. U ndikua veçanërisht stoku bankar, i përfaqësuar nga indeksi TELBANK5, me një rënie prej 9 për qind të shitjeve në vlerën 573 milionë dollarëve. Çmimet e obligacioneve të qeverisë u ulën deri në 3 për qind në reagimin fillestar të tregut ndaj sulmit ndaj Izraelit.

Për më tepër, Nvidia, prodhuesi kryesor në botë i çipave të përdorur në inteligjencën artificiale (AI) dhe grafikën kompjuterike, njoftoi anulimin e një samiti të AI që ishte planifikuar të mbahej në Tel Aviv javën e ardhshme.

Ndërkohë, situata ka ushtruar një ndikim thelbësor në peizazhin e brendshëm politik të Izraelit. Kryeministri Benjamin Netanyahu  dhe lideri i opozitës Yair Lapid u angazhuan në diskutime rreth formimit të një qeverie emergjente në përgjigje të sulmit masiv.

Këto diskutime u nxitën nga rezistenca e kryeministrit për t'ju përgjigjur protestave dhe akuzavr të shumta nga ushtarët rezervistë vullnetarë izraelitë dhe të tjerët. Këto protesta ishin kryesisht kundër reformës që synon të kufizojë kompetencat e gjyqësorit.

Ndarja ndërkombëtare

Përgjigja ndërkombëtare ndaj sulmit ka shfaqur perspektiva të ndryshme. E para ka dënuar sulmin dhe ka shprehur mbështetje totale për Izraelin. Perspektiva e dytë, në të kundërt, ka bërë thirrje për qetësi dhe shtensionim. Të tjerë, nga ana tjetër, theksuan rëndësinë e mos njehsimit të Hamasit me të gjithë palestinezët.

Palët kryesore të interesit në këtë konflikt përfshijnë vendet fqinje, si Libani, i cili tashmë është përfshirë në konflikt përmes Hizbollahut, Egjipti, Arabia Saudite dhe Jordania. Irani dyshohet se është i përfshirë në zhvillimet aktuale, megjithëse e ka mohuar këtë dhe e ka përshkruar sulmin e Hamasit si vetëmbrojtje. SHBA dhe Bashkimi Evropian (BE) luajnë role të rëndësishme si financues kryesorë të Izraelit dhe në një shkallë më të vogël, Palestinës.

SHBA kanë vendosur anije dhe avionë ushtarakë më afër Izraelit në shenjë mbështetjeje. Ndërkohë, Komisioni Evropian deklaroi mbështetjen e tij për Izraelin, por më vonë anuloi një vendim për të pezulluar ndihmën për autoritetet palestineze për shkak të mbështetjes dërrmuese nga shtetet anëtare.

Si ndikojnë ngjarjet në rajonin e Lindjes së Mesme dhe Afrikës së Veriut (LMAV)? 

Ndërsa presidenti Biden u zotua për mbështetjen e Izraelit dhe e quajti sulmin e Hamasit një akt të “djallëzor”, ndihmësit e tij kryesorë, sipas New York Times, “janë duke u përpjekur të riafirmojnë angazhimin e tyre ndaj idesë së normalizimit të mundshëm të marrëdhënieve diplomatike midis Arabisë Saudite dhe Izraelit, edhe pse Izraeli përgatitet për fillimin e një lufte në shkallë të gjerë kundër militantëve palestinezë.”

Normalizimi i mundshëm i marrëdhënieve diplomatike midis Izraelit dhe Arabisë Saudite, i ndërmjetësuar nga SHBA, është pjesërisht i motivuar nga shqetësimet për konkurrencën rajonale me Iranin. Arabia Saudite synon të marrë armatim të avancuar për të rritur ndikimin dhe sigurinë e saj rajonale, përballë aftësive të Iranit.

Por, marrëveshja përfshin edhe lëshime për çështjen palestineze.

Megjithatë, sulmi i fundit i Hamasit ka zbuluar një ndjenjë të thellë anti-izraelite midis palestinezëve, mirëqenia e të cilëve është shpërfillur vazhdimisht nga komuniteti ndërkombëtar, veçanërisht gjatë bisedimeve të normalizimit.

Si rezultat, sulmi i fundit i Hamasit ka ngritur pikëpyetje në lidhje me efektivitetin e anashkalimit të çështjes palestineze në favor të vendosjes së lidhjeve më të ngushta midis Izraelit dhe kombeve arabe. Ai gjithashtu ka sfiduar qasjen diplomatike të Shteteve të Bashkuara ndaj regjimeve autokratike dhe stabilitetin e mundshëm në rajon.

Për më tepër, kundërsulmi i Izraelit mund të shkaktojë një lëvizje masive të refugjatëve nga Gaza në Gadishullin Sinai të Egjiptit, gjë që ky i fundit nga perspektiva e sigurisë nuk do që të ndodhë.

Për vite me radhë, Egjipti ka vendosur kufizime të rrepta mbi aktivitetet e Vëllazërisë Myslimane, njohur ndryshe si Ikhwan, duke e cilësuar organizatën si një grup terrorist. Vlen të theksohet se Ikhvan ndan të njëjtën ideologji si Hamasi, entiteti de fakto qeverisës i Rripit të Gazës.

Fluksi i mundshëm i refugjatëve mund të përfshijë individë të lidhur me Vëllazërinë Myslimane, duke ngritur shqetësime për stabilitetin e Gadishullit Sinai, një rajon ku Egjipti është përfshirë në beteja të zgjatura për të luftuar terrorizmin që nga viti 2013.

Konflikti i vazhdueshëm midis Izraelit dhe Hamasit, ashtu si lufta më e gjerë izraelito-palestineze, është thellësisht i rrënjosur në dinamikat gjeopolitike kombëtare dhe ndërkombëtare.

Për të kuptuar situatën, ne duhet të kemi parasysh kontekstin më të gjerë të vështirësive të përditshme me të cilat përballen palestinezët në Gaza, të cilët durojnë një bllokadë 16-vjeçare, duke rezultuar në kushte të rënda jetese dhe shkatërrim ekonomik. Kjo bllokadë e ka kthyer në mënyrë efektive Gazën në atë që disa e përshkruajnë si “burgun më të madh të hapur në botë.” Për më tepër, palestinezët në përgjithësi përballen me sfidat e pamëshirshme të të jetuarit nën peshën e një sistemi aparteidi.

Zhvillimet e fundit nënvizojnë nevojën urgjente për të trajtuar të drejtat themelore të palestinezëve, të cilat janë anashkaluar vazhdimisht nga politikëbërësit ndërkombëtarë. Arritja e një zgjidhjeje të qëndrueshme të konfliktit palestinezo-izraelit kërkon njohjen e të drejtave historike të palestinezëve në tokat e tyre indigjene dhe statusin e tyre si qytetarë të barabartë. Ajo gjithashtu përfshin dhënien fund vendbanimeve të paligjshme.

Nis komentet

Autorë, ju lutem hyr »

Rregullat

  • Të gjitha komentet lexohen nga moderatori. Mos dërgo të njëjtin koment më shumë se një herë pasi mund të konsiderohet spam.
  • Respekto të tjerët. Komentet me gjuhë urrejtjeje, të pahijshme dhe sulme personale nuk do të miratohen.