Bota: Mbajtja zi për shkak të ekzekutimit të Troj Dejvisit
Përkundër shtyrjes së ekzekutimit të dënimit me vdekje të Troj Dejvisit sot në mëngjes, vetëm pas rreth më shumë se katër orë pas raportit tonë të fundit, Dejvisi u ekzekutua.
Anembanë botës, e posaçërisht në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Twitter-i është në gjendje pikëllimi dhe të mbajtjes zi. Hashtag-u #RIPTroyDavis është ndër më të vizituarit, dhe njerëzit i shprehin ndjenjat e tyre për rastin e Dejvisit, si dhe për situatën në lidhje me dënimet me vdekje në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
@ShamaraOnAir nga Filadelfia raporton:
Jam duke shikuar CNN-in. 11:08 ishte koha e vdekjes #RIPTROYDAVIS
@Jasminenkelly nga Ajova, shkruan:
Racizmi dhe padrejtësia ekzistojnë akoma vetëm se në shkallë tjetër… tashmë nuk i kemi KKK (Kju Kluks Klan) vetëm në letër, tani ata janë deputetët tanë. #RIPTROYDAVIS
Gazetari Dan Gillmor proteston kundër dënimit me vdekje, duke thënë:
Është shumë keq që ekziston dënimi me vdekje. Mirëpo sonte, sistemi ynë i “drejtësisë” vrau edhe një njeri, faji i të cilit ishte shumë i dyshimtë. Një farsë e vërtetë.
@bajanswaggboy nga Barbadosi, thekson:
#RIPTroyDavis. Nuk eksiston arma me të cilën është kryer vrasja, nuk është bërë testi ADN, prej 9 dëshimtarëve, 7 i tërhoqën deklaratat e tyre. Seriozisht? Si mund të vritet dikush pa asnjë dëshmi?
Ndërsa @tweety_coco nga Mbretëria e Bashkuar, thotë:
Akoma janë në shok. Nuk mund ta besoj se kjo mund të ndodhë në vitin 2011. #riptroydavis
Linda Sarsur (@lsarsour), një aktiviste palestineze-amerikane, thotë:
#TroyDavis do të jetë karburanti që do të më ndihmojë ta vazhdoj luftën time për drejtësi sociale. Ai nuk do të harrohet kurrë. #RIPTroyDavis
Edhe pse rasti i Troj Dejvisit ka zgjuar interes të madh të publikut, shumë vetë në mënyrë cinike theksojnë se ky është një rast i veçantë, dhe se qytetarët amerikanë nuk do të vazhdojnë të luftojnë kundër dënimit me vdekje. Ose sikurse palestinezi @Falasteeni u shpreh shkurtimisht, para se të bëhej ekzekutimi:
Ajo që më pikëllon më së shumti sa i përket vrasjes që pritet të ndodhë të #TroyDavis-it është se asgjë nuk do të ndodhë, nuk do të ketë asnjë lëvizje në rritje, për t'u siguruar se një gjë e tillë nuk do të përsëritet më.