Portrete të mërgimtarëve: Gazetarja iraniane Maryam Mirza

 

Maryam Mirza. Foto nga Yana Kaziulia, e përdorur me leje.

Kjo histori është pjesë e një serie që mbledh përvojat e grave iraniane në diasporë ndërsa ato ndjekin lirinë dhe shfaqin qëndrueshmërinë e tyre. Vjen si përkujtim i përvjetorit të parë të vdekjes tragjike të Mahsa Jina Amini, një gruaje kurde që humbi jetën në moshën 22 vjeçare nga policia e moralit për mosmbulimin e plotë të flokëve. Ky incident ndezi protesta të gjera në Iran, të cilat vazhdojnë edhe sot e kësaj dite, pavarësisht nga përshkallëzimi i shtypjes nga ana e qeverisë.

Unë nuk isha e pranishme kur “Lëvizja e Gjelbër“, e paprecedentë në histori, nisi në Iran në qershor 2009. Kjo lëvizje u shfaq si përgjigje ndaj zgjedhjeve të diskutueshme presidenciale iraniane, duke çuar në protesta të gjera kundër manipulimeve zgjedhor që siguroi mandatin e dytë të Mahmoud Ahmadinexhad si president. Ishte hera e parë që dikush si unë, lindur në vitet 1980 në një familje jopolitike, ishte dëshmitare e shtypjes së gjerë dhe të hapur të regjimit ndaj popullit të tij. Ose të paktën, ishte hera e parë që interneti na lejoi ta dëshmojmë.

Disa mund të thonë, fatmirësisht, ndërsa të tjerët, duke përfshirë edhe veten time, do të thoshin me keqardhje, nuk isha aty kur Teherani bëri jehonë me hapat e mijëra vetëve që dolën në rrugë.

Nuk isha e pranishme kur shtypësit hapën zjarr mbi popullin e vendit tim dhe kur Neda Agha Soltan, një grua 28-vjeçare që ishte në mes të turmës, ra viktimë e një plumbi që i shpoi gjoksin. Për disa vite, ky realitet më rëndoi shumë në zemër, duke përcaktuar vendndodhjen time në botë thjesht “nuk jam në Iran”.

Berlini, shtëpia ime e re

Në qershor 2009, isha në Berlin si gazetare në një udhëtim të shkurtër studimor dhe vëzhgimi i “Lëvizjes së Gjelbër” nga larg më la me emocione të përziera. Nga njëra anë, kishte shpresë për ndryshim; shumë njerëz që besonin se mund të sinjalizonte fillimin e rënies së regjimit, i përshkruar shpesh si “fillimi i fundit”. Nga ana tjetër, zemra më dhimbte ndërsa imazhet rrëqethëse qarkulluan në internet, që përshkruanin ngjarjet tragjike, kryesisht në Teheran.

Berlini, siç ndodh zakonisht në qershor, ishte stolisur me pemë të gjelbra, bimë të mbushura me polen dhe shira të herëpashershëm. Ajo që ka mbetur e skalitur në kujtesën time janë bisedat që kam pasur me këdo që është i gatshëm të dëgjojë, ndërsa kërkova të hedh dritë mbi goditjet e rënda në Iran, së bashku me bredhjet e mia gjysmëzgjuar nëpër qytet.

Kënga ‘Sár umád zemestoon’, ‘Dimri mbaroi’.  Foto nga YouTube. Përdorim i drejtë.

Gjatë një prej këtyre shëtitjeve, dëgjova një grup njerëzish që këndonin një këngë të njohur lirie të Iranit, Sár umád zemestoon” (Dimri ka mbaruar). I ndoqa zërat dhe zbulova një grumbull iranianësh që demonstronin në zemër të Berlinit. Shumica e këtyre individëve ishin dhe janë ende të privuar nga atdheu i tyre, duke jetuar në Berlin me shpresën e një Irani të lirë.

Nuk kaloi shumë kohë dhe vendosa të mos kthehesha në Iran për shkak të rreziqeve të larta, duke iu bashkuar më pas komunitetit të emigrantëve iranianë në Gjermani. Që atëherë, kam takuar iranianë që kanë ikur nga vendi dhe iranianë që kanë jetuar në Gjermani me statuse të ndryshme emigrimi.

Megjithatë, në momente kritike, ata humbën me dëshirë të drejtën për të vizituar Iranin, për të protestuar jashtë kundër regjimit. Përndryshe, ata do të ishin të detyruar të qëndronin joaktiv, ndërkohë që regjimi vazhdonte veprimet e tij, ose të viheshin në rrezik arrestimi sapo të shkelnin në Iran.

Për kaq shumë iranianë, si dhe për mua, mërgimi nuk ka qenë kurrë një çështje e procesit ligjor; ka qenë një vendim për të humbur të drejtën time për t'u kthyer në atdheun tim në këmbim të sigurisë, duke më lejuar të vazhdoj të punoj si gazetare dhe aktiviste e shoqërisë civile. Megjithatë, a mund ta quajmë me të vërtetë një zgjedhje pa marrë parasysh rrethanat më të gjera?

Historia gjithnjë në zhvillim e Iranit

Në vitin 2007, kur isha 25 vjeç, kalova disa netë në burgun famëkeq Evin të Teheranit vetëm pse mora pjesë në një protestë paqësore së bashku me aktiviste të tjera të lëvizjes së grave. Pavarësisht orëve të tëra marrjesh në pyetje që u ndoqën nga gjyqi, unë nuk u përballa me pasoja të mëtejshme. Megjithatë, kjo përvojë shërbeu si një kujtesë e fortë e qëndrimit të Republikës Islamike ndaj lirisë së medias, gazetarëve dhe shoqërisë civile. Për ironi, kjo ndodhi në periudhën menjëherë pas presidencës së Mohammad Khatami, të ashtuquajturit president reformist, i cili u perceptua si më i hapur ndaj kritikave dhe debateve.

Regjimi në Teheran nuk ka kursyer kurrë asnjë përpjekje për të ruajtur pozicionin e tij në krye të listës së kundërshtarëve të internetit dhe si një burg për gazetarët. Megjithatë, jo të gjithë zgjedhin të largohen nga Irani.

Shumë nga kolegët e mi mbeten në vend pavarësisht se po përballen me censurë dhe kërcënime të vazhdueshme për arrestime dhe ngacmime. Dy gazetarë të tillë janë Niloofar Hamedi dhe Elahe Mohammadi, të cilët raportuan me guxim për vrasjen e Mahsa Jina Amini. Ata janë në burg që nga shtatori 2022 për një sërë akuzash të pabazuara.

Vrasja e Mahsa Jina Amini shënoi fillimin e kryengritjes mbarëkombëtare “Zan, Zendegi, Azadi”. Edhe pse protestat mund të jenë bërë më të pakta, rezistenca e përditshme e grave në qytete të ndryshme iraniane vazhdon.

Ato shprehin mospajtimin e tyre duke mos veshur hixhabin, pavarësisht pasojave potencialisht të rënda. Veprimet e tyre jo vetëm që kanë tronditur themelet tashmë të brishta të regjimit, por edhe kanë sfiduar normat e rrënjosura thellë tradicionale dhe ideologjike që u jepnin atyre një status dytësor në shoqëri. Kjo është arsyeja pse “Zan, Zendegi, Azadi” është perceptuar si tepër progresiv, madje edhe nga segmente të caktuara të opozitës ndaj regjimit iranian.

Veprimet e grave të guximshme të Iranit më kanë frymëzuar të rrëfej historitë e grave iraniane që përfshijnë breza të shumtë, të cilat e kanë gjetur veten në mërgim në Berlin. Këto gra shërbejnë jo vetëm si figurat qendrore në historinë time të emigrimit, por edhe si gurët e themelit të narrativës më të gjerë, që portretizon udhëtimin e mundimshëm që gratë iraniane kanë ndërmarrë për të deklaruar: “Mjaft më”.

Nis komentet

Autorë, ju lutem hyr »

Rregullat

  • Të gjitha komentet lexohen nga moderatori. Mos dërgo të njëjtin koment më shumë se një herë pasi mund të konsiderohet spam.
  • Respekto të tjerët. Komentet me gjuhë urrejtjeje, të pahijshme dhe sulme personale nuk do të miratohen.