Para zgjedhjeve presidenciale, Rusia rishkruan historinë dhe promovon nacionalizmin në shkolla

Foto e videos së shfaqur në klasa gjatë orës “Biseda e rëndësishme” në Rusi, nga YouTubePërdorim i drejtë.

Individë të shquar, arsimtarë dhe autoritete në republikat e Kaukazit të Veriut të Rusisë po shprehin kundërshtimet e tyre ndaj një libri të ri të historisë që ata e perceptojnë si të njëanshëm. Këtë herë aktivistët dhe autoritetet rajonale po shprehin të njëjtat shqetësime. Siç raportohet nga Radio Liberty, kritikët argumentojnë se libri përshkruan një imazh të favorshëm të liderit sovjetik Jozef Stalin dhe përjetëson keqkuptimet rreth grupeve etnike që u viktimizuan gjatë sundimit të tij.

Gjatë një vizite të fundit në Karachay-Cherkessia, ministri rus i Arsimit Sergei Kravtsov pranoi shqetësimet dhe u angazhua për ndryshimin e pjesëve të diskutueshme të librit shkollor, siç u tha nga udhëheqësi rajonal, Rashid Temrezov, më 23 shtator përmes kanalit të tij në Telegram.

Teksti shkollor i diskutueshëm është kritikuar për minimizimin e rolit të Stalinit në largimin me forcë të disa grupeve etnike, si çeçenët, Karachait, Ingushët, Balkarët, Kalmykët, Turqit Mesketë, Tatarët e Krimesë dhe të tjerë. Këto grupe u zhvendosën me forcë nën pretendimin e bashkëpunimit të supozuar me nazistët gjatë Luftës së Dytë Botërore. Kjo rezultoi në një fatkeqësi të madhe demografike, duke shkaktuar vdekjen e qindra mijëra personave nga këto komunitete. Megjithatë, teksti shkollor e prek këtë çështje vetëm shkurtimisht, duke i bërë jehonë akuzave të Stalinit për tradhti dhe duke nënkuptuar se dëbimet ishin bazuar në prova të vlefshme të marrëveshjes së fshehtë me armikun.

Kjo është vetëm një nga tendencat e rishkrimit të historisë dhe promovimit të nacionalizmit rus, ndër zhvillimet më të fundit në sistemin arsimor të vendit.

Rishkrimi i historisë

Më 1 shtator 2024, nxënësit e shkollave ruse në klasat 5-9 do të marrin tekstet e tyre të studimeve sociale për të gjetur një tregim të rishikuar dhe të mandatuar të historisë ruse. Nxënësit e klasës së dhjetë dhe të 11-të tashmë po i përdorin librat e rinj si pjesë e programit të tyre mësimor këtë vit shkollor. Teksti shkollor do të përshkruajë dhe justifikojë në mënyrë specifike arsyet e pushtimit të Ukrainës nga presidenti rus Vladimir Putin. Ai citohet në tekstin shkollor me një frazë që është shumë e njohur për ata që vazhdojnë me komentet për “Operacionin Special Ushtarak”: “Nuk ishim ne ata që e filluam këtë luftë, ne jemi ata që përpiqemi t'i japim fund”. Radio Liberty thekson se teksti i librit pasqyron deklaratat e bëra nga Putin. Këto përfshijnë gënjeshtra të qëllimshme se Ukraina është e dominuar nga ideologjitë “ultranacionaliste” dhe “neo-naziste”, se fuqitë perëndimore kanë ndikim mbi Kievin me synimin për të copëtuar Rusinë dhe për të shfrytëzuar burimet e saj, se konsulentët e NATO-s nxitën Kievin të ndërmarrë veprime kundër Donbasit në vitin 2020, që objektet e fshehta amerikane të kërkimit biologjik ekzistojnë në Ukrainë dhe se Kievi po vijon  në mënyrë aktive blerjen e armëve bërthamore, mes pretendimeve të tjera të rreme.

Kritikët e librit shkollor kanë vënë në dukje me vend se bota perëndimore  portretizohet si armiku historik i Rusisë, si rrënja e të gjitha problemeve dhe si katalizatori i konflikteve të saj. Për më tepër, represioni i Stalinit është zbutur ndjeshëm në tekst, duke përmbysur pajtimin e ngadaltë të dekadave të fundit me një histori brutale, të përgjakshme ruse. Qëllimet që synon të arrijë libri shkollor janë të qarta: duke unifikuar imazhin kolektiv të një historie të lavdishme ruse, Kremlini kërkon të forcojë patriotizmin dhe krenarinë kombëtare midis të rinjve.

Nacionalizmi depërton në çdo pjesë të jetës ruse, përfshirë shkollat. Putin e sheh sistemin arsimor rus si një mënyrë për të kontrolluar të rinjtë dhe për të krijuar mbështetje për atë që po bën. Në fakt, Putini ka zgjedhur 2023 si “Viti i Pedagogut”.

Ky vendim vjen si një vazhdimësi gjithnjë e më patriotike e temave vjetore: 2020 ishte “Viti i Përkujtimit të Ushtarëve të Luftës së Madhe Patriotike”, 2021 ishte “Viti i Unitetit Kombëtar” dhe 2022 ishte “Viti i Kujtesës Historike”. Edhe pse mund të duket e pavend në fillim, Viti i Pedagogut përshtatet – në fund të fundit, Putini përdor reformën arsimore si një armë për të propaganduar popullin e tij. Kremlini ka konsideruar rëndësinë e formësimit të mendjeve ruse nga themeli prej vitesh. Një dokument mbi sigurinë kombëtare nga viti 2021 përmban një seksion mbi “mbrojtjen e vlerave, kulturës dhe trashëgimisë historike tradicionale shpirtërore dhe morale ruse”. Për të luftuar “përpjekjet e supozuara për të falsifikuar historinë e botës dhe Rusisë, “qeveria urdhëroi një reformë të qëllimshme të sistemit të arsimit. Një vit më vonë, Putin nënshkroi një dekret që shpalli 2023 si Viti i Pedagogut.

Nacionalizmi në rritje në klasa

Duke filluar nga viti 2022, çdo shkollë ruse i detyron nxënësit të ndjekin një sërë klasash të quajtura “Bisedë e rëndësishme”, që mbahen çdo javë. Ministri i Arsimit Sergei Kravtsov tha se “nxënësit nuk do të lihen të luftojnë vetë kundër fushatës së dezinformimit”. Mësimet kishin për qëllim të diskutonin ngjarjet aktuale, si “Operacioni Special Ushtarak”, si dhe të promovonin patriotizmin tek të rinjtë rusë. Duke filluar nga 1 shtatori 2022, java do të niste me këndimin e himnit dhe ngritjen e flamurit kombëtar. Qeveria dha rreth 1 miliard rubla (rreth 10 milionë dollarë) për pajisjen e shkollave me “simbole kombëtare” – flamuj dhe stema.

Kurrikula është e strukturuar si për të futur drejtpërdrejt disa ide patriotike në mendjet e nxënësve, por edhe për të ndërtuar në mënyrë delikate një themel mbi të cilin lulëzojnë ndjenjat e krenarisë kombëtare. Më 18 shtator, mësuesit e çdo niveli ndoqën kurrikulën e specifikuar për temën “Rusia – toka jonë”.

Foto e videos së shfaqur në klasa gjatë orës “Biseda e rëndësishme” në Rusi, nga YouTubePërdorim i drejtë. Në tekst shkruhet: “zgjedhjet kujdesen për të ardhmen tonë”.

Nxënësit gjashtë e shtatë vjeçarë shohin videoklipe të natyrës ruse, me zërin entuziast që përhapet në çdo klasë të vendit: “Nuk mund të qëndrosh indiferent ndaj natyrës së vendit tonë, Rusisë – është e bukur dhe e larmishme.”

Qëllimi i këtyre taktikave më delikate bëhet i dukshëm në Bisedat e Rëndësishme të klasës së tretë dhe të katërt për të njëjtën temë. Këtë herë, tregimtari i një filmi të ngjashëm bën një lidhje të drejtpërdrejtë midis botës natyrore të Rusisë dhe patriotizmit. Ai lexon poezi nga Sergei Yesenin, një poet i njohur për portretizimin e natyrës ruse dhe nxënësit nxiten të eksplorojnë rolin e artit dhe shkrimit në shtimin e ndjenjave të krenarisë në Rusi.

Ndër temat e tjera të diskutimit në Bisedat e Rëndësishme janë “Dita e Unitetit Kombëtar”, “Dita e Ribashkimit të Krimesë me Rusinë”, “Dita e Forcave Speciale Ruse” dhe “Simbolet ruse”. Një nga shtesat e reja përfshin “Sistemi rus i votimit”, i organizuar në një kohë kur fushata e rizgjedhjes së Putinit po intensifikohet. Diskutimet në këtë rast synojnë të informojnë të rinjtë rusë për rëndësinë e votimeve demokratike në zgjedhjen e liderëve që përfaqësojnë interesat e popullit të tyre, pavarësisht se e kundërta ndodh historikisht në Kremlinin e Putinit.

Ndërsa shumë vëzhgues ende hezitojnë ta quajnë shoqërinë ruse ‘fashiste’ për shkak të nivelit të ulët të entuziazmit popullor dhe mungesës së ideologjisë së qartë, propaganda e nacionalizmit në shkolla mund të çojë në këtë ndryshim të zymtë.

Nis komentet

Autorë, ju lutem hyr »

Rregullat

  • Të gjitha komentet lexohen nga moderatori. Mos dërgo të njëjtin koment më shumë se një herë pasi mund të konsiderohet spam.
  • Respekto të tjerët. Komentet me gjuhë urrejtjeje, të pahijshme dhe sulme personale nuk do të miratohen.