Nagorni-Karabaku dorëzohet, por ç'mund të themi për të ardhmen?

Foto nga Arzu Geybullayeva

Azerbajxhani nisi një ofensivë ushtarake në rajonin e kontestuar Nagorni-Karabakh më 19 shtator, me qëllim “për të rivendosur rendin kushtetues” dhe “të detyrojë shpërbërjen e qeverisë” në kryeqytetin Khankendi [Stepanakert në armenisht]. Si rezultat i operacionit 24-orësh të cilësuar nga Ushtria e Mbrojtjes së Azerbajxhanit si një “operacion lokal anti-terror”, qeveria e Stepanakert/Khankendi u dorëzua, duke pranuar marrëveshjen e armëpushimit të përkufizuar nga Azerbajxhani dhe Rusia më 20 shtator. Azerbajxhani përshëndeti ofensivën, duke e shpallur atë një veprim të suksesshëm për të rivendosur sovranitetin e vendit, duke siguruar që armenët e Karabakut të kenë të drejtat e tyre do të mbrojtura. Që nga 29 shtatori, më shumë se 84,700 armenë të Karabakut u larguan nga Nagorni-Karabak. Më 28 shtator, qeveria e Nagorni-Karabakut njoftoi se do të shpërbëhej deri në vitin 2024.

Zona e Nagorni-Karabakut ka qenë nën kontrollin e popullsisë së saj etnike armene si një “shtet i vetëshpallur” që nga lufta e zhvilluar në fillim të viteve 1990, e cila përfundoi me një armëpushim dhe fitore ushtarake armene në vitin 1994. Pas luftës së parë, u krijua një Republikë e re, e panjohur ndërkombëtarisht, de facto e Nagorni-Karabakut. Shtatë rajone ngjitur u  pushtuan nga forcat armene. Si rezultat i asaj lufte, “më shumë se një milion njerëz u detyruan të largoheshin nga shtëpitë e tyre: azerët u larguan nga Armenia, Nagorni-Karabaku dhe territoret fqinje, ndërsa armenët lanë shtëpitë në Azerbajxhan”, sipas Grupit Ndërkombëtar të Krizave.

Tensionet vazhduan për dekada. Në vitin 2020, Armenia dhe Azerbajxhani zhvilluan një luftë të dytë që zgjati 44 ditë. Ajo ndryshoi statusin e rajonit. Azerbajxhani rifitoi kontrollin mbi shumicën e shtatë rajoneve të pushtuara më parë dhe pushtoi një të tretën e vetë Karabakut.

Kjo luftë nuk i dha fund tensioneve dhe armiqësive. Gjatë tre viteve të fundit, akuzat e ndërsjella për shkelje të armëpushimit vazhduan. Kështu bëri edhe retorika e ndërsjellë armiqësore në nivel qeveritar dhe lokal, duke zvogëluar çdo perspektivë për paqe.

Që kur marrëveshja e armëpushimit u nënshkrua në nëntor 2020, lindi një pyetje: a do të ketë një luftë tjetër? Ngjarjet më të fundit të 19 shtatorit 2023, i dhanë përgjigje kësaj pyetjeje.

Më 21 shtator, përfaqësues nga Karabaku udhëtuan për në Yevlakh, një qytet azer rreth 100 kilometra në veri të Khankendi/Stepanakert. Takimi zgjati për disa orë dhe u përqëndrua në “të drejtat, sigurinë dhe ‘riintegrimin’ e Nagorni-Karabakut në Azerbajxhan sipas kushtetutës së Azerbajxhanit”, raportoi OC Media.

Duke komentuar këto zhvillime, eksperti rajonal Laurence Broers e përshkroi të ardhmen e armenëve të Karabakut si “të panjohur“, duke shtuar: “Nuk ka asnjë prani ndërkombëtare apo kapacitet monitorimi të asnjë lloji në terren me përjashtim të paqeruajtësve rusë, disa prej të cilëve janë vrarë në dhunën e kësaj jave. Ndihma ndërkombëtare për evakuimitn e armenëve që dëshirojnë të largohen nga NK tani është kritik.”

Sipas mediave të lidhura me qeverinë e Azerbajxhanit, Bakuja zyrtare pranoi të dërgojë një ngarkesë ndihme humanitare dhe karburant në Karabakh dhe të vazhdojë bisedimet e paqes. Më 22 shtator, fotot e ndihmës së Azerbajxhanit gjatë rrugës për në Karabakh qarkulluan në media.

Katër kamionë 20 tonësh, dy që transportonin bukë dhe dy produkte ushqimore dhe higjienike, janë dërguar në Nagorni-Karabakh nga Azerbajxhani, nëpërmjet rrugës Aghdam. Azerbajxhani ka njoftuar se do të ‘sigurojë’ dërgimin e ushqimit në rajon, i cili ju dorëzua Azerbajxhanit të mërkurën.

Takimi i dytë mes palëve u zhvillua më 25 shtator 2023.

Nga protestat mjedisore e më tej

Më 12 dhjetor 2022, qytetarët azerë që pretendonin se ishin aktivistë mjedisorë, megjithëse raportet tregojnë se ata mund të kishin qenë të lidhur me qeverinë, filluan të bllokojnë korridorin e Lachin – e vetmja rrugë që lidh Armeninë me Karabakun në të gjithë territorin e Azerbajxhanit, duke kërkuar  që Armenia të ndalojë punën në minierat në Karabak, për të cilat Bakuja zyrtare pretendonte se armenët po eksportonin mineralet ilegalisht. Bakuja mohoi çdo përfshirje në bllokadë. Shumë aktorë ndërkombëtarë i bënë thirrje qeverisë së Azerbajxhanit që t'i japë fund bllokadës.

Në ditët që pasuan bllokadën e dhjetorit, kërkesat e protestuesve ndryshuan, duke thënë se Baku duhet “të vendosë kontrollin mbi Korridorin e Laçinit”, sipas raportimit të Radio Liberty në atë kohë.

Më pas, më 28 prill 2023, të ashtuquajturit eko-aktivistë pezulluan bllokadën e tyre pas instalimit të një pikë kontrolli kufitar nga Azerbajxhani në korridor.

Në mars 2023, Azerbajxhani bëri disa përparime ushtarake, duke thyer vijën e kontaktit me Nagorni-Karabakun. Pika kufitare e sapokrijuar i dha Azerbajxhanit një avantazh për të vijuar  bllokadën e Nagorni Karabakut.

Së shpejti, dolën raporte të banorëve nga Karabaku që po kontrolloheshin nga trupat kufitare të Azerbajxhanit, me pamjet që shfaqnin automjetet armene që kalonin përmes pikës së kontrollit, me oficerët e kontrollit kufitar të Azerbajxhanit që inspektonin automjetet dhe dokumentet e tyre.

Bllokimi i Karabakut vijoi në qershor 2023, ku nuk lejoheshin furnizimet të kalonin pikën e kontrollit të Azerbajxhanit, duke e shtyrë popullsinë armene që jeton në Karabakh në prag të një krize tjetër masive humanitare.

Gjatë gjithë bllokadës, Bakuja zyrtare vazhdoi takimin me homologët e Jerevanit. Por ndërsa udhëheqësit diskutuan disa nga pikat urgjente për arritjen e një marrëveshjeje përfundimtare të paqes, ka pasur pak shenja përparimi në “çështjen më të vështirë – fatin e armenëve etnikë në Nagorni-Karabakh”, shkroi Olesya Vartanyan, një analiste nga Grupi Ndërkombëtar i Krizave, një organizatë e pavarur që punon për të parandaluar luftërat dhe për krijimin e strategjive.

Sipas Vartanyan, megjithëse u arrit përparim i rëndësishëm në bisedimet midis dy kombeve në dritën e “lëshimeve të rëndësishme” të udhëheqjes armene që nga përfundimi i armiqësive në vitin 2020, fati i armenëve etnikë në Nagorni-Karabakh mbeti i paqartë.

Një dokument që përshkruan hapat e ardhshëm të Azerbajxhanit në lidhje me popullsinë etnike armene nuk u përgatit kurrë. Takimi në Yevlakh më 21 shtator dhe mungesa e informacionit mbi hapat e ardhshëm në lidhje me integrimin, nuk përjashton që armenët nga Karabaku të zgjedhin të largohen. Skenat e eksodit masiv që nga 20 shtatori dëshmojnë një analizë të mëparshme.

Sipas ekspertit rajonal Tom de Waal, kushtet e armëpushimit dhe bisedimeve në Yevlakh “ishin sipas kushteve të Azerbajxhanit dhe i lanë armenët etnikë të dukeshin të pambrojtur”. Në një intervistë me BBC, de Waal shtoi: “Me siguri, për fat të keq, po shohim një projekt ku azerët u ofrojnë aq pak armenëve të Karabakut, saqë shumica, nëse jo të gjithë do të largohen.”

Bakuja zyrtare mund të pësojë gjithashtu dëme të rënda reputacioni me grupet e tjera të pakicave etnike në vend. “Pakicat e tjera të Azerbajxhanit nuk kanë autonomi dhe kanë të drejta të kufizuara. Pra, ne po shikojmë një marrëveshje shumë kufizuese dhe ndëshkuese për ata [armenët],” shpjegoi de Wall në një podcast me OC Media. Edhe me një armëpushim të qëndrueshëm, shumica e armenëve të Karabakut do të zgjedhin të largohen”, shtoi de Waal.

Laurence Broers shkroi në Twitter:

Skenarët afatgjatë për armenët e Karabakut vështirë të parashikohen. Kryeministri armen Nikol Pashinyan ka njoftuar se Armenia është gati të pranojë 40,000 familje (më korrigjoni nëse gaboj, por kjo do të mbulonte lehtësisht më shumë se sa numri i armenëve në NK sot).

Duke iu drejtuar Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara në Nju Jork më 22 shtator, ministri i Jashtëm i Azerbajxhanit Jeyhun Bayramov tha: “Azerbajxhani ishte i vendosur të tu garantojë banorëve të Nagorni-Karabakut ‘të gjitha të drejtat dhe liritë’ në përputhje me kushtetutën e vendit dhe detyrimet ndërkombëtare të të drejtave të njeriut, duke përfshirë masat mbrojtëse për pakicat etnike.” Bayram mohoi çdo akuzë ndaj Azerbajxhanit për spastrim etnik.

Diplomatët perëndimorë nuk ishin dakord.

Gjatë mbledhjes në Kombet e Bashkuara, ministrja e Jashtme gjermane, Annalena Baerbock, tha se Bakuja zyrtare theu “garancitë e përsëritura për t'u përmbajtur nga përdorimi i forcës, duke shkaktuar vuajtje të jashtëzakonshme për një popullsi tashmë në gjendje të rëndë”.

Roli i Rusisë

Rusia ndërmjetësoi një armëpushim në nëntor 2020 midis Armenisë dhe Azerbajxhanit, vendosi 1960 forca paqeruajtëse ruse në ato pjesë të Karabakut “të cilat nuk u rimorën nga Azerbajxhani dhe një korridor të ngushtë që lidh Armeninë përmes rajonit Lachin të Azerbajxhanit”. Megjithatë, prania e tyre bëri pak për të parandaluar shkëmbimin e zjarrit ose përparimet ushtarake.

Ndërsa marrëdhëniet midis Rusisë dhe Armenisë janë tensionuar për shkak të mungesës së mbështetjes së Rusisë ndaj Armenisë pasi ajo përballej me presionin nga Azerbajxhani, një anëtar i parlamentit rus shkoi aq larg sa sugjeroi goditjen bërthamore të industrisë së naftës të Azerbajxhanit. Ndërkohë, Rusia gjithashtu ka akuzuar vazhdimisht Armeninë dhe Azerbajxhanin për shkelje të marrëveshjes së armëpushimit të nënshkruar në vitin 2020. Si Armenia ashtu edhe Azerbajxhani kanë vënë në pikëpyetje gjithnjë e më shumë praninë e Rusisë në terren nëpërmjet paqeruajtësve të saj dhe rolin e tyre të saktë.

Që nga fundi i luftës 44-ditore, roli i Rusisë si ndërmjetës u zvogëlua gjithashtu, me BE-në dhe SHBA-në që morën një rol më proaktiv në bashkimin e liderëve dhe zyrtarëve të lartë shtetërorë për negociata. E megjithatë, ata kurrë nuk mund të zëvendësojnë rolin e Rusisë në rajon. Sipas Tom de Waal, ndërsa komuniteti ndërkombëtar dhe Perëndimi mund të kishin bërë më shumë, “konteksti më i gjerë historik” i rajonit tregon se “ky [rajon] është në skaj të Evropës, jo një vend për internetin kritik perëndimor apo një vend ku fuqitë perëndimore do të vendosnin çizmet në terren si paqeruajtës”, duke ia lënë atë aktorëve si Rusia, e cila, ndryshe nga palët e interesuara perëndimore, “ishte e përgatitur të vinte çizmet në terren dhe t'i jepte formë ngjarjeve”.

Pas takimit në Yevlakh më 21 shtator, Moska tha se “të gjitha parakushtet” ishin tani në vend për një traktat paqeje midis Armenisë dhe Azerbajxhanit. Ndërkohë, zyrtarët rusë vazhduan të fajësojnë Armeninë për shpërthimin e fundit të dhunës, që ishte një shenjë se besnikëria dhe mbështetja ruse kaloi në Azerbajxhan [nga Armenia], shpjegoi de Waal në një intervistë me OC Media.

Besnikëria ndaj Azerbajxhanit u pasqyrua gjithashtu në pjesën më të madhe të mbulimit mediatik të kontrolluar nga shteti rus. Por siç raportoi media ruse në mërgim Meduza, ata u udhëzuan ta bënin këtë. Meduza raportoi se kishte akses në një manual me udhëzime të qarta për mediat ruse: fajësoni Armeninë dhe aleatët perëndimorë për përshkallëzimin e fundit.

Gjatë shpërthimit të dhunës më 20 shtator, forcat e Azerbajxhanit hapën zjarr ndaj një automjeti që transportonte paqeruajtës rusë, duke vrarë disa prej tyre. Kjo duket se ka bërë pak për të penguar besnikërinë ruse ndaj Azerbajxhanit. Megjithëse Azerbajxhani në fillim pretendoi se ata u vranë nga forcat nga Nagorni-Karabakh, presidenti i Azerbajxhanit Ilham Aliyev më vonë i kërkoi falje presidentit rus Vladimir Putin dhe ofroi të kompensonte familjet e ushtarëve.

Kostoja e luftës

Që nga 27 shtatori, “numri zyrtar i vdekjeve ishte rritur në rreth 400″, pasi Ministria e Shëndetësisë e Azerbajxhanit raportoi se 192 nga ushtarët e saj u vranë gjatë ofensivës ushtarake 24-orëshe. Veçmas, një shpërthim i një depoje karburanti në Askeran (Asgaran) më 25 shtator, vrau 68 dhe plagosi 290 banorë që prisnin në radhë për të furnizuar me karburant. Më herët, autoritetet në Nagorni-Karabakh konfirmuan se të paktën 200 njerëz u vranë dhe mbi 400 u plagosën si rezultat i ofensivës ushtarake. Nga të vrarët, të paktën 10 raportohet se ishin civilë, duke përfshirë pesë fëmijë.

Më në fund paqe?

Në një fjalim televiziv më 20 shtator, presidenti Ilham Aliyev tha: “Ne synojmë të ndërtojmë një jetë së bashku të bazuar në paqe, mirëkuptimin dhe respektin reciprok. Ne nuk kemi probleme me popullin armen. Nuk kemi armiqësi.”

Të nesërmen, duke iu drejtuar vendit të tij me rastin e ditës së pavarësisë së Armenisë, kryeministri Nikol Pashinyan foli gjithashtu për paqen dhe rrugën e vështirë që të çon drejt saj: “Në verën e vitit 2021, me votën tuaj, u zgjodha kryeministër me moton “Ka një të ardhme”. E ardhmja paqësore, demokratike, e begatë, krijuese dhe e lumtur e Republikës së Armenisë është qëllimi për të cilin ne i durojmë këto sprova, për të cilat ne ecim në këtë rrugë.”

Me ndryshimin e valëve në marrëdhëniet e vendeve dhe të dy liderët që flasin për paqen, aktivistët rajonalë nuk e kanë përjashtuar që natyra e ndërtimit tradicional të paqes ka ndryshuar me këtë luftë dhe se është koha për të rimenduar qasjet për ndërtimin e paqes midis aktivistëve qytetarë të cilët janë margjinalizuar dhe etiketuar si tradhtarë. Kjo, si dhe trajtimi i dobët i aktivistëve kundër luftës, shtron pyetjen: Sa i përkushtuar është Azerbajxhani për paqen? Që nga 22 shtatori, të paktën pesë aktivistë nga Azerbajxhani që u shprehën kundër ofensivës ushtarake u arrestuan.

Në buletinin javor, autorët e OC Media Ismi Aghayev dhe Arshaluys Barseghyan shkruan: “Pavarësisht se çfarë ndodh, status quo-ja e Nagorni-Karabakut është thyer përmes të njëjtit cikël dhune dhe propagande që ka përcaktuar konfliktin për 30 vjet – një status quo që nuk la vend për shërim apo dialog paqësor.”

Nis komentet

Autorë, ju lutem hyr »

Rregullat

  • Të gjitha komentet lexohen nga moderatori. Mos dërgo të njëjtin koment më shumë se një herë pasi mund të konsiderohet spam.
  • Respekto të tjerët. Komentet me gjuhë urrejtjeje, të pahijshme dhe sulme personale nuk do të miratohen.