Google dhe Meta, zakonisht të referuara si duopoli i internetit, dominojnë aksesin online në informacion. Në një përballje të fundit me autoritetet, këta gjigantë të teknologjisë kanë vendosur të bllokojnë lajmet në rrjetet e tyre në Kanada si përgjigje ndaj një ligji të ri që detyron pagesat për botuesit e lajmeve.
Vendimi përkon me sfidat më të gjera me të cilat përballet industria e medias në mbarë botën, si rënia e të ardhurave nga reklamat dhe varësia e madhe nga rrjetet sociale për të patur sa më shumë lexues.
Në rajonin e Lindjes së Mesme dhe Afrikës së Veriut (LMAV), për shembull, marrëdhënia në zhvillim e Facebook me industrinë e lajmeve, rregullimet e algoritmeve dhe pasojat e tyre në mediat lokale shtojnë kompleksitetin në peizazhin e shpërndarjes së lajmeve, veçanërisht duke prekur botuesit më të vegjël dhe të pavarur.
Marrëdhëniet e pasigurta të Facebook me industrinë e lajmeve
Meta, kompania mëmë e Facebook dhe Instagram, është përballur me kritika të shumta për përhapjen e lajmeve të rreme dhe gjuhës së urrejtjes. Tërheqja e fundit nga lajmet është pjesë e një ndryshimi më të gjerë drejt prioritetit për përmbajtjen e krijuar nga përdoruesit. Megjithatë, kjo nuk është hera e parë që Facebook është lëkundur mbi rolin që duhet të luajnë lajmet në platformë. Pasi shkoi deri në bashkëpunimin e ngushtë me industrinë e lajmeve, duke injektuar miliona fonde dhe duke ofruar trajnime për median përmes Projektit të Gazetarisë, Facebook u kthye prapa.
Në vitin 2018, nën presionin publik dhe rregullator, Mark Zuckerberg njoftoi fillimisht se do të “bënin një ndryshim të madh në mënyrën se si ndërtohet Facebook”, duke rezultuar që përdoruesit të shohin më pak përmbajtje publike, të tilla si postime nga bizneset dhe mediat. Me kalimin e viteve, platforma ka qenë jashtëzakonisht e paqartë se kur dhe si e ndryshon algoritmin e saj, grupin e rregullave që përcaktojnë se cilat postime shihen në atë që dikur quhej newsfeed, seksioni i tij qendror i veçorive. U riemërua “Feed” në shkurt 2022.
Echobox, një kompani e menaxhimit të mediave sociale, raportoi se ndryshimi më i fundit i rëndësishëm i algoritmit të Facebook ndodhi në shkurt 2023 dhe u përshpejtua në maj 2023. Ky ndryshim ndikoi që përmbajtja nga faqet e botuesve pothuajse të zhdukej nga burimet e përdoruesve. Ky ndryshim i papritur reduktoi ndjeshëm vizitat në faqet e internetit të mediave, duke ndikuar në mënyrë disproporcionale audiencën dhe botuesit në Jugun Global, duke përfshirë rajonin LMAV. Këto rajone mbështeten shumë në referimet e mediave sociale për qasje në lajme.
Ndikimi disproporcional i Facebook në rajon
Mediat sociale janë gjerësisht të njohura në rajon. Pavarësisht rritjes së platformave të reja si TikTok, Instagram dhe Snapchat, Facebook mbetet një forcë kryesore në rajonin LMAV. Për shume, ai përfaqëson vetë internetin. Arabishtja është gjuha e tretë më e përdorur në platformë. Në një sondazh në LMAV në vitin 2022, rreth 72 për qind e të anketuarve raportuan përdorimin e përditshëm të Facebook. Veçanërisht, Libia (100 për qind), Emiratet e Bashkuara Arabe (93 për qind) dhe Katari (90 për qind) kanë një prani jashtëzakonisht të lartë në Facebook në krahasim me popullsinë e tyre. Egjipti, Maroku dhe Algjeria renditen gjithashtu në 10 vendet e para për bazën e përdoruesve të Facebook me rritjen më të shpejtë.
Një peizazh mediatik më i cenueshëm
Ndryshe nga kolegët e tyre perëndimorë në mjedise më të favorshme, mediat në rajonin e LMAV kanë luftuar prej kohësh me sfida të tilla si dixhitalizimi, burimet e kufizuara dhe shtypja politike. Këto pengesa unike e kanë bërë raportimin dhe mbijetesën e tyre të brishtë. Në një peizazh gjithnjë e më të dobët të lajmeve dixhitale, botuesit e gjejnë veten në mëshirën e platformave të palëve të treta, ku ndryshimet e algoritmeve përtej kontrollit të tyre kanë çuar në formësimin e lajmeve dhe në disa raste, pushime nga puna apo edhe falimentim të biznesit.
Kamel, themeluesi i Raimh Post, një media lokale e lajmeve në internet që mbulon një rajon të largët të margjinalizuar në Jemen, i tregoi Global Voices pasojat e papritura të këtyre ndryshimeve:
Gjatë natës, pa paralajmërime, njohuri dhe përgatitje, përmbajtja jonë nuk u shfaq më në Facebook, kanali ynë kryesor i shpërndarjes. Ne kemi humbur afro 80 për qind të audiencës sonë që vinin nga Facebook në faqen tonë të internetit. Është shumë frustruese. Jemi në krizë pasi kemi humbur audiencën dhe biznesin tonë.
Paguani ose nuk do të shiheni nga audienca juaj
Në një lojë klasike komerciale, Facebook fillimisht mundësoi shtrirje organike për përmbajtjen e lajmeve, duke u bërë i domosdoshëm, përpara se të vendoste një çmim për shikueshmërinë. Përmbajtja e lajmeve që dikur shfaqej organikisht në burimet e përdoruesve, tani duhet të sponsorizohet për të patur një shans për t'u parë. Për më tepër, postimet me lidhje të jashtme reduktohen pasi Facebook synon të mbajë përdoruesit brenda platformës së tij.
Ky ndryshim ka irrituar përdoruesit si Hassen, një i ri algjerian i papunë, i cili tha për Global Voices: “Facebook duhet të na pyesë se çfarë duam të shohim. Dikur ndiqja përditësimet nga mediat dhe organizatat ndërkombëtare që postonin mundësi për punë, trajnime dhe burime mësimore, etj. Vura re se ato nuk më shfaqen më. Unë shoh vetëm postime nga miqtë, që shpesh nuk janë shumë interesante apo të dobishme.”
Teksa faqet e internetit më të mëdha, shpesh të financuara nga shtetet ose subjektet politike, kanë më shumë kapacitet për t'u përshtatur dhe për të paguar për të promovuar përmbajtjen e tyre, ndikimi është më dramatik për botuesit e vegjël të pavarur për shkak të burimeve të tyre të kufizuara.
Wael Sharhah, themeluesi i Awafi, një redaksi jofitimprurëse në Jemen për edukimin mbi shëndetin publik, kritikoi shtytjen agresive të Facebook për të tarifuar për përmbajtjen që dikur ishte e aksesueshme lirisht. Ai i tha Global Voices:
Është shumë agresive dhe e papërgjegjshme nga Facebook të na shtyjë tani të paguajmë për atë që dikur ishte falas. Ne po krijojmë vlerën sociale të platformës duke fuqizuar publikun me informacion. Ne ishim në vështirësi, në rajonin tonë është më e vështirë të gjenerojmë të ardhura dhe të raportojmë në mënyrë të pavarur.
TikTok-izimi i Facebook
Që nga fillimi i internetit, përmbajtja e shkruar ka qenë mjeti kryesor për përcjelljen e informacionit. Sipas Raportit të Lajmeve Dixhitale të Reuters 2023, shumica e përdoruesve online në mbarë botën ende preferojnë leximin e lajmeve sesa shikimin ose dëgjimin e tyre pasi ato ofrojnë akses më të shpejtë dhe më të përshtatshëm në informacion.
Megjithatë, zakonet e brezave të rinj, që janë rritur me mediat sociale dhe telefonat inteligjentë që mundësojnë krijimin dhe ndarjen e lehtë të videove, kanë evoluar. Ata tani konsumojnë një numër dukshëm më të madh videosh të shkurtra, të paraqitura shpesh nga ndikues dhe jo nga gazetarë tradicionalë. Ky ndryshim ka nxitur suksesin e rrjeteve sociale më të orientuara nga vizualiteti si YouTube, Instagram dhe së fundmi TikTok, në kontrast me rrjetet më të përqendruara në tekst si Facebook ose Twitter.
Si përgjigje, Facebook dhe Instagram kanë promovuar në mënyrë agresive përmbajtje video me format të shkurtër, duke modifikuar algoritmet e tyre për t'i dhënë përparësi videos mbi përmbajtjen e bazuar në tekst. Zvogëlimi i artikujve me tekst ka ndikuar për keq te botuesit. Shumë gazetarë kritikojnë vlerën e videove të shkurtra, duke shprehur shqetësime se TikTok-izimi i lajmeve banalizon çështje të rëndësishme.
Mabrouka Khedir, kreu i Cosmos Media, një media dixhitale tuniziane që fokusohet te mjedisi, theksoi sfidat e ofrimit të kontekstit dhe shpjegimit të historive komplekse në video të shkurtra. Ajo tha për Global Voices: “Lajmet e shkruara ndihmojnë në përcjelljen e kompleksitetit dhe detajeve më të mëdha. Tashmë jemi të lodhur dhe duhen shumë më tepër burime për të krijuar një video të mirë në krahasim me tekstin.”
Çështja më e thellë: Mbështetja e shtypit të lirë në kontekste sfiduese
Ndërsa të ardhurat nga reklamat dhe audienca po zhvendoseshin gjithnjë e më shumë drejt platformave të mediave sociale, shumë media lokale po luftojnë për të mbijetuar, disa tashmë janë zhdukur. Në mjedisin shumë represiv të LMAV, ekziston rreziku që rajonet të kthehen në “shkretëtirë lajmesh”, ku nuk ka informacion të lirë, të pavarur dhe shkeljet e të drejtave të njeriut nuk raportohen.
Shumica e vendeve të LMAV janë në fund të indeksit global të lirisë së shprehjes të RSF. Megjithë popullsinë e tyre kryesisht të re në moshë dhe dëshirën e grave për të marrë pjesë, ka një mungesë të platformave lokale që mund të përforcojnë zërat e tyre dhe të kontribuojnë në formësimin e politikave publike.
Debati i vazhdueshëm rreth përgjegjësisë së platformave të rrjeteve sociale dhe industrisë së medias nxjerr në pah një çështje shumë më të thellë globale. Shoqëritë në të gjithë botën, veçanërisht në kontekste konflikti, po përballen me rëndësinë themelore të mbrojtjes së lirisë së shtypit. Liria e shtypit është themeli i demokracisë, paqes dhe zhvillimit.