Debate në Turqi për një tjetër serial televiziv

Foto nga Arzu Geybullayeva

Kizil Goncalar (Gonxhet rozë) është një serial i ri televiziv turk rreth jetës së Levent (Özcan Deniz), një mjek sekular qemalist dhe Meryem (Özgü Namal), një grua e përfshirë thellë në sektin e saj fetar. Por jo vetëm. Seriali ka të bëjë gjithashtu me kultet fetare të Turqisë – një çështje mjaft e ndjeshme në një vend ku ka rreth 30 komunitete dhe sekte fetare, sipas raporteve ekzistuese.

Nuk është për t'u habitur që si rezultat, pas episodit të parë të transmetuar më 18 dhjetor, pati debate dhe indinjatë. Shikuesit i bënë thirrje producentëve të anulojnë serialin dhe posterat u spërkatën me bojë të zezë. Mediat pro-qeveritare e akuzuan serialin si islamafob dhe së fundmi u njoftua se do të anulohen lejet e vendeve të xhirimit për episodet e ardhshme.

Ishte në shënjestër. Në Shişli (lagje në Stamboll) u spërkat bojë mbi posterin e Kizil Goncalar.

Këshilli i Lartë i Radios dhe Televizionit (RTUK) tha se po shqyrtonte të gjitha ankesat e dërguara nga shikuesit. Kryetari Ebubekir Sahin, tha se “një proces rigoroz shqyrtimi është duke u zhvilluar për FOX TV [kanali ku u transmetua seriali].” Kjo nuk është hera e parë që një kanal televiziv turk përballet me penalitete për një serial televiziv.

Sekti fetar veçanërisht i zëshëm në kritikat e serialit është Vëllazëria Ismailağa. Është një nga komunitetet më të përhapura që përfaqëson traditën Naqshbandi në Turqi, me mbi njëqind mijë anëtarë dhe mbështetës. Sipas gazetës turke Milliyet, nga rreth 4.5 milionë njerëz të lidhur me komunitetet e ndryshme Naqshbandi në Turqi, deri në 7.2 për qind janë të lidhur me komunitetin İsmailağa […] Ai njihet gjithashtu si “Çarşamba Cemaati”, duke iu referuar lagjes Çarşamba në Fatih të Stambollit. Vëllazëria vlerësohet aq shumë nga qeveria, sa që në qershor 2022, presidenti Recep Tayyip Erdoğan mori pjesë në funeralin e themeluesit të Vëllazërisë İsmailağa, Mahmut Ustaosmanoğlu, duke thënë se  ai ishte një njeri me “dije dhe urtësi të përjetshme”. Presidenti ndau gjithashtu një video nga funerali përmes X, ish Twitter.

Vëllazëria është veçanërisht e rreptë ndaj grave. Për shembull, nuk i lejon vajzat të studiojnë dhe vendos kufizime të shumta. Në vitin 2017, kanali televiziv i Vëllazërisë turbulloi imazhet e grave që nuk mbanin shami gjatë një reklame për shërbimin publik nga Ministria e Punës dhe Sigurimeve Shoqërore. Sipas raportimit të Diken, një platformë lajmesh në internet, “ekziston gjithashtu një kërkesë që të mos ketë aktore në produksionet e tyre apo në prodhimet e huaja. Deri më sot, asnjë fytyrë femre nuk është shfaqur në kanalin televiziv.”

Në dhjetor 2022, vëllazëria u vu në qendër të vëmendjes për një skandal të një fëmije-nuse që tronditi Turqinë deri në palcë. Njëri prej anëtarëve të vëllazërisë, Yusuf Ziya Gümüşel, i cili ishte gjithashtu themelues i një fondacioni të lidhur me vëllazërinë, martoi vajzën e tij gjashtëvjeçare (e njohur vetëm me inicialet e saj HKG) me një burrë 29-vjeçar, 18 vjet më parë. Ngjarja u raportua fillimisht nga gazetarët Timur Soykan dhe Murat Agirel, të cilët paraqitën prova se fëmija ishte subjekt i abuzimit seksual që në moshën gjashtë vjeçare. Gazetarët u përballën me një fushatë të shënjestruar, ku disa madje u kërkonin zyrtarëve të nisnin një hetim dhe t'i dënonin.

Seriali gjithashtu pasqyron edhe një pjesë të kësaj. Në episodin e parë, një anëtar i sektit e quan gruan me shami në kokë që jep mësim në një shkollë fetare “të pafe”. Episodi tregoi gjithashtu se dhuna ndaj fëmijëve dhe martesat e fëmijëve janë të zakonshme.

Por shfaqja merr një kthesë dramatike ndërsa Meryem, e cila ka qenë fëmijë-nuse, lufton për të parandaluar që vajza e saj Zeynep të detyrohet të martohet me djalin e udhëheqësit të urdhrit.

Reagimet ndaj kritikave në serial ishin të shpejta. Në një shkrim për Gazete Duvar, Aylin Dağsalgüler shkroi: “Nëse seriali do të vazhdojë të tregojë historitë e vajzave të martuara në moshë të re, vajzave që nuk dërgohen në shkollë, vajzave dhe djemve që janë të abuzuar, nëse do të vazhdojë të tregojë historitë e Merjemes dhe vajzës së saj, ajo që duhet të diskutojmë është se pse këto gjëra nuk mund të parandalohen në atmosferën politike të vendit.”

“Këto histori [të dhunës, martesat e hershme] janë të zakonshme në familjet fetare,” tha Ayse Cavdar në një intervistë për DW. “Nëse ata që thonë se këto gjëra janë të gabuara, kjo do të thotë se perceptohet si e tillë edhe në këndvështrimin e tyre. Përndryshe, pse nuk do të donin që kjo të shihej. Kjo është për shkak se ata e dinë se është e gabuar. Por ata nuk mund të ndryshojnë asgjë, sepse këtë e kërkon hegjemonia brenda fesë”, tha Cavdar.

Shkrimtari Abdullah Naci shkroi në X se e kishte të vështirë të kuptonte reagimin negativ ndaj serialit. “Miqtë, besimtarët, ashtu si laikët hanë ushqim, bien në dashuri, herë tradhtojnë partneren, herë gënjejnë. Dhe që ekzistenca e atyre që nuk bëjnë asgjë nga këto, nuk e ndryshon realitetin dhe as nuk i detyron skenaristët të marrin parasysh këtë të fundit.”

Në një intervistë të fundit, producenti i serialit, Faruk Turgut, tha se ai reflekton mbi realitetet e kulteve në Turqi. “Ky është realiteti i Turqisë. Përplasja mes laikëve dhe besimtarëve. Është realiteti sociologjik i Turqisë”, tha producenti. Ndërkohë, kompania e prodhimit, Gold Film, ndau një deklaratë përmes X duke thënë se as seriali dhe as personazhet nuk bazoheshin në njerëz apo organizata të vërteta dhe se e gjitha ishte trillim. “Nuk është qëllimi ynë të synojmë grupe specifike brenda komunitetit ose të denigrojmë ndonjë fe apo vlerë.”

“Qëllimi ynë është të tregojmë se si nga njëra anë, një grup, duke abuzuar me gjykimet e veta vlerësuese, bën kërdinë, ndërsa një grup tjetër, me botëkuptime të ndryshme, gjen një gjuhë të përbashkët në jetë me qëllime të mira në zemër. Seriali ynë u krijua për të patur një pasqyrë për segmentin e një shoqërie që arrin të jetojë së bashku pavarësisht nga të gjitha dallimet e tyre.”

Në një vend thellësisht të ndarë mes njerëzve laikë dhe myslimanëve të devotshëm, seriali shkaktoi trazira. Pyetja mbetet nëse, këtë herë, një serial mund të bëjë ndryshim në shoqërinë e gjerë. Duke pasur parasysh reagimet, ka të ngjarë që jo.

Nis komentet

Autorë, ju lutem hyr »

Rregullat

  • Të gjitha komentet lexohen nga moderatori. Mos dërgo të njëjtin koment më shumë se një herë pasi mund të konsiderohet spam.
  • Respekto të tjerët. Komentet me gjuhë urrejtjeje, të pahijshme dhe sulme personale nuk do të miratohen.