Targat e makinave sjellin tensione të reja mes Kosovës dhe Serbisë pasi ndërmjetësimi i BE-së dështoi

Një makinë me targa të Kosovës. Foto nga Andy Mabbett nëpërmjet Wikimedia Commons, CC BY-SA 3.0.

Mosmarrëveshja për vendimin e marrë nga qeveria e Kosovës për ndalimin e targave të lëshuara nga Serbia vazhdon.

Përfaqësuesi i lartë i BE-së, Josep Borrell, zhvilloi bisedime të pasuksesshme të hënën, më 21 nëntor, në Bruksel me presidentin serb Aleksandar Vuçiç dhe kryeministrin e Kosovës Albin Kurti, në përpjekje për të zgjidhur mosmarrëveshjen për targat e automjeteve.

“Pas shumë orësh diskutimi … dy palët nuk ranë dakord për një zgjidhje,” tha Borrell. Kryediplomati i BE-së tha se ishte paraqitur një propozim që mund të shmangte “situatën e rrezikshme” aktuale, të cilin presidenti Vuçiç e kishte pranuar, por, “për fat të keq, kryeministri Kurti nuk e pranoi”.

Një ndërhyrje diplomatike evropiane nuk ka arritur të zgjidhë një mosmarrëveshje të rrezikshme midis Serbisë dhe Kosovës për targat e makinave, teksa Brukseli fajëson Prishtinën për ngërçin.

Borrell tha se Kosova duke refuzuar propozimin dërgoi një “sinjal politik shumë negativ”.

Kurti ndërkaq fajësoi Borrellin se është fokusuar vetëm te targat, në vend që të përqëndrohet te normalizimi i plotë i marrëdhënieve ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës. Edhe presidentja e Kosovës Vjosa Osmani hodhi poshtë akuzat në Facebook, duke thënë se “ajo që pamë sot nga zoti Borrell ishte njëanshmëri e ekspozuar hapur, akomodim i agresorit dhe prezantim i një realiteti krejtësisht të deformuar”.

Pas dështimit të arritjes së marrëveshjes me Kosovën, presidenti serb Vuçiç postoi një video në Twitter, duke thënë: “Ne mbrojmë paqen, jetët e njerëzve dhe stabilitetin e gjithë rajonit”.

Teksti i postimit në Twitter: “Ne mbrojmë paqen, jetët e njerëzve dhe stabilitetin e të gjithë rajonit.”

Vuçiç duke folur në video: “Jam krenar për faktin se delegacioni i Serbisë erdhi në Bruksel me qëllim të qartë për të biseduar dhe bërë marrëveshje, për të rënë dakord për kompromise, për të mos u kapur për detaje të vogla dhe pothuajse me çdo kusht të bëhen përpjekje për të ruajtur paqen, jetët e njerëzve dhe stabilitetin e të gjithë rajonit. Nuk më vjen turp për këtë. Ne vepruam me përgjegjësi dhe racionalitet, sepse ne mendojmë se asnjë nënë, motër apo bashkëshort nuk do që [të dashurit e tyre] të kthehen në arkivole. Ne e konsideruam të rëndësishme të japim gjithçka, të pranojmë zgjidhje kompromisi. Ne dhamë gjithçka, në shumë raste, duke pranuar gjithnjë e më shumë kërkesa të reja. Mund të flasim më shumë, të hapim të gjitha çështjet, por ajo që duhet të bëjmë është të zbatojmë atë që tashmë është nënshkruar. Është më mirë të flasësh njëqind vjet sesa të kesh një ditë konflikt.

Qeveria në Prishtinë argumenton se targat që i përkasin kohës që para luftës së vitit 1999 për pavarësi nga Serbia nuk mund të jenë më të vlefshme. Autoritetet thonë se 50,000 serbët në veri të Kosovës, të cilët pranojnë vetëm institucionet vendore serbe, tani duhet të përdorin targat e Kosovës.

Policia e Kosovës duhej vendoste gjoba prej 150 eurosh për mbajtësit e targave të Serbisë nga ora 7 e mëngjesit të së martës, 22 nëntor.

Por, në një kthesë të ngjarjeve, SHBA ndërhyri dhe kërkoi një shtyrje prej 48 orësh në zbatimin e vendimit, të cilën kryeministri i Kosovës Albin Kurti e pranoi.

Falenderoj ambasadorin Hovenier për angazhimin dhe përfshirjen e tij. E pranoj kërkesën e tij për shtyrje për 48 orë të vendosjes së gjobave për targat e jashtëligjshme “KM” (dhe të tjera). Jam i lumtur që do të punoj me SHBA-në dhe BE-në për të gjetur një zgjidhje gjatë dy ditëve të ardhshme.

Ku qëndron thelbi i mosmarrëveshjeve?

Çështja e targave të makinave është objekt kundërshtimi që prej kohësh nga serbët vendorë që preferojnë të përdorin targat e dhëna nga Beogradi dhe që Kosova i konsideron të jashtëligjshme. Mosmarrëveshja solli disa përplasje gjatë verës.

Tensioni daton te lufta e fundit të viteve ’90, pas së cilës Kosova shpalli pavarësinë në 2008-ën. Serbia nuk e njeh sovranitetin e ish-provincës së saj. Prishtina dhe Beogradi kanë tentuar të negociojnë për çështje teknike në dialogun e udhëhequr nga BE që nga 2011.

Në gusht BE mundësoi arritjen e një marrëveshjeje për lëvizjen e lirë mes Kosovës dhe Serbisë, me synimin për uljen e tensioneve, pas disa episodeve të dhunshme. Por situata u përkeqësua. Më herët gjatë këtij muaji, serbët e Kosovës dhanë dorëheqjen nga pozicionet e tyre si deputetë, kryetarë komunash, punonjës të policisë dhe drejtësisë, gjatë një proteste të koordinuar, në kundërshtim me marrëveshjet e arritura mes Serbisë dhe Kosovës në Bruksel.

“Përshkallëzimi duhet të shmanget”

Pas takimit të Brukselit, Borrel tha se do të informonte shtetet anëtare të BE-së për “mungesën e respektit për detyrimet e tyre ndërkombëtare” nga dy vendet dhe paralajmëroi se, duke patur parasysh angazhimin e tyre për t’iu bashkuar bllokut europian, ata duhet të veprojnë si duhet. Ai informoi edhe kreun e NATO-s, Jens Stoltenberg për dështimin në arritjen e një marrëveshjeje mes Kosovës dhe Serbisë.

E informova @NATO SG @jensstoltenberg për rezultatin zhgënjyes të takimit të sotëm të nivelit të lartë të ndërmjetësuar nga BE-ja ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës. Përshkallëzimi duhet të shmanget. BE dhe NATO mbeten të koordinuara, gjithashtu në terren. @EULEXKosovo po monitoron nga afër.

Rreth 3,700 forca paqeruajtëse të NATO-s janë të dislokuara në Kosovë në kuadër të misionit të KFor për të parandaluar tensionimet e situatës. Stoltenberg bëri thirrje për zgjidhje pragmatike teksa tha se NATO është vigjilente.

Fola me @JosepBorrellF. Jemi të zhgënjyer që nuk ishte e mundur të zgjidhej mosmarrëveshja e targave. Tani është koha për përgjegjësi dhe zgjidhje pragmatike. Përshkallëzimi duhet të shmanget. @NATO_KFOR mbetet vigjilent.

Nis komentet

Autorë, ju lutem hyr »

Rregullat

  • Të gjitha komentet lexohen nga moderatori. Mos dërgo të njëjtin koment më shumë se një herë pasi mund të konsiderohet spam.
  • Respekto të tjerët. Komentet me gjuhë urrejtjeje, të pahijshme dhe sulme personale nuk do të miratohen.