Rruga e njerëzve nga Azia Qendrore drejt ëndrrës amerikane është plot rreziqe

Emigranti nga Kirgistani, Asan Bagyshev, duke treguar një histori të sfidave në qytetin meksikan Tijuana, rrugës për në SHBA. Pamje nga kanali Azattyk në YouTube. Përdorim i drejtë.

Më 4 shtator, seksioni kirgiz i Radio Evropa e Lirë/Radio Liberty, Radio Azattyk publikoi një dokumentar rreth migrimit të njerëzve nga Azia Qendrore në SHBA përmes vendeve të Amerikës Latine. Në verën e vitit 2023, një ekip gazetarësh udhëtoi në Meksikë dhe SHBA për të ndjekur një grup njerëzish nga Kazakistani, Kirgistani dhe Uzbekistani në udhëtimin e tyre të gjatë dhe të rrezikshëm për të përmbushur ëndrrën amerikane. Dokumentari shpjegon pse njerëzit vendosin të lëvizin nga vendet e tyre të origjinës, cilat rrugë marrin dhe me çfarë vështirësish dhe rreziqesh përballen gjatë udhëtimit. Nuk ka të dhëna të sakta se sa persona nga Azia Qendrore janë larguar për në SHBA, por është e qartë se numri i tyre po rritet me shpejtësi.

Këtu është dokumentari për migrimin nga Azia Qendrore për në SHBA përmes Amerikës Latine:

Për në Shtetet e Bashkuara përmes Amerikës Qendrore dhe Meksikës

Njerëzit nga Azia Qendrore filluan të udhëtonin nëpër Amerikën Latine për në SHBA katër ose pesë vjet më parë. Numri i tyre është shtuar në mënyrë të vazhdueshme që atëherë dhe është rritur ndjeshëm që nga pushtimi rus i Ukrainës në shkurt 2022. Rusia është shtëpia e disa miliona punëtorëve emigrantë nga Azia Qendrore, shumë prej të cilëve marrin nënshtetësinë ruse për të anashkaluar burokracinë dhe diskriminimin. Që nga fillimi i luftës, autoritetet ruse kanë rekrutuar persona nga Azia Qendrore për në luftë.

Për shkak të luftës, shumë rusë kanë kërkuar azil në Evropë dhe SHBA, duke përmendur kërcënimin e mobilizimit ushtarak dhe formave të tjera të represionit politik. Ata që shkuan në SHBA përmes Meksikës dokumentuan udhëtimet në llogaritë e tyre të mediave sociale me shumë detaje. Pasuan aziatiko-qendrorët me pasaporta ruse, duke kërkuar statusin e refugjatit në SHBA. Në dokumentar, një emigrant kirgiz që fsheh identitetin, në Çikago tregoi se si arriti në SHBA si refugjat. Më parë, ai kishte një pasaportë ruse dhe jetonte në Moskë.

Një dosje e fortë e çështjes nuk është e vetmja gjë që shtetësia ruse u ofron aziatiko-qendrorëve. Rusia dhe Meksika kanë një regjim pa viza, që do të thotë se ata me pasaportë ruse mund të fluturojnë drejtpërdrejt në Meksikë, pa pasur nevojë të përdorin vende të treta për hyrje. Kjo lehtësi logjistike dhe financiare e dhënë nga një pasaportë ruse ka rritur kërkesën për një të tillë në mesin e aziatiko-qendrorëve. Gazetarët kontaktuan një person në Stamboll, i cili premtoi se do të siguronte një pasaportë të rreme ruse për 3000 dollarë. Autoritetet meksikane janë në dijeni të kësaj skeme pasi kanë deportuar disa uzbekë që u përpoqën të hynin në vend me pasaporta të rreme ruse.

Qytetarët e pesë shteteve të Azisë Qendrore, që nuk kanë pasaportë ruse, kanë udhëtime më të gjata, më të rrezikshme dhe më të shtrenjta për në SHBA. Ata fillimisht udhëtojnë në Stamboll, më pas në Madrid dhe më pas në Bogota (Kolumbi), Panama ose Managua (Nikaragua), ku mund të hyjnë pa vizë. Hapi tjetër i udhëtimit të tyre vazhdon me këmbë, varka dhe makina dhe përfshin hyrjen e paligjshme në Honduras dhe Guatemalë dhe më pas në qytetin meksikan të Tapachula.

Ndër rreziqet e udhëtimit janë grabitja ose marrja peng nga kartelet në vendet tranzit, sulmi nga kafshët e egra dhe mbytja në detin e Karaibeve. Një emigrant kazak në dokumentar ndau një histori të trishtuar të një familjeje kirgize prej tre anëtarësh; që të gjithë u mbytën gjatë natës, ndërsa po udhëtonin në det. Një emigrant kirgiz i quajtur Damir tregoi historinë e mbajtjes peng nga karteli për një ditë. Ai u lirua pasi miqtë e tij paguan 1000 dollarë. Këshilla e tij për ata që duan të udhëtojnë në SHBA si ai është: “Mendohu dy herë”.

Një ndjenjë e ngjashme u shpreh nga emigranti uzbek 70-vjeçar Rakhim Babajanov, i cili ka disa muaj që jeton në qytetin meksikan të Reynosa. Pa para dhe pa vend për të jetuar, duke u përpjekur të mos qante, ai tha: “Po ta dija se çfarë më priste në rrugë, nuk do të kisha ardhur sikur të më jepnin flori”.

Të presësh për një takim ose të kalosh përtej kufirit

Pasi mbërrijnë në Meksikë, emigrantët e Azisë Qendrore kanë dy mundësi. E para përfshin regjistrimin në aplikacionin celular CBP1 dhe pritjen e takimit në një nga pikat e kontrollit në kufirin SHBA-Meksikë. Aplikacioni përdoret nga ata që dëshirojnë të mbërrijnë në SHBA si refugjatë. Periudha e pritjes mund të zgjasë disa muaj. Disa emigrantë nga Uzbekistani, në pritje të takimit të tyre në Reynosa afër kufirit me SHBA, nuk mund t'i mbanin lotët kur takuan gazetarët dhe u ankuan se ishin të dëshpëruar. Ata kishin mbetur pa para dhe jetonin në rrugë.

Opsioni i dytë përfshin kalimin e kufirit me ndihmën e “kojotëve”, individë që ndihmojnë emigrantët të hyjnë ilegalisht në SHBA. Edhe pse më i rrezikshëm, ky opsion është ende popullor në mesin e aziatiko-qendrorëve, duke pasur parasysh paqartësinë dhe periudhën e gjatë të pritjes që lidhet me marrjen e statusit të refugjatit. E keqja më e madhe është rreziku i dëbimit dhe ndalimi i hyrjes në SHBA për pesë vitet e ardhshme.

Një emigrant uzbek, i cili kaloi kufirin ilegalisht duke u ngjitur mbi mur, tregoi në dokumentar se ai kishte aplikuar pa sukses për një vizë amerikane nëntë herë. Shumë të tjerë kanë histori të ngjashme për marrjen e disa refuzimeve për aplikimet e tyre për vizë në SHBA. Një tjetër emigrant uzbek që zgjodhi këtë metodë tha se 90 për qind e aziatiko-qendrorëve tashmë në SHBA, e kaluan kufirin ilegalisht. Megjithatë, jo të gjithë ja dalin. Në dhjetor 2021, katër shtetas uzbekë u arrestuan ndërsa përpiqeshin të kalonin në SHBA nga Meksika.

Shtetasit e Azisë Qendrore kanë gjithashtu një dosje më të dobët në krahasim me ata me pasaportë ruse, që do të thotë se ata mund të mos jenë përballur me shtypje të ngjashme politike në vendet e tyre. Në fakt, vetëm një nga migrantët në dokumentar (nga Kazakistani) përmendi represionin politik për largimin nga vendi i tij. Disa emigrantë uzbekë kanë përmendur ndjekjen penale për shkak të homoseksualitetit në Uzbekistan, si arsye për të kërkuar statusin e refugjatit në SHBA.

Të tjerët, shumica absolute, ëndërrojnë të pasurohen dhe të ofrojnë mundësi më të mira jete për fëmijët e tyre duke u zhvendosur në SHBA. Një refugjat politik uzbek zbuloi në dokumentar se shumë emigrantë nga Azia Qendrore blejnë dosjen e tyre për t'ia paraqitur autoriteteve kufitare të SHBA-së ndërsa kërkojnë azil. Këto dosje kushtojnë 2000 dollarë dhe mund t'u shiten disa personave.

Ekspertët në dokumentar bien dakord se një zgjidhje për këtë krizë emigracioni janë kuotat zyrtare të punës, të cilat SHBA mund t'u ofrojnë vendeve të Azisë Qendrore. Megjithatë, çështje të tilla mungojnë në axhendën e bashkëpunimit ndërmjet rajonit dhe SHBA-së. Një zgjidhje tjetër e mundshme është vendosja e pranisë diplomatike në vendet tranzit. Kirgistani po shqyrton aktualisht hapjen e një ambasade në Meksikë.

Këtu është një postim në Instagram me ambasadorin e Kirgistanit në SHBA duke folur për hapjen e një ambasade në Meksikë.

Është e qartë se rreziqet dhe kërcënimet ekzistuese, madje edhe vdekja e mundshme, nuk janë në gjendje të ngadalësojnë emigrimin. Arritja në SHBA mbetet një ëndërr përfundimtare dhe e idealizuar për shumë aziatiko-qendrorë, pavarësisht faktit se disa janë të zhgënjyer pas mbërritjes dhe kthimit në shtëpi. Kjo është ajo që dokumentari tregon qartë. Ndoshta nevojiten më shumë nisma të tilla për të ndihmuar aziatikët që të marrin vendime më të peshuara dhe të vendosin pritshmëri realiste në lidhje me lëvizjen në SHBA.

Nis komentet

Autorë, ju lutem hyr »

Rregullat

  • Të gjitha komentet lexohen nga moderatori. Mos dërgo të njëjtin koment më shumë se një herë pasi mund të konsiderohet spam.
  • Respekto të tjerët. Komentet me gjuhë urrejtjeje, të pahijshme dhe sulme personale nuk do të miratohen.