Një histori nga një kamp i të burgosurve rusë të luftës në Ukrainë

Russian_POWs_Ukraine

Foto nga Khrystyna Burdym, e përdorur me leje.

Ky artikull është pjesë e një serie esesh dhe artikujsh të shkruar nga artistë ukrainas të cilët vendosën të qëndrojnë në Ukrainë pas pushtimit në shkallë të plotë të Rusisë më  24 shkurt 2022Ky serial është prodhuar në bashkëpunim me Shoqatën Folkowisko / Rozstaje.art, falë bashkëfinancimit nga qeveritë e Republikës Çeke, Hungarisë, Polonisë dhe Sllovakisë nëpërmjet një granti nga Fondi Ndërkombëtar i Vishegradit. Misioni i fondit është të avancojë idetë për bashkëpunim të qëndrueshëm rajonal në Evropën Qendrore.  

Ai kishte sy tepër blu. Tiparet e fytyrës ishin të këndshme, edhe pse ishin shtrembëruar pak nga dhimbja. Ai ishte shtrirë në një shtrat spitali, i mbuluar me një batanije leshi deri në qafë. Duart i kishte nën kokë. Ai pranoi të na lejonte ta fotografonim duke tundur kokën; ai nuk donte të fliste. Pikërisht në atë moment, Khrystia, gruaja ime, bëri fotografinë.

Russian_POWs_Ukraine

Foto nga Khrystyna Burdym, e përdorur me leje.

Nëse do ta shihja këtë foto pa kontekst, mund të ndjeja edhe dhembshuri. Por jo këtu dhe jo tani. Ai është një ushtar rus që erdhi në Ukrainë për të më vrarë mua. Mirë, ndoshta jo mua konkretisht, por ai mund të ketë qenë në Bucha, Izium ose Mariupol, mes ushtarëve që qëlluan civilët në pjesën e pasme të kokës. Kur e pamë, ai nuk dukej i rrezikshëm: ai ishte një rob lufte (POW).

Ne e vizituam atë në një kamp infermierie për POW jo larg kufirit perëndimor të Ukrainës. Menjëherë pas fotos, një mjek u kërkoi vizitorëve të largoheshin nga dhoma. Konventa e Gjenevës, të cilën e kam mësuar përmendësh, ofron kujdes mjekësor falas për të burgosurit e luftës.

Neni 15

Konventa e Gjenevës në lidhje me trajtimin e të burgosurve të luftës, neni 15 thotë se: “Pushteti që ndalon të burgosurit e luftës është i detyruar të sigurojë pa pagesë mirëqënien e tyre dhe për kujdesin mjekësor të kërkuar nga gjendja e tyre shëndetësore”.

Një vit më parë, ky kamp ishte një koloni e rregullt penale për të burgosurit ukrainas, por qëllimi i tij u ndryshua shpejt për ta bërë atë një strehim të përkohshëm për mijëra qytetarë rusë. Territori i objektit ka një gardh me tela me gjemba, kulla vrojtimi dhe disa ndërtesa gri jo mbresëlënëse brenda.

Aty isha si përfaqësues i Shtabit Koordinues për Trajtimin e të Burgosurve të Luftës. Kjo është një strukturë ndërinstitucionale ukrainase që merret me shkëmbimin e të burgosurve dhe ndihmën për familjet e tyre. Ne sollëm gazetarë në kamp, ​​kryesisht të huaj, për të treguar kushtet në të cilat Ukraina po mban shtetasit rusë. Nënkryetari i kampit, Roman, e drejtoi grupin rreth territorit si një guidë turistike.

“Atje,” tregoi ai me dorë, “mund të shihni një ndërtesë me baraka ku jetojnë të burgosurit. Dhe përpara është kisha jonë.”

Neni 34 

Neni 34 thotë: “Të burgosurit e luftës gëzojnë liri të plotë në ushtrimin e të drejtave fetare, duke përfshirë pjesëmarrjen në shërbimet e besimit të tyre…”

Pranë kishës ishte një grumbull i vogël rëre. Duke qenë se kjo teknikisht ishte ende një koloni penale, të burgosurit me uniforma blu ngarkuan rërën në karroca dhe e çuan diku tjetër në kamp.

Ne ndoqëm rrugën më tej. Në një mur kishte portrete të hetmanëve ukrainas të epokës së Kozakëve.

“Kjo është që të burgosurit të mësojnë pak historinë e Ukrainës,” buzëqeshi Roman. “Që ata të mësojnë se ukrainasit dhe rusët nuk janë një popull.”

U hap një portë dhe ne u gjendëm në një fushë sportive. Kishte hekura horizontale dhe paralele për stërvitje, plus fusha volejbolli dhe futbolli me stola përreth.

Askush nuk po luante futboll pasi ishte dita e fundit e dimrit dhe ishte ende ftohtë: kishte kaluar një vit e katër ditë që nga fillimi i pushtimit rus në shkallë të plotë të Ukrainës më 24 shkurt 2022.

Roman na çoi më tej për të na treguar kazermat ku flenë të burgosurit. Dhomat ishin të bollshme, me dy rreshta shtretërish të rregulluar mirë. Ata ishin krejtësisht të pastër dhe kishin një erë të këndshme. Nuk kishte hekura në dritare.

Russian_POWs_Ukraine

Foto nga Khrystyna Burdym, e përdorur me leje.

Menjëherë, m'u kujtuan historitë e ukrainasve që u kthyen nga robëria ruse. Njëri prej tyre, Mykhailo, tha: “Nuk kishte asgjë fare – asnjë televizor, asnjë gazetë apo radio, e lëre më telefona. Nuk e dinim as kur ishte ditë dhe kur ishte natë. Dhe ne nuk e dinim orën sepse orët ishin të ndaluara.”

Këto ishin dëshmitë e të liruarve: të burgosurit mbaheshin kryesisht në bodrume pa dritare dhe nuk lejoheshin të dilnin jashtë.

Është e pamundur të verifikohen këto kushte, pasi Rusia nuk lejon as Kryqin e Kuq dhe as gazetarët të hyjnë në vendet ku mbahen të burgosurit ukrainas. Ndërkohë, kampet e të burgosurve në Ukrainë për të burgosurit rusë janë gjithmonë të hapur për grupet e të drejtave të njeriut. Përfaqësues të Komitetit Ndërkombëtar të Kryqit të Kuq dhe grupe të ndryshme gazetarësh e vizitojnë atë pothuajse çdo javë.

Stafi i kampit i rreshtoi të burgosurit jashtë dhe i çoi në një ndërtesë grup pas grupi.

Atje, ato figura u kthyen në një zinxhir njerëzor që shtrihej nga kati i parë deri në katin e tretë, afërsisht njëqind ushtarë rusë të kapur. Ata u ndalën me urdhër, qëndruan përballë një muri me duart e tyre pas shpine dhe gazetarët i kaluan për tu ngjitur lart.

Shkallët ishin aq të ngushta sa gati po preknim të burgosurit.

Mensa është e madhe dhe e gjerë për t'i akomoduar të gjithë. Pas ngrënies, robërit bërtasin në gjuhën ukrainase në kor: “Faleminderit për drekën!” Kjo praktikë mund të jetë arsyeja pse një nga raportet e misionit monitorues të OKB- së përmendi “poshtërimin” e të burgosurve në kamp.

Russian_POWs_Ukraine

Foto nga Khrystyna Burdym, e përdorur me leje.

Isha kurioz të shihja me çfarë ushqeheshin. Mora një porcion tipik: një supë me bizele, sallatë perimesh, makarona me një copë të vogël mishi dhe shumë bukë. Buka është e shijshme: të burgosurit e pjekin vetë. Ata gatuajnë gjithashtu. Ka shumë ushqim, madje ndonjëherë është edhe i shijshëm.

Raportet tregojnë se të burgosurit ukrainas po kthehen 30, 40 apo edhe 50 kilogramë më të dobët se përpara robërisë së tyre në kampet ruse.

Pas drekës, të burgosurit mund të telefonojnë familjet e tyre. Së bashku me disa kameramanë dhe një roje hymë në një dhomë të vogël me telefona. Një djalë, një moskovit, po merrte familjarët për herë të parë që kur u kap rob. Ai ishte shumë i ri, ndoshta rreth 22 vjeç dhe kishte tatuazhe në gjuhën angleze në krahët dhe qafën e tij.

Me shumë mundësi, ai është “i mobilizuar pjesërisht” – në Ukrainë dhe Rusi, kështu i quajmë ata që u mobilizuan nën rekrutimin masiv në ushtrinë ruse në vjeshtën e vitit 2022. Bie telefoni, pastaj një zë gruaje u përgjigj me qetësi. “Përshëndetje!” dhe i burgosuri tha: “Përshëndetje mami!” Ai e pyeti si po kalonte, ajo u përgjigj se babai ishte me COVID, por gjithçka ishte në rregull. Si ishte ai? “Unë jam në robëri,” tha djali dhe filloi të qajë.

Nuk mund të më vijë keq për të. Në fund të fundit, familja e tij e di se ai është gjallë dhe ka mundësi të flasë me të, të paktën, ndonjëherë. Të burgosurit ukrainas nuk e kanë këtë mundësi.

Neni 13

Neni 13: “ Të burgosurit e luftës duhet të trajtohen në çdo kohë në mënyrë njerëzore”.

Gruaja ime, Khristia, po vazhdonte të fotografonte kampin. Çdo herë, ajo u kërkonte leje rusëve të burgosur me mirësjellje në rusisht dhe shtypte butonin vetëm pasi ata ishin dakord.

Russia_POWs_Ukraine

Foto nga Khrystyna Burdym, e përdorur me leje.

Ky sesion fotografik ishte pjesë e projektit të saj mbi frikën. Këtu, në kamp, ​​ajo u përball qëllimisht. Ajo po qëndronte përballë ushtarit të parë rus – një burrë i fortë me uniformë blu – dhe pashë se ishte e frikësuar, por ajo e mblodhi veten dhe bëri foton e parë në Polaroidin e saj të vjetër.

Ne ishim më të shqetësuar në një punishte ku të burgosurit po bënin mobilje për ambiente të jashtme.

Shumë prej tyre mbanin thika të vogla, mjete saldimi dhe objekte të tjera që mund të përdoreshin si armë. Kishte vetëm dy roje në dukje të paarmatosur për dhjetë robër.

“Më besoni,” na siguroi nënkryetari i kampit. “Nuk duhet të shqetësoheni. Ata presin vetëm të shkëmbehen dhe nuk duan të komplikojnë jetën e tyre.”

“Dhe nuk doni t'i lëndoni ata?” Khristia pyeti Romanin, nënkryetarin e kampit.

“Ndoshta dua,” buzëqeshi zyrtari. “Por ka rregulla. Ne jemi një vend i qytetëruar.”

Rregulli i parë i pashkruar në mesin e stafit të Shtabit Koordinues të Ukrainës është të mos pyesin një person për robërinë e tyre. Ukrainasit që kthehen nga robëria në Rusi janë kryesisht të heshtur. Ata shpesh kanë histori të ngjashme për torturimin. Për shembull, ka raporte për një praktikë ku rojet ruse qëndrojnë në dy rreshta dhe detyrojnë një grup të burgosurish ukrainas të ecin mes tyre, ndërsa ata i rrihnin me çfarë mundin. Olexandri, i cili u çlirua nga robëria, tregoi një histori edhe më të tmerrshme: “Më treguan kokat e sapo prera të djemve tanë të vendosur në një armaturë. Një nga rusët tha: ‘Ky është Edik dhe ky është Valera. Ata donin që gjithçka të ishte sipas Konventave të Gjenevës. Dëshironi të ndiqni edhe konventat? Ka vend edhe për një të tretë.”

Në kampin ukrainas, kur u nisëm tashmë kishte rënë nata. Të burgosurit rusë po shikonin TV ukrainas.

Ishte dita ime e fundit e punës në Shtabin Koordinues për Trajtimin e të Burgosurve të Luftës. Një javë më vonë, më 7 mars, u bë shkëmbimi i radhës i të burgosurve. Gjatë këtij shkëmbimi, 130 ukrainas u kthyen nga robëria ruse, ndërsa 90 rusë u kthyen në shtëpi. Kam një shpresë që një ditë, të gjithë qytetarët rusë do të largohen përfundimisht nga Ukraina. Dhe të gjithë ukrainasit do të kthehen në shtëpi.

Në tekst përdoren materiale nga kanali në Telegram i Shtabit Koordinues për Trajtimin e të Burgosurve të Luftës. Shumica e emrave u ndryshuan për arsye sigurie. 

Nis komentet

Autorë, ju lutem hyr »

Rregullat

  • Të gjitha komentet lexohen nga moderatori. Mos dërgo të njëjtin koment më shumë se një herë pasi mund të konsiderohet spam.
  • Respekto të tjerët. Komentet me gjuhë urrejtjeje, të pahijshme dhe sulme personale nuk do të miratohen.