Ky artikull u botua për herë të parë nga Ne nuk jemi numra, më 21 gusht 2023. Është shkruar nga Dana Besaiso. Një version i redaktuar ribotohet këtu, sipas një marrëveshjeje për ndarjen e përmbajtjes. Të gjitha fotot janë nga Instagrami me lejen e fotografit Mohammad Zaanoun.
Ata thonë se mjerimi ngjall artin e madh. Nga poezitë e fuqishme të John Keats për luftën e tij me sëmundjen dhe vdekjen, te Vincent van Gogh, i cili e kanalizoi betejën e tij me sëmundjen mendore në pikturat e tij dramatike dhe intensive, ata që vuajnë mund të fusin emocionet dhe përvojat e tyre në art që ka fuqi dhe kuptim të jashtëzakonshëm për botën. Pyetja dilemë që vjen në mendje është: çfarë ndodh me artin kur mjerimi të mos ekzistojë më?
Mjerimi si normal
View this post on Instagram
Për aq kohë sa mbaj mend, historia ime së bashku me çdo palestinez tjetër ka qenë e mbushur me ngjarje trishtuese. Edhe ata të gëzuarit janë, në një farë mënyre ose në një tjetër, të veshur me mjerim.
Qoftë ajo vajza që po përgatitet për dasmën e saj në Gaza, ajo e re që emigroi për të siguruar një të ardhme më të mirë, apo ajo zonjë shumë e moshuar e ulur në divanin e saj me çelësin e asaj që dikur ishte shtëpia e saj – përpara se forcat izraelite ta dëbonin- varur në gjerdan. Shpresat për t'u kthyer në shtëpi zvogëlohen teksa shikon në televizor sulmet e përsëritura ushtarake izraelite në xhaminë Al-Aksa.
Kur motra ime e madhe, Rasha, u diplomua për master në Mbretërinë e Bashkuar, unë dhe familja ime nuk mund të ishim atje për shkak të kufizimeve të udhëtimit për banorët e Rripit të Gazës. Na u desh ta përjetonim përmes fotove dhe videove. Megjithatë, unë ende e konsideroja veten dhe familjen time me fat që të paktën njëri prej nesh ja doli!
Ndërkohë, shumica e familjeve të miqve të saj ndërkombëtarë arritën të merrnin pjesë, sepse, për ta, ishte aq e lehtë sa prenotimi i një bilete dhe udhëtimi me avion. Ne kishim ëndërruar vetëm të shihnim një aeroplan, e jo më të udhëtonim me një të tillë.
Duke u rritur në rrethana të mjerueshme
View this post on Instagram
Që kur kam lindur, jeta është njollosur nga agonia. Duke u rritur në Gaza, ne dëshmuam shkatërrim, vrasje dhe përshkallëzime të panumërta, që u quajtëm atfal horoob (“fëmijët e luftërave”). Madje bëjmë shaka dhe themi se kemi një “diplomë në luftë”, pasi zyrtarisht i kemi mbijetuar katër agresioneve izraelite, përveç sulmeve të shumta.
Jemi mësuar aq shumë të ecim përpara pas këtyre përshkallëzimeve izraelite, saqë filluam të besojmë se ishte normë. Ne durojmë humbjet, trishtimin dhe pikëllimin tonë dhe vazhdojmë me jetën tonë. Kthehemi në punë apo shkollë me bagazhin e rëndë të emocioneve në shpinë. Jeta duhet të vazhdojë.
Në maj 2021, ne u përballëm me një nga agresionet më të shëmtuara dhe më të tmerrshme izraelite. Sulmi 11-ditor rezultoi në vdekjen e 232 civilëve palestinezë, duke përfshirë 65 fëmijë, mbi 1,900 të plagosur dhe 1,447 njësi banimi në Gaza u shkatërruan, duke lënë shumë të pastrehë.
E konsideroja veten një nga ata me fat në atë kohë. Pas atij përshkallëzimi, unë luftova me fajin e të mbijetuarit – një përgjigje mendore ndaj një ngjarjeje në të cilën dikush tjetër përjeton humbje, por ju jo.
“Pse unë?” do pyesja veten. “Pse mbijetova unë kur kaq shumë nuk mbijetuan?” Këto mendime më përhumbën për një kohë. Unë kisha kaluar secilën nga 11 netët duke i thënë lamtumirën familjes dhe miqve të mi, sepse vdekja ishte shumë afër.
E konsideroja veten me fat sepse nuk humba dikë të afërt, nuk humba shtëpinë dhe identitetin tim.
Dhe më pas, jeta u kthye në normalitet – ose aq normale sa mund të jetë.
Mjerimi është pjesë e jetës sonë të përditshme
View this post on Instagram
Histori të trishta janë të skalitura në ADN-në tonë. Unë u rrita duke dëgjuar historitë e gjyshërve tanë dhe se si ata u zhvendosën nga shtëpitë e tyre gjatë Nakba të vitit 1948 dhe Naksa të vitit 1967. Kam dëgjuar për masakrat e tmerrshme që ndodhën para se të lindja, si masakra e Deir Yassin e vitit 1948, masakra e Sabrës dhe Shatilës e vitit 1982 dhe shumë të tjera.
Këto nuk janë vetëm pjesë e historisë sonë, por më tepër pjesë e jetës sonë të përditshme. Ne përballemi me brutalitetin e pushtimit, qoftë agresioni ndaj Gazës apo shpronësimi dhe spastrimi etnik i palestinezëve në Bregun Perëndimor dhe Jeruzalem, si në lagjen Sheikh Jarrah dhe lagjet Silwan, e të tjera.
U mësova aq shumë me këto histori sa nuk e shihja pamjen më gjerë. Tragjeditë e vazhdueshme dhe të përsëritura që prekin pothuajse të gjithë palestinezët më bënë të humbas perspektivën se kjo jetë nuk është normale.
Nuk është normale që një familje e tërë të hiqet nga regjistri civil sepse të gjithë vdiqën në një bombardim izraelit. Nuk është normale të të mohohet fëmijëria sepse je mbyllur në një burg izraelit që kur ishe 13 vjeç për një krim që nuk e ke kryer, si Ahmed Manasra.
Nuk është normale të jesh i traumatizuar nga zhurma e një dere që mbyllet sepse të kujton zhurmën e bombardimeve. Dhe nuk është normale të humbasësh djalin tënd katërvjeçar, si Tamim Dawood, sepse zemra e tij nuk mund të përballonte zhurmën e F-16-ve që hidhnin bomba mbi fqinjët e tij.
Çfarë do të ndodhë nëse mjerimi zhduket?
View this post on Instagram
Unë po luftoj me frikën se nëse, (inshallah), realiteti palestinez ndryshon për mirë, mund të humbas frymëzimin për të shkruar. Si një person që e ka jetuar jetën e saj në terror të vazhdueshëm, pasioni im për të shkruar buron nga lufta e vazhdueshme për të mbrojtur të drejtat e mia themelore të njeriut.
Pra, pyetja mbetet: A do të jem në gjendje të krijoj histori të lumtura që nuk janë të rrënjosura në mjerimin palestinez? A do të shkruajmë ndonjëherë histori gazmore? Ato që flasin për lumturinë dhe suksesin? Ato ku njerëzit janë vërtet të lumtur pa përmendur fjalën “përkundër”?
A do të shkruaj ndonjëherë një histori për një nënë që shijon dasmën e djalit të saj pa vënë në dukje se kjo ndodhi pavarësisht se forcat izraelite së fundmi ua prishën shtëpinë para syve të tyre?
Unë mund të shpresoj vetëm se do të vijë një ditë kur ne, palestinezët, nuk do të duhet t'i bëjmë më këto pyetje, sepse nuk jemi më të rënduar nga mjerimi. Ne do të mësojmë vetë nëse ka një kompromis përsa i përket krijimtarisë dhe nëse ja vlen.
View this post on Instagram