Turqia bllokon aksesin në dy portale informative në internet

Foto nga Arzu Geybullayeva

Këshilli i Lartë i Radios dhe Televizionit të Turqisë (RTÜK) – mbikëqyrësi kryesor i medias – bllokoi më 30 qershor aksesin në faqet e internetit në turqisht të Deutsche Welle (DW) dhe Zërit të Amerikës (VoA) pasi dy mediat refuzuan të merrnin një licencë transmetuesi. Vendimi vjen disa muaj pasi mbikëqyrësi turk i medias RTÜK tha se do të kërkonte një urdhër gjykate për të bllokuar aksesin në shërbimet në gjuhën turke të DW, VoA dhe Euronews. Njoftimi erdhi pasi të tre refuzuan të aplikonin për një licencë transmetimi brenda periudhës 72-orëshe që mbikëqyrësi dha në shkurt 2022. Në prill, pasi Euronews bëri rregullime në faqen e internetit, RTÜK tërhoqi kërkesën për platformën e lajmeve.

“Vëzhguesi i medias turke RTÜK ka hequr detyrimin e EuroNews për të licencuar faqet e internetit. RTÜK e bazoi vendimin e tij mbi faktin se EuroNews hoqi përmbajtjen që dyshohet se kërkonte një licencë. Procesi ende nuk ka përfunduar për DW dhe VoA.”

Vitet e fundit, RTÜK i janë dhënë kompetenca gjithëpërfshirëse për të kontrolluar përmbajtjen e mediave në internet. Lëvizja nuk ishte e pazakontë, duke pasur parasysh se mbi 90 për qind e mediave kryesore janë në pronësi të kompanive pro-qeveritare.

Përsëri një nivel i ri i ulët! Qeveria turke ndalon Zërin e Amerikës dhe DW në turqisht. Arsyeja ligjore është mungesa e licencimit, arsyeja e vërtetë është që të dyja mediat bëhen burime të rëndësishme informacioni pasi mediat kryesore turke janë marrë nën kontroll nga biznesmenët e Erdoganit.

Yaman Akdeniz, një profesor i së drejtës kibernetike në Universitetin Bilgi të Stambollit, e përshkroi vendimin si “censurë” në një seri postimesh në Twitter që njoftojnë vendimin e gjykatës:

Censura: Gjykata Penale e Paqes e Ankarasë bllokoi faqet e lajmeve të DW dhe VoA.

Si arriti Turqia deri këtu? 

Në shkurt, VoA dhe DW, njoftuan vendimin e tyre për të mos respektuar rregulloret e RTÜK. Në një deklaratë, Zëri i Amerikës tha:

Licencimi është normë për transmetimet në radio dhe TV, sepse spektri i transmetimit është një burim publik i kufizuar dhe qeveritë kanë një përgjegjësi të njohur për të rregulluar spektrin e për të siguruar që ai përdoret në interes të publikut të gjerë. Interneti, në të kundërt, nuk është një burim i kufizuar dhe qëllimi i vetëm i mundshëm i një kërkese licencimi për shpërndarje në interneti është që të mundësojë censurën.

Edhe deklarata e DW ishte në të njëjtën linjë:

Pasi mediat lokale në Turqi i janë nënshtruar rregullave të tilla, tani po bëhet një përpjekje për të kufizuar raportimin e shërbimeve mediatike ndërkombëtare. Kjo lëvizje nuk ka të bëjë me aspektet formale të transmetimit, por me vetë përmbajtjen gazetareske. Ai u jep autoriteteve turke mundësinë për të bllokuar të gjithë shërbimin bazuar në raporte individuale, kritike, nëse këto raporte nuk fshihen. Kjo do të hapte mundësinë e censurës. Ne do të apelojmë kundër këtij vendimi dhe do të ndërmarrim veprime ligjore në gjykatat turke.

Paralajmërimi i lëshuar në shkurt bazohej në një rregullore që hyri në fuqi në gusht 2019 kur shteti i dha RTÜK-së kompetenca për të monitoruar transmetimet në internet (duke filluar nga platformat si Netflix, te transmetimet e rregullta dhe/ose të planifikuara në internet deri te videot amatore), duke i detyruar transmetuesit online të marrin një licencë nga RTÜK.

Në prill 2022, Okan Konuralp, anëtar i Këshillit të RTÜK, duke folur për Bianet, tha se këshilli mund të bllokojë aksesin në DW dhe VoA “nëse Gjykata Penale e Paqes e Ankarasë miraton kërkesën e RTÜK”. Më 30 qershor, gjykata vendosi në favor të ndalimit. Kjo është hera e parë, që fuqitë e RTÜK-së u përdorën për të bllokuar lajmet në internet, tha Can Guleryuzlu, president i Shoqatës së Gazetarëve Progresivë, në një intervistë me VoA.

Duke iu përgjigjur vendimit për ndalimin, drejtori i DW Peter Limbourg tha: “DW do të ndërmarrë veprime ligjore kundër bllokimit,” në një intervistë me Financial Times. Limbourgu tha gjithashtu se në diskutimet e DW me mbikëqyrësin shtetëror, platforma mediatike u përpoq të shpjegonte “pse nuk mundi të përmbushte kërkesën për të marrë një leje, duke përfshirë faktin që mediave të licencuara në Turqi u kërkohet të fshijnë përmbajtjen që mbikëqyrësi i konsideron të papërshtatshme”. DW tashmë është plotësisht e bllokuar në Turqi, duke përfshirë lidhjen e saj në faqen ndërkombëtare.

Ndërkohë, VoA Turqisht informoi në Twitter se si të anashkalohej bllokimi duke përdorur programet Psiphon dhe nthLink:

Kur qasja në përmbajtjen e internetit është e bllokuar, mund të anashkaloni censurën dhe bllokimin dhe të aksesoni përmbajtjen në internet duke përdorur programet dhe aplikacionet “Psiphon” dhe “nthLink”, të cilat kanë marrëveshje edhe me Zërin e Amerikës (VOA).

Amendamentet gjithëpërfshirëse në ligjet kombëtare si dhe mbikëqyrja nga institucionet qeveritare si RTÜK kanë krijuar një mjedis të censurës dixhitale në një vend, të përshkruar nga Komiteti për Mbrojtjen e Gazetarëve (CPJ), si shtet që renditet i gjashti në listen e atyre që burgosin gazetarët, sipas raportit të organizatës nga viti i kaluar. Në vjeshtë, parlamenti do të nisë edhe diskutimet për projektligjin për median, të cilësuar nga kritikët e qeverisë si “projektligji i censurës”.

Nis komentet

Autorë, ju lutem hyr »

Rregullat

  • Të gjitha komentet lexohen nga moderatori. Mos dërgo të njëjtin koment më shumë se një herë pasi mund të konsiderohet spam.
  • Respekto të tjerët. Komentet me gjuhë urrejtjeje, të pahijshme dhe sulme personale nuk do të miratohen.