Reperi uzbek Sharif Abdullaev, i cili njihet me pseudonimin Konsta, më 25 qershor, zuri titujt kryesorë të mediave kur publikoi një këngë të re të quajtur “Xavo” (Air). Në të, Konsta ngre çështjen e degradimit të mjedisit të shkaktuar nga shpyllëzimi, projektet e zhvillimit dhe ndotja e ajrit në kryeqytetin e Uzbekistanit, Tashkent. Reperi ankohet në këngë se nuk është në gjendje “të marrë frymë thellë”, qyteti ndjehet “si një kafaz” dhe gjithçka “e bardhë është bërë gri”. Konsta vëren se shkaku kryesor i këtyre problemeve janë njerëzit, të cilët sillen si dëmtues dhe janë mësuar të presin pemë në vend që t'i mbjellin.
Këtu keni videoklipin e këngës “Xavo”.
“Xavo” është një nga këngët e shumta të Konstas, prodhuar në zhanrin e muzikës që ai e quan “rep i ndërgjegjshëm”. Këngët e Konsta-s përqendrohen në shoqërinë uzbeke, problemet e saj dhe rolin e secilit individ në ngjarjet që zhvillohen. Burimi i tij i frymëzimit është përvoja e tij personale e punës në një pazar në qytetin e lindjes, Guliston në Uzbekistanin lindor dhe si punëtor emigrant në Rusi. Rreth dy milionë qytetarë uzbekë janë punëtorë migrantë në Rusi, ku shpesh i nënshtrohen diskriminimit dhe ngacmimit nga organet e zbatimit të ligjit. Këngët e Konsta-s janë të gjitha në gjuhën uzbeke, megjithëse ai pranon se mund të kishte qenë më popullor nëse do të vazhdonte të shkruante këngë në rusisht. “Jeta ime është e pakuptueshme për rusët. Bota jonë është Uzbekistani”, tha Konsta duke shpjeguar vendimin e tij për të shkruar këngë në gjuhën uzbeke, në një intervistë për Gazeta.uz, një nga mediat më të mëdha në Uzbekistan.
Ja video e plotë e intervistës së Konstas për Gazeta.uz.
Në këngën e tij më të shikuar në YouTube “Odamlar nima deydi?” (Çfarë do të thonë njerëzit?), Konsta trajton çështjen sociale të vendit ku shumë ndiejnë nevojën për të kërkuar miratimin e publikut për vendimet e jetës së tyre personale. Konsta përshkruan mosmiratimin e prindërve për zgjedhjet jokonvencionale profesionale të fëmijëve të tyre dhe presionin që ata ushtrojnë mbi vajzat për të toleruar dhunën në familje dhe jo për t'u divorcuar, për shkak të frikës nga stigma sociale.
Ja videoklipi i këngës “Odamlar nima deydi”.
Në një këngë tjetër që lidhet me presionin social të titulluar “To'y” (Dasma), Konsta shfaqet si një burrë i zakonshëm uzbek, i cili shpenzoi të gjitha paratë që kishte kursyer si punëtor emigrant në Rusi dhe hyri në borxhe për të organizuar një dasmë ekstravagante dhe të madhe. Lëvizja e tij e radhës është të kthehet në Rusi dhe të vazhdojë të jetë punëtor emigrant për të shlyer borxhin e tij. Përmes kësaj kënge, Konsta nxjerr në pah traditën e organizimit të dasmave luksoze që shumica e njerëzve në Uzbekistan nuk mund t'i përballojnë, duke i detyruar ata të hyjnë në borxhe.
Këtu keni videoklipin e këngës “To'y”.
Konsta reagon edhe për skandalet politike në vend. Më 6 mars, ai publikoi një këngë të titulluar “Sariq jiletka” (Jelek i verdhë) në përgjigje të lajmit se autoritetet po planifikonin të detyronin këmbësorët, nxënësit e shkollave dhe çiklistët të veshin jelekë fosforeshentë gjatë natës për të parandaluar aksidentet me makinë. Ministria e Brendshme hodhi poshtë planet, pas një reagimi publik. Në këngë, Konsta shfaqet si një zyrtar i korruptuar që ka këtë ide, që të fitojë para nga shitja e jelekëve dhe të shkojë me pushime në Maldive.
Ja videoklipi i këngës “Sariq jiletka”.
Konsta shquhet mes këngëtarëve uzbekë për krijimtarinë e tij dhe për trajtimin e çështjeve sociale dhe politike. Repi i tij i ndërgjegjshëm është një pasqyrë ku shoqëria uzbeke mund të shohë betejat e saj.
Për një listë të plotë të muzikës së Konsta-s, shihni listën në Spotify të GV-së më poshtë dhe gjithashtu keni këngë të ndryshme në profilin tonë të Spotify.