I sheh këto gjuhë këtu? Ne përkthejmë artikujt e Global Voices për ta bërë gazetarinë qytetare botërore të mundshme për këdo.

Punime artizanale pas hekurave: Gratë e burgosura në Shqipëri krijojnë aksesorë “Made in prison”

Punimet me dorë të të burgosurave, të përfshira në iniciativën Made in Prison në Shqipëri. Foto: madeinprison.al, e përdorur me leje.

Made in Prison” është një faqe interneti ku shiten punimet me dorë të të dënuarave në burgun “Ali Demi” në Tiranë, i vetmi për gratë dhe vajzat në Shqipërinë me popullsi rreth 2.8 milionë banorësh.

Projekti është një nismë e Orkidea, një organizatë joqeveritare lokale, që ndër të tjera merret me promovimin dhe mbrojtjen e të drejtave të grave e vajzave nëpërmjet shërbimeve të drejtpërdrejta. Projekti mbështetet financiarisht nga Ambasada Amerikane në Tiranë. Që nga lançimi më 8 mars 2019, iniciativa është përkrahur edhe nga Ministria e Drejtësisë dhe Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve.

Deri më 12 qershor, të burgosurat kanë bërë 235 punime me dorë, nga të cilat 82 janë shitur për konsumatorët shqiptarë dhe ata jashtë vendit nëpërmjet faqes së internetit, sipas të dhënave të ofruara nga Orkidea.

Të ardhurat e grumbulluara shkojnë në llogaritë bankare personale të artizaneve, produktet e të cilave janë shitur.

Në një dëshmi në faqen e internetit të “Made in Prison”, një e burgosur tregon se si projekti ka ndikuar pozitivisht në jetën e saj:

Unë jam Mira. Jam në burgun e grave prej 2 vitesh e gjysmë. Këtu kam mësuar shumë. Shërbimet që ju po na ofroni po më ndihmojnë të kthej jetën time. Ndjehem si një njeri përsëri. 3 vjet burg ishte dhe është shumë e vështirë, por ju po më ndihmoni ta shoh jetën përsëri me shpresë.

Orkidea aktualisht paguan për materialet e përdorura për krijimin e produkteve, por të burgosurat kanë shprehur dëshirën të mbulojnë një pjesë të kostos në të ardhmen, për ta bërë projektin një biznes të qëndrueshëm.

Më poshtë janë disa nga produktet që shiten në “Made in Prison”:

Kjo çantë:

View this post on Instagram

#Cante #Punimedore kodi 07 Cmimi 4000 L

A post shared by Made in Prison Albania (@madeinprisonalbania) on

Këto vathë:

View this post on Instagram

#Vathe #punimedore Kodi 013 Cmimi 790 L

A post shared by Made in Prison Albania (@madeinprisonalbania) on

Kjo spilë:

View this post on Instagram

#Spile #punimdore Kodi 015 Cmimi 690 L

A post shared by Made in Prison Albania (@madeinprisonalbania) on

Sipas Shoqatës Evropiane të Arsimit në Burgje (EPEA), Shqipëria ka 23 institucione për kryerjen e dënimeve dhe një spital për të burgosurit. “Ali Demi” është i vetmi, ekskluzivisht për gratë dhe vajzat.

Duke përshkruar burgun “Ali Demi”, EPEA thotë:

Nuk ka gangstere të njohura në këtë burg, asnjë rrëmbyese dhe asnjë grua me skandale politike të profilit të lartë. Shumë prej tyre, pa krijuar keqkuptime, janë ‘aksesorë’ të krimeve të kryera nga meshkujt, të cilët mund të jenë bashkëshortët, vëllezërit ose të dashurit e tyre. Krimet më serioze të kryera nga këto gra janë prostitucioni, vjedhjet, mashtrimi (përvetësimi) dhe jo për nga rëndësia e saj, vrasja për shkak të rrethanave familjare.

E shkuara e errët e burgjeve shqiptare

Burgjet e Shqipërisë, kampet e punës dhe internimit gjatë periudhës së komunizmit, shpesh janë përshkruar si vende të tmerrshme.

Për shumë shqiptarë, Spaçi është sinonim i torturës dhe vdekjes. Disidentë të shumtë dhe mijëra persona të tjerë u burgosën këtu para viteve '90. Foto nga: Attila Terbócs (CC BY-SA 4.0)

Njëri prej tyre është burgu i Spaçt, në Qarkun e Lezhës. Sipas Fondit Botëror të Monumenteve, një organizatë për ruajtjen e arkitekturës historike dhe trashëgimisë kulturore:

Burgu i Spaçit ishte një kamp famëkeq pune, i ngritur në vitin 1968 nga qeveria komuniste e Shqipërisë pranë një miniere bakri dhe piriti, në një zonë të largët e malore në qendër të vendit. Teksa ai ishte vetëm një nga shumë të tillë, të burgosurit politikë të mbajtur në Spaç përfshinin disa nga intelektualët më të shquar shqiptarë të shekullit të njëzetë.

Tani, burgu i Spaçit është një vend përkujtimi për vendasit dhe një atraksion turistik.

Sipas Shoqatës së ish-të burgosurve politikë të Shqipërisë, rreth 5577 burra dhe 450 gra u ekzekutuan për krime politike gjatë periudhës komuniste nga viti 1946 deri në 1991. Dhjetëra mijëra u burgosën ose u dërguan në kampet e punës.

Që nga rënia e komunizmit, burgjet shqiptare janë kritikuar për kushtet e këqija, me probleme si mbipopullimi, qasja e kufizuar në dritën natyrale në qeli dhe mungesa e higjienës.

Këshilli i Evropës i ka rekomanduar autoriteteve shqiptare që të shtojnë përpjekjet e tyre për mbrojtjen e të drejtave të të burgosurve dhe për të mbështetur rehabilitimin e tyre.

Nisma Made in Prison synon të ndihmojë në riintegrimin në shoqëri të grave të burgosura, pas lirimit të tyre.

Komento

Autorë, ju lutem hyr »

Rregullat

  • Të gjitha komentet lexohen nga moderatori. Mos dërgo të njëjtin koment më shumë se një herë pasi mund të konsiderohet spam.
  • Respekto të tjerët. Komentet me gjuhë urrejtjeje, të pahijshme dhe sulme personale nuk do të miratohen.