Autoritetet shqiptare hoqën më 5 maj, 35 tabela rrugore në greqisht dhe shqip, të vendosura së fundi në jug të vendit e që shkaktuan debate të ashpra rreth sovranitetit kombëtar dhe pozitës së pakicës greke të Shqipërisë.
Autoriteti Rrugor Shqiptar (ARRSH) tha se tabelat rrugore nuk përmbushnin normat e sigurisë dhe nuk ishin në përputhje me legjislacionin për rendin, madhësinë dhe llojin e shkrimit, sipas të cilit duhet të shfaqen në shqip dhe gjuhët e pakicave. Tabelat rrugore në fjalë kishin shkrimin greqisht të parin, në të verdhë e më ishte ai në shqip.
Shqipëria ka një pakicë greke që përbën 0.9 për qind të popullsisë prej 2.94 milionë banorësh. Ajo është e vendosur në një sipërfaqe prej 5.000 kilometrash katrorë në jug, pranë kufirit me Greqinë. Greqishtja është gjuhë zyrtare në komunat ku popullsia etnike është mbi 20 për qind dhe tabelat rrugore në të dy gjuhët në zona të tilla janë një fenomen i zakonshëm.
Megjithatë kësaj herë, shumë persona u shqetësuan nga tabelat në dy gjuhë. Një përdorues shqiptar i Twitter shkroi:
Ndërsa politika Shqiptare e përçare dhe e korruptuar po destabilizon vendin, Shovinistët Grekë vazhdojnë planin e asimilimit të Jugut. Skandali me tabelat në gjuhën Greke… https://t.co/A3c12IQMJQ
— Everest Haxhi (@everesthaxhi) May 3, 2019
Pati reagime gjithashtu edhe nga ana tjetër e kufirit:
@GreeceMFA @HellenicLeaders @Zemenides @HellenicCouncil @TheAHlinDC @mignatiou @OrderOfAHEPA @Greek_Genocide Albania must stop the multiple illegal acts against the Greek minority. With such actions they will never enter the European Union. https://t.co/tReMUDCQO4
— Κυναίγειρος (@kynegeiros) May 6, 2019
Shqipëria duhet të ndalë veprimet e shumta të paligjshme ndaj minoritetit grek. Me veprime të tilla nuk do të hyjë kurrë në Bashkimin Europian
Kryeministri i Shqipërisë Edi Rama mbështeti deklaratën e ARRSH-së për tabelat që nuk përmbushin standardet e sigurisë rrugore. Ai shtoi se aksioni nuk kishte në shënjestër minoritetin grek, ndërkohë që kritikoi retorikën nacionaliste për rastin në fjalë.
Dua t'u them të gjithë atyre që luajtën kartën ultranacionaliste, duke ngritur alarmin për tabelat rrugore të shkruara në greqisht në një zonë ku jeton pakica greke, se ne jemi një vend evropian dhe kur flasim për Evropën, ne flasim edhe për këtë.
Në Greqi, ministri i jashtëm Jorgos Katrougalos e konsideroi çështjen si teknike dhe jo politike. Ai tha në një intervistë radiofonike më 6 maj:
Είμαστε σε επικοινωνία, μέσω της εκεί Πρεσβείας μας, για να δούμε τι γίνεται. Έχουν προβάλλει ορισμένους ισχυρισμούς ότι οι δίγλωσσες πινακίδες στην Αλβανία πρέπει να έχουν πρώτα την αλβανική γλώσσα, μετά την ελληνική, ορισμένα θέματα αρμοδιότητας. Εμείς προφανώς έχουμε προειδοποιήσει ότι οποιαδήποτε κίνηση, η οποία θα φανεί ότι είναι εναντίον των συμφερόντων της μειονότητάς μας, θα αντιμετωπιστεί με τον τρόπο που προβλέπει το διεθνές Δίκαιο.
Ne jemi në kontakt, përmes ambasadës sonë, për të parë se çfarë po ndodh. Ata kanë thënë se tabelat dygjuhësore në Shqipëri duhet së pari të kenë gjuhën shqipe dhe pastaj greqishten. Patjetër që kemi paralajmëruar se çdo veprim që duket se është kundër interesave të pakicës sonë, do të trajtohet në përputhje me ligjin ndërkombëtar.
Në një intervistë me Agjencinë e Pavarur të Lajmeve të Ballkanit (Independent Balkan News Agency), ish-rektori i Universitetit të Tiranës Shezai Rrokaj tha se gjuha shqipe duhet të renditet e para, e ndjekur nga greqishtja. Ai shpjegoi: “Gjuhët e pakicave duhet të përdoren në nivel lokal dhe nuk mund të veprojnë si gjuhë primare”.
ARRSH filloi të vendosë më 7 maj, tabelat e reja rrugore në zonë me gjuhën shqipe në krye.
Lajmi u shpërnda shpejt – ky përdorues i Twitter e ndau atë me greqishtfolësit e tjerë, në po të njëjtën ditë:
Albania to reinstate bilingual Greek/Albanian roadsigns in the Finiq/Φοινίκη areahttps://t.co/DILnv3Fa1n
— Alex Rawlings (@alex__rawlings) May 7, 2019
Shqipëria do të rivendosë tabelat dygjuhësore rrugore në zonën e Finiqit
Marrëdhëniet Shqipëri-Greqi
Shqipëria dhe Greqia kanë një marrëveshje miqësie dhe rreth 600 mijë shqiptarë kanë emigruar në Greqi gjatë tre dekadave të fundit. Megjithatë, qeveritë e të dyja vendeve janë përpjekur të zgjidhin disa çështje të hapura – siç janë të drejtat e shqiptarëve të dëbuar nga nacionalistët grekë në fund të Luftës së Dytë Botërore (ajo që njihet si Çështja Çame), ose të drejtat e pakicës greke që jeton në Shqipëri.
Në vitin 2016, Shqipëria ra dakord të lejojë Greqinë të ketë varreza në territorin shqiptar për ushtarët grekë që humbën jetën gjatë Luftës së Dytë Botërore. Gjithashtu Tirana zyrtare miratoi një ligj që e bëri greqishten, gjuhë të dytë zyrtare në disa komuna të Shqipërisë.
Ndërkohë, Greqia refuzon të pranojë çështjen çame. Negociatat mbi kufijtë detarë midis dy vendeve janë gjithashtu të bllokuara.
Luftrat e gjuhëve në Ballkan
Politikat e gjuhës nuk janë të pazakonta në Ballkan, veçanërisht kur ngjarjet aktuale nxjerrin në pah përvoja të dhimbshme nga e kaluara.
Në Maqedoninë e Veriut, një ligj i vitit 2008 i bazuar në Marrëveshjen e Ohrit, që i dha fund konfliktit të armatosur të vitit 2001, lejoi përdorimin zyrtar të shqipes dhe të gjuhëve të folura nga më shumë se 20% e popullatës lokale në nivel komunal. Në janar 2018, parlamenti zgjeroi përdorimin e gjuhës shqipe anembanë vendit, gjë që u shoqërua me protesta të zëshme nga partia qeverisëse e kohës, VMRO-DPMNE, me slogane të tilla si “jo dygjuhësisë” dhe “kjo është vija jonë e kuqe.”
Ende ka veprime sporadike të vandalizmit të frymëzuar nga nacionalizmi, siç shihet në foto, ku një tabele rrugore në qendër të kryeqytetit Shkup, shkrimi në shqip i është mbuluar me bojë të zezë.