Si revistat e mjekësisë alternative përcjellin fuqinë e butë të Rusisë në Ballkan

Revistat Doktori rus (Руски доктор), Jeta më e mirë (Бољи живот), Enciklopedia ruse e Shëndetit (Руска енциклопедија здравља) dhe Herbalisti rus (Ruski travar). Foto nga agjencia e lajmeve Meta.mk, CC BY-NC.

Ky është një version i redaktuar i lajmit nga Agjencia e Lajmeve Meta.mk, një projekt i Fondacionit Metamorfoza. Botohet këtu si pjesë e një marrëveshjeje për shkëmbimin e lajmeve.

Doktori rus. Herbalisti rus. Enciklopedia ruse e Shëndetit. Në pikat e shitjes së gazetave nëpër Ballkan, revistat e mjekësisë alternative si këto gjenden kudo.

Ato duket se synojnë të moshuarit. Të paktën gjysma e tyre botohen në Serbi, sipas informacioneve në to dhe më pas shpërndahen në vendet fqinje. Revista Doktori rus, për shembull, ka botime të ndryshme për katër vende.

Pothuajse të gjitha kombinimet e ngjyrave të këtyre revistave imitojnë ato të flamurit rus dhe një version në miniaturë i flamurit shpesh gjendet në logot e tyre ose shfaqet si pjesë e dizajnit të faqeve të brendshme.

Përmbajtja e tyre përfshin këshilla të zakonshme shëndetësore, të tilla si ushtrimi dhe ngrënia e perimeve, por gjithmonë të etiketuara si “këshilla ruse”. “Përpiquni të mos vareni nga njerëzit e tjerë,” thotë një artikull me titull “Këshilla ruse për jetëgjatësi” botuar në Eliksiri rus: Çajra dhe Balsame, “duhet të kesh pasion për diçka. Është e rëndësishme të kesh miq të mirë. Qesh më shumë”.

Presidenti rus Vladimir Putin duket të jetë një model i mbuluar. Për shembull, ai është në faqen e parë të Herbalistit rus #5, së bashku me një artikull të titulluar “Ekskluzive: Terapia me kërpudha e Vladimir Putinit”. Artikulli në të vërtetë flet për përfitimet shëndetësore të kërpudhave, sipas specialistëve rusë. Revista gjithashtu ka një tjetër shkrim me titull “Pse Putin përdor malakit”.

Ndonjëherë, artikujt, pjesë e mençurisë ruse, mund të duket pak të shkëputur nga realiteti i Ballkanit. Herë pas here, ka artikuj mbi përfitimet e çajit bimor që mund të gjendet vetëm në tajgën e Siberisë lindore ose në stepat ruse, ose qumështin e pelës që është përdorur si ilaç tradicional në Yakutia.

Jo të gjitha seksionet e këtyre revistave janë të lidhura me shëndetin. Doktori rus, për shembull, ka një seksion të quajtur Mendjet e ndritura ruse, që sjelll personazhe të famshëm si kozmonautja Valentina Tereshkova. Versioni në maqedonisht përfshin edhe një “horoskop rus”, i cili nuk ndryshon nga horoskopi i zakonshëm.

Logot dhe faqet e brendshme të disa revistave promovojnë simbolet ruse si pjesë e dizajnit të tyre grafik. Foto nga Meta.mk, CC BY.

Ndërsa pjesa më e madhe e përmbajtjes ka kuptimin e përgjithshëm të pranuar, ajo mund të shkaktojnë dëm, kur paraqet mënyra për shërime të paprovuara të sëmundjeve kërcënuese për jetën.

Për shembull, në numrin e pestë të Herbalistit rus, një artikull me titull “Trajtimi rus për hipertensionin në mars” sugjeron vendosjen në trupin e njeriut të jodit gjatë ditëve specifike të muajit si një ilaç për hipertensionin i cili “shoqëton terapinë mjekësore zyrtare”. Disa faqe më tej, një artikull tjetër pohon se një barishte e caktuar mund të “rrisë shanset e shërimit” të kancerit të gjirit, por pa përmendur testimet klinike.

Ndonjëherë këshilla të tilla mund të shkaktojnë edhe dëmtime fizike. Një artikull tjetër në të njëjtin botim parashtron pyetjen: “A mundet që vajguri të eleminojë kancerin?” dhe rekomandon pirjen e tij, duke filluar me disa pika dhe gradualisht duke rritur sasinë e përditshme të lugëve, duke paralajmëruar se “ka pasur raste të efekteve negative dhe vetë helmimit”.

Në vendet me një sistem shëndetësor publik në gjendje jo të mirë, pretendimet e tilla mund të ofrojnë shpresë të rreme te njerëzit që nuk mund të përballojnë trajtim cilësor shëndetësor privat, ndërkohë që herë pas herë e rrezikojnë jetën e tyre. “Çdo sëmundje mund të shërohet!”, shkruan Herbalisti rus në faqen e parë të numrit të parë.

Revistat kanë reklama të produkteve farmaceutike vendore dhe ilaçeve alternative. Ata janë të kujdesshëm për të mbrojtur veten nga përgjegjësia përmes zgjedhjes së kujdesshme të fjalëve dhe me publikimin e deklaratave. Disa nga deklaratat janë: “Tekstet tona kanë vetëm karakter informativ dhe nuk duhet të pranohen si zëvendësim për terapitë ose ilaçet e dhëna nga mjeku juaj” ose “botuesi nuk është përgjegjës për vërtetësinë e reklamave dhe promovimeve” dhe “përgjegjësia për cilësinë e produkteve që lidhen me sëmundje të caktuara qëndron vetëm te ata që i rekomandojnë ato si ilaç. Kompania dhe redaksia nuk janë të detyruar të japin shpjegime shtesë”.

Disa njerëz në rrjetet sociale i quajnë mashtrime këto botime.

Lexoni “Doktorin rus” dhe lyhuni me Zelyonka, ndërsa kinezët dhe amerikanët zbërthejnë kodin gjenetik me CRISPR dhe po afrohen më shumë te gjetja e kurës për kancerin …

Botuesit

Dy kompani me seli në Serbi publikojnë të gjitha revistat që kemi hulumtuar. Ato shpërndahen në Bosnje dhe Hercegovinë, Mal të Zi, Maqedoni, Kroaci dhe Slloveni.
Data displaying the names of alternative medicine magazines branded as Russian with dates of first issue.

Color Media, gjithashtu e njohur si Color Press Group, ka portofolin më të gjerë: Doktori rus (Руски доктор), së bashku me edicionet e posaçme Jeta më e mirë (Бољи живот) dhe Eliksir: Çajra dhe balsame (Еликсир: Чајеви и мелеми), dhe Enciklopedia ruse e Shëndetit (Руска енциклопедија здравља).

Versioni serb i Doktori rus është i bazuar në botimin e Mjeku i Popullit Rus (Народный лекарь), ndërsa Enciklopedia ruse e Shëndetit shënohet si një publikim i licencuar i Enciklopedia e Shëndetit (Энциклопедия здоровья) në Rusi.

Filialet e Color Media botojnë një edicion në gjuhën maqedonase të Doktorit rus (Руски доктор) që nga marsi i vitit 2016 si dhe versionet në kroatisht dhe sllovenisht që nga korriku i vitit 2017. Drejtori i kompanisë Robert Coban i ka promovuar ato në rrjetet sociale:

Të gjithë e duan mjekësinë ruse 🙂 Edicioni slloven dhe kroat i revistës “Doktor rus” @ Color Press Group…

Herbalisti rus botohet nga një tjetër kompani e madhe serbe e quajtur Novosti.

Disa përdorues të mediave sociale në Serbi kanë dënuar lidhjen mes promovimit të Rusisë dhe nacionalizmit lokal:

Katër shtyllat e të qënit serb:
1. Delije Sever [mbështetës i klubit sportiv Ylli i Kuq]
2. Kumbari [marrëdhëniet familjare]
3. Paralija [vend pushimesh verore në bregdetin grek]
4. Doktori rus

Realiteti kundër propagandës

Vodka kundër dhimbjes së dhëmbëve:
Pini një gllënjkë vodka dhe mbajeni atë në dhëmb, shpëlani gojën dhe pështyjeni. Përsëriteni tri herë me pushime të shkurtra për të parandaluar acarimin e mishit të dhëmbëve. (Herbalisti rus # 5)

Në kundërshtim me imazhin e paraqitur nga këto revista, Rusia nuk është veçanërisht shembullore kur është fjala për shëndetin e popullatës së saj. Jetëgjatësia mesatare, për shembull, është ndër më të ultat në Evropë. Me 71.6 vjet (77 për gratë dhe 66 për meshkuj, sipas të dhënave të Organizatës Botërore të Shëndetësisë nga 2016), renditet pas të gjitha vendeve të Ballkanit, përveç Kosovës.

Vendet e Ballkanit, në fakt, duken më mirë se Rusia në këtë drejtim. Jetëgjatësia mesatare në lindje në Serbi dhe Maqedoninë e Veriut është 75.2 dhe 75.7 vjet respektivisht, ndërsa në Kroaci dhe Slloveni, vendet e vetme të ish-Jugosllavisë që janë pjesë e BE-së, janë përkatësisht 78 dhe 80.8 vjet.

Kërkimet mjekësore të botuara në 2014 zbuluan se probabiliteti që një burrë rus të vdesë para se të mbushë 55 vjeç është 25 për qind. Studimi fajëson alkoolizmin si shkaktarin më të madh dhe varësinë ndaj duhanit në vend të dytë. Sipas një lajmi në lidhje me hulumtimin e botuar në New York Times, normat e vdekjeve ranë gjatë periudhës së Perestrojkës, kur Gorbaçovi ndaloi pjesërisht alkoolin, por u rrit përsëri pas rënies së Bashkimit Sovjetik.

Revistat që ne kemi studiuar nuk japin këshilla që luftojnë abuzimin me alkoolin apo duhanin.

Nis komentet

Autorë, ju lutem hyr »

Rregullat

  • Të gjitha komentet lexohen nga moderatori. Mos dërgo të njëjtin koment më shumë se një herë pasi mund të konsiderohet spam.
  • Respekto të tjerët. Komentet me gjuhë urrejtjeje, të pahijshme dhe sulme personale nuk do të miratohen.