Rekrutimi nga Wagner i vullnetarëve në Ballkanin Perëndimor nxit debate

Satirical meme about PMC Wagner Group logo/arm patch, with text in Russian reading "Nothing personal, it's just business. Wagner Group." Author anonymous.

Satirë për logon/shenjën e PMC Wagner Group, me tekst në rusisht “Asgjë personale, është thjesht biznes. Wagner Group.” Autor anonim.

Ky artikull fillimisht u publikua nga Truthmeter.mk. Një version i redaktuar është ribotuar këtu nën një marrëveshje për ndarjen e përmbajtjes midis Global Voices dhe Fondacionit Metamorphosis.

Organizata paraushtarake ruse Wagner Group publikoi një reklamë në gjuhën serbe më 5 janar në faqen e lajmeve Russia Today Balkan (RT Balkan), duke u bërë thirrje të gjithë vullnetarëve të mundshëm nga Serbia që t'i bashkohen luftës kundër Ukrainës. Reklama solli kritika nga zyrtarët dhe qytetarët serbë dhe shkaktoi spekulime rreth përfshirjes së Grupit Wagner në Serbi.

Reklamë në internet në lidhje me thirrjen e Grupit Wagner për vullnetarë në RT.

Më 5 janar, RT Balkan publikoi gjithashtu një artikull në lidhje me reklamën, me titull “Wagner publikon një thirrje për vullnetarë; kushtet janë më se volitshme”, duke sqaruar kushtet për të marrë pjesë në luftë, të ardhurat dhe trajnimin. Teksti në lidhje me reklamën u fshi nga faqja e internetit e RT Balkan menjëherë pasi u shpërnda.

Presidenti serb Aleksandar Vuçiç e dënoi ashpër thirrjen në një intervistë për Televizionin Kombëtar Happy TV.

“Pse ju nga Wagner u drejtoheni njerëzve nga Serbia kur e dini se kjo është kundër rregullave tona?” pyeti Vuçiç, duke theksuar ndryshimet në Kodin Penal të vitit 2015 që konsiderojnë si akte kriminale në Serbi edhe pjesëmarrjen në një konflikt të huaj (neni 386a), edhe rekrutimin (neni 386b).

Thirrja solli pyetjet nëse Grupi Wagner ishte aktiv në Serbi dhe rajonin e Ballkanit, duke pasur parasysh praninë e tyre të konfirmuar në Ukrainë, Siri dhe në vende të tjera.

Wagner Group është një kompani private ushtarake në pronësi të oligarkut Yevgeny Prigozhin, që ofron shërbime mercenare për qeverinë ruse në fushat e betejës jashtë vendit, veçanërisht në Siri dhe Ukrainë. Fama e tyre u rrit kohët e fundit për rekrutimin e të dënuarve nga burgjet ruse për të luftuar në Ukrainë për të plotësuar shkallën e lartë të vdekjeve të ushtarëve rusë, pasi iniciativat e mobilizimit të qeverisë dështojnë të zgjidhin problemin. Mbështetja e Wagner për ushtrinë ruse nuk njihet hapur nga qeveria ruse pasi forcat mercenare janë të paligjshme në Rusi. Wagner ka deklaruar se është krijuar me qëllim të “mbrojtjes së interesave ruse”. Në disa vende afrikane, ata kanë tentuar pa sukses të organizojnë fushata politike dhe iniciativa mbrojtëse.

Paralajmërimet për praninë e PMC Wagner në Serbi, Kosovë dhe Bosnje

Diskutimet për praninë e Grupit Wagner në Serbi u intensifikuan në nëntor 2022, pasi udhëheqësi i organizatës serbe ultra të djathtë, Patrulla e Popullit, Damjan Knezheviq, u kthye nga një vizitë në selinë e Grupit Wagner në Shën Petersburg, i shoqëruar nga propagandisti rus Aleksandar Lisov, i paraqitur si “drejtues i Qendrës Ruso-Serbe “Shqiponjat.” Ata u shfaqën në një video, ku Knezheviq tha:

Ne duhet të shprehim mbështetjen tonë për Rusinë sepse kjo në masë të madhe shpreh mbështetjen tonë për Serbinë. Ne duhet të sigurojmë bashkëpunimin dhe ndihmën më të madhe të mundshme nga Federata Ruse. Kjo është edhe ndihma e ushtrisë ruse në rast konflikti në Kosovë.

Foto nga grupi  Orly (Shqiponjat) në Telegram

Më 7 dhjetor, gazeta serbe Danas citoi një njoftim në një kanal në Telegram të Wagner për hapjen e Qendrës Kulturore të Grupit Wagner “Orly” (Shqiponjat). Ajo deklaroi se qëllimi i saj është kryerja e “diplomacisë së butë” me anëtarët e saj që të zhvillojnë “përballje informative me liberalët rusë që shkuan në Serbi dhe atje tentojnë të angazhohen në aktivitete anti-ruse për të diskredituar Rusinë dhe për të përkeqësuar marrëdhëniet midis popujve rus dhe serb.”

Pretendimi për hapjen e Qendrës Wagner në Serbi u mohua nga Knezheviq dhe Lisov, të cilët i thanë BBC-së në serbisht se në fakt Wagner i lejoi “Shqiponjat” të përdornin ambientet e tyre në Shën Peterburg.

Më 14 janar, në qendër të kryeqytetit të Serbisë, Beograd, u zbulua një murale për Wagnerin, e nënshkruar nga Patrulla e Popullit. Tre ditë më vonë, agjencia shtetërore ruse e lajmeve RIA Novosti publikoi artikuj për disa vullnetarë serbë që po trajnoheshin për luftime në Ukrainë.

Ndërkohë, tensionet në Kosovë u rritën pas 10 dhjetorit, kur serbët etnikë ngritën postblloqe dhe shkëmbyen zjarr me policinë pas arrestimit të një sulmuesi të dyshuar ndaj policëve të Kosovës.

Gjatë dhjetorit, Knezheviq organizoi tre protesta në mbështetje të serbëve të Kosovës, me qëllim të prishjes së dialogut të vazhdueshëm për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Serbisë dhe Kosovës, të ndihmuar nga Bashkimi Evropian. Dy tubime u zhvilluan në Beograd dhe një në pikën kufitare të Kosovës, Jarinje më 18 dhjetor. E destinuar si kongregacion i të gjithë serbëve anembanë Serbisë, Bosnjë-Hercegovinës dhe Malit të Zi, protesta mblodhi disa dhjetëra ekstremistë të krahut të djathtë, nën moton “Lutju Zotit dhe qëndroni pas Rusisë.”

Grupet kriminale serbe të maskuara me shenja paraushtarake ruse Wagner dhe veshje “çetnikësh serbë” i janë afruar pikës kufitare Jarinje me Kosovën. Telegrami ka qenë i mbushur me thirrje për dhunë ndaj Kosovës. NATO ka rritur praninë e saj në kufi.

Mediat në Kosovë kanë shkruar se në protestë janë parë shenjat e grupit Wagner, së bashku me flamurin rus. Një video nga ajo protestë është publikuar nga Wagner Group në kanalin në Telegram me shënimin “Aksioni patriotik në Beograd kur situata në Kosovë po përkeqësohet”.

Ministri i Sigurisë i Bosnjes dhe Hercegovinës, Selmo Cikotiç, i tha Radios Evropa e Lirë më 9 janar se të dhënat e inteligjencës tregojnë për praninë e Grupit Wagner, së bashku me klubin e motoristëve të Putinit Night Wolves, në festën e diskutueshme që promovonte shkëputjen e entitetit serb Republika Srpska, që ishte dënuar nga BE si antikushtetues.

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, në një intervistë për Telegrafin e Londrës, në shkurt, ka paralajmëruar se mercenarët e grupit rus Wagner po bashkëpunojnë me forcat paramilitare serbe dhe po kontrabandojnë armë dhe uniforma ushtarake pa emblema të Kosovës. Osmani ka thënë se një operacion i tillë mund të synojë që të nisë një sulm eventual hibrid nga Serbia për të marrë nën kontroll territorin e Kosovës.

Vuksanoviq: Nuk ka prezencë masive të Wagnerit në Serbi

Megjithatë, analisti Vuk Vuksanoviq, nga Forumi i Sigurisë në Beograd, në një intervistë për Truthmeter.mk nuk u pajtua me deklaratat e kryeministrit të Kosovës Albin Kurti për Wagner Group:

Megjithatë, ne pamë vetëm disa njerëz të krahut të djathtë me kapele të Wagnerit në Serbi. Prishtina po e përdor këtë për ta paraqitur Beogradin si ndërmjetësues të Moskës për të fituar potencialisht simpatinë e Perëndimit në dialogun ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës. Në Maqedoni – për momentin – nuk mund të shoh prova apo indikacione për praninë e këtij grupi.

Ai beson se nuk ka një prani masive të Wagner-it në rajon, pavarësisht nga mbulimi mediatik i incidenteve me vizitën në Shën Peterburg, muralit në Beograd, apo njoftimit për rekrutim, që u propagandua “nën maskën e një teksti mediatik”. Vuksanović mendon se tërheqja e tekstit të RT-së ishte “me shumë mundësi për shkak të ndërhyrjes prapa dyerve të mbyllura të dikujt nga presidenca serbe”, si një mënyrë për të kontrolluar dëmin.

Në lidhje me rekrutimin e individëve për fushën e betejës në Ukrainë apo në ndonjë vend tjetër, Vuksanoviq tha se ky ka qenë gjithmonë problem i shërbimeve lokale të sigurisë, por gjithashtu shtoi se mercenarë të tillë do të jenë gjithmonë:

Deri më sot, duket sikur Wagner dëshironte potencialisht të trembte komunitetin rus në Serbi në mënyrë që ai të mos ishte kritik ndaj qeverisë ruse, por aq më tepër të promovohej si një formacion përkatës global. Do të ishte një rrezik i madh për vendet si Serbia nëse grupi Wagner do të provonte të njëjtën gjë si në Afrikë – të organizojnë rrjete politike dhe fushata – sepse opinioni publik është i prirur ndaj Rusisë në Serbi dhe do të ishte problem për qeverinë serbe që të përpiqej të kthehej shumë fuqishëm nga perëndimi. Kjo është ende brenda fushës së teorisë, sepse nuk ka indikacione se një pushtet i tillë ekziston për momentin dhe se elitat lokale do ta lejonin këtë. Ata nuk do ta lejonin këtë për shkak të kërcënimit të vendosur ndaj tyre dhe as nuk duan të marrin presion nga perëndimi.

Prokurorët serbë hedhin poshtë padinë e lidhur me Wagner

Një avokat nga Beogradi, Çedomir Stojkoviç, bashkëthemelues i aleancës civile kundër regjimit të Putinit, Grupi i Tetorit, i cili është partner i shoqatave pro-demokratike të ukrainasve dhe rusëve vendas në Serbi, akuzoi Grupin Wagner për rekrutimin e qytetarëve serbë për të marrë pjesë në Rusi në pushtimin e Ukrainës. Ata ngritën kallëzime penale kundër ambasadorit rus në Serbi, drejtorit të Agjencisë së Informacionit të Sigurisë (BIA) dhe kundër personave nga organizata e krahut të djathtë Patrulla Popullore, e cila po mbështet grupin paraushtarak rus Wagner. Stojkoviq ka thënë:

Pra, gjërat janë mjaft të qarta. Grupi Wagner u krijua për të mobilizuar njerëz nga jashtë, përtej kufijve të Rusisë. Ky është fakti i parë dhe i dyti është se qytetarët e Serbisë janë rekrutuar për të luftuar. Nuk ka dyshim se Grupi Wagner është aktiv në Beograd dhe Serbi dhe se qytetarët janë duke u mobilizuar, por gjithashtu nuk ka dyshim se disa anëtarë të trupit diplomatik janë përfshirë në proces.

Prokurori i Lartë Publik në Beograd i hodhi poshtë akuzat penale, me arsyetimin se “janë pretendime të pabazuara dhe të mbështetura në një sërë supozimesh”.

A është Maqedonia e Veriut në hartën e Wagner?

Në Maqedoninë e Veriut, profesori i Akademisë Ushtarake Metodi Haxhi Janev tha për Truthmeter.mk se prania e Grupit Wagner dhe rekrutimi në vend janë në rastin më të mirë margjinale.

Mendoj se nuk ka prezencë. Ngjashëm me rolin e tyre si burime dezinformimi, Beogradi, Podgorica dhe Banja Luka janë zonat ku kjo lloj mbështetje është më e madhe. Nëse ka qytetarë maqedonas që do të rekrutoheshin [për të luftuar në anën ruse në Ukrainë], ose ata tashmë janë rekrutuar, kjo me siguri do të ndodhte nga atje.

Ai shtoi se mundësia e një ndikimi të tillë nëpërmjet Bullgarisë apo vendeve të tjera nuk mund të përjashtohet. Ai gjithashtu vuri në dukje se disa “ujq të vetmuar” individualë mund të rekrutohen në internet përmes kanaleve të ndryshme të mediave sociale ose “dhomave të jehonës”, në një mënyrë të ngjashme me ISIS. Ai theksoi se shoqëria maqedonase përballet me një problem serioz të rezistencës së ulët ndaj luftës hibride dhe duhet të zhvillojë mekanizma parandalues.

Nis komentet

Autorë, ju lutem hyr »

Rregullat

  • Të gjitha komentet lexohen nga moderatori. Mos dërgo të njëjtin koment më shumë se një herë pasi mund të konsiderohet spam.
  • Respekto të tjerët. Komentet me gjuhë urrejtjeje, të pahijshme dhe sulme personale nuk do të miratohen.