Sindikata Kombëtare e Punonjësve të Medias në Venezuelë konfirmoi rreth mesnatës së 12 marsit se gazetari dhe aktivisti i të drejtave të njeriut Luis Carlos Diaz u lirua në Karakas nga autoritetet venezueliane pasi u ndalua për rreth 24 orë.
Ai u akuzua për “nxitjen e krimeve” dhe u lirua me kushtin që të paraqitet te autoritetet e inteligjencës (SEBIN) çdo tetë ditë dhe të mos dalë nga territori i Venezuelës. Atij gjithashtu i është ndaluar të flasë për kohën në paraburgim.
Gazetari 34 vjeçar u zhduk mbrëmjen e 11 marsit. Në orën 2:30 të mëngjesit, më 12 mars, oficerët e sigurimit të shtetit e çuan atë të prangosur në banesën e tij. Ata bastisën shtëpinë ku jeton me bashkëshorten dhe konfiskuan pajisje elektronike. Më pas u larguan nga apartamenti, duke marrë edhe Diaz.
Herët në mëngjes, interneti u “pushtua” nga mbështetësit anembanë botës, që kërkonim lirimin e tij. Hashtag-u #DondeEstaLuisCarlos (Ku është Luis Carlos?) i parapriu #LiberenaLuisCarlos (Lironi Luis Carlos) që shumë shpejt u bë tema kryesore e Twitter në Venezuelë dhe jo vetëm.
Pas lirimit, Diaz iu drejtua në Twitter kolegëve të tij nga llogaria e bashkëshortes, duke i falënderuar për mbështetjen e tyre:
Por último, ya sabía que tenía buenos amigos, pero mi duda en todo momento es: ¿cómo hacer que se conozcan entre ellos?
Nunca imaginé el resultado de eso. Es increíble. Llevo horas leyendo y no he terminado.
Gracias.— Naky Soto (@Naky) 13 de marzo de 2019
E dija se kisha miq të mirë, por tani pyetja ime është: Si mund të lidhen me njëri-tjetrin? Kurrë nuk imagjinoja që kjo të ishte e mundur. Është e pabesueshme. Lexoj prej orësh dhe ende nuk kam mbaruar. Faleminderit.
Luis Carlos është anëtar i njohur prej vitesh i komunitetit Global Voices. Për më shumë se një dekadë, ai ka punuar për të mbrojtur lirinë e fjalës dhe përdorimin e rrjeteve digjitale për të ruajtur qasjen e publikut te informacioni gjatë krizës së Venezuelës, që ende vazhdon. Ai dhe Soto kanë një program jashtëzakonisht popullor (më parë në YouTube, e tani në Patreon) ku ata ofrojnë komente politike dhe humor.
Luis Carlos është i njohur për mençurinë, aftësitë e tij si bashkëpunëtor e mentor dhe kapacitetin e tij unik për të kuptuar dhe shpjeguar mjedisin e komplikuar të komunikimit digjital të Venezuelës.
Komuniteti i Global Voices ndjehet i lehtësuar që kolegu ynë u kthye i sigurt te familja e tij. Ne do të vazhdojmë të monitorojmë rastin e tij.