Votat e shqiptarëve do të jenë vendimtare për zgjedhjen e presidentit të Maqedonisë së Veriut

Dy votues përpara një qendre votimi në Maqedoninë e Veriut. Foto nga Agjencia e lajmeve Meta.mk  / Borçe Popovski, CC BY.

Ky artikull fillimisht u botua në Agjencinë e Lajmeve Meta.mk, një projekt i Fondacionit Metamorfozis. Një version i redaktuar publikohet më poshtë, si pjesë e një marrëveshjeje me Global Voices.

Maqedonia e Veriut do të votojë të dielën më 5 maj në raundin e dytë të zgjedhjeve presidenciale, mes paqartësive rreth pjesëmarrjes dhe rezultatit.

Këto janë zgjedhjet e para presidenciale që kur VMRO-DPNME e krahut të djathtë humbi shumicën e parlamentit në 2016 pas qëndrimit në pushtet për 12 vjet dhe do të jenë prova e parë e mbështetjes politike për koalicionin qeveritar të udhëhequr nga Partia Social Demokrate pro-perëndimore (LDSM ).

Kandidati i Social Demokratëve, Stevo Pendarovski mezi fitoi raundin e parë me 42.81 për qind të votave totale: kundërshtarja e tij kryesore, Gordana Siljanovska Davkova nga VMRO-DPMNE mori 42.25 për qind, një diferencë me vetëm 4.486 vota.

Kjo është diferenca më e ngushtë mes dy kandidatëve që shkojnë në raundin e dytë të zgjedhjeve të pesta presidenciale në Maqedoninë e Veriut.

Një burim shqetësimi është nëse raundi i dytë do të arrijë pjesëmarrjen minimale të votuesve, që rezultatet të jenë të vlefshme. Ligji maqedonas dikton se të paktën 40 për qind e elektoratit prej 1,8 milionësh duhet të votojë. Raundi i parë, i mbajtur më 21 prill, kishte një pjesëmarrje prej 41.67 për qind, pak më lart se pragu.

Votat e shqiptarëve

Kandidati i tretë, Blerim Reka, i cili është shqiptar, përfundoi raundin e parë me 10.6 për qind të votave. Shqiptarët përbëjnë rreth një të katërtën e popullsisë së Maqedonisë së Veriut dhe kuptohet se shumica e votave të Rekës ishin të shqiptarëve.

Posteri i kandidatit presidencial shqiptar Blerim Reka në qendër të Shkupit, Maqedonia e Veriut. Foto nga Global Voices, CC-BY.

Rezultati përfundimtar do të vendoset nga votuesit e Rekës. Shumë analistë pajtohen se këto vota ka shumë të ngjarë të shkojnë për Pendarovskin, pasi platforma e VMRO-DPMNE bazohet kryesisht në promovimin e nacionalizmit etnik maqedonas.

Gazetari Furkan Saliu ka postuar në gjuhën shqipe dhe maqedonase në Twitter, duke përmendur faktin se krimineli i luftës, Johan Tarçullovski, një deputet i VMRO-DPMNE, ishte pjesë e fushatës së Siljanovskës.

Mesazh për qeverinë

Duke shtuar votat e Siljanovskas e të Rekës si dhe fletëvotimet e pavlefshme, gjithsej 432.000 njerëz nuk votuan për qeverinë aktuale të Partisë Social Demokrate.

Kryeministri Zoran Zaev deklaroi se partia e ka kuptuar mesazhin e popullit. Zaev shtoi se rezultatet e zgjedhjeve nënkuptojnë se njerëzit janë të pakënaqur me punën e dobët të niveleve më të ulta të qeverisë dhe njoftoi një “pastrim” të zyrtarëve të korruptuar ose të paaftëve.

Stevo Pendarovski dhe Gordana Siljanovska Davkova do të garojnë në raundin e dytë të zgjedhjeve presidenciale në Maqedoninë e Veriut, më 5 maj. Foto nga agjencia e lajmeve Meta.mk, CC BY.

Si një shenjë mbështetjeje, aktori Dragan Spasov, i njohur si Dac, i dha Zaevit dhuratë një fshesë, gjatë një tubimi publik. Në janar 2018, Dac dha dorëheqjen si drejtor i përkohshëm i Teatrit Kombëtar pasi u përfshi në një aksident rrugor, ku një grua e re u përplas, por nuk u plagos rëndë. Ai ka deklaruar se shembulli i tij i përgjegjësisë politike duhet të ndiqet nga të gjithë zyrtarët.

Perceptimi i qeverisë është se ka pasur zhgënjim me skandalet e fundit të nepotizmit, ku anëtarët e parlamentit dhe ministrat emëruan të afërmit në poste në ndërmarrjet shtetërore. Më 25 prill, Zaev i urdhëroi të afërmit e tyre të jepnin dorëheqjen nga postet.

Nga ana tjetër, partia opozitare VMRO-DPMNE ka një interpretim tjetër. Zyrtarët e saj thanë se rezultatet e zgjedhjeve gjithashtu tregojnë pakënaqësinë publike ndaj Marrëveshjes së Prespës, e cila ndryshoi emrin e vendit në Maqedonia e Veriut, duke i dhënë fund një mosmarrëveshje 27-vjeçare me Greqinë. VMRO-DPMNE e kundërshton ashpër këtë marrëveshje.

Marrëveshja bëri që nënshkruesit e saj, Kryeministri maqedonas Zaev dhe homologu i tij grek Alexis Tsipiras, të hynin në listën e kandidatëve për Çmimin Nobel të Paqes. Siljanovska ka deklaruar shpesh se nëse ajo fiton, qeveria e saj nuk do ta përdorë kurrë emrin Maqedonia e Veriut.

Nga ana e tij, Pendarovski ka thënë se votat për VMRO-DPMNE janë vota për të rikthyer regjimin e ish kryeministrit Nikola Gruevski, i dënuar me dy vjet burg nën akuzat e korrupsionit në 2018. Ai tani është në arrati në Hungari.

Sidoqoftë, më kryesorja është që të arrihet pjesëmarrja minimale prej 40 për qind e votuesve. Nëse kjo nuk ndodh, procesi zgjedhor duhet të nisë nga fillimi, duke i hapur rrugën një krizë tjetër politike.

Nis komentet

Autorë, ju lutem hyr »

Rregullat

  • Të gjitha komentet lexohen nga moderatori. Mos dërgo të njëjtin koment më shumë se një herë pasi mund të konsiderohet spam.
  • Respekto të tjerët. Komentet me gjuhë urrejtjeje, të pahijshme dhe sulme personale nuk do të miratohen.