Ballkan: Platformë onlajn për ndjekjen e raporteve nga viset e goditura nga reshjet rekorde të dëborës

Që nga java e kaluar, Ballkani është goditur nga reshje të mëdha të dëborës, që nuk janë parë për mbi një dekadë, nëse jo edhe më shumë. Pas një periudhe jo të zakonshme dhe të gjatë, ku nuk kishte shenja të mirëfillta të një dimri tipik ballkanik, java e kaluar solli reshje, pothuajse të pandërprera, të borës nëpër tërë rajonin, duke edhe përfshirë zonat bregdetare të Adriatikut, ku shumë rrallë bie borë.

Men shoveling snow from a street in Sarajevo. Record snowfall has paralyzed transportation in the Bosnian capital, where a state of emergency has now been declared. Photo by Sulejman Omerbasic, copyright © Demotix (5/02/12).

Disa burra duke e pastruar borën në një rrugë të Sarajevës. Reshjet rekorde të borës e kanë paralizuar transportin në kryeqytetin e Bosnjes, ku është shpallur gjendje e jashtëzakonshme. Fotografia nga Sulejman Omerbashiq, Të drejtat autoriale © Demotix (5/02/12).

Televizioni shtetëror i Serbisë, RTS, dhe mediumet e tjera raportuan të premten më 3 shkurt 2012, se qeveria ka shpallur gjendje të jashtëzakonshme, ndërsa qytetarët kanë raportuar për situata kritike anembanë vendit dhe se shërbimet komunale shumë dobët e kanë kryer punën e tyre në ballafaqimin me rreshjet e borës në shumë zona urbane.

Sipas një artikulli me titull “Serbia e bllokuar nga bora, gjendje e jashtëzakonshme në 27 komuna, rekomandim të mos shkohet në shkollë” [serbisht], kryeshefi i Sektorit për gjendje të jashtëzakonshme të Ministrisë për Punë të Brendshme të Serbisë, Predrag Mariq, thuhet se ditën e premte ka deklaruar:

27 komuna në Serbi kanë shpallur gjendje të jashtëzakonshme për shkak të reshjeve të mëdha të borës. Mariqi, për agjencinë e lajmeve Beta, ka deklaruar se situata më e rëndë është në Sjenicë, Ivanjicë, Prijepolje, Crna Trava dhe Surdulicë, ku lartësia e borës ka arritur në përafërsisht 2 metra. Sipas tij, furnizimi me energji elektrike është “relativisht i mirë”, defektet rregullohen shpejt dhe nuk ka pasur mungesa më të mëdha të energjisë elektrike…

Mariq, poashtu e paralajmëroi mundësinë për të shpallur gjendje të jashtëzakonshme të përgjithshme në mbarë vendin, gjë që qeveria e bëri të dielën në mbrëmje, në mes tjerash duke e ndërprerë mësimin në gjithë Serbinë, së paku deri të premten, më 10 shkurt.

Janë organizuar disa aksione nga komuniteti onlajn i Serbisë dhe i rajonit për t'u ballafaquar me borën dhe janë bërë përpjekje të rivendoset gjendja funksionale, së paku në viset urbane, siç është #lopataup (“#lopatalartë”), e organizuar nga njëri nga udhëheqësit e komunitetit onlajn, Zoran Torbica, dhe shfrytëzuesit e tjerë lokalë të Twitter-it.

Në ndërkohë, El-Xhazira Ballkan, zyra rajonale e rrjetit televiziv të lajmeve El-Xhazira e formuar kohë më parë, i ka bashkuar forcat me ekipin e Ushahidi-t për të krijuar një platformë që do t'i ndjekë informatat e verifikuara për të gjithçka, që nga rrugët e bllokuara, ndërprerja e rrymës elektrike e deri te pikat dhe informatat e tjera kritike në tërë rajonin.

Ushahidi është një platformë e bazuar në softuer të lirë për mbledhje të informatave, vizualizim dhe mapim interaktiv, e cila është shfrytëzuar edhe më parë në Serbi, pas tërmetit në Kralevë [anglisht], në nëntor të viti 2010, për t'i mapuar dhe për t'i ndjekur dëmet në atë zonë.

Haris Alishiq, i cili udhëheq me ekipin për Mediume të reja në El-Xhazira Ballkan, të dielën në mbrëmje e hapi platformën, dhe shumë anëtarë të komunitetit onlajn, duke i përfshirë edhe disa autorë të Global Voices nga rajoni, iu bashkuan ekipit El-Xhazira-Ushahidi në përkujdesjen, ndjekjen dhe verifikimin e raporteve nga rajoni.

Platforma e adaptuar e Ushahidi-t gjendet në ueb-faqen zyrtare të El-Xhazirës, ndërsa çdokush mund të dërgojë raporte duke i përdorur këto kanale:

- nëpërmjet SMS në numrin: +387644218661
– nëpërmjet Twitter-it duke i përdorur hashtag-et: #kolaps #sneg #snijeg #lopataup #iskljucenje
– nëpërmjet e-mail-it në: oluja2012@aljazeera.net
– ose duke futur informata në mënyrë të drejtpërdrejtë në formular, në tabin “pošaljite izvještaj” (“dërgoni raportin”) në ueb-faqen e El-Xhazirës.

Nëse dëshironi të bëheni vullnetarë, gjegjësisht të ndani një pjesë të kohës suaj për të ndihmuar në mapimin e zonave kritike dhe njëkohësisht i njihni veglat onlajn, kontaktoni autoren e këtij artikulli, ose Haris Alishiqin nëpërmjet Twitter-it, ose leni koment në Global Voices, dhe ne do t'ju kontaktojmë për më tepër informata për atë se si mund të na ndihmoni. Poashtu ju ftojmë që të dërgoni raporte për zonën tuaj nëpërmjet Twitter-it duke i përdorur hashtag-et e lartëpërmendura, të cilat mblidhen në mënyrë automatike nga platforma dhe pastaj shqyrtohen dhe verifikohen nga El-Xhazira dhe vullnetarët.

Bosnian men are trying to push a car away from the deep snow. Photo by Sulejman Omerbasic, copyright © Demotix (5/02/12).

Dy boshnjakë mundohen ta shtyjnë një veturë që ka ngecur në borë. Fotografia nga Sulejman Omerbashiq, të drejtat autoriale © Demotix (5/02/12).

Nis komentet

Autorë, ju lutem hyr »

Rregullat

  • Të gjitha komentet lexohen nga moderatori. Mos dërgo të njëjtin koment më shumë se një herë pasi mund të konsiderohet spam.
  • Respekto të tjerët. Komentet me gjuhë urrejtjeje, të pahijshme dhe sulme personale nuk do të miratohen.