Polemika në Gjeorgji për ikonën e shenjtores me Stalinin

Stalini përkrah Shën Matronës ruse të Moskës. Foto nga videoja e Radios Evropa e Lirë.

Ky artikull u botua për herë të parë në OC Media. Një version i tij ribotohet këtu sipas një marrëveshjeje partneriteti për përmbajtjen. 

Një ikonë e Shën Matronës së Moskës në Katedralen e Trinisë së Shenjtë Sameba në Tbilisi që paraqet shenjtoren në shoqërinë e një burri që i ngjan Jozef Stalinit, shkaktoi polemika në Gjeorgji.

Fotografitë e ikonës në Sameba u ndanë fillimisht nga Ilia Chigladze, kryeprift gjeorgjian, përmes Facebook. Prania e ikonës në katedrale u konfirmua më vonë nga Giorgi Kandelaki, anëtar i partisë opozitare Gjeorgjia Evropiane dhe studiues në Laboratorin e Kërkimeve të së kaluarës sovjetike, i cili vizitoi katedralen dhe fotografoi ikonën. Më pas e postoi në rrjetet sociale.

Ikona përmban Shën Matronën e Moskës, shenjtore e Kishës Ortodokse Ruse të shekullit të 20-të. Një burrë për të cilin Chigladze dhe Kandelaki pretendojnë se është Jozef Stalin, diktatori i lindur në Gjeorgji dhe udhëheqësi i Bashkimit Sovjetik, është në një nga ikonat më të vogla që rrethojnë atë të Matronës.

Në një intervistë me gazetën lokale, Tabula, Andria Jagmaidze, kreu i departamentit të marrëdhënieve me publikun të Patriarkanës, nuk e mohoi që Stalini ishte në ikonë, por deklaroi se vepra i kushtohej Matronës dhe jo udhëheqësit sovjetik.

“Nëse diku në afreskun e Shën Gjergjit, [perandori romak] Diokleciani është aty, kjo nuk e bën atë një ikonë të Dioklecianit,” tha ai, duke shtuar se polemika rreth ikonës Matrona errësoi kremtimin e Krishtlindjes ortodokse më 7 janar.

“Pse e ruajtën këtë temë për sot? Çfarë arritën? Njerëzve ju rrëmbye gëzimi dhe kjo është një e keqe më e madhe se prania e Stalinit në ikonë,”  i tha në një intervistë Jagmaidze shërbimit gjeorgjian të Radio Liberty.

Të nesërmen, Davit Tarkhan-Mouravi, kreu i partisë konservatore Aleanca e Patriotëve, njoftoi se ishte ai që ja kishte dhuruar ikonën katedrales. Ai tha se Stalini e kishte takuar Matronën për këshilla gjatë Luftës së Dytë Botërore.

Sipas legjendës, Stalini shkoi te Matrona për të marrë këshilla se si të sillej me nazistët (qesh) dhe Matrona i tha (atij) të mos largohej nga Moska. Edhe pse ata nuk u takuan kurrë dhe kjo nuk e bën Stalinin një shenjt, prapëseprapë nënkupton se Stalini mori udhëzime hyjnore.

Teksa Tarkhan-Mouravi citoi biografin zyrtar të Matronës në deklaratën e tij, Qendra Teologjike Ortodokse e Krishterë e Shën Palit në Gjeorgji deklaroi se asnjë burim tjetër historik nuk konfirmon se Stalini dhe Matrona ishin takuar.

Prifti nga Katedralja e Trinitetit, Ioane Mchedlishvili, u tha gazetarëve se ikona kishte qenë në katedrale “prej muajsh”.

Teologu Gocha Barnov i tha kanalit televiziv Mtavari Arkhi se prania e ikonës në katedrale ishte “blasfemuese” dhe se ajo duhet të hiqet menjëherë.

Dramaturgu dhe komentatori i njohur Lasha Bughadze, tha se ikona ishte “një fyerje dhe një tallje”, duke shtuar: “Pas këtij imazhi janë qindra mijëra gjeorgjianë martirë dhe miliona të vdekur”.

Sipas Laboratorit të Kërkimit të së kaluarës Sovjetike (SovLab), një organizatë në Tbilisi që dokumenton të kaluarën totalitare, përfshirë spastrimet e Stalinit në Gjeorgji, qindra mijëra gjeorgjianë u bënë viktima të terrorit: “Studiuesit vlerësojnë se nga 1921-1953, njëzet mijë vetë u ekzekutuan. Qindra mijëra u dëbuan dhe dhjetëra mijëra u dërguan në kampet famëkeqe. Numri i atyre që vdiqën në ambientet e paraburgimit gjatë marrjes brutale në pyetje mbetet i panjohur.” Vetëm në një vit, gjatë periudhës së njohur si Terrori i Madh, midis 1937-1938, sipas disa vlerësimeve, njëmbëdhjetë mijë njerëz u ekzekutuan në Gjeorgji.

Në një botim të vitit 2021 të porositur nga Instituti Holandez për Demokracinë Shumëpartiake të titulluar 13 Mitet për Stalinin, Qendra e Evropës Lindore për Demokracinë Shumëpartiake zbuloi se regjimi i presidentit rus Vladimir Putin është përpjekur në mënyrë aktive ta portretizojë Stalinin si një “njeri fetar” – pavarësisht se autoritetet sovjetike arrestuan masivisht besimtarët dhe shkatërruan kisha e ndërtesa të tjera fetare gjatë kohës që Stalini ishte në pushtet.

Një tjetër sondazh i publikuar në të njëjtin vit nga Qendra e Burimeve Kërkimore Kaukaziane zbuloi se 66 për qind e gjeorgjianëve ishin pjesërisht dhe plotësisht dakord me deklaratën se “një patriot duhet të jetë krenar që Stalini ishte gjeorgjian”, sipas raportimit të Civil.ge. Pjesa tjetër e të anketuarve ishin ose neutrale (16 për qind) ose nuk pajtoheshin (28 për qind).

Prania e ikonës tërhoqi vëmendjen e mediave në Gjeorgji dhe në ato ndërkombëtare, kur aktivistja Nata Peradze hodhi bojë blu mbi ikonën, më 9 janar. Peradze filmoi veten dhe më vonë e shpërndau videon në mediat sociale. Më pas ajo u mor në pyetje dhe u akuzua për vandalizëm. Të nesërmen, një turmë e zemëruar e grupit të ekstremit të djathtë, Alt Info, rrethoi shtëpinë e Peradze.

Përmbledhje e krijuar nga Arzu Geybullayeva përmes pamjeve nga videot e Peradze dhe RFE/RL

Mes turmës ishte Zurab Makharadze, një nga liderët e Lëvizjes Konservatore dhe të së djathtës ekstreme Alt Info, i cili u bëri thirrje autoriteteve që Peradze të dënohej me akuzat për “ndërhyrje të paligjshme në kryerjen e riteve fetare”.

Por për Peradze, ishte më shumë se një akt i mosbindjes civile. Në një intervistë me Politico, aktivistja tha se Stalini vrau të gjithë familjen e saj dhe “mbolli terror dhe frikë”. Ky nuk ishte as veprimi i saj i parë kundër Stalinit, shpjegoi Peradze në një intervistë tjetër për Radio Liberty. Ajo shtoi se nuk e priti masivitetin e reagimit të publikut. Në të njëjtën ditë, u raportua se ikona u pastrua nga boja dhe u vu në një vend më të spikatur në katedrale.

Ikona e titulluar Shën Matrona e Moskës bekon Stalinin u vu në një vend më të dukshëm në Katedralen e Trinisë së Shenjtë në Tbilisi sot. Dje, ikona që lavdëron Stalinin u spërkat me bojë nga aktivistja gjeorgjiane Nata Peradze pas protestave publike.

Pas kësaj ngjarjeje, partia Ëndrra Gjeorgjiane në pushtet u zotua të vendosë gjoba dhe të zbatojë ndëshkime më të rrepta ndaj atyre që dëmtojnë ndërtesat dhe objektet fetare dhe nxisin urrejtje.

Nis komentet

Autorë, ju lutem hyr »

Rregullat

  • Të gjitha komentet lexohen nga moderatori. Mos dërgo të njëjtin koment më shumë se një herë pasi mund të konsiderohet spam.
  • Respekto të tjerët. Komentet me gjuhë urrejtjeje, të pahijshme dhe sulme personale nuk do të miratohen.