Kina hedh poshtë akuzat për ndërhyrje në zgjedhje pasi dërgoi avionë e balona në Tajvan

Tre kandidatët presidencialë janë Hou Yu-ih i Partisë Kuomingtang (majtas), William Lai Ching-te i Partisë Demokratike Progresive (në mes) dhe Ko Wen-je (djathtas) i Partisë Popullore të Tajvanit. Foto e krijuar nga Oiwan Lam.

Zgjedhjet e teta presidenciale dhe legjislative (parlamentare) në Tajvan do të zhvillohen më 13 janar 2024, kur rreth 20 milionë qytetarë tajvanezë do të zgjedhin ligjvënësit dhe presidentin e tyre pasi Tsai Ing-wen nga radhët e Partisë Demokratike Progresive (DPP) përfundon presidencën e saj tetëvjeçare në maj.

Tre kandidatët presidencialë janë William Lai Ching-te i Partisë Demokratike Progresive (DPP), Hou Yu-ih i Kuomingtang (KMT) dhe Ko Wen-je i Partisë Popullore të Tajvanit (TPP).

Me afrimin e ditës së zgjedhjeve, akuzat për ndërhyrjen e Kinës në zgjedhjet në Tajvan kanë vërshuar në mediat sociale. Pekini i ka mohuar pretendime të tilla dhe ka akuzuar DPP-në në pushtet për “sjellje konfrontuese” përgjatë ngushticës së Tajvanit.

Rezultati i zgjedhjeve do të ketë implikime të rëndësishme për marrëdhëniet mes Kinës dhe Tajvanit.

Që kur Tsai Ing-wen e DPP-së së pavarur pro Tajvanit filloi presidencën e saj në vitin 2016, Pekini ka ndëshkuar ishullin e vetëqeverisur me sanksione ekonomike, stërvitje ushtarake dhe izolim diplomatik pasi DPP hodhi poshtë konsensusin e vitit 1992 rreth “Parimit të Një Kine“, nënshkruar midis KMT-së në atë kohë në pushtet dhe Pekinit.

Parimi i një Kine përfaqëson pikëpamjen e Pekinit se Republika Popullore e Kinës (RPK) është qeveria e vetme legjitime e shtetit të Kinës, e cila, në këtë, përfshin edhe ishullin e Tajvanit. Kjo video jep një shpjegim të detajuar të këtij parimi:

Konsensusi i vitit 1992 mund të përshkruhet më së miri si një përpjekje për të rënë dakord, por për të mos u pajtuar: ndërsa Pekini dhe më pas Tajpei i udhëhequr nga KMT ranë dakord të deklarojnë publikisht se ekziston vetëm një Kinë, interpretimit të së cilës referohet Kina, që udhëhiqet nga PKK ose KMT, lihet e hapur. Megjithatë, Kina e interpreton Konsensusin e vitit 1992 si një rrugë për ribashkimin e Tajvanit me Kinën nën ideologjinë “Një vend dy sisteme” – një mekanizëm politik që Kina e ka aplikuar gjithashtu në Hong Kong dhe Makao.

Historikisht, pasi Partia Komuniste e Kinës (PKK) fitoi Luftën Civile Kineze në vitin 1949, KMT e Republikës së Kinës (ROK) u zhvendos në Tajvan, ndërsa PKK njoftoi themelimin e Republikës Popullore të Kinës (RPK). Të dyja palët pretenduan se përfaqësonin “Një Kinë”. Megjithatë, DPP ka refuzuar të njohë konsensusin.

Deklaratat e Pekinit për luftën

Kandidati presidencial i DPP, William Lai Ching-te dhe kandidati për zëvendëspresident, Hsiao Bi-Khim, kanë hedhur poshtë Konsensusin e vitit 1992 dhe u kanë thënë votuesve se do të ndiqnin strategjinë diplomatike të Tsai, në një debat televiziv parazgjedhor, pas të cilit Pekini paralajmëroi se qëndrimi i Lait, duke mbështetur pavarësinë e Tajvanit, mund të nënkuptojë luftë. DPP nuk bëri thirrje publike për pavarësinë e Tajvanit, por shumë analistë thonë se e mbështet idenë.

Nga ana tjetër, kandidati pro-Pekinit i KMT-së Hou Yu-ih është i detyruar nga parimi i “Një Kinë” dhe është kundër pavarësisë së Tajvanit, ndërsa Ko Wen-je i TPP-së theksoi domosdoshmërinë për të mbajtur një marrëdhënie paqësore me Kinën kontinentale për të shmangur rrezikun e luftës.

Megjithëse William Lai kryeson garën presidenciale në shumicën e sondazheve zgjedhore, nëse mbështetësit e Ko-së votojnë Hou Yu-ih, klani miqësor ndaj Kinës mund të ketë ende një shans për të fituar, sipas disa analistëve.

Ndërkohë, mesazhi i Pekinit për vitin e ri, për votuesit tajvanezë, artikuluar nga presidenti i Shoqatës për Marrëdhëniet Përtej Ngushticës së Tajvanit, Zhang Zhijun, është se votat e tyre janë zgjedhje midis luftës dhe paqes:

即将举行的台湾地区两项选举,是和平与战争、繁荣与衰退两条道路、两种前景的重要抉择,广大台湾同胞要站在历史正确的一边,坚持一个中国原则和“九二共识”,坚决反对“台独”分裂活动和外部势力干涉,为推动两岸关系重回和平发展正轨做出坚定正确的选择。

Dy zgjedhjet (zgjedhjet presidenciale dhe parlamentare) në Tajvan janë një zgjedhje midis paqes dhe luftës, prosperitetit dhe regresionit, që nënkupton dy të ardhme të ndryshme. Votuesit në Tajvan duhet të qëndrojnë në anën e duhur të historisë, të këmbëngulin në parimin e “Një Kine” dhe “Konsensusin e 1992″ dhe të kundërshtojnë pavarësinë e Tajvanit, lëvizjen separatiste dhe ndërhyrjen e huaj. Qëndroni të vendosur dhe bëni zgjedhjen e duhur për t'i kthyer marrëdhëniet e ngushta në një rrugë paqësore.

Dëshira e Pekinit nuk është thjesht retorikë. Në javët e fundit, ka pasur raportime të ndryshme në media që flasin për përpjekjet e Pekinit për të ndryshuar zgjedhjen e votuesve.

Metodat e promovimit të ribashkimit

Sipas zyrtarëve të sigurisë së Tajvanit, Pekini po përdor një sërë metodash për të ndikuar në zgjedhje. Ata madje kanë rritur shkëmbimet fetare popullore midis Tajvanit rural dhe Kinës kontinentale përpara zgjedhjeve.

Raportimi ynë për inkursionet e Frontit të Bashkuar të Kinës në Tajvan përpara zgjedhjeve të janarit: thellimi i depërtimit në rrjetet e gjera të tempujve të “perëndeshës së paqes” të ishullit Mazu, përfshirë zonat e largëta me @YimouLee

Autoritetet në Kinën kontinentale kanë thënë në mënyrë eksplicite se fetë popullore, veçanërisht adhurimi i Mazu, një perëndeshë që mbron komunitetet e peshkimit, “luajnë një rol jetik në forcimin e unitetit të kinezëve dhe kinezëve jashtë shtetit” dhe “promovimin e ribashkimit paqësor të atdheut“.

Mazu është feja më popullore në Tajvan, me 10 milionë besimtarë. Këtë vit, Pekini ka lejuar disa dhjetëra udhëtime të adhuruesve tajvanezë për të vizituar tempujt Mazu në Kinën kontinentale. Disa udhëheqës tajvanezë të fesë i kanë bërë jehonë mesazhit politik të Pekinit dhe madje u kanë thënë shprehimisht adhuruesve të Mazu që të kundërshtojnë kandidatët që janë pro pavarësisë së Tajvanit dhe të votojnë për paqen në zgjedhje, sipas një raporti investigativ nga Reuters.

Javën e kaluar, media të ndryshme, përfshirë Reuters dhe CNN, cituan burime që pretendonin se Kina i bëri presion një grupi tajvanez të muzikës rok, Mayday, për të bërë deklarata pro-Kinës përpara zgjedhjeve në Tajvan për të tërhequr votuesit e rinj tajvanezë në favor të kandidatëve miqësorë me Pekinin.

Kina i ka ushtruar presion një grupi të njohur rok tajvanez të quajtur Mayday për të bërë komente pro Kinës përpara zgjedhjeve të Tajvanit muajin e ardhshëm, sipas burimeve me njohuri të drejtpërdrejta të situatës dhe një shënimi sigurie në Tajvan të parë nga Reuters.

Në fillim të dhjetorit, autoritetet në Kinën kontinentale nisën një hetim mbi një akuzë të bërë nga një bloger kinez se grupi nuk këndonte live gjatë koncerteve në Shangai në mes të nëntorit. Akuza, nëse vërtetohet, mund të sjellë një gjobë maksimale prej 100,000 juanësh RMB (14,000$) dhe ndalimin e performancës së ardhshme të grupit. Mayday hodhi poshtë akuzat në internet si “sulme keqdashëse, thashetheme dhe shpifje” dhe bashkëpunoi plotësisht me hetuesit.

Sa i përket raportimeve të mediave për presionin politik për të bërë komente pro Kinës, Mayday as e konfirmoi dhe as nuk e mohoi atë, ndërsa Zyra e Çështjeve të Tajvanit të Pekinit kritikoi mediat për lajmet “e sajuara” dhe akuzoi DPP-në në pushtet për përhapjen e thashethemeve. KMT akuzoi gjithashtu DPP-në për përdorimin e kanaleve qeveritare për të inskenuar skandalin politik Mayday në mediat e huaja.

Prania ushtarake: avionë e anije luftarake dhe balona spiunazhi

Kërcënimet ushtarake të Kinës ndaj Tajvanit nuk kanë ndalur gjatë viteve të fundit. Pasi kryetarja e Dhomës së Përfaqësuesve të SHBA Nancy Pelosi vizitoi Tajvanin në gusht 2022, avionët kinezë në kontinent kanë kaluar rregullisht vijën mesatare në ngushticën e Tajvanit.

Në prag të zgjedhjeve është intensifikuar prania ushtarake. Brenda 24 orëve midis 23-24 dhjetor 2023, 22 avionë kinezë dhe shtatë anije ishin rreth Tajvanit dhe 11 prej avionëve të zbuluar kishin hyrë në zonën ajrore të Tajvanit:

11 prej avionëve të zbuluar (J-16*4, J-10*2, J-11*2, Y-8 ASW*1, Y-8EW*1, KJ-500 AEW&C*1) kishin kaluar vijën mesatare të ngushticës së Tajvanit ose hyrnë në SW ADIZ të Tajvanit.

Ndërhyrjet e fundit janë nga balonat spiune të Kinës kontinentale. Autoritetet tajvaneze raportuan gjashtë incidente në dhjetor.

Në përgjigje të pretendimeve për kërcënime ushtarake, zëdhënësi i Ministrisë së Mbrojtjes së Kinës deklaroi se Ushtria Çlirimtare Popullore “do të merrte të gjitha masat e nevojshme për të mbrojtur me vendosmëri sovranitetin kombëtar dhe integritetin territorial”, por hodhi poshtë akuzat për ndërhyrje në zgjedhje dhe akuzoi DPP-në në pushtet për “sjellje konfrontuese” përgjatë ngushticës së Tajvanit.

Presidenti kinez Xi Jinping theksoi gjithashtu në fjalimin e Vitit të Ri se ribashkimi me Tajvanin ishte “i pashmangshëm”:

“Ribashkimi” i Kinës me Tajvanin është i pashmangshëm, tha presidenti Xi Jinping në fjalimin e Vitit të Ri, duke pasur një ton më të fortë se vitin e kaluar, me më pak se dy javë para se ishulli i pretenduar nga Kina të zgjedhë një udhëheqës të ri.

Xi i tha presidentit amerikan Joe Biden në një takim bilateral gjatë samitit të APEC-ut në nëntor 2023 se Tajvani ishte çështja më e rëndësishme dhe më e rrezikshme në marrëdhëniet kino-amerikane.

Nis komentet

Autorë, ju lutem hyr »

Rregullat

  • Të gjitha komentet lexohen nga moderatori. Mos dërgo të njëjtin koment më shumë se një herë pasi mund të konsiderohet spam.
  • Respekto të tjerët. Komentet me gjuhë urrejtjeje, të pahijshme dhe sulme personale nuk do të miratohen.