Ky artikull është pjesë e mbulimit tonë special të #Okupo anembanë botës.
Kur e publikuam artikullin tonë të parë për “Okupo Wall Street-in“, për një grup që kishte dalë për kampim në parkun Zukoti, mezi se arriti të publikohej faqen e parë të gazetave lokale. Momentalisht, me qindra mijëra pasues që iu bashkangjitën këtij qëllimi — duke përfshirë edhe liderë të sindikateve, intelektualë si Sllavoj Zhizhek, dhe personalitete të tjera si Majkëll Mur — Okupo Wall Street e ka tërhequr vëmendjen e mediumeve kombëtare dhe atyre ndërkombëtare, ndërsa protestat janë përhapur edhe në shumë qytete të tjera të SHBA-ve, duke përfshirë Bostonin, Hartfordin, Sietllin, Uashingtonin dhe Tampën (për përfshirjen e plotë kontrollojeni ueb-faqen e Okupo Wall Street-in).
Kjo lëvizje ka tërhequr aq shumë vëmendje, sa që u bë temë diskutimi ndërmjet politikanëve dhe profesionistëve të mediumeve, në mesin e të cilëve edhe Erik Alterman nga Qendra për progres amerikan, i cili e kupton “padurimin dhe mllefin” e kësaj lëvizjeje, dhe e përkrah atë që fituesi i Çmimit Nobel për ekonomi, Joseph Stiglitz, një herë e quajti “era e 1%,” duke aluduar në 1% që e ka pjesën më të madhe të pasurisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
Megjithatë, ka të tjerë që nuk pajtohen me këtë mendim: kandidati republikan për president, Herman Kejn, e kritikoi “Okupo Wall Street-in”, duke thënë se kriza nuk vjen nga Wall Street-i, por nga Shtëpia e Bardhë, dhe se demonstrantët vetë janë fajtorë që nuk janë bërë milionerë dhe që nuk kanë punë (kjo është një shprehje për debatim që përdoret nga ideologjia republikane dhe neoliberale.) Siç pritej, komentet u kritikuan ashpër, duke i klasifikuar si „ideologji iracionale“.
Bloguesit si Robert W. Snyder nga nj.com, besojnë se tregimi për këto protesta meriton një këndvështrim më të mirë, për shkak se shtypi më tepër është fokusuar në përleshjet ndërmjet protestuesve dhe policisë.
Siç e kemi parë në vitet e gjashtëdhjeta, një protestë paqësore u definua nëpërmjet mbulimit joproporcional të një pakice të protestuesve që kërkojnë probleme. Siç ndodh shpesh, janë fotografitë dhe titujt, që shkaktojnë më tepër huti te qytetarët. Fotografët i kapin në mënyrë të shkëlqyeshme aksionin dhe mllefin, mirëpo ata nuk munden t'i bartin nuancat, të cilat më së miri mund të shprehen me anë të fjalëve.
Joseph Lawler nga blogu The Spectacle, e sqaron dallimin në mes të Okupo Wall Street-it dhe Lëvizjes ultrakonservative Mbrëmje çaji, pasiqë disa spekulojnë se e para mund të bëhet grup politik:
Duke gjykuar nga fotografitë e aktivistëve të lëvizjes Okupo Wall Street-in, kjo lëvizje, së paku deri tani, duket se është më e afërt me modelin e protestimit si “rini rebeluese”, se sa si “qytetarë që u ka ardhur deri në majë të hundës”, e cila më shumë i ngjan Mbrëmjes së çajit. Do të shohim se deri ku do të shkojë kjo punë.
Ekspertët konfirmojnë se kryetari Barak Obama është munduar ta kanalizojë mllefin dhe forcimin gjithnjë e më të madh të lëvizjes Okupo Wall Street-in, për ta arsyetuar propozim-ligjin e tij për krijim të vendeve të punës. Justin Vassallo nga The Faster Times, megjithatë, beson se lëvizja Okupo Wall Street-in nuk e ka arsyetuar imixhin e Kryetarit që të mund të vazhdojë ta kryejë misionin e tij:
Nëse Obama me të vërtetë e ka ndjekur lëvizjen Okupo Wall Street-in, ai duhet ta kuptojë se një koalicion i pasionuar dhe në rritje i amerikanëve, tashmë është duke u mobilizuar pa të.
Veçanërisht në Twitter, disa njerëz si p.sh. Unedited Camera(@Uneditedcamera) e kanë dhënë mendimin e tyre sa i përket motiveve të mundshme politike të lëvizjes Okupo Wall Street-in:
#occupywallstreet kjo lëvizje nuk ka të bëjë me partitë politike. Ka të bëjë me demokratizimin e jetës sonë.
Chris Spencer (@Chris_M_Spencer), nga ana tjetër, e ka kritikuar lëvizjen në këtë mënyrë:
Definicioni i qaramanit: të jesh i zemëruar me korporatat për shkak se je i papunë. @OccupyWallSt #OccupyWallStreet #OWS #futility
Në mënyrë të ngjashme, curmudgeon (@Curmudgeonisto) beson se lëvizja po e humb kohën kot:
Protestuesit e #OccupyWallstreet do të ishin më pak të “varfër” nëse gjysmën e përpjekjes së tyre të kotë do ta kishin harxhuar për të mësuar ose për t'u trajnuar #OWS #TCOT
OccupyWallStreetNYC (@OccupyWallStNYC) iu përgjigj forcës së përdorur nga autoritetet lokale:
Përgjigja më e mirë për dhunën e tyre është më tepër paqe. #occupywallstreet #sep17
Jordan Hammond (@InktViek) e përshkruan luftën e lëvizjes Okupo Wall Street-in me një citat të Gandit:
#occupywallstreet “në fillim ju injorojnë, pastaj qeshen me ju, pastaj ju luftojnë, e pastaj ju fitoni” –Gandi, tani ata janë duke na luftuar
Më poshtë është një video me komente nga disa pjesëmarrës:
Ky artikull është pjesë e mbulimit tonë special të #Okupo anembanë botës.