Fshatrat nepaleze po modernizohen, por kjo po sjell zhdukjen e artit mokha

Arti i bukur mokha do të hiqet nga distrikti Sunsari i Nepalit Lindor së shpejti për shkak të zgjerimit të rrugës. Foto nga Sanjib Chaudhary. Përdoret me leje.

Në fushat jugore të Nepalit, peizazhet e fshatrave dikur dominoheshin nga shtëpitë me mure bambuje e qerpiçi, me çati prej kashte dhe me tjegulla. Veçanërisht në Nepalin Lindor, shtëpitë që i përkisnin Tharus-it ishin zbukuruar në muret me qerpiç me art të bukur mokha. Teksa shtëpitë tradicionale në Nepal po zëvendësohen nga banesa me beton, arti i famshëm është në prag të zhdukjes.

Sipas Regjistrimit Kombëtar të Popullsisë dhe Banesave 2021, më shumë se 50 për qind e shtëpive në Nepal kanë mure të çimentuar, ndërsa rreth 30 për qind janë me mure me tulla ose gurë të lidhur me baltë. Vetëm rreth 11 për qind e shtëpive kanë mure bambuje, për të mos përmendur 3.9 për qind të atyre me çati prej kashte dhe 9.2 për qind me çati me tjegulla.

Brezat e artit mokha

Në zonat lindore nepaleze të Sunsari dhe Morang, Tharus krijojnë dizajne dhe modele të ndërlikuara duke përdorur një përzierje balte me krunde orizi, bajga lopësh, kashtë dhe barishte, që njihet si arti mokha.

Artistët, kryesisht gra, bëjnë një përzierje prej balte dhe jute, si tregohet në këtë video në YouTube nga Vision Nepal. Shtresat e argjilës janë aplikuar në mure, duke formuar modele të ndryshme gjeometrike dhe lulesh, por edhe zogj, si pallonj dhe papagaj. Pasi dizajni thahet, lyhet me ngjyra natyrale, të zëvendësuara me ato që gjenden në treg këto ditë.

Arti Mokha, i quajtur ‘payar’, në një shtëpi në distriktin Saptari të Nepalit Lindor. Foto nga Sanjib Chaudhary. Përdoret me leje.

Po kështu, në qarqet Saptari, Siraha dhe Udaypur, artistët përdorin një përzierje balte, krunde orizi dhe bajgë lope dhe lyejnë muret me bambu e kashtë. Ata aplikojnë shtresa të kësaj përzierjeje për të krijuar modele gjeometrike dhe lulesh, zogjve dhe  elefantëve. Pasi dizajni thahet, lyhet me argjile të bardhë natyrale përpara se të aplikohen ngjyra natyrore – si ajo e baltës dhe e kuqja, e zeza, mes të tjerash. Ky art, një formë e mokha, quhet ‘payar’.

Blogeri Lex Limbu postoi në X (ish Twitter):

Punime të bukura artistike mokha në muret e shtëpive Tharu të Saptariya  në Goigada.

Ky art, së bashku me teknikat, proceset, motivet dhe modelet e tij, është përcjellë nga një brez në tjetrin. Gratë zakonisht e trashëgojnë këtë njohuri nga nënat dhe gjyshet e tyre.

“Është kaluar brez pas brezi brenda familjes rurale, zakonisht – por jo gjithmonë – i bërë nga gratë”, shkruajnë Kurt W. Meyer dhe Pamela Deuel, të cilët kaluan rreth katër vjet duke vizituar 300 fshatra Tharu. “Nuk ka shkolla, kolegje arti, mësues që u thonë se çfarë është “e drejtë” dhe çfarë është “e gabuar” –  kjo është arsyeja që ne e quajmë atë “Art pa artistë””.

Art për dekorimin e dyerve dhe dritareve

Arti Mokha dhe forma të tjera të dekorimit të mureve zakonisht bëhen gjatë festave dhe për raste të veçanta, si martesa.

“Arti Mokha është bërë në anën e djathtë dhe të majtë të derës kryesore dhe rreth dritareve,” shkruan Bishnu Prasad Chaudhary në librin e tij Tharu Lok Kala (Artet Popullore Tharu). “Shtimi i jutës dhe pambukut në argjilë minimizon plasaritjen e modeleve.”

Po kështu, shtimi i qumështit në ngjyra përpara se t'i aplikoni ato në dizajn, siguron që ngjyrat të mos zbehen shpejt. Artistet i zbukurojnë edhe shtyllat me këto motive arti.

“Një shtëpi e dekoruar mirë që shfaq artin mokha njihet ende si një shtëpi me gra me fat”, shkruan artisti SC Suman. “Ka prosperitet në një shtëpi që ka mokha. Sipas besimit popullor të Tharu, nëse nuk ka mokha në shtëpinë e dikujt, gjysmë kilogrami oriz humbet çdo ditë.

Modernizimi vret artin tradicional

Pramila Biswas nga Labipur, distrikti Sunsari në Nepalin juglindor, mburret duke treguar artin mokha të bërë nga vjehrra e saj, Jhalaiya Biswas. “Shumica e shtëpive në fshatin tonë ishin zbukuruar me art mokha,” tha Biswas në një intervistë me Global Voices. “Megjithatë, teksa banesat tradicionale po zëvendësohen me shtëpi prej betoni, na kanë mbetur vetëm disa shtëpi me art mokha.”

Arti Mokha nga fshati Labipur i Nepalit Lindor në distriktin Sunsari. Foto nga Sanjib Chaudhary. Përdoret me leje.

“Teksa komuna po zgjeron rrugën, arti mokha në muret e shtëpisë sime do të hiqet,” ankohet Kishni Majhi nga i njëjti fshat.

Për shkak të procesit të vështirë të bërjes së artit mokha dhe përpjekjes së mundimshme që kërkohet për ta ruajtur atë – shumë artistë duhet të riaplikojnë ngjyrat disa herë në vit – shumë familje po e heqin artin dhe po shkojnë drejt mureve të thjeshta me tulla.

“Ne do të vazhdojmë të ruajmë artin mokha në shtëpinë tonë,” tha Hom Narayan Chaudhary nga Duhabi, Sunsari. “Megjithatë, ne nuk jemi të sigurt nëse fëmijët tanë do ta ruajnë të paprekur.”

Jo vetëm shtëpitë në Labipur përballen me këto kërcënime zhdukjeje, por shumicën e banesave tradicionale të fshatit Tharu, në fushat jugore të Nepalit, e pret i njëjti fat. Pa masat adekuate të marra për të mbrojtur këtë art të shkëlqyer popullor Tharu, ai është i destinuar të zhduket përgjithmonë.

Nis komentet

Autorë, ju lutem hyr »

Rregullat

  • Të gjitha komentet lexohen nga moderatori. Mos dërgo të njëjtin koment më shumë se një herë pasi mund të konsiderohet spam.
  • Respekto të tjerët. Komentet me gjuhë urrejtjeje, të pahijshme dhe sulme personale nuk do të miratohen.