Gazetarët e Maqedonisë së Veriut protestojnë kundër vendimit të gjykatës për lejimin e censurës

Protest against censorship in front of Skopje Court on November 17, 2023. Photo by Portalb.mk, used with permission.

Protesta kundër censurës para Gjykatës së Shkupit më 17 nëntor 2023. Foto nga Suad Bajrami/Portalb.mk, e përdorur me leje.

Ky artikull bazohet në raportimin e Portalb.mk dhe Meta.mk. Një version i redaktuar ribotohet këtu sipas një marrëveshjeje për ndarjen e përmbajtjes ndërmjet Global Voices dhe Fondacionit Metamorfosis.

Dhjetëra gazetarë në Maqedoninë e Veriut nga disa media protestuan më 17 nëntor para Gjykatës Civile në Shkup për të dënuar vendimin kundër Laboratorit të Gazetarisë Investigative (IRL) që konsiderohen si një përpjekje për t'i mbyllur gojën dhe kontrolluar gazetarët.

Vendimi për raportimin e IRL, “Konspiracion kundër ajrit” (i disponueshëm edhe në anglisht si “‘Europe's Waste Dump': How Dangerously Polluting Oil Ended Up Heating North Macedonia's Hospitals”) u shpall më 24 tetor. Një zyrtar i përmendur në dokumentar për ndikimin e vajrave të pista në ndotjen e ajrit ka paditur IRL për shpifje dhe fyerje. Gjyqtarja Jovanka Spirovska Paneva konteston statusin e gazetarëve dhe pretendon se IRL nuk është një media apo shoqatë për “raportim gazetaresk”:

„ИРЛ нема ниту својство на медиум, како средство за јавно информирање според Закон за медиуми, a членовите на истото немаат својство на новинари, ниту можат, заради известување на јавноста да прават новинарски обликувани емисии, да се претставуваат како новинари или да се бават со жанрот истражувачко новинарство и сето тоа да го објавуваат преку средствата за јавно информирање“.

IRL nuk ka statusin e medias si mjet për informimin e publikut sipas Ligjit për Media dhe anëtarët e saj nuk kanë statusin e gazetarit dhe as nuk mund të krijojnë produkte gazetareske për qëllime të informimit të publikut, të përfaqësojnë veten si gazetarë, ose të angazhohen në gazetari investigative dhe të gjithë këtë ta publikojnë përmes mjeteve të informimit publik.

Gazetarët thanë se vendimi i gjykatës vendos një precedent që kërcënon parimet e demokracisë, pasi kalon në censurë dhe mund të çojë në mbylljen e mediave.

Çmimi ironik “Censuresja e vitit” nga Asociacioni i Gazetarëve të Maqedonisë. Foto nga Suad Bajrami/ Portalb.mk, e përdorur me leje.

Si përgjigje ndaj vendimit, Asociacioni i Gazetarëve të Maqedonisë (SHGM) dhe Sindikata e Pavarur e Gazetarëve dhe Punonjësve të Medias (SSNM) protestuan, duke u kujtuar autoriteteve se nuk duhet të tentojnë të cenojnë të drejtën për informim të pavarur dhe se censura institucionale nuk duhet të kryhet në favor të të fuqishmëve. Grupet mediatike prezantuan gjithashtu një pllakë duke e quajtur gjyqtaren si “censuruesja e vitit”.

Protesta kundër censurës para Gjykatës së Shkupit më 17 nëntor 2023. Foto nga Suad Bajrami/Portalb.mk, e përdorur me leje.

Disa nga mesazhet në maqedonisht, shqip dhe anglisht në pankartat gjatë protestës përfshinin: “Gazetaria nën sulm, ne jemi të bashkuar”, “Censurues në emër të të fuqishmëve”, “Puna jonë është për publikun, jo për kolegët tanë”, “Të dënuar për të vërtetën”, dhe “Ne nuk jemi xhuboks, jemi gazetarë”.

Protesta kundër censurës para Gjykatës së Shkupit më 17 nëntor 2023. Foto nga Meta.mk, e përdorur me leje.

Në mesin e atyre që folën gjatë protestës ishin gazetarët Sead Rizvanović, Irena Mulachka, Mefail Ismaili dhe Tona Kareva, të cilët përfaqësonin Blueprint, një grup që bën fushatë për reformën në drejtësi.

Sead Rizvanoviç përmendi fatin e A1 TV, stacionit më të njohur në Maqedoninë e Veriut, i cili u mbyll nga qeveria në vitin 2011 gjatë periudhës së kapjes së shtetit kur në pushtet ishte Nikola Gruevski:

Skenari i kohës së A1 po përsëritet dhe ashtu si atëherë, ne e dinim se për çfarë bëhej fjalë. Qëllimi nuk ishte mbyllja e televizionit, qëllimi ishte të na mbyllnin gojën, një proces që u përsërit më pas në media të tjera dhe në mënyra të tjera. Kujtojmë edhe përndjekjen e Tomislav Kezharovskit dhe raste të tjera. Tani po ndodh në një formë tjetër, por përmbajtja është e njëjtë.

[Kapja e shtetit është një term që përdoret për të përshkruar se si institucionet shtetërore janë manipuluar për t'i shërbyer interesave të një grupi ose entiteti privat në vend të së mirës së përbashkët. Është theksuar në Raportin e Progresit të BE-së për vitin 2016.]

Gazetarja Irena Mulaçka tha se gjyqësori nuk po mbron interesin e publikut.

Për një kohë të gjatë, gjyqtarët kanë punuar në favor të biznesmenëve dhe politikanëve dhe ne gazetarët jemi këtu për të thënë të vërtetën. Askush nuk mund të na heshtë e as të na pengojë të ngremë zërin apo të publikojmë të vërtetën e rëndësishme për qytetarët. Më e rëndësishmja nga të gjitha është pena e gazetarit dhe interesi publik është mbi gjithçka tjetër, sepse njerëzit duhet të jenë të vetëdijshëm për atë që po ndodh në vend.

Tona Kareva paralajmëroi se vendimi i gjykatës kërcënon seriozisht punën e organizatave të shoqërisë civile.

Kur besimi në gjyqësor është në një nivel kaq të ulët, ky lloj vendimi nuk ndihmon në rritjen e besimit dhe gjyqtarët duhet të jenë mjaft të guximshëm për të punuar në përputhje me ligjet, standardet dhe parimet ndërkombëtare. Një vendim i tillë u dërgon mesazh qytetarëve që të heshtin dhe të jenë pasivë përballë korrupsionit dhe padrejtësisë, që është në kundërshtim me të gjitha parimet dhe standardet. Ligji duhet t'i shërbejë drejtësisë dhe shoqatat e shoqërisë civile duhet të jenë të përkushtuara për të punuar për një shoqëri demokratike ku lufta kundër korrupsionit dhe [për] sundimin e ligjit dhe demokracinë do të jenë parimet kryesore.

Fondacioni Metamorphosis deklaroi se vendimi i gjykatës është një precedent i rrezikshëm që prek si lirinë e shprehjes si dhe lirinë e organizimit, veçanërisht në pjesën ku gjykata jep një vlerësim nëse IRL dhe gazetarët nga kjo redaksi janë gazetarë apo jo dhe nëse raportimi investigativ “Konspiracion kundër ajrit” mund të prezantohej për publikun ose vetëm për anëtarët e shoqatës, e cila është edhe botuese e IRL.

Со оваа одлука Судот воспоставува пракса по која може да се појават сериозни последици, бидејќи води до ограничување на работата на здруженијата и фондациите, уредена со членот 14 од Законот за здруженија и фондации, каде е уредено дека „организациите можат слободно да ги искажуваат и промовираат своите ставови и мислења за прашања од нивен интерес, да поведуваат иницијативи и да учествуваат во градење на јавно мислење и креирањето на политиките“.

Me këtë vendim gjykata vendos një praktikë që mund të ketë pasoja të rënda, pasi sjell kufizimin e punës së shoqatave dhe fondacioneve, e rregulluar me nenin 14 të Ligjit për shoqatat dhe fondacionet. Ky nen thotë se “organizatat janë të lira të shprehin dhe promovojnë pikëpamjet dhe opinionet për çështjet e interesit të tyre, të ndërmarrin nisma dhe të jenë pjesë e formimit të opinionit publik dhe krijimin e politikave”.

“Gazetaria po publikon atë që dikush tjetër nuk dëshiron të që të publikohet”, thuhet në citimin e George Orwell në protestën kundër censurës në Shkup më 17 nëntor 2023. Foto nga Meta.mk, e përdorur me leje.

Nis komentet

Autorë, ju lutem hyr »

Rregullat

  • Të gjitha komentet lexohen nga moderatori. Mos dërgo të njëjtin koment më shumë se një herë pasi mund të konsiderohet spam.
  • Respekto të tjerët. Komentet me gjuhë urrejtjeje, të pahijshme dhe sulme personale nuk do të miratohen.