Si po kërcënohet bota dixhitale nga mashtrimet në internet në rritje të Indisë

Photo by Sora Shimazaki via Pexels

Foto nga Sora Shimazaki. Përdorur sipas Pexels License.

Nisja e fushatës Digital India (India dixhitale) në 2015 shënoi fillimin e një revolucioni dixhital që ka transformuar thellësisht mjedisin socio-ekonomik të Indisë. Nga kalimi në klasat online te miratimi i gjerë i transaksioneve dixhitale për blerjet e përditshme, shumë indianë tani zgjedhin lehtësinë e pagesave dixhitale. India gjithashtu renditet e para në transaksionet në internet, sipas të dhënave të vitit 2022.

Megjithatë, ky transformim vjen me një kosto, pasi rritja e krimeve financiare kibernetike po shkakton një humbje të konsiderueshme ekonomike ditore prej afro 1 miliard INR (12 milionë dollarë).

Në shtator 2023, kanali i lajmeve NDTV India publikoi një dokumentar investigativ të titulluar “OTP Mafia“, që ekspozoi krimet e shfrenuara kibernetike nga distrikti Nuh i shtetit verior Haryana.

Kërcënimet e sigurisë kibernetike

Me një popullsi prej 1.43 miliardë banorësh, India ka më shumë se 1.1 miliardë telefonë celularë dhe mbi 692 milionë përdorues të internetit, duke krijuar një grup të madh njerëzish që janë të ekspozuar ndaj kërcënimeve të ndryshme dixhitale.

Krimet kibernetike financiare përbëjnë mbi 75 për qind të të gjitha krimeve kibernetike që ndodhin në Indi. Këto përfshijnë një sërë aktivitetesh të paligjshme të tilla si phishing, mashtrimet për qëllime seksuale, OTP, mashtrimet me kartat e debitit, me shërbimin e klientit dhe aktivitete mashtruese duke përdorur aplikacionet e Unified Payments Interface (UPI). Muajt ​​e fundit, Nuh, një distrikt në shtetin indian të Haryana-s, i njohur për nivelet e larta të varfërisë dhe papunësisë, është bërë i fasmshëm si një pikë e nxehtë për kriminelët kibernetikë, duke marrë vëmendjen e medias.

Krimet kibernetike në Nuh kanë parë një rritje të mprehtë pas pandemisë COVID-19, e cila la njerëzit pa punë dhe burime të ardhurash. Kjo i ka shtyrë të rinjtë e arsimuar të kërkojnë mundësi për të përballuar jetesën, me mashtrimet financiare që shfaqen si një nga mënyrat më të lehta për të fituar një shumë të konsiderueshme brenda natës. Analiza e policisë zbuloi se 28,000 njerëz nga 35 shtete në të gjithë Indinë u mashtruan me mbi 1 miliard INR (12 milionë dollarë) nga hakerat në Nuh.

Si funksionon?

Në shumë raste, këta mashtrues përpiqen të imitojnë zyrtarë nga bankat kryesore indiane, duke pretenduar se ka probleme me llogaritë e klientëve dhe për këtë duhet ndërhyrje e menjëhershme. Këto telefonata mashtruese shpesh bëhen në vëllime të larta, duke futur në grackë njerëzit.

Për të ekzekutuar me sukses këto mashtrime, mashtruesit përdorin disa karta SIM nga operatorë të ndryshëm të telekomunikacionit. Këto karta SIM shpesh merren me mjete mashtruese, të tilla si përdorimi i kartave false të identitetit ose joshja e njerëzve të varfër për të siguruar dokumentet e tyre për marrjen e kartave SIM, madje mund t'u shiten mashtruesve që jetojnë jashtë vendit.

Në prill 2023, policia e Delhit arrestoi 31 persona nga Bengali Perëndimor, të përfshirë në marrjen dhe shitjen e paligjshme të kartave SIM për mashtruesit në sasi të mëdha. Policia konfiskoi rreth 22,000 karta SIM, të cilat iu shitën një sindikate kriminale që vepronte nga Jamtara në Jharkhand.

Qendra mashtruese e Jamtara është aq e njohur sa frymëzoi një serial në Netflix në vitin 2020 të titulluar “Jamtara: Sabka number ayega” (Jamtara: Do të vijë koha e të gjithëve). Seriali sjell mashtrimet nga Jamtara në formën origjinale, duke theksuar se si adoleshentët përfshihen në këto aktivitete duke përdorur karta SIM me shumicë, pajisje celulare dhe identitete të falsifikuara.

Studiuesi Priyanshu Ratnakar nga Delhi tha në X (ish Twitter):

Pas zbatimit të 5G në Indi kriminelët kibernetikë kanë nisur një fushatë të re mashtrimi. Mund të merrni SMS ose mesazh në WhatsApp për të përmirësuar kartën tuaj SIM në 5G. Shmangni ndjekjen e çdo hapi të përmendur, kjo mund të çojë në Ndërrim/Përcjellje të SIM ose në mënyra të tjera mashtrimi.

Eksperti i IT-së Priyank Agrawal nga Bengaluru sugjeroi në X:

Shumëllojshmëria dhe shkalla e mashtrimeve në Indi është e lartë. Kemi nevojë seriozisht për zgjidhje universale për këto probleme. Po sikur rregullat për marrjen e kartave të reja SIM të bëhen më të rrepta? Duhet të jenë së paku ekuivalente me nivelet e sigurisë së llogarisë bankare.

A çon papunësia në mashtrime?

Këta kriminelë janë zakonisht nga 20 deri në 35 vjeç dhe ata përfaqësojnë një brez të rinjsh me njohuri teknologjike me aftësi të gjuhës angleze. Shumë nga ata janë të aftë dhe të papunë, duke iu drejtuar mashtrimeve si një mënyrë alternative për të bërë para.

Dokumentari i CNA Insider i titulluar “Industria e zhvilluar e mashtrimit të Indisë: Para se të telefononi Mbështetjen Teknike” hedh dritë mbi mënyrën se si disa të rinj indianë po punojnë në këto qendra telefonike mashtruese si një mjet për të fituar të ardhura. Një numër i mirë i të rinjve indianë po punojnë në këto qendra telefonike mashtruese me kohë të plotë. Problemi i përhapur i papunësisë në vend i detyron shumë prej tyre të vazhdojnë punën, edhe pse është e paligjshme.

Në një temë diskutimi në Reddit të titulluar “Pse indianët janë të gatshëm të punojnë në qendrat e telefonatave të mashtrimit?” pjesëmarrësit theksojnë se një numër i madh i të rinjve të papunë shpesh kanë mundësi të kufizuara dhe nuk u mbetet gjë tjetër veçse të punojnë dhe të fitojnë para, edhe nëse kjo do të thotë përfshirje në aktivitete të paligjshme.

Mashtrime përtej Indisë

Krimet financiare kibernetike të mashtruesve indianë janë shtrirë përtej kufijve të Indisë, me një rritje të dukshme të aktiviteteve mashtruese që synojnë vende të tilla si Shtetet e Bashkuara. Në vitin 2022, qytetarët amerikanë ranë viktimë e mashtrimeve, duke rezultuar në një humbje prej 10 miliardë dollarësh, me një pjesë të konsiderueshme të këtyre incidenteve që përfshinin qytetarë të moshës 60 vjeç e lart. Të moshuarit janë shënjestra veçanërisht të lehta për mashtruesit, pasi ata shpesh kanë më pak njohuri për teknologjinë dixhitale dhe mund të kenë nevojë për ndihmë me sistemet e tyre.

Në qershor 2023, dy indianë u arrestuan në Florida për mashtrimin e një gruaje të moshuar me 80,000 dollarë.

Ndryshe nga rastet e tjera, këto aktivitete ndërkombëtare përfshijnë kryesisht mashtrime me mbështetjen e teknologjisë. Me kalimin e viteve, qendrat e telefonatave kanë lulëzuar në qytetet indiane. Disa nga këto qendra thirrjesh me sa duket po funksionojnë duke ofruar një shërbim të ligjshëm në sipërfaqe, por në fakt po operojnë qendra telefonatash mashtrimi në prapaskenë.

Dokumentari i NDTV India OTP Mafia përfshin gjithashtu një intervistë me Shuel Daud, kreun e FBI-së në Azinë Jugore, i cili flet për përpjekjet për të adresuar rastet në Shtetet e Bashkuara të shënjestruara nga këta mashtrues indianë.

Në qershor 2023, një operacion i përbashkët i policisë së Delhi-t dhe FBI-së shkatërroi një qendër telefonike që mashtroi qytetarët amerikanë me shumën e rreth 20 milionë dollarëve. Po kështu, në shtator 2023, policia e Assam bastisi tetë qendra të ngjashme në Guwahati dhe arrestoi rreth 200 njerëz.

Megjithatë, këto veprime kundër mashtruesve janë maja e ajsbergut. Qendrat e telefonatave mashtruese funksionojnë dhe vazhdojnë të shtohen në të gjithë Indinë, veçanërisht në zonat urbane, për shkak të papunësisë dhe varfërisë.

Ky artikull u shkrua edhe me ndihmën e Sironjib Bharali

Nis komentet

Autorë, ju lutem hyr »

Rregullat

  • Të gjitha komentet lexohen nga moderatori. Mos dërgo të njëjtin koment më shumë se një herë pasi mund të konsiderohet spam.
  • Respekto të tjerët. Komentet me gjuhë urrejtjeje, të pahijshme dhe sulme personale nuk do të miratohen.