Raporti: Arti e kultura në Gjeorgji po sfumohen nga qeveria

Foto nga Arzu Geybullayeva

Raporti i ri nga PEN America, “Sfumimi i kulturës në Gjeorgji”, i publikuar më 2 nëntor 2023, dokumenton sesi nën udhëheqjen e Ëndrrës Gjeorgjiane, partisë në pushtet, liria e shprehjes ka shënuar rënie dhe se si kjo sinjalizon një “lëvizje drejt autoritarizmit”. Përtej përpjekjes së udhëheqjes për të frenuar lirinë e shprehjes, ekziston një përpjekje e dukshme dhe e qëllimshme për të sfumuar skenën e gjallë kulturore të vendit, pavarësisht rezistencës nga komuniteti kulturor, thuhet në raport. “Artistët dhe shkrimtarët përballen me pasoja kur perceptohen se po punojnë kundër interesave të qeverisë,” shkruajnë autorët e raportit.

Fakti që partia në pushtet ka marrë një kthesë për keq te liritë dhe të drejtat e njeriut nuk është lajm për ekspertët që kanë ndjekur zhvillimet në vend, thuhet në raport, “veçanërisht që nga pushtimi i plotë i Ukrainës nga Rusia në vitin 2022”.

Por Gjeorgjia është përfshirë në një krizë politike që nga tetori 2020, kur vendi mbajti një votim parlamentar, i cili u kundërshtua nga grupet e opozitës. Që atëherë vendi pa “shpërndarje të dhunshme të protestave; sulmet dhe ndërhyrjen në punën e gazetarëve dhe mediave të pavarura; pengimin e punës së aktivistëve kundër korrupsionit; dhe një ndarje në rritje midis shoqërisë gjeorgjiane dhe liderëve të saj politikë”, thuhet në raport.

Përveç përkeqësimit të lirive dhe demokracisë, partia në pushtet Ëndrra Gjeorgjiane u përball gjithashtu me kritika për qëndrimin e saj anti-LGBTQ+ dhe ndryshimet e rëndësishme në marrëdhëniet e saj me Rusinë, që kur kjo e fundit pushtoi Ukrainën.

Pushtimi rus është kundërshtuar ashpër nga gjeorgjianët. Rreth 90 për qind e popullit e shohin Rusinë si një kërcënim, sipas sondazhit të Institutit Republikan Ndërkombëtar të publikuar në mars 2022.

E megjithatë, argumenton raporti i sapo publikuar i PEN-it, partia Ëndrra Gjeorgjiane shihet “gjithnjë e më shumë se është nën ndikimin rus.”

Kjo përfshin një përpjekje nga partia në pushtet për të miratuar ligjin për “agjentët e huaj”. Projektligji i propozuar “për transparencën e ndikimit të huaj”, ishte i ngjashëm me ligjin e Rusisë të vitit 2012 për “agjentët e huaj”, i cili është përdorur për të shtypur disidencën dhe opozitën në Rusi që kur hyri në fuqi. Ai u propozua nga një grup deputetësh, dikur nga Ëndrra Gjeorgjiane, të cilët u larguan nga ajo dhe formuan partinë e tyre politike të quajtur Pushteti Popullorgusht 2022. Nëse miratohej, projektligji do të “detyronte organizatat joqeveritare të financuara nga jashtë të regjistroheshin si agjentë të huaj”, raporton Eurasianet.

Ajo që ka kaluar pa u vënë re, megjithatë, thonë autorët e raportit, janë “kërcënimet për sektorin kulturor, një komponent thelbësor i shoqërisë civile dhe të drejtat për shprehjen e lirë, akses në informacion dhe pjesëmarrje në jetën kulturore”.

Gjatë dy viteve të fundit, kërcënimet nga qeveria, ngacmimet dhe ndërhyrja te zërat kritikë në sferën kulturore janë rritur ndjeshëm, duke sugjeruar se qeveria ndjehet e kërcënuar nga një sektor kulturor i gjallë dhe i pavarur.

Mes shumë shqetësimeve të theksuara në raport është emërimi në postet kyçe brenda ministrisë së Kulturës të individëve që nuk kanë lidhje me kulturën (në disa raste nga ministria e Drejtësisë), duke filluar nga ministrja e re e Kulturës, Tea Tsulukiani, e emëruar në vitin 2021. Ajo ishte më parë ministre e Drejtësisë. Këto emërime kanë pasur një “ndikim të rëndësishëm”, duke kufizuar dhe minuar “punën e profesionistëve të pavarur dhe të kualifikuar në sferën kulturore”.

Lufta kundër kulturës

Nga bota letrare, te kinemaja, muzetë dhe sferat e tjera të artit dhe kulturës, skena e kulturës gjeorgjiane është sfumuar që kur Tsulukiani mori detyrën e ministres në vitin 2021. Që atëherë, ministrja është përfshirë në polemika për përpjekjet e saj për “të eleminuar joefikasitetin e pretenduar, korrupsionin dhe nepotizmin në art dhe kulturë.”

Teatrot ishin ndër vendet e para të shënjestruara nga ministrja e re. Pas përfundimit të mandatit katërvjeçar të drejtorëve artistikë, “me vendim të Tsulukianit, disa nga drejtorët e teatrit u emëruan pa konkurs”, raportoi Transparency International Georgia. Por edhe kur u shpallën konkurset, drejtorët e rinj njiheshin për besnikërinë ndaj partisë në pushtet.

Më pas ishte radha e muzeve kombëtarë. Sipas Transparency International Georgia, rreth 70 punonjës u pushuan nga Agjencia Kombëtare për Ruajtjen e Trashëgimisë Kulturore dhe Muzeu Kombëtar i Gjeorgjisë midis 2021 dhe 2022 dhe në disa raste u ndaluan të hynin në ambientet e muzeut.

Më pas erdhi radha e Qendrës Kombëtare të Librit, e cila gjithashtu u riorganizua, duke çuar në një përplasje midis shkrimtarëve gjeorgjianë dhe ministrisë së Kulturës sipas raportimit të Eurasianet.

Edhe industria e filmit pati pjesën e saj të polemikave. Në mesin e marsit 2022, Qendra Kombëtare e Filmit Gjeorgjian (GNFC), një agjenci publike që sponsorizon projektet dhe mbështet industrinë e filmit, dëshmoi se regjisori Gaga Chkheidze, që punonte aty prej vitesh, u pushua nga puna për keqmenaxhim financiar. Para shkarkimit të tij, Chkeidze u përball me disa ndërhyrje nga ministria e Kulturës, raportit të PEN.

Raporti thekson më tej:

Largimi nga qeveria gjeorgjiane i studiuesve kryesorë nga institucionet kulturore dhe mohimi i granteve dhe burimeve të tjera për studiuesit, rrezikon të minojë si të drejtat e atyre individëve për kulturën dhe pjesëmarrjen në zhvillimin shkencor, ashtu edhe të drejtat e gjeorgjianëve dhe të tjerëve në mbarë botën për të përfituar nga kërkimi, informacioni dhe njohuri në një sërë fushash shkencore dhe kulturore. Veprimet ndëshkuese dhe sulmet sistematike kundër pavarësisë artistike dhe profesionale të institucioneve kulturore të Gjeorgjisë si dhe kundër artistëve dhe profesionistëve, do të kenë gjithashtu një efekt rrëqethës mbi lirinë e shprehjes në të gjithë vendin dhe do të ngushtojë më tej hapësirën qytetare.

Ata që folën me PEN thanë se represioni u kujtoi atyre pushtimin sovjetik, “gjatë të cilit i gjithë arti dhe kultura u shtyp në mënyrë sistematike, ose u shfrytëzua për qëllime propagandistike të qeverisë.”

Nëse Ëndrra Gjeorgjiane do t'i marrë parasysh rekomandimet e PEN America në raportin, duhet parë. Goditjet e ministres Tsulukiani që nga emërimi i saj në 2021, lë pak shpresa për këtë.

Nis komentet

Autorë, ju lutem hyr »

Rregullat

  • Të gjitha komentet lexohen nga moderatori. Mos dërgo të njëjtin koment më shumë se një herë pasi mund të konsiderohet spam.
  • Respekto të tjerët. Komentet me gjuhë urrejtjeje, të pahijshme dhe sulme personale nuk do të miratohen.