Partia në pushtet Ëndrra Gjeorgjiane nuk arriti të fajësonte presidenten e Gjeorgjisë, Salome Zurabishvili, lidhur me vendimin e saj për të vazhduar një turne në Evropë në mbështetje të kandidaturës së Gjeorgjisë për anëtarësim në BE në shtator 2023. Partia në pushtet nuk arriti të merrte mbështetjen e një minimumi prej 100 votash parlamentare nga 150, me vetëm 86 deputetë që votuan pro shkarkimit dhe një deputet votoi kundër vendimit. Deputetët e mbetur të opozitës ose nuk votuan ose e bojkotuan tërësisht seancën. Rezultati do të thotë gjithashtu se parlamenti nuk do të jetë në gjendje të votojë përsëri për të fajësuar presidenten Zurabishvili për të njëjtat akuza.
Ëndrra Gjeorgjiane u zotua të padisë presidenten në Gjykatën Kushtetuese, duke pretenduar se Zurabishvili veproi në kundërshtim me nenin 52 të Kushtetutës së Gjeorgjisë, i cili thotë se kreu i shteit mund të ushtrojë kompetenca përfaqësuese në marrëdhëniet me jashtë, vetëm me pëlqimin e qeverisë. Më 16 tetor, Gjykata shpalli fajtore presidenten Salome Zurabishvili për shkelje të kushtetutës pas vizitave zyrtare jashtë vendit në gusht dhe shtator, pasi qeveria refuzoi t'i jepte lejen zyrtare për ta bërë këtë.
Maia Kopaleishvili, një nga avokatet e Zurabishvilit, tha për Interpress News: “Gjykata Kushtetuese me të vërtetë nuk kishte as bazë ligjore dhe as faktike për të konfirmuar shkeljen e kushtetutës nga presidentja. Nëse gjykata do të vepronte në kushte të drejta […] ky vendim nuk duhej të ishte marrë.”
Megjithatë, verdikti i gjykatës i lejoi partisë në pushtet të vazhdojë me procedurat e shkarkimit ndaj Zurabishvilit, me fazën përfundimtare të votimit parlamentar. Por, nuk ja doli.
Në fjalimin e saj në parlament gjatë seancës së shkarkimit, Zurabishvili mohoi shkeljen e kushtetutës dhe deklaroi se votimi do të dëmtonte “të ardhmen evropiane” të Gjeorgjisë. “Nuk do të privohem nga asgjë nga ky proces. Sot nuk vendoset fati im, por fati juaj. Ju nuk po fajësoni mua, por veten, vendin, të ardhmen e tij evropiane dhe çdo votë e juaja [në favor të fajësimit] është një votë kundër kësaj të ardhmeje tonën”, tha Zurabishvili.
Presidentja tha gjithashtu se ajo nuk do të japë dorëheqjen.
Të nesërmen, ajo vuri veton ndaj amendamenteve të diskutueshme në ligjin e protestave të Gjeorgjisë, që do të ndalonte ngritjen e tendave ose ‘strukturave të përkohshme’ gjatë protestave si dhe do t'i hiqte shtetësinë gjeorgjiane Otar Partskhaladze, ish-prokurorit të përgjithshëm të sanksionuar nga SHBA.
Sipas Departamentit Amerikan të Shtetit, Partskhaladze, i cili shërbeu si Prokuror i Përgjithshëm i Gjeorgjisë për një muaj e gjysmë në vitin 2013, u sanksionua nga Uashingtoni për “aktivitetin në sektorin e këshillimit të menaxhimit” të ekonomisë së Rusisë dhe qëllimeve malinje ndaj Gjeorgjisë.
Pak orë para fillimit të seancës, administrata presidenciale kritikoi gjithashtu parlamentin për moslejimin e diplomatëve të huaj të merrnin pjesë.
Një përçarje në rritje
Zyra e presidentes së Gjeorgjisë ka pak pushtet dhe është e kufizuar kryesisht në funksionet përfaqësuese, ndërsa shumica e kompetencave i takon parlamentit dhe kryeministrit. Vetëm pas pushtimit rus të Ukrainës, presidentja Zurabishvili mori një pozicion më kritik kundër partisë në pushtet, e cila është miqësore ndaj Rusisë në mes të pushtimit. Ajo kritikonte rregullisht retorikën e partisë për luftën në vazhdim dhe synimet e Rusisë.
Presidentja Zurabishvili gjithashtu mbajti anën e popullit dhe opozitës gjatë protestave kundër ligjit të imponuar nga qeveria për agjentët e huaj, në mars 2023.
Një lëvizje tjetër që e vendosi presidenten në kundërshtim me qeverinë ishte vendimi i saj për të falur një gazetar të shquar të opozitës, Nikoloz Gvaramia, në qershor 2023, i cili u dënua me tre vjet e gjysmë në maj 2022.
Në vazhdën e këtyre tensioneve në rritje, Ëndrra Gjeorgjiane e ndaloi presidenten të bënte vizita ndërkombëtare, por presidentja vendosi të nisë turneun për në Evropë më 30 gusht. Kur fotot e takimit me homologun e saj gjerman Frank -Walter Steinmeier qarkulluan në internet, partia në pushtet tha se presidentja “po shkelte rëndë kushtetutën” dhe nuk ishte e autorizuar të takohej me liderët evropianë.
Partitë e opozitës gjeorgjiane dhe disa anëtarë të Parlamentit Evropian ishin shpejt denoncuan masën e Ëndrrës Gjeorgjiane në pushtet për të fajësuar presidenten. Në një deklaratë të përbashkët, organizatat gjeorgjiane, duke përfshirë Fondacionin e Shoqërisë së Hapur dhe Transparency International, thanë: “Vendimi i Ëndrrës Gjeorgjiane për të filluar procedurën e shkarkimit të presidentes së Gjeorgjisë është një sulm ndaj aspiratave të vendit për të qenë pjesë Bashkimit Evropian”.
Përpara se shkarkimi i Zurabishvilit të hidhej në votim, Transparency International Gjeorgji akuzoi partinë në pushtet për përpjekje për të “sabotuar procesin e integrimit evropian të Gjeorgjisë”.
Aspiratat e Gjeorgjisë në BE
Menjëherë pasi Rusia pushtoi Ukrainën në shkurt 2022, Gjeorgjia njoftoi planin e saj për t'u bërë anëtare e Bashkimit Evropian. Që atëherë, partia në pushtet Ëndrra Gjeorgjiane e ka gjetur veten në telashe për një mori vendimesh, deklaratash dhe kritikash ndaj Perëndimit. Qeveria ka bërë hapa prapa për liritë dhe të drejtat e njeriut.
Në maj të vitit 2023, kryeministri gjeorgjian Irakli Gharibashvili mori pjesë në takimin e Koalicionit të Veprimit Politik Konservator (CPAC) në Budapest, ku politikani sulmoi personat LGBTQ+, duke pretenduar se ata po përhapnin propagandë që ishte kundër “vlerave tradicionale familjare” të vendit. Por nuk është vetëm qëndrimi anti-LGBTQ+ i qeverisë në pushtet ose historia e përkeqësuar mbi liritë dhe demokracinë që po tërheq vëmendjen ndërkombëtare. Ëndrra Gjeorgjiane ka bërë gjithashtu ndryshime të rëndësishme në marrëdhëniet e saj me Rusinë që kur kjo e fundit pushtoi Ukrainën, duke përfshirë rifillimin e fluturimeve nga Rusia në maj 2023 dhe duke lejuar zyrtarët e sanksionuar rusë dhe familjet e tyre të kalojnë në Gjeorgji.
Pas takimit me Zurabishvilit në Bruksel, presidenti i Këshillit Evropian, Charles Michel, përsëriti vëzhgimet e mëparshme të BE-së se për sa kohë që qeveria ndjek reformat në “drejtësinë, deoligarkizimin e anti-korrupsionin dhe pluralizmin mediatik”, BE do të mbetet e përkushtuar për të mbështetur Gjeorgjia në rrugën për statusin e vendit kandidat.
BE-ja do të marrë një vendim për këtë në nëntor 2023.