Partia Ëndrra Gjeorgjiane nuk është ëndrra e çdo gjeorgjiani

Foto nga Arzu Geybullayeva

Menjëherë pasi Rusia pushtoi Ukrainën, Gjeorgjia paraqiti një kërkesë për t'u bërë anëtare e Bashkimit Evropian. Që atëherë, partia në pushtet Ëndrra Gjeorgjiane e ka gjetur veten në telashe për një mori vendimesh, deklaratash dhe kritikash kundër Perëndimit. Qeveria ka bërë gjithashtu një kthesë kundër lirive dhe të drejtave të njeriut. Në maj të vitit 2023, kryeministri gjeorgjian Irakli Gharibashvili mori pjesë në takimin e Koalicionit të Veprimit Politik Konservator (CPAC) në Budapest, ku politikani foli ashpër kundër njerëzve LGBTQ+ duke pretenduar se ata po përhapnin propagandë që ishte kundër “vlerave tradicionale familjare” të vendit. Por nuk është vetëm qëndrimi anti-LGBTQ+ i qeverisë ose historia e saj e përkeqësuar mbi liritë dhe demokracinë që po tërheq vëmendjen ndërkombëtare. Ëndrra Gjeorgjiane ka bërë gjithashtu ndryshime të rëndësishme në marrëdhëniet e saj me Rusinë që kur kjo e fundit pushtoi Ukrainën.

Larg BE-së, më afër Rusisë

Në maj 2023, Gjeorgjia rifilloi fluturimet drejt dhe nga Rusia. Një nga ato fluturime transportonte të afërmit e ministrit të Jashtëm rus Sergej Lavrov, duke përfshirë vajzën e tij të sanksionuar ndërkombëtarisht Ekaterina Vinokurova dhe bashkëshortin e saj Alexander Vinokurov, i cili gjithashtu është nën sanksione. Familja e Lavrov po vizitonte Gjeorgjinë për dasmën e Mika (Moshe) Vinokurov, kunatit të vajzës së Lavrov.

Gjithashtu në maj, ndërsa merrte pjesë në një konferencë sigurie në Bratislavë, kryeministri gjeorgjian Gharibashvili akuzoi hapur Ukrainën se ishte arsyeja kryesore pse filloi lufta në radhë të parë. “Nuk dua të citoj deklaratat e qeverisë ruse, por një nga arsyet ishte vullneti dhe vendosmëria e Ukrainës për t'u bërë anëtare e NATO-s. Prandaj ne shohim pasojat”, tha Gharibashvili. Gjatë së njëjtës konferencë, ai sulmoi edhe BE-në, duke kritikuar institucionin për dhënien e statusit të kandidatit për Ukrainën dhe Moldavinë, ndërkohë që i mohoi të njëjtin status Gjeorgjisë. Kryeministri pretendoi se Gjeorgjia ishte përpara dy kombeve të tjera përsa i përket “reformave e performancës”.

Në përgjigje të deklaratave të kryeministrit gjatë konferencës në Bratislavë, eurodeputetja Rasa Juknevičienė shkroi në Twitter, “Govorit Moskva!” (Ju flet Moska!). Ish-ambasadori i SHBA në Gjeorgji, Ian Kelly i përshkroi deklaratat si “analizë të keqe” dhe “fyese”, duke fajësuar “Ukrainën për vullnetin e saj sovran për t'u bashkuar me Perëndimin”.

Ndryshe nga partia Ëndrra Gjeorgjiane, BE e sheh Gjeorgjinë si prapa Ukrainës dhe Moldavisë. Gjatë takimit të 12-të të Komitetit Parlamentar të Asociimit BE-Gjeorgji, Marina Kaljurand, e cila kryesonte takimin, tha: “Gjeorgjia ka mbetur prapa Ukrainës dhe Moldavisë dhe se përmbushja e 12 rekomandimeve të përcaktuara nga BE-ja për statusin e saj kandidat ishte ‘e paplotë, iecopëtuar dhe shpesh sipërfaqësore’ ndërsa paralajmëroi se vendi rrezikonte të humbiste një ‘shans historik’ për t'u bashkuar me BE-në,” raportoi OC Media. Për këtë, Sekretari i Përgjithshëm i Ëndrrës Gjeorgjiane dhe kryebashkiaku i Tbilisit Kakha Kaladze tha se Kaljurand “po fliste për një vend tjetër dhe është krejtësisht jashtë lidhjes me realitetin”.

Qeveria njoftoi planin e saj për të aplikuar për anëtarësim në BE në mars 2022, pas pushtimit të Ukrainës nga Rusia – një ditë pasi Ukraina bëri aplikimin e saj zyrtar. Në atë kohë, masa u përshkrua si një kthesë për partinë në pushtet Ëndrra Gjeorgjiane, e cila deri vonë, këmbënguli se nuk do të përshpejtonte afatin fillestar të aplikimit për anëtarësim në vitin 2024.

Në qershor 2022, Presidentja e Komisionit të BE-së, Ursula von der Leyen, tha: “Ne i rekomandojmë Këshillit t'i japë perspektivën evropiane [Gjeorgjisë] dhe të kthehet dhe të vlerësojë se si Gjeorgjia përmbush një sërë kushtesh, përpara se t'i japë asaj statusin e kandidatit.” Për t'iu dhënë statusin e kandidatit, vendi duhet të plotësojë disa kushte, duke përfshirë reduktimin e polarizimit politik, reformimin e gjyqësorit, sigurimin e funksionimit të institucioneve shtetërore, forcimin e masave kundër korrupsionit, duke përfshirë deoligarkizimin dhe të tjera. Ndërsa klauzola e de-oligarkizimit nuk përmend ndonjë emër specifik, kuptohet gjerësisht se i referohet themeluesit dhe miliarderit të Ëndrrës Gjeorgjiane Bidzina Ivanishvili.

Qeverisë në Gjeorgji iu desh një vit për të hartuar një projektligj mbi deoligarkizimin, i cili u miratua nga parlamenti më 13 qershor 2023, pavarësisht kundërshtimeve të ngritura nga Komisioni i Venecias, i cili argumentoi se që deoligarkizimi të hynte në fuqi, nuk mjafton miratimi apo ndryshimi i ligjeve por marrja e “masave konkrete” me synim “reduktimin e ndikimit oligark”.

Projektligji nuk arriti të trajtojë shqetësimet siç përvijohet nga opinioni i Komisionit të Venecias dhe sipas raportimit nga media lokale, projektligji do të synonte disa figura të opozitës dhe jo Ivanishvilin.

Komisioni Evropian do të ndajë opinionin e tij të përkohshëm në tetor dhe do të votojë sërish për statusin e kandidaturës së Gjeorgjisë në dhjetor 2023.

Përkeqësim në të gjitha frontet e brendshme

Menjëherë pas fjalimit të kryeministrit në Budapest, partia në pushtet tha se po tërhiqte anëtarësimin e saj si vëzhguese nga Partia e Socialistëve Evropianë (PES), partia e dytë më e madhe në Parlamentin Evropian. PES kritikoi Gharibashvilin për pjesëmarrjen në konferencën në Budapest. Në një intervistë me OC Media, një përfaqësues i PES tha:“për disa muaj [ata] diskutuan, shprehën shqetësimin dhe dënuan aktivitetet e Ëndrrës Gjeorgjiane që e vendosin partinë jashtë vlerave të PES”.

Në Tbilisi, shteti nxitoi të ndiqte kritikët e deklaratave të Gharibashvilit për Ukrainën dhe aspiratat e saj në NATO, si dhe u bëri thirrje autoriteteve të respektojnë të drejtën e lirisë së shprehjes dhe tubimit. Në qershor, kur një grup aktivistësh u mblodhën jashtë parlamentit me pankarta dhe postera, policia ndërhyri me shpejtësi, duke grisur disa prej posterave dhe duke konfiskuar tabelat e aktivistëve. Të paktën tre nga aktivistët e arrestuar janë tani në gjyq me akuzat për huliganizëm dhe mosbindje ndaj policisë.

Disa ditë më vonë, policia gjeorgjiane u pa përsëri duke përdorur forcë kundër protestuesve që u mblodhën jashtë ndërtesës së parlamentit në kryeqytet duke mbajtur tabela që policia i konfiskoi ose copëtoi me arsyetimin se ishin “fyese”, raportoi OC Media. Disa pankarta kishin emrin e kryeministrit Irakli Gharibashvili të shkruar në alfabetin gjeorgjian, duke ndërruar shkronjën “k” (‘კ’) me shkronjën “q” që i ngjan fjalës gjeorgjiane “penis”. Policia arrestoi gjithashtu të paktën gjashtë persona në protestën për të “mbrojtur lirinë e shprehjes” në Batumi.

Në javët në vijim, media raportoi për një seri incidentesh të dhunshme që ndodhën në kryeqytetin Tbilisi kundër kritikëve të qeverisë në pushtet, duke përfshirë gazetarin Misha Mshvildadze, bashkëthemelues i stacionit televiziv të lidhur me opozitën Formula, dhe dy politikanë të opozitës. Zurab Girchi Japaridze, kryetar i partisë opozitare libertariane Girchi – Më shumë Liri, dhe Davit Osikmishvili, anëtar i partisë opozitare Lëvizja e Bashkuar Kombëtare (UNM).

Gjithashtu në qershor, parlamenti hodhi poshtë një model të sugjeruar si pjesë e një marrëveshjeje të ndërmjetësuar nga BE për Kodin Zgjedhor. Si i tillë, në vend që presidenti të emërojë dhe të vendosë për përbërjen e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), do të jetë parlamenti dhe kryetari i parlamentit që do ta marrin atë vendim, sipas amendamenteve të reja të miratuara më 14 qershor. Marrëveshja, e cila daton në prill 2021, ishte midis partisë në pushtet të Gjeorgjisë dhe opozitës dhe përfshinte një paketë reformash gjyqësore dhe zgjedhore. Marrëveshja erdhi në një kohë kur Gjeorgjia ishte përfshirë në një krizë politike, pasi grupet opozitare po kundërshtonin rezultatet e zgjedhjeve parlamentare të fituara nga Partia Ëndrra Gjeorgjiane në tetor 2020. Palët konkurruese arritën një marrëveshje më 19 prill 2021, me ndërmjetësim nga Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian. Muaj më vonë, Ëndrra Gjeorgjiane njoftoi vendimin e saj për t'u tërhequr nga marrëveshja.

Por ka një ndarje të dukshme midis asaj që dëshiron Ëndrra Gjeorgjiane dhe asaj që parashikon populli i Gjeorgjisë. Rreth 90 për qind e popullit gjeorgjian e shohin Rusinë si një kërcënim, sipas sondazhit të Institutit Republikan Ndërkombëtar të publikuar në mars 2022. Sipas të njëjtit sondazh, mbi 50 për qind e gjeorgjianëve e shohin BE-në dhe SHBA-në si partnerët kryesorë të Gjeorgjisë. Dhe mbi 70 për qind e popullsisë së Gjeorgjisë dëshiron ta shohë vendin të bashkohet me BE. Megjithëse Ëndrra Gjeorgjiane vetëm së fundmi i tha publikut se vendi ishte në rrugën e anëtarësimit në BE gjatë ditës së pavarësisë së vendit, mbështetësit pro-BE dhe demokratë besojnë se këto janë vetëm premtime boshe.

Nis komentet

Autorë, ju lutem hyr »

Rregullat

  • Të gjitha komentet lexohen nga moderatori. Mos dërgo të njëjtin koment më shumë se një herë pasi mund të konsiderohet spam.
  • Respekto të tjerët. Komentet me gjuhë urrejtjeje, të pahijshme dhe sulme personale nuk do të miratohen.